Konferenca e Përgjithshme
Thërrit, Mos u Vrit
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


9:58

Thërrit, Mos u Vrit

Nëse e thërrasim Perëndinë, dëshmoj se nuk do të “vritemi”.

Sot do të doja të filloja duke dëshmuar për sigurinë e plotë në zemrën time se Perëndia na i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre në mënyrë të individualizuar.

Në një botë që kalon kohë pasigurie, dhembjeje, zhgënjimi dhe pikëllimi, mund të ndiejmë prirjen të mbështetemi më shumë tek aftësitë dhe parapëlqimet vetjake, si dhe te njohuria dhe siguria që vijnë nga bota. Kjo mund të na bëjë që ta vëmë në plan të dytë burimin e vërtetë të ndihmës dhe përkrahjes që mund të kundërveprojë ndaj sfidave të kësaj jete në vdekshmëri.

Dhoma e spitalit.

Më kujtohet një rast kur u shtrova në spital për shkak të një sëmundjeje dhe e kisha të vështirë të flija. Kur fika dritat dhe dhoma u errësua, pashë një shenjë reflektuese në tavanin para meje që thoshte: “Thërrit, mos u vrit”. Për habinë time, të nesërmen vura re të njëjtin mesazh të përsëritur në disa pjesë të dhomës.

Shenja: “Thërrit, mos u vrit”.

Përse ishte kaq i rëndësishëm ai mesazh? Kur e pyeta infermieren për këtë, ajo tha: “Është për të parandaluar një lëndim që mund t’jua shtojë më tepër dhembjen që keni aktualisht”.

Kjo jetë, nga natyra e saj, sjell përvoja të dhembshme, disa të qenësishme për trupin tonë fizik, disa për shkak të dobësive apo mundimeve tona, disa për shkak të mënyrës se si të tjerët e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes dhe disa për shkak të përdorimit të lirisë së zgjedhjes prej nesh.

A ka një premtim më të fuqishëm sesa ai që bëri Vetë Shpëtimtari kur shpalli: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”?

Lutja është mjeti i komunikimit me Atin tonë Qiellor që na lejon të ndjekim këshillën: “Thërrit, mos u vrit”. Megjithatë, ka rrethana në të cilat mund të mendojmë se thirrja nuk është dëgjuar, pasi nuk marrim një përgjigje të menjëhershme ose një përgjigje sipas pritshmërive tona.

Kjo ndonjëherë çon në ankth, trishtim ose zhgënjim. Por kujtoni shprehjen e besimit të Nefit te Zoti kur tha: “Si është e mundur që ai nuk mund të më udhëzojë që unë të ndërtoj një anije?” Tani, po ju pyes unë: Si është e mundur që Zoti nuk mund t’ju udhëzojë që të mos “vriteni”?

Mirëbesimi te përgjigjet e Perëndisë nënkupton të pranuarit se rrugët e Tij nuk janë rrugët tona dhe se “gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre”.

Siguria e dijenisë se jemi fëmijë të një Ati Qiellor të dashur e mëshirëplotë, duhet të jetë shtysa për të “thërrit[ur]” në lutje të devotshme me një qëndrim duke u “lut[ur] gjithmonë dhe [pa u lodhur]; … që kryerja jo[në të] mund të jetë për mirëqenien e shpirt[rave tanë]”. Përfytyrojini ndjenjat e Atit Qiellor kur në çdo lutje bëjmë një përgjërim në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit. Çfarë fuqie dhe zemërbutësie, besoj unë, shfaqen kur veprojmë kështu!

Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të atyre që e thërritën Perëndinë që të mos “vriteshin”. Helamani dhe ushtria e tij, ndërsa përballeshin me mundimet e tyre, i thërritën Perëndisë, duke i derdhur shpirtrat e tyre në lutje. Ata morën siguri, paqe, besim dhe shpresë, duke fituar kurajë dhe vendosmëri derisa e arritën synimin e tyre.

Përfytyroni se si Moisiu do ketë thërritur dhe do t’i jetë përgjëruar Perëndisë kur e gjeti veten mes Detit të Kuq dhe egjiptianëve që po afroheshin për të sulmuar, ose Abrahami kur iu bind urdhrit për të flijuar birin e vet, Isakun.

Jam i sigurt se secili prej jush ka pasur dhe do të ketë përvoja ku të thërriturit do të jetë përgjigjja për të mos u “vrarë”.

Tridhjetë vjet më parë, ndërsa bashkëshortja ime dhe unë po përgatiteshim për martesën tonë civile dhe martesën tonë në tempull, morëm një telefonatë ku na informuan se martesat civile ishin anuluar për shkak të një greve. Na telefonuan tri ditë para ceremonisë së planifikuar. Pas disa përpjekjeve në zyra të tjera dhe mosgjetjes së orareve të lira, filluam të ndiheshim në ankth dhe dyshues nëse mund të martoheshim vërtet sipas planit.

