Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni
Ndërsa japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë, ne marrim pjesë në atë punë të madhe e të lavdishme që e përgatit tokën për kthimin e Mesias së saj.
Përfytyroni me mua, për një çast, sikur qëndroni në një mal në Galile, duke dëshmuar mrekullinë dhe lavdinë e Shpëtimtarit të ringjallur që viziton dishepujt e Tij. Sa e mahnitshme është të mendoni sikur i dëgjoni vetë këto fjalë, të cilat Ai ua tha atyre, detyrën solemne prej Tij për të “shk[uar], pra, dhe bë[rë] dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”1. Me të vërtetë, këto fjalë do ta fuqizonin, frymëzonin dhe preknin shpirtërisht secilin prej nesh, siç bënë edhe me Apostujt e Tij. Vërtet, ata ia kushtuan pjesën e mbetur të jetës bërjes pikërisht të asaj gjëje.
Është interesante se nuk ishin vetëm Apostujt ata që i morën seriozisht fjalët e Jezusit. Anëtarët e Kishës së hershme, nga më të rinjtë në anëtarësi deri tek ata më me përvojë, morën pjesë në porosinë e madhe të Shpëtimtarit, duke e shpërndarë lajmin e mirë të ungjillit tek ata që takonin dhe njihnin. Vendosmëria për ta treguar dëshminë e tyre për Jezu Krishtin e ndihmoi Kishën e Tij të sapokrijuar të rritej gjerësisht.2
Edhe ne, si dishepuj të Krishtit, na kanë ftuar t’ia vëmë veshin porosisë së Tij sot, sikur të ishim atje në atë mal në Galile kur Ai e shpalli atë për herë të parë. Kjo porosi filloi përsëri në vitin 1830, kur Jozef Smithi veçoi vëllanë e tij, Samuelin, si misionar të hershëm të Kishës së Jezu Krishtit.3 Që nga ajo kohë, më shumë se 1,5 milionë misionarë kanë udhëtuar anembanë botës duke u dhënë mësim të gjitha kombeve dhe duke i pagëzuar ata që i përqafojnë lajmet e mira të ungjillit të rivendosur.
Kjo është doktrina jonë. Dëshira jonë e thellë.
Që nga fëmijët tanë të vegjël e deri te më të moshuarit mes nesh, e dëshirojmë fort kohën kur mund t’ia vëmë veshin thirrjes së Shpëtimtarit dhe ta përhapim ungjillin te kombet e botës. Jam i sigurt se ju të rinj dhe të reja ndiet një sfidë të ngjashme fuqizuese nga profeti ynë dje, ndërsa ju ftoi të përgatiteni për shërbimin misionar kohëplotë, pikërisht siç bëri Shpëtimtari me Apostujt e Tij.
Ashtu si vrapuesit e garave të shpejtësisë në vijën e nisjes, ne e presim me padurim ftesën zyrtare, të plotësuar me nënshkrimin e profetit, që sinjalizon fillimin e garës! Kjo dëshirë është fisnike dhe frymëzuese, megjithatë, le të shqyrtojmë këtë pyetje: “Pse të mos fillojmë të gjithë tani?”
Ju mund të pyetni: “Si mund të jem një misionar/e pa një etiketë emri?” Ose i themi vetes: “Misionarët/et kohëplotë/a veçohen për ta bërë këtë punë. Do të doja të ndihmoja, por ndoshta më vonë kur të jenë qetësuar pak gjërat në jetë.”
Vëllezër dhe motra, është shumë më e thjeshtë se kaq! Fatmirësisht, porosia e madhe e Shpëtimtarit mund të kryhet nëpërmjet parimeve të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme që i mësohen secilit prej nesh që nga fëmijëria: jepni dashuri, tregoni dhe ftoni.
Jepni Dashuri
E para gjë që mund të bëjmë, është të duam siç deshi Krishti.
Zemrat tona janë të rënduara nga vuajtjet dhe tensionet njerëzore që shohim anembanë botës gjatë këtyre kohëve të trazuara. Megjithatë, edhe mund të frymëzohemi nga derdhja e dhembshurisë dhe humanizmit që është treguar nga njerëzit kudo nëpërmjet përpjekjeve të tyre për t’u ardhur në ndihmë të lënëve mënjanë – atyre që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, që janë ndarë nga familjet e tyre ose që po përjetojnë forma të tjera pikëllimi dhe dëshpërimi.
