Urëlidhja e Dy Urdhërimeve të Mëdha
Aftësia jonë për ta ndjekur Jezu Krishtin varet nga forca dhe fuqia jonë për t’i jetuar urdhërimin e parë dhe të dytë me drejtpeshim e përkushtim të barabartë.
Hyrja
Ndërsa bashkëshortja ime, Lisa, dhe unë udhëtojmë me detyrë nëpër botë, ne shijojmë privilegjin të takohemi me ju në bashkësi të mëdha e të vogla. Përkushtimi juaj ndaj veprës së Zotit na jep zemër dhe qëndron si dëshmi për ungjillin e Jezu Krishtit. Kthehemi në shtëpi nga çdo udhëtim duke e pyetur veten a dhamë mundësisht po aq sa morëm.
Kur udhëtojmë, kemi pak kohë për vizita turistike. Megjithatë, sa herë që është e mundur, shpenzoj pak çaste me një pasion të veçantë. Kam interes për arkitekturën dhe projektimin dhe një magjepsje të veçantë me urat. Urat e varura më mahnitin. Qoftë nëse është “Ura e Ylberit” në Tokio, “Ura Tsing Ma” në Hong‑Kong, “Ura e Kullës” në Londër, apo të tjera që kam parë, mrekullohem nga aftësitë gjeniale inxhinierike të përdorura në këto struktura të ndërlikuara. Urat na çojnë në vende ku përndryshe nuk do të mund të shkonim. (Para se të vazhdoj, dua të përmend se që kur u përgatit ky mesazh, një aksident tragjik ndodhi në urën e Baltimorës. Ne vajtojmë humbjen e jetëve dhe u shprehim ngushëllime familjeve të prekura.)
Një Urë e Mahnitshme e Varur
Kohët e fundit, një detyrë konference më çoi në Kaliforni, ku kalova edhe një herë urën e famshme “Porta e Artë”, e cilësuar si një mrekulli inxhinierike e botës. Kjo strukturë monumentale ndërthur formën e bukur, qëllimin funksional dhe inxhinierinë mjeshtërore. Ajo është një urë e varur klasike, me kulla në të dyja anët fundore, e mbështetur në këmbë vigane. Kullat binjake kolosale dhe madhështore që mbajnë peshën, të cilat ngrihen lart mbi oqean, ishin elementet e para që u ndërtuan. Së bashku, ato mbajnë ngarkesën e kabllove kryesore të varura përgjatë distancës dhe të kabllove të varura vertikale, të cilat mbajnë rrugën poshtë. Kapaciteti i jashtëzakonshëm stabilizues – fuqia e kullës – është magjia që qëndron pas inxhinierisë së urës.
Pamjet e hershme të ndërtimit të urës dëshmojnë për këtë parim të inxhinierisë. Kullat simetrike sigurojnë mbajtjen e peshës për secilin element të urës, ku të dyja janë të lidhura në mënyrë të ndërvarur njëra me tjetrën.
Tani që ura ka përfunduar, me të dyja kullat të vendosura në mënyrë të qëndrueshme dhe këmbët të ngulitura në një themel prej shkëmbi, ajo është një imazh i forcës dhe i bukurisë.
Sot ju ftoj ta shihni përmes thjerrave të ungjillit këtë urë hijerëndë, me kullat e saj binjake të ndërtuara mbi një themel të fortë, të cilat ngrihen lart.
Në muzgun e shërbesës së Jezu Krishtit, gjatë asaj që ne tani e quajmë “Java e Shenjtë”, një farise që ishte mësues i ligjit, i bëri Shpëtimtarit një pyetje që ai e dinte se do të ishte pothuajse e pamundur t’i përgjigjej: “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Mësuesi i ligjit, duke e “vënë në provë” dhe duke kërkuar një përgjigje ligjore, me një qëllim në dukje të pasinqertë, mori një përgjigje të vërtetë, të shenjtë e hyjnore.
“Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.’” Duke ia vënë veshin analogjisë sonë për urën, kjo është kulla e parë!
“Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.” Kjo është kulla e dytë!
“Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” Pjesa tjetër e ligjit është si elementet e tjera të urës!
Le ta shqyrtojmë secilin prej dy urdhërimeve të mëdha, që zbulohen dhe tregohen në përgjigjen e Jezu Krishtit. Ndërsa e bëjmë këtë, lejojeni imazhin e urës së varur mahnitëse të reflektohet në sytë e mendjes suaj.
Duajeni Zotin
Së pari, duajeni Zotin me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tuaj.
Në këtë përgjigje, Jezu Krishti përmbledh thelbin e ligjit të mishëruar në mësimet e shenjta të Dhiatës së Vjetër. Dashuria për Zotin përqendrohet së pari në zemrën tuaj, në vetë natyrën tuaj. Zoti ju kërkon që të doni me gjithë shpirtin tuaj – gjithë qenien tuaj të shenjtëruar – dhe së fundi, të doni me gjithë mendjen tuaj – inteligjencën dhe intelektin tuaj. Dashuria për Perëndinë nuk ka kufi ose fund. Është e pafundme dhe e përjetshme.
Për mua, zbatimi i urdhërimit të parë të madh ndonjëherë mund të duket abstrakt, madje i frikshëm. Fatmirësisht, teksa i marr në shqyrtim më tej fjalët e Jezusit, ky urdhërim bëhet shumë më i kuptueshëm: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Këtë mund ta bëj. Mund ta dua Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, gjë e cila më pas çon në lutje, studim të shkrimeve të shenjta dhe adhurim në tempull. Ne e duam Atin dhe Birin duke paguar të dhjetën, duke e mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit, duke jetuar një jetë të virtytshme e të dëlirë, dhe duke qenë të bindur.
Dashuria për Zotin matet më së shpeshti me vepra të vogla të përditshme, që janë hapa në shtegun e besëlidhjeve: për të rinjtë e të rejat, do të thotë që ta përdorin median shoqërore për të lartësuar dhe jo për të nënçmuar; të largohen nga festa, filmi ose veprimtaria ku standardet mund të sfidohen; të tregojnë nderim për gjërat e shenjta.
Merreni në shqyrtim këtë shembull prekës. Ishte e diel agjërimi kur unë dhe Vensi trokitëm në derën e një shtëpie të vogël e modeste. Ne dhe dhjakët e tjerë në kuorum kishim ardhur të dëgjonim fjalët “Ju lutemi, hyni”, të thirrura ngrohtësisht, me një theks të trashë gjerman, aq sa mund të dëgjohej edhe nga jashtë. Motra Mjular ishte një prej disa të vejave emigrante në lagje. Ajo nuk mund të vinte te dera me lehtësi, pasi ishte ligjërisht e verbër. Teksa hymë brenda në shtëpinë e ndriçuar zbehtë, ajo na përshëndeti me pyetje dashamirëse: Si quheni? Si po ja kaloni? A e doni Zotin? Ne iu përgjigjëm dhe i thamë se erdhëm për të marrë ofertën e saj të agjërimit. Edhe për moshën tonë të re, rrethanat e saj të varfra ishin lehtësisht të dukshme dhe përgjigjja e saj plot besim ishte thellësisht prekëse: “Vendosa një monedhë në bufe më herët këtë mëngjes. Jam shumë mirënjohëse që e jap ofertën time të agjërimit. A do të kishit mirësinë ta vendosni në zarf dhe të plotësoni dëftesën time të ofertës së agjërimit?” Dashuria e saj për Zotin na e lartësoi besimin çdo herë që u larguam nga shtëpia e saj.
Mbreti Beniamin u premtoi rezultate të jashtëzakonshme atyre që e zbatojnë urdhërimin e parë të madh. “Unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet. … Ata janë të bekuar në të gjitha gjërat … dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata … m[erren] në qiell, … në një gjendje lumturie të pafund.”
