Integriteti Moral: Një Cilësi Krishtërore
Për të bërë një jetë me integritet moral duhet që të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë, ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj identitetit tonë hyjnor.
Në orët përmbyllëse të shërbesës së Shpëtimtarit, Ai shkoi në Malin e Ullinjve dhe hyri në një kopsht të quajtur Gjetseman, dhe i ftoi dishepujt e Tij të prisnin. Tanimë, i vetëm, Ai iu lut Atit të Tij: “Po të duash, largoje këtë kupë nga unë!” Duke qenë në agoni, vuajtja i shkaktoi Atij, “madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i] d[ilte] gjak nga çdo por, … dhe të dëshiro[nte] që të mos e pi[nte] kupën e hidhur e të mpake[j]”. Megjithatë, në çastin e dëshpërimit të thellë, Shpëtimtari nuk u mpak por “mor[i] pjesë e i mbaro[i] përgatitjet e [Tij] për fëmijët e njerëzve”.
Duke qenë i Vetëmlinduri i Atit, Jezu Krishti kishte fuqi mbi vdekjen, dhembjen dhe vuajtjen, por nuk u mpak. Ai e përmbushi besëlidhjen që kishte bërë me Atin e Tij dhe, duke e bërë këtë, shpërfaqi një cilësi krishtërore, tejet të rëndësishme në botën ku jetojmë, cilësinë e integritetit moral. Ai qëndroi i vërtetë ndaj Perëndisë, ndaj secilit prej nesh dhe ndaj identitetit të Tij hyjnor.
Integriteti Moral
Jezu Krishti është Ai që marrim si shembull. Për të bërë një jetë me integritet moral duhet që të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë, ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj identitetit tonë hyjnor. Integriteti moral rrjedh nga urdhërimi i parë i madh që ta duam Perëndinë. Ngaqë e doni Perëndinë, ju jeni të vërtetë ndaj Tij në të gjitha kohët. Ju e kuptoni se ekziston e drejta dhe e gabuara dhe se ekziston e vërteta absolute – e vërteta e Perëndisë. Integritet moral do të thotë që ne nuk i ulim standardet ose sjelljen tonë që të mund t’u bëjmë përshtypje të tjerëve ose të pranohemi prej tyre. Ju “bë[ni] ç’ësht’ e drejt’” dhe “pasojat le t’vazhdojnë”. Te rishikimet e fundit të manualit të misionarëve Predikoni Ungjillin Tim, është shtuar posaçërisht integriteti moral si një cilësi krishtërore.
Para disa vjetësh, Plaku Uhtdorf ishte caktuar të riorganizonte kunjin tonë. Gjatë intervistës që bëmë, ai më bëri një pyetje që nuk e kam harruar: “A ka pasur ndonjë gjë në jetën tënde që, po të sillej në vëmendjen e publikut, do të ishte turpërim për ty ose Kishën?” I befasuar, mendja më shkoi vrullshëm tek e gjithë jeta ime, duke u përpjekur të sillja ndërmend ato çaste kur mund të kisha gabuar dhe duke pyetur veten: “Nëse të tjerët do të dinin çdo gjë që unë kisha bërë, çfarë do të mendonin për mua ose Kishën?”
Në atë çast, mendova që Plaku Uhtdorf po pyeste vetëm për denjësinë, por kam arritur të kuptoj se në të vërtetë pyetja ishte rreth integritetit moral. A isha unë i vërtetë ndaj asaj që predikoja? A do të shihte bota përputhshmëri midis fjalëve të mia dhe veprave të mia? A do ta shihnin të tjerët Perëndinë nëpërmjet sjelljes sime?
Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Integriteti [moral]” është “gatishmëria dhe aftësia [jonë] për të jetuar sipas bindjeve fetare dhe zotimeve tona”.
Të Vërtetë ndaj Perëndisë
Një jetë me integritet moral kërkon që ne, para së gjithash, të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë.
Që nga fëmijëria jonë e hershme, ne mësuam historinë e Danielit në gropën e luanëve. Danieli ishte gjithmonë i vërtetë ndaj Perëndisë. Bashkëmoshatarët e tij ziliqarë “kërkuan të gjenin një pretekst kundër [tij]” dhe sajuan një dekret që urdhëronte t’u drejtoheshin lutje vetëm perëndive të tyre. Danieli ishte në dijeni për dekretin, por shkonte në shtëpi dhe me “dritaret e [tij] të hapura”, ulej në gjunjë dhe i lutej tri herë në ditë Perëndisë së Izraelit. Për rrjedhojë, Danielin e hodhën në gropën e luanëve. Në agim, mbreti zbuloi se Perëndia i Danielit e kishte shpëtuar atë dhe nxori një dekret të ri që të gjithë njerëzit duhet “të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë të Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë”.
Mbreti arriti ta njihte Perëndinë nëpërmjet integritetit moral të Danielit. Të tjerët e shohin Perëndinë nëpërmjet integritetit tonë moral, fjalëve dhe veprave. Ashtu si Danieli, të qenit të vërtetë ndaj Perëndisë do të na veçojë së tepërmi nga bota.
Shpëtimtari na sjell ndërmend: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. Presidenti Rasëll M. Nelson këshilloi: “[Të mundim botën] do të thotë ta mundim tundimin për t’u interesuar më shumë për gjërat e botës sesa për gjërat e Perëndisë. Do të thotë t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit më shumë sesa filozofive të njerëzve.” Po ashtu, ne duhet t’i bëjmë ballë tundimit që të ecim “në udhën [tonë] dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë [tonë], shëmbëlltyrë e cila është sipas ngjasimit të botës”.