Kohët e fundit, burimet e lajmeve raportuan se si një grup nënash në Poloni, nga shqetësimi për familjet e dëshpëruara në arrati, lanë karroca fëmijësh plotësisht të pajisura në një platformë stacioni treni, të renditura në vijë të drejtë, gati dhe në pritje për nënat dhe fëmijët refugjatë që do të kishin nevojë për to në atë kalim kufitar ndërsa zbritnin nga treni. Sigurisht, Ati ynë Qiellor buzëqesh me vepra bamirësie vetëmohuese si këto, sepse ndërsa mbajmë barrët e njëri-tjetrit, ne “përmbush[im] ligjin e Krishtit”4.
Sa herë që tregojmë dashuri si të Krishtit ndaj të afërmit tonë, ne predikojmë ungjillin – edhe nëse nuk shqiptojmë asnjë fjalë të vetme.
Dashuria për të tjerët është shprehje elokuente e urdhërimit të dytë të madh për të dashur të afërmin tonë5, ajo tregon procesin e përmirësimit prej Shpirtit të Shenjtë që vepron brenda vetë shpirtrave tanë. Duke demonstruar dashuri si të Krishtit për të tjerët, ne mund të bëjmë që ata që i shohin veprat tona të mira, ta “lëvdojnë Atin [tonë] që është në qiej”6.
Ne e bëjmë këtë duke mos pritur asgjë në këmbim.
Shpresa jonë, sigurisht, është që ata ta pranojnë dashurinë tonë dhe mesazhin tonë, ndonëse mënyra se si ata reagojnë nuk është nën kontrollin tonë.
Ajo që bëjmë dhe ata që jemi sigurisht që janë.
Nëpërmjet dashurisë për të tjerët të ngjashme me të Krishtit, ne predikojmë vetitë e lavdishme të ungjillit të Krishtit që na e shndërrojnë jetën dhe marrim pjesë në mënyrë domethënëse në përmbushjen e porosisë së Tij të madhe.
Tregoni
Gjëja e dytë që mund të bëjmë, është të tregojmë.
Gjatë muajve të parë të pandemisë së COVID-19, Vëllai Visani nga Tajlanda ndjeu nxitjen të tregonte ndjenjat dhe mbresat e tij për atë që po mësonte gjatë studimit të Librit të Mormonit, në llogarinë e tij në mjetin shoqëror të komunikimit. Në një nga publikimet e tij veçanërisht vetjake, ai tregoi historinë e dy misionarëve nga Libri i Mormonit, Almës dhe Amulekut.
Vëllai i tij, Vinai, edhe pse i vendosur në bindjet e tij fetare, u prek nga publikimi dhe i shkroi, duke e pyetur papritur: “A mund ta marr atë libër në tajlandisht?”
Visani me urtësi organizoi që kopja e Librit të Mormonit të dorëzohej nga dy motra misionare, që filluan tʼi jepnin mësim vëllait të tij.
Visani iu bashkua mësimeve në internet gjatë të cilave tregoi ndjenjat e tij për Librin e Mormonit. Vinai mësoi të lutej dhe të studionte me një shpirt që kërkonte të vërtetën, dhe ta pranonte e ta përqafonte atë. Brenda pak muajsh, Vinai u pagëzua.
Visani më vonë tha: “Ne kemi përgjegjësinë për të qenë një mjet në duart e Perëndisë, dhe ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm që Ai të bëjë punën e Tij, sipas mënyrës së Tij, nëpërmjet nesh”. Mrekullia në familjen e tyre erdhi pasi Visani thjesht tregoi për ungjillin në një mënyrë të zakonshme dhe të natyrshme.
Ne të gjithë u tregojmë gjëra të tjerëve. Këtë e bëjmë shpesh. Ne tregojmë se çfarë filmash dhe ushqimi na pëlqejnë, gjërat zbavitëse që shohim, vendet që vizitojmë, artin që vlerësojmë, citimet nga të cilat frymëzohemi.
Si mundet që thjesht t’i shtojmë listës së gjërave për të cilat tashmë tregojmë, atë që na pëlqen shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit?
Plaku Diter F. Uhtdorf shpjegoi: “Nëse dikush ju pyet për fundjavën, mos ngurroni të flisni për atë që keni përjetuar në kishë. Flisni për fëmijët e vegjël, të cilët qëndruan përpara një bashkësie dhe kënduan me zell se si po përpiqen të jenë si Jezusi. Flisni për grupin e të rinjve që shpenzuan kohë duke ndihmuar të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve për të përpiluar historitë vetjake.”7
Të treguarit nuk ka të bëjë me “shitjen” e ungjillit. Ju nuk keni përse të shkruani një predikim apo të korrigjoni perceptimet e gabuara të dikujt.
Kur bëhet fjalë për punën misionare, Perëndia nuk ka nevojë që ju të jeni komisari i Tij; megjithatë, Ai vërtet kërkon që ju të jeni tregimtari i Tij.
