Besëlidhjet dhe Përgjegjësitë
Kisha e Jezu Krishtit njihet si një kishë që e thekson bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë.
“Si ndryshon Kisha juaj nga të tjerat?” Përgjigjja ime për këtë pyetje të rëndësishme ka ndryshuar ndërkohë që unë kam fituar pjekuri dhe ndërkohë që Kisha është rritur. Kur linda në Jutë në vitin 1932, anëtarësia e Kishës sonë ishte vetëm rreth 700 000, e grupuar kryesisht në Jutë dhe shtetet përqark. Në atë kohë, ne kishim vetëm 7 tempuj. Sot anëtarësia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme numëron më shumë se 17 milionë njerëz në 170 kombe. Deri më 1 prill të këtij viti ne kemi 189 tempuj të përkushtuar në shumë kombe dhe 146 të tjerë në planifikim e ndërtim. Kam ndier se duhet të flas për qëllimin e këtyre tempujve dhe për historinë dhe rolin e besëlidhjeve në adhurimin tonë. Kjo do të plotësojë mësimet e frymëzuara të folësve të mëparshëm.
I.
Një besëlidhje është një zotim për të përmbushur përgjegjësi të caktuara. Zotimet vetjake janë thelbësore për rregullimin e jetës sonë individuale dhe për funksionimin e shoqërisë. Kjo ide po sfidohet aktualisht. Një pakicë zhurmëmadhe e kundërshton autoritetin institucional dhe këmbëngul se personat duhet të kenë liri nga çfarëdo kufizimi që i vë cak lirisë së tyre individuale. Prapëseprapë ne e dimë nga përvoja prej mijëra vjetësh se personat heqin dorë nga disa liri individuale për të fituar përparësitë e të jetuarit në komunitete të organizuara. Dorëheqje të tilla nga liritë individuale bazohen kryesisht te zotimet ose besëlidhjet, të shprehura apo të nënkuptuara.
Këtu janë disa shembuj të përgjegjësive besëlidhëse në shoqërinë tonë: 1) gjykatësit, 2) ushtria, 3) personeli mjekësor dhe 4) zjarrfikësit. Të gjithë ata që përfshihen në këto profesione të mirënjohura bëjnë një zotim, shpesh e zyrtarizuar nga një betim ose besëlidhje, për të kryer detyrat e caktuara atyre. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për misionarët tanë kohëplotë. Veshja dalluese ose etiketat e emrave kanë për qëllim që të tregojnë se mbajtësi është nën besëlidhje dhe, si rrjedhojë, ka një detyrë për të dhënë mësim e për të shërbyer dhe duhet të përkrahet në atë shërbim. Një qëllim që lidhet me këtë gjë, është që t’u kujtojë mbajtësve përgjegjësitë e besëlidhjeve të tyre. Nuk ka asgjë magjike në veshjet ose simbolet e tyre të dallueshme, vetëm një kujtues të nevojshëm të përgjegjësive të veçanta që mbajtësit kanë marrë mbi vete. Kjo është e vërtetë edhe për simbolet e unazave të fejesës dhe të martesës dhe rolin e tyre për t’ua bërë të ditur vëzhguesve ose për t’i kujtuar mbajtësit për përgjegjësitë besëlidhëse.
II.
Ajo që kam thënë rreth besëlidhjeve, se ato janë themeli për rregullimin e jetës individuale, gjen zbatim veçanërisht për besëlidhjet fetare. Themeli dhe historia e shumë përkatësive dhe kërkesave fetare bazohen te besëlidhjet. Për shembull, besëlidhja e Abrahamit është themelore për disa prej traditave të mëdha fetare. Ajo paraqet idenë e shenjtë të premtimeve të besëlidhjes së Perëndisë me fëmijët e Tij. Dhiata e Vjetër e përmend shpesh besëlidhjen e Perëndisë me Abrahamin dhe farën e tij.
Pjesa e parë e Librit të Mormonit, e cila u shkrua gjatë periudhës së Dhiatës së Vjetër, tregon qartësisht rolin e besëlidhjeve në historinë dhe adhurimin izraelit. Nefit iu tha se shkrimet e izraelitëve të asaj periudhe ishin “një anal i Judenjve i cili përmban besëlidhjet e Zotit, të cilat ai ia ka bërë shtëpisë së Izraelit”. Librat e Nefit e përmendin shpesh besëlidhjen e Abrahamit dhe Izraelin si “njerëzit e besëlidhjes së Zotit”. Zakoni i bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë ose udhëheqësit fetarë shënohet edhe në shkrimet e Librit të Mormonit rreth Nefit, Jozefit në Egjipt, mbretit Beniamin, Almës dhe kapiten Moronit.
III.
Kur erdhi koha për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, Perëndia thirri një profet, Jozef Smithin. Ne nuk e dimë përmbajtjen e plotë të udhëzimeve të hershme që engjëlli Moroni ia dha këtij profeti të ri në moshë që po rritej në pjekuri. Dimë faktin që ai i tha Jozefit se “Perëndia kishte një punë për [të] për ta bërë” dhe se “plotësia e Ungjillit të përjetshëm” duhej të nxirrej në dritë, duke përfshirë “premtimet e bëra etërve”. Ne gjithashtu e dimë se shkrimet e shenjta që i riu Jozef i lexoi me më shumë intensitet, edhe përpara se të udhëzohej që të organizonte një kishë, ishin mësimet e shumta rreth besëlidhjeve që ai po i përkthente në Librin e Mormonit. Libri i Mormonit është burimi kryesor i Rivendosjes për plotësinë e ungjillit, përfshirë planin e Perëndisë për fëmijët e Tij, dhe Libri i Mormonit është i mbushur me referenca ndaj besëlidhjeve.