Forca e kundërt tërheqëse e kësaj bote është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për shpëtimin. Mënyra se si ne i përgjigjemi forcës tërheqëse është thelbi se kush jemi, një masë e integritetit tonë moral. Forca tërheqëse e botës mund të jetë aq e drejtpërdrejtë sa të shkatërrojë besnikërinë bashkëshortore në martesë ose aq e padallueshme sa publikimi i komenteve anonime që kritikojnë doktrinën apo kulturën e Kishës. Ushtrimi i integritetit moral në zgjedhjet tona është një shpërfaqje e jashtme e zotimit tonë të brendshëm për ta ndjekur Shpëtimtarin Jezu Krisht.
Të Vërtetë ndaj të Tjerëve
Ashtu siç rrjedh integriteti moral nga urdhërimi i parë i madh që ta duam Perëndinë, të qenit të vërtetë ndaj njëri‑tjetrit rrjedh nga urdhërimi i dytë që t’i duam të afërmit tanë si veten. Një jetë me integritet moral nuk është një jetë përsosurie; është një jetë në të cilën ne orvatemi çdo ditë që, para së gjithash, të jemi të vërtetë ndaj Perëndisë dhe brenda atij konteksti, të jemi të vërtetë ndaj të tjerëve. Presidenti Ouks na sjell ndërmend: “Zelli ynë për ta zbatuar … urdhërim[in e] dytë nuk duhet të shkaktojë që ne të harrojmë të parin”.
Bota kacafytet gjithnjë e më shumë me integritetin moral duke imponuar kode të sjelljes ose rregulla të etikës që qeverisin marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe institucioneve. Ndonëse të mira, këto rregulla në përgjithësi nuk janë të ankoruara tek e vërteta absolute dhe priren të evoluojnë në bazë të pranueshmërisë kulturore. Ngjashëm me pyetjen e shtruar nga Plaku Uhtdorf, disa organizata i trajnojnë punonjësit që të marrin parasysh a do të ndryshonin vendimet ose procesi i vendimmarrjes nga ana e tyre po të publikoheshin në internet ose në faqen e parë të një gazete kryesore. Ndërsa Kisha del nga terri dhe errësira edhe ne, si Danieli, duhet të ngrihemi mbi pritshmëritë e botës dhe të bëhemi fytyra e Perëndisë të vërtetë e të gjallë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Të themi se kemi integritet moral është e pamjaftueshme nëse veprimet tona nuk janë në përputhje me fjalët tona. Po ashtu, mirësia e krishterë nuk e zëvendëson integritetin moral. Si popull i besëlidhjes dhe si udhëheqës të Kishës së Tij, ne duhet të jemi të paqortueshëm dhe në harmoni me standardet që ka vendosur Zoti.
Të vepruarit me integritet moral ndërton besim dhe mirëbesim dhe i siguron të tjerët se ne kërkojmë të bëjmë vetëm vullnetin e Zotit. Në këshillat tanë, u bëjmë ballë ndikimeve të jashtme dhe ndjekim procesin e zbuluar nga Zoti, duke kërkuar pikëpamje nga çdo grua e burrë dhe duke vepruar në përputhje me këshillën e frymëzuar që morëm.
Përqendrimi ynë është te Shpëtimtari dhe ne jemi të kujdesshëm për të shmangur veprimet që mund të perceptohen sikur po iu shërbejnë interesave tona, sikur janë për përfitimin e familjes sonë, ose sikur po favorizojmë dikë në kurriz të një tjetri. Ne bëjmë përpjekje të veçanta për të shmangur çfarëdolloj perceptimi se veprimet tona mund të ndikohen nga nderimet e njerëzve, për të marrë lavde për veten, për të përftuar më shumë pëlqime, që të na citohet emri, ose të na publikohet emri.
Të Vërtetë ndaj Identitetit Tonë Hyjnor
Së fundi, një jetë me integritet moral kërkon që ne të jemi të vërtetë ndaj identitetit tonë hyjnor.
Ne njohim disa njerëz që nuk ishin të tillë. I një rëndësie të veçantë është antikrishti Korihor, i cili mashtroi zemrën e shumë njerëzve, duke ndjellë “mendjen e [tyre të] mishit”. Megjithatë, në çastet e fundit të jetës së tij, ai rrëfeu: “Unë e dija gjithmonë se kishte një Perëndi”. Presidenti Henri B. Ajring ka dhënë mësim se gënjeshtra “është në kundërshtim me natyrën e shpirtit tonë”, me identitetin tonë hyjnor. Korihori e mashtroi veten dhe e vërteta nuk ishte në të.
Në dallim, Profeti Jozef Smith shpalli me bindje: “Unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja”.
Të vëllanë e Jozefit, Hajrëmin, Zoti e donte “për shkak të integritetit të zemrës së tij”. Ai dhe Jozefi qëndruan të vërtetë deri në fund – të vërtetë ndaj identitetit të tyre hyjnor, dritës dhe njohurisë që morën, dhe të vërtetë ndaj personit që e dinin se mund të bëheshin.
Përfundimi
U pajtofshim me “vullnetin e Perëndisë” dhe e zhvillofshim cilësinë krishtërore – integritetin moral! E ndjekshim Atë që kemi shembull, Shpëtimtarin e botës dhe mos u mpakshim, por jetofshim një jetë që është e vërtetë ndaj Perëndisë, ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj identitetit tonë hyjnor!
Siç e tha Jobi: “Le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë [integritetin] tim [moral]”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.