Duke u treguar të tjerëve për përvojat tona pozitive me ungjillin, ne marrim pjesë në përmbushjen e porosisë së madhe të Shpëtimtarit.
Ftoni
Gjëja e tretë që mund të bëni, është të ftoni.
Motra Majra është një e kthyer në besim së fundmi nga Ekuadori. Gëzimi i saj në ungjill u rrit menjëherë pas pagëzimit të saj ndërsa ftonte miqtë dhe njerëzit e dashur përreth, nëpërmjet llogarive në mjetet shoqërore të komunikimit. Shumë nga pjesëtarët e familjes dhe miqtë që i panë publikimet e saj, u përgjigjën me pyetje. Majra u lidh me ta, shpesh duke i ftuar në shtëpi që së bashku të takoheshin me misionarët.
Prindërit e Majrës, vëllezërit e motrat, tetoja, dy kushërinjtë dhe disa shokë të saj u pagëzuan, sepse ajo i ftoi me guxim që “të vijnë e të shohin”, “të vijnë e të shërbejnë” dhe “të vijnë e të gjejnë përkatësi”. Nëpërmjet ftesave të saj të zakonshme dhe të natyrshme, mbi 20 veta e kanë pranuar ftesën e saj për t’u pagëzuar si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Kjo ndodhi sepse Motra Majra thjesht i ftoi të tjerët të përjetonin gëzimin që ajo ndjeu si anëtare e Kishës.
Ka qindra ftesa që mund t’ua bëjmë të tjerëve. Ne mund t’i ftojmë të tjerët “të vijnë e të shohin” një shërbesë sakramenti, një aktivitet lagjeje, një material filmik në internet që shpjegon për ungjillin e Jezu Krishtit. “Ejani dhe shikoni” mund të jetë një ftesë për të lexuar Librin e Mormonit ose për të vizituar një tempull të ri gjatë shtëpisë së hapur përpara përkushtimit të tij. Ndonjëherë ftesa është diçka që e bëjmë përbrenda – një ftesë për veten, që na jep ndërgjegjësim dhe largpamësi për mundësitë që na rrethojnë, që të veprojmë.
Në epokën tonë digjitale, anëtarët shpesh i shpërndajnë mesazhet nëpërmjet mjeteve shoqërore të komunikimit. Ka qindra, në mos mijëra, gjëra lartësuese që mund të jenë të denja për t’i treguar. Kjo përmbajtje ofron ftesa që “të vijmë e të shohim”, “të vijmë e të shërbejmë” dhe “të vijmë e të gjejmë përkatësi”.
Ndërsa i ftojmë të tjerët të mësojnë më tepër rreth ungjillit të Jezu Krishtit, ne marrim pjesë në thirrjen e Shpëtimtarit për t’u përfshirë në punën e porosisë së Tij.
Përfundimi
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, sot kemi folur për tri gjëra të thjeshta – gjëra të lehta – që çdokush mund t’i bëjë. Gjëra që ju mund t’i bëni. Ndoshta tashmë po i bëni, madje pa e kuptuar plotësisht se po i bëni!
Ju ftoj të merrni parasysh mënyra se si mund të jepni dashuri, të tregoni dhe të ftoni. Ndërsa e bëni këtë, do të ndjeni një masë gëzimi duke e ditur se po ua vini veshin fjalëve të Shpëtimtarit tonë të dashur.
Ajo që po ju nxit të bëni, nuk është një program i ri. Ju i keni dëgjuar më parë këto parime. Kjo nuk është “gjëja e madhe e radhës” që Kisha po ju kërkon të bëni. Këto tri gjëra janë thjesht një zgjerim i asaj se kush jemi tashmë si dishepuj të Jezu Krishtit.
Nuk kërkohet asnjë etiketë emri ose letër [thirrjeje për mision].
Nuk nevojitet asnjë thirrje formale.
Ndërsa këto tri gjëra bëhen pjesë e natyrshme e asaj që jemi dhe e mënyrës se si jetojmë, ato do të bëhen një shprehje e vetvetishme dhe e padetyruar e dashurisë së vërtetë.
Sikurse ata dishepuj të Krishtit që u mblodhën së bashku për të mësuar prej Tij në Galile 2 000 vjet më parë, edhe ne mund ta përqafojmë detyrën e ngarkuar nga Shpëtimtari dhe të shkojmë në të gjithë botën duke predikuar ungjillin.
Ndërsa japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë, ne marrim pjesë në atë punë të madhe e të lavdishme që e përgatit tokën për kthimin e Mesias së saj.
Ia vënshim veshin thirrjes së Shpëtimtarit dhe u përpjekshim fort për t’u përfshirë në porosinë e Tij të madhe, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.