E fejuara ime dhe unë “thërritëm”, duke ia derdhur shpirtrat tanë Perëndisë në lutje. Më në fund, dikush na tregoi për një zyrë në një komunë të vogël në periferi të qytetit ku kryetari i bashkisë ishte një person që e njihnim. Pa ngurrim, shkuam ta takonim dhe e pyetëm a do të ishte e mundur të kryente martesën tonë. Për gëzimin tonë, ai ra dakord. Sekretarja e tij na theksoi se duhej të merrnim një certifikatë në atë komunë dhe t’i dorëzonim të gjitha dokumentet para mesditës të së nesërmes.

Të nesërmen, lëvizëm drejt komunës së vogël dhe shkuam në rajonin e policisë për të kërkuar dokumentin që nevojitej. Për habinë tonë, oficeri tha se nuk do të na e jepte pasi shumë çifte të reja ishin larguar nga familjet e tyre për t’u martuar fshehurazi në atë komunë, gjë që natyrisht nuk ishte rasti ynë. Sërish frika dhe trishtimi na pushtuan.

Më kujtohet se si i thërrita në heshtje Atit tim Qiellor që të mos “vritesha”. Mora një përshtypje të qartë në mendje që thoshte në mënyrë të përsëritur: “Rekomandimin e tempullit, rekomandimin e tempullit”. Për habinë e të fejuarës sime, e nxora menjëherë rekomandimin tim të tempullit dhe ia dorëzova oficerit.

Sa u befasuam kur e dëgjuam oficerin të thoshte: “Përse nuk më thatë që jeni nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? E njoh fare mirë kishën tuaj.” Ai menjëherë filloi të përgatiste dokumentin. U befasuam edhe më tepër kur oficeri u largua nga rajoni pa thënë kurrfarë gjëje.

Kaluan pesëdhjetë minuta dhe ai nuk u kthye. Tashmë ishte ora 11:55 e paradites dhe kishim kohë vetëm deri në mesditë për të dorëzuar dokumentet. Papritur ai u shfaq me një qenush të bukur dhe na tha se ishte një dhuratë dasme dhe na e dha bashkë me dokumentin.

Vrapuam drejt zyrës së kryetarit të bashkisë, me dokumentin dhe qenin tonë të ri. Më pas pamë një automjet zyrtar që po vinte drejt nesh. U ndala para tij. Automjeti ndaloi dhe brenda pamë sekretaren. Kur na pa, ajo tha: “Më vjen keq, ju thashë në mesditë. Më duhet të kryej një punë tjetër.”

U përula në heshtje, duke e thërritur me gjithë zemër Atin tim Qiellor, duke kërkuar ndihmë edhe një herë që të “mos vritesha”. Papritur ndodhi mrekullia. Sekretarja na tha: “Çfarë qeni të bukur paskeni! Ku ta gjej një si ky për tim bir?”

“Është i juaji!” – u përgjigjëm menjëherë.

Sekretarja na pa me habi dhe tha: “Në rregull, le të shkojmë në zyrë dhe të bëjmë veprimet”.

Dy ditë më vonë, Karola dhe unë lidhëm martesën civile, siç ishte planifikuar, dhe pastaj u vulosëm në Tempullin e Limës, Peru.

Sigurisht, nevojitet të kujtojmë se të thërriturit është çështje besimi dhe veprimi – besimi për të pranuar se kemi një Atë Qiellor që u përgjigjet lutjeve tona sipas urtësisë së Tij të pafundme, dhe pastaj, veprimi në përputhje me atë që kërkuam. Lutja, të thërriturit, mund të jetë shenjë e shpresës sonë. Por ndërmarrja e veprimeve pas lutjes është një shenjë se besimi ynë është real, besim që sprovohet në çaste dhembjeje, frike ose zhgënjimi.

Ju sugjeroj t’i merrni parasysh sa vijojnë:

  1. Gjithmonë mendojeni Zotin si mundësinë tuaj të parë për ndihmë.

  2. Thërritni, mos u vritni. Drejtohuni te Perëndia në lutje të sinqertë.

  3. Pas lutjes, bëni gjithçka mundeni për të marrë bekimet për të cilat u lutët.

  4. Përuluni për ta pranuar përgjigjen në kohën e Tij dhe mënyrën e Tij.

  5. Mos u ndalni! Vazhdoni të shkoni përpara në shtegun e besëlidhjeve ndërsa prisni një përgjigje.

Ndoshta është dikush pikërisht tani që, për shkak të rrethanave, ndihet sikur po “vritet” dhe do të donte të “thërri[ste]” siç bëri Jozef Smithi kur u përgjërua: “O Perëndi, ku je ti? … Për sa kohë do të frenohet dora jote?”

Edhe në rrethana si këto, lutuni me “hov shpirtëror”, siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, sepse lutjet tuaja dëgjohen gjithmonë!

Kujtojeni këtë himn:

Në mëngjes kur dhomën ti le,

Lutjen a e the?

N’emër t’Krishtit, Shpëtimtarit,

Si mburoj’ t’Tijën përkrahje

A i kërkove?

Shpirtit lutja i sjell prehje!

Lutja natën në dit’ kthen.

Pra, kur jeta terr të duket,

Mos harro lutjen.9

Ndërsa lutemi, mund ta ndiejmë përqafimin e Atit tonë Qiellor, i cili dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për t’i lehtësuar barrët tona sepse, nëse e thërrasim Perëndinë, dëshmoj se nuk do të “vritemi”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.