Dashuria për Zotin çon drejt lumturisë së përjetshme!
Duajeni të Afërmin Tuaj
Jezusi më pas tha: “Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.” Kjo është kulla e dytë e urës.
Këtu Jezusi e bashkon si një urë synimin tonë qiellor që sheh për lart, për ta dashur Zotin, me synimin tonë tokësor që drejtohet për të parë jashtë nesh, për t’i dashur bashkëqëniet tona. Njëri është i ndërvarur nga tjetri. Dashuria për Zotin nuk është e plotë nëse i shpërfillim të afërmit tanë. Kjo dashuri e drejtuar tek të tjerët përfshin të gjithë fëmijët e Perëndisë, pa marrë parasysh gjininë, klasën shoqërore, racën, seksualitetin, të ardhurat, moshën ose përkatësinë etnike. Ne i kërkojmë ata që janë të lënduar, të shkatërruar e të mënjanuar sepse “të gjithë janë njësoj para Perëndisë”. Ne i “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”.
Merreni parasysh këtë shembull: Vëllai Evans u befasua kur pati nxitjen të ndalonte makinën dhe të trokiste në një derë të panjohur të një familjeje të panjohur. Kur një nënë e ve me 10 fëmijë hapi derën, rrethanat e tyre të vështira dhe nevojat e mëdha u bënë shumë të dukshme për të. Nevoja e parë ishte e thjeshtë, bojë për të lyer shtëpinë e tyre, e cila u pasua nga shumë vite dhënie shërbese materiale dhe shpirtërore ndaj kësaj familjeje.
Kjo nënë mirënjohëse shkroi më vonë për mikun e saj të dërguar nga qielli: “Ti e ke kaluar jetën tënde duke ndihmuar më të voglin prej nesh. Sa do të doja të dëgjoja gjërat që Zoti ka për të të thënë ty kur Ai të shprehë vlerësimin e Tij për të mirat që ke bërë financiarisht dhe shpirtërisht për njerëzit, për të cilat vetëm ti dhe Ai do të dini ndonjëherë. Faleminderit që na bekove në kaq shumë mënyra, … për misionarët që ke ndihmuar. … Shpesh e pyes veten a të zgjodhi Zoti vetëm ty, apo ti ishe i vetmi që e dëgjoi.”
Dashuria për të afërmin tuaj përfshin vepra dashamirësie dhe shërbimi si të Krishtit. A mund t’i lini mëritë të shkojnë, a do t’i falni armiqtë, a do t’i mirëprisni të afërmit tuaj dhe do t’u jepni shërbesë atyre dhe a do t’i ndihmoni të moshuarit? Secili nga ju do të frymëzohet kur ndërton kullën e vet të dashurisë për të afërmin.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Dhënia e ndihmës ndaj të tjerëve – bërja e një përpjekjeje të ndërgjegjshme për t’u kujdesur për të tjerët po aq ose më shumë sesa kujdesemi për veten tonë – është gëzimi ynë. Veçanërisht, … kur nuk është e volitshme dhe kur na nxjerr nga zona jonë e rehatisë. Të jetuarit e atij urdhërimi të dytë të madh është çelësi për t’u bërë një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.”
Një Ndërvarësi
Jezusi dha mësim më tej: “Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”. Kjo është shumë udhëzuese. Ekziston një ndërvarësi e rëndësishme midis dashurisë për Zotin dhe dashurisë për njëri‑tjetrin. Në mënyrë që ura “Porta e Artë” të kryejë funksionin për të cilin u projektua, të dyja kullat janë njësoj të forta dhe me fuqi të barabartë për të mbajtur peshën e kabllove të varura, të rrugës dhe trafikut që kalon në urë. Pa këtë simetri inxhinierike, ura mund të rrezikohej, madje të shkonte drejt shembjes. Që çdo urë e varur të bëjë atë për të cilën u ndërtua, kullat e saj duhet të funksionojnë së bashku në harmoni të plotë. Po kështu, aftësia jonë për ta ndjekur Jezu Krishtin varet nga forca dhe fuqia jonë për t’i jetuar urdhërimin e parë dhe të dytë me drejtpeshim e përkushtim të barabartë për të dyja.
