Siguria që Vjen nga Besëlidhjet nëpërmjet Jezu Krishtit
Kur hyjmë në shtëpinë e Zotit, nisim një rrugëtim të shenjtë për të mësuar të bëhemi dishepuj më të lartësuar dhe më të shenjtë të Krishtit.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, lutem që të mund të përtërihemi shpirtërisht prej mesazheve të frymëzuara nga udhëheqësit tanë këtë fundjavë dhe të gëzohemi nga ajo që më pëlqen shumë ta quaj “siguria që vjen nga besëlidhjet nëpërmjet Jezu Krishtit”. Kjo siguri është bindja e heshtur, por e sigurt për marrjen e bekimeve që Perëndia premton për ata të cilët i mbajnë besëlidhjet e tyre, dhe është kaq e nevojshme mes rrethanave sfiduese të kohës sonë.
Ndërtimi i shtëpive të reja të Zotit anekënd botës, nën udhëheqjen e frymëzuar të Presidentit Rasëll M. Nelson, ka shkaktuar gëzim të madh mes anëtarëve të Kishës dhe shërben si një simbol i rëndësishëm i zgjerimit të mbretërisë së Zotit.
Duke reflektuar mbi përvojën time mahnitëse në përkushtimin e Tempullit të Fedhër‑Riverit në Kaliforni tetorin e shkuar, pyesja veten a përhumbemi ndonjëherë në entuziazmin e pasjes së tempujve të rinj në qytetet dhe komunitetet tona dhe e shpërfillim qëllimin më të shenjtë të besëlidhjeve të shenjta të bëra në tempull.
E gdhendur në hyrjen e çdo tempulli është një deklaratë solemne: “Shenjtëri Zotit”. Këto fjalë të frymëzuara janë një ftesë e qartë se, kur hyjmë në shtëpinë e Zotit, nisim një rrugëtim të shenjtë për të mësuar të bëhemi dishepuj më të lartësuar dhe më të shenjtë të Krishtit. Ndërsa bëjmë besëlidhje në shenjtëri para Perëndisë dhe zotohemi për ta ndjekur Shpëtimtarin, ne marrim fuqinë për të ndryshuar zemrën, për të ripërtërirë shpirtin dhe për ta thelluar marrëdhënien tonë me Të. Një përpjekje e tillë i sjell shenjtërim shpirtit tonë dhe krijon një lidhje të shenjtë me Perëndinë dhe Jezu Krishtin, të cilët premtojnë se ne mund të trashëgojmë dhuratën e jetës së përjetshme. Rrjedhoja e këtij rrugëtimi të shenjtë është që ne fitojmë siguri më të lartë dhe më të shenjtë për jetën tonë të përditshme brenda besëlidhjeve tona të bëra nëpërmjet Jezu Krishtit.
Një siguri e tillë është kulmi i lidhjes sonë hyjnore me Perëndinë dhe mund të na ndihmojë që të na shtohet përkushtimi dhe mirënjohja për Jezu Krishtin dhe flijimin e Tij shlyes. Ajo e përforcon aftësinë tonë për t’i dashur e për t’u shërbyer të tjerëve dhe na e forcon shpirtin për të jetuar në një botë jo të shenjtë që është gjithnjë e më e errët dhe shkurajuese. Ajo na fuqizon t’i shkulim farat e dyshimit dhe dëshpërimit, frikës dhe mërzitjes, brengës dhe mungesës së shpresës që armiku përpiqet të na i futë thellë në zemër, veçanërisht kur jeta është e vështirë, kur sprovat janë të gjata ose kur rrethanat janë të vështira. Një varg nga Bibla jep këshillë të shëndoshë për secilin prej nesh ndërsa i bëjmë ballë erës së fortë të sfidave të botës sot: “Mos e hidhni tej [sigurinë] tuaj”.
Të dashur vëllezër e motra, ata që fitojnë siguri të vërtetë nga besëlidhjet e bëra në shtëpinë e Zotit nëpërmjet Jezu Krishtit, zotërojnë një nga forcat më të fuqishme së cilës mund t’i qasemi në këtë jetë.