Gjithsesi, grindjet që po shtohen gjithmonë e më tepër në botë, sugjerojnë që ndonjëherë ne nuk arrijmë ta shohim apo ta kujtojmë këtë gjë. Disa njerëz janë aq të përqendruar te zbatimi i urdhërimeve, saqë tregojnë pak tolerancë ndaj njerëzve që i shohin si më pak të drejtë. Disa e kanë të vështirë t’i duan ata njerëz që zgjedhin ta jetojnë jetën e tyre jashtë besëlidhjes ose madje larg çdo pjesëmarrjeje fetare.
Nga ana tjetër, ka nga ata që e theksojnë rëndësinë e dashurisë për të tjerët pa e ditur se ne të gjithë jemi përgjegjës para Perëndisë. Disa e hedhin krejtësisht poshtë idenë se ekziston një gjë e tillë si e vërteta absolute, apo e drejta dhe e gabuara dhe besojnë se e vetmja gjë që na kërkohet, është toleranca dhe pranimi plotësisht i zgjedhjeve të të tjerëve. Mungesa e drejtpeshimit në secilin prej këtyre aspekteve mund të bëjë që ura juaj vetjake shpirtërore të anohet ose edhe të bjerë.
Presidenti Dallin H. Ouks e përshkroi këtë kur ai tha: “Ne urdhërohemi ta duam çdo njeri, pasi shëmbëlltyra e Jezusit për Samaritanin e mirë na mëson se çdo njeri është i afërmi ynë. Por zelli ynë për ta zbatuar këtë urdhërim të dytë, nuk duhet të shkaktojë që ne të harrojmë të parin, ta duam Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë.”
Përfundimi
Pra, pyetja për secilin prej nesh është: Si ta ndërtojmë urën tonë të besimit e të përkushtimit, duke ngritur kulla të larta urash si për ta dashur Perëndinë, ashtu edhe për t’i dashur të afërmit tanë? Epo, ne thjesht ia fillojmë. Përpjekjet tona fillestare mund të duken si një plan që nis duke e vizatuar në pjesën e pasme të një pecete apo si një planimetri e fazës së hershme të urës që shpresojmë të ndërtojmë. Mund të përbëhet nga pak synime realiste për ta kuptuar më shumë ungjillin e Zotit ose për t’u zotuar se do t’i gjykoni më pak të tjerët. Askush nuk është tepër i ri apo tepër i moshuar për të filluar.
Me kalimin e kohës, me një planifikim plot lutje dhe të kujdesshëm, idetë e papërpunuara rafinohen. Veprimet e reja bëhen zakone. Skicat e hershme bëhen planimetri të përmirësuara. Ne e ndërtojmë urën tonë vetjake shpirtërore me zemra dhe mendje të përkushtuara ndaj Atit Qiellor dhe Birit të Tij të Vetëmlindur, si dhe ndaj vëllezërve dhe motrave tona me të cilët punojmë, luajmë e jetojmë.
Në ditët në vijim, kur të kaloni mbi një urë të varur madhështore apo edhe kur të shihni një fotografi, me kullat e saj të larta, ju ftoj të sillni ndër mend dy urdhërimet e mëdha, të përshkruara nga Jezu Krishti në Dhiatën e Re. Na frymëzofshin udhëzimet e Zotit! Zemrat dhe mendjet tona u ngritshin lart, për ta dashur Zotin dhe u kthefshin në drejtim të të tjerëve, që ta duam të afërmin tonë!
Kjo e forcoftë besimin tonë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, për të cilët unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.