Ndërsa kemi studiuar Librin e Mormonit tek Eja, Më Ndiq këtë vit, kemi dëshmuar se si Nefi qe një shembull i bukur i fuqisë së kësaj lloj sigurie nga besëlidhjet, nëpërmjet besnikërisë së tij kur u përball me pengesa dhe sfida, si marrja e fletëve siç u urdhërua nga Zoti. Nefi, pavarësisht se ishte tejet i pikëlluar prej frikës dhe mungesës së besimit të Lamanit dhe Lemuelit, qëndroi i sigurt se Zoti do t’ua dorëzonte fletët atyre. Ai u tha vëllezërve: “Ashtu si Zoti jeton dhe ashtu si ne jetojmë, ne nuk do të kthehemi tek ati ynë në vendin e shkretë, derisa ne të kemi plotësuar gjënë që Zoti na ka urdhëruar”. Për shkak të sigurisë së Nefit te premtimet e Zotit, ai ishte në gjendje të përmbushte atë që ishte urdhëruar të bënte. Më vonë, në vegimin e tij, Nefi vuri re ndikimin e kësaj lloj sigurie, duke shkruar: “Unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit … dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”.
I kam parë nga afër premtimet e dashura dhe fuqinë e Zotit të vërshojnë në jetën e fëmijëve të Perëndisë, duke i forcuar për t’u përballur me rrethanat e jetës. Kohët e fundit, bashkëshortja ime u kthye në shtëpi pas adhurimit të saj në tempull dhe më tregoi se sa thellësisht e prekur ishte nga ajo që përjetoi atje. Ndërsa hynte në shtëpinë e Zotit, ajo pa një burrë në karrocë invalidi që lëvizte tepër ngadalë, dhe një grua që ecte me shumë vështirësi duke përdorur një bastun, që të dy që vinin me guxim për të adhuruar Zotin në shtëpinë e Tij. Ndërsa bashkëshortja ime hynte në zonën e nistoreve, ajo pa një motër të dashur, së cilës i mungonte një krah dhe kishte vetëm një pjesë të krahut tjetër, duke kryer bukur dhe çelestialisht çdo detyrë që i ishte dhënë.
Ndërsa unë dhe bashkëshortja bisedonim për atë përvojë, arritëm në përfundimin se vetëm siguria e kulluar dhe e ndier për premtimet e përjetshme që Perëndia jep nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të bëra me Të në shtëpinë e Tij, mund t’i bënte ata dishepuj të mrekullueshëm të Krishtit të dilnin nga shtëpia në atë ditë të acartë, pavarësisht nga rrethanat e jetës së tyre vetjake.
Miqtë e mi të dashur, nëse ka një gjë që mund ta zotërojmë, dhe një gjë mund t’ua kalojmë fëmijëve, nipërve e mbesave tona, që do ta ndihmonte secilin prej tyre për provat dhe sprovat që e presin, do të ishte siguria në besëlidhjet e bëra nëpërmjet Jezu Krishtit. Pasja e një zotërimi të tillë hyjnor do t’i ndihmojë ata të jetojnë siç u premtoi Zoti ndjekësve të Tij besnikë: “Dishepujt e mi do të qëndrojnë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvizen”.
Si mund ta fitojmë një siguri të tillë nëpërmjet Jezu Krishtit? Ajo vjen nëpërmjet përulësisë, vënies së Shpëtimtarit në qendër të jetës sonë, të jetuarit sipas parimeve të ungjillit të Jezu Krishtit, marrjes së ordinancave të shpëtimit dhe të ekzaltimit dhe respektimit të besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë në shtëpinë e Tij të shenjtë.
Në fjalët e tij përmbyllëse në konferencën e përgjithshme të tetorit 2019, profeti ynë i dashur na kujtoi për një hap të rëndësishëm në arritjen e sigurisë nga besëlidhjet, duke thënë: “Denjësia vetjake për të hyrë në shtëpinë e Zotit kërkon shumë përgatitje shpirtërore vetjake. … Denjësia vetjake kërkon një kthim të plotë në besim të mendjes dhe të zemrës për të qenë më shumë si Zoti, për të qenë një qytetar i ndershëm, për të qenë një shembull më i mirë dhe për të qenë një njeri më i shenjtë.” Si rrjedhojë, nëse e ndryshojmë përgatitjen tonë për të hyrë në tempull, do ta ndryshojmë përvojën tonë në tempull, e cila do të na e shndërrojë jetën tonë jashtë tempullit. “Atëherë do të forcohet vet[ë]besimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.”
Një peshkop që unë njoh, e quan klasën e Fillores me nxënësit më të mëdhenj në moshë, jo klasa e “Fillores”, por klasa e “përgatitjes për në tempull”. Në janar, peshkopi i merr anëtarët e klasës dhe mësuesit e tyre në zyrën e tij, ku flasin rreth mënyrës se si do ta kalojnë gjithë vitin duke u përgatitur për të hyrë në tempull. Peshkopi shpenzon kohë për t’i shqyrtuar pyetjet e zbatueshme të intervistës për atë grupmoshë për rekomandim tempulli, të cilat më pas përfshihen në mësimet e tyre të Fillores. Ai i fton fëmijët të jenë të përgatitur në mënyrë që kur të vijnë në zyrën e peshkopit pas një viti, të kenë siguri, siguri nga besëlidhjet, dhe të jenë gati për të marrë një rekomandim tempulli dhe për të hyrë në shtëpinë e Zotit. Këtë vit peshkopi kishte katër vajza të vogla që ishin tejet të emocionuara, të përgatitura dhe të sigurta për të shkuar në tempull saqë donin që peshkopi t’ua shtypte rekomandimet ditën e Vitit të Ri, një minutë pas mesnatës.
Përgatitja nuk është vetëm për ata që shkojnë në tempull për herë të parë. Ne të gjithë duhet të përgatitemi vazhdimisht për të shkuar në shtëpinë e Zotit. Një kunj që unë njoh, ka përvetësuar moton: “Të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga Kisha dhe të lidhur me tempullin”. Të lidhur është një fjalë interesante ngaqë do të thotë të përqendruar në një drejtim, por do të thotë edhe të kapur ose të mbërthyer pas tij, të vendosur dhe të papërkulshëm, të sigurt. Pra, të qenit të lidhur me tempullin na mbërthen pas Shpëtimtarit, duke na dhënë drejtimin dhe qëndrueshmërinë e duhur, ndërkohë që garanton që të kemi siguri nga besëlidhjet nëpërmjet Jezu Krishtit. Prandaj, ne të gjithë duhet ta përmirësojmë qëllimisht një lidhje të tillë duke planifikuar takimin tonë të radhës me Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë, pavarësisht nëse tempulli është afër apo larg.
Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, na i kujton këto parime jetike duke thënë: “Tempulli ndodhet në qendër të forcimit të besimit dhe qëndresës sonë shpirtërore sepse Shpëtimtari dhe doktrina e Tij janë vetë thelbi i tempullit. Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese. Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.”
Shpëtimtari dëshiron që ne të përgatitemi për të kuptuar, me shumë qartësi, saktësisht, se si të veprojmë ndërsa bëjmë besëlidhje me Atin tonë Qiellor në emrin e Tij. Ai dëshiron që ne të përgatitemi për të përjetuar privilegjet, premtimet dhe përgjegjësitë tona; të përgatitemi për të pasur mendjemprehtësinë dhe zgjimet shpirtërore që na nevojiten në këtë jetë. E di se kur Zoti sheh qoftë edhe një shkëndijë dëshire ose një regëtimë përpjekjeje të drejtë në gatishmërinë tonë për të vënë në qendër të jetës sonë Atë dhe ordinancat dhe besëlidhjet që bëjmë në shtëpinë e Tij, Ai do të na bekojë, në mënyrën e Tij të përsosur, me mrekullitë dhe mëshirat e dhembshura që na nevojiten.
Shtëpia e Zotit është vendi ku mund të shndërrohemi në mënyra më të larta e më të shenjta. Pra, kur dalim nga tempulli, të shndërruar nga shpresa jonë në premtimet e besëlidhjeve, të armatosur me fuqi nga lart, e marrim tempullin me vete në shtëpitë dhe jetën tonë. Ju siguroj se pasja e shpirtit të shtëpisë së Zotit brenda vetes, na ndryshon, tërësisht.
Ne gjithashtu e dimë prej tempullit se, nëse duam që Shpirti i Zotit të jetë i pakufizuar në jetën tonë, ne thjesht nuk mund dhe nuk duhet të kemi ndjenja dashakeqe ndaj askujt. Kur bëjmë vend në zemër ose mendje për ndjenja ose mendime dashakeqe, kjo do të sjellë fjalë dhe veprime të pakëndshme, qoftë në mediat shoqërore apo në shtëpi duke bërë që Shpirti i Zotit të largohet nga zemrat tona. Prandaj, ju lutem, mos e hidhni tej sigurinë tuaj, por përkundrazi, le të bëhet siguria juaj gjithnjë e më e fortë.
Ndërtimi i vazhdueshëm dhe i përshpejtuar i tempujve do të vazhdojë të na emocionojë, frymëzojë dhe bekojë. Më e rëndësishme se kjo, kur e ndryshojmë përgatitjen tonë për të hyrë në tempull, do ta ndryshojmë përvojën tonë në tempull, e cila do të na e shndërrojë jetën jashtë tempullit. Le të na mbushë ky shndërrim me sigurinë që vjen nga besëlidhjet tona të shenjta, të bëra me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit! Perëndia jeton, Jezusi është Shpëtimtari ynë dhe kjo është Kisha e Tij e rivendosur në tokë. I shpall me nderim këto të vërteta në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.