Ngaqë e njihte mirë Biblën, Jozefi duhet ta ketë ditur për referencën në librin e Hebrenjve lidhur me qëllimin e Shpëtimtarit për “të bë[rë] një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës”. Te Letra drejtuar Hebrenjve Jezusi përmendet si “Ndërmjetësi… [i] Besëlidhjes së re”. Në mënyrë domethënëse, rrëfimi biblik i shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri titullohet “Dhiata e Re”, një sinonim i vërtetë për titullin “Besëlidhja e Re”.
Besëlidhjet ishin themelore në Rivendosjen e ungjillit. Kjo është e dukshme në hapat më të hershëm që Zoti e udhëzoi Profetin të ndërmerrte për organizimin e Kishës së Tij. Sapo u botua Libri i Mormonit, Zoti udhëzoi organizimin e Kishës së Tij të rivendosur, që shpejt do të quhej Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zbulesa e shënuar në prill të vitit 1830 udhëzon se njerëzit “do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij” pasi të “dëshmojnë” (që do të thotë të japin dëshmi solemnisht) “se janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, dhe janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund”.
Po e njëjta zbulesë udhëzon se Kisha “takohet së bashku shpesh për të marrë bukë dhe verë [ujë] në kujtim të Zotit Jezus”. Rëndësia e kësaj ordinance është e dukshme në fjalët e besëlidhjeve të specifikuara për plakun ose priftin që vepron. Ai i bekon emblemat e bukës për “shpirtra[t e] të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata … të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre”.
Roli qendror i besëlidhjeve në Kishën e saporivendosur, u ripohua në parathënien që Zoti e dha për botimin e parë të zbulesave të Tij. Atje Zoti shpall që Ai e ka thirrur Jozef Smithin, ngaqë banorët e tokës “janë larguar nga ordinancat e mia dhe kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen time të përjetshme”. Kjo zbulesë shpjegon më tej se urdhërimet e Tij po jepen “që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet”.
Sot ne e kuptojmë rolin e besëlidhjeve në Kishën e rivendosur dhe në adhurimin e anëtarëve të saj. Presidenti Gordon B. Hinkli dha këtë përmbledhje për efektin e pagëzimit tonë dhe të marrjes së përjavshme të sakramentit prej nesh: “Çdo anëtar i kësaj kishe që ka hyrë në ujërat e pagëzimit, është bërë pjesë e një besëlidhjeje të shenjtë. Çdo herë që e marrim sakramentin e darkës së Zotit, ne e ripërtërijmë atë besëlidhje.”
Na është kujtuar nga shumë folës në këtë konferencë se Presidenti Rasëll M. Nelson, shpesh e përmend planin e shpëtimit si “shtegun e besëlidhjeve”, i cili “na udhëheq që të kthehemi te [Perëndia]” dhe “është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë”. Ai na mëson rreth domethënies së besëlidhjeve në ceremonitë tona në tempull dhe na nxit që të shohim fundin që nga fillimi dhe të “mendo[jmë] çelestialisht”.
IV.
Tani do të flas më shumë për besëlidhjet e tempullit. Në përmbushje të përgjegjësisë së tij për të rivendosur plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, Profeti Jozef Smith i kaloi shumicën e viteve të tij të fundit duke drejtuar ndërtimin e një tempulli në Navu të Ilinoisit. Nëpërmjet tij Zoti zbuloi mësime, doktrinë dhe besëlidhje të shenjta për pasuesit e tij që t’i administronin në tempuj. Atje, njerëzve që e kishin bërë ordinancën e dhurimit, do t’u mësohej plani i Perëndisë për shpëtimin dhe do të ftoheshin të bënin besëlidhje të shenjta. Atyre njerëzve që jetonin besnikë ndaj atyre besëlidhjeve, iu premtua jetë e përjetshme, ku “të gjitha gjërat janë të tyret” dhe ata “do të banojnë në prani të Perëndisë dhe Krishtit të tij përherë e përgjithmonë”.
Ceremonitë e ordinancës së dhurimit në Tempullin e Navusë u administruan pak përpara se pionierët tanë të hershëm të dëboheshin për të filluar rrugëtimin e tyre historik drejt maleve në Perëndim. Ne kemi dëshmitë e shumë pionierëve se fuqia që morën nga të qenit të lidhur me Krishtin në dhurimet [indaumentet] e tyre në Tempullin e Navusë, u dha atyre forcën për të bërë udhëtimin e tyre epik dhe për t’u vendosur në Perëndim.
Njerëzit që e kanë marrë ordinancën e dhurimit në një tempull, kanë përgjegjësinë që të veshin një veshje të brendshme të tempullit, një veshje që nuk duket ngaqë vishet nën veshjet e jashtme. Ajo veshje u kujton anëtarëve që e kanë marrë dhurimin për besëlidhjet e shenjta që kanë bërë dhe bekimet që u janë premtuar në tempullin e shenjtë. Për t’i arritur ato qëllime të shenjta, ne udhëzohemi që t’i veshim veshjet e brendshme të tempullit vazhdimisht, me përjashtimet e vetme kur heqja të jetë qartësisht e domosdoshme. Ngaqë besëlidhjet nuk “marrin ndonjë ditë pushimi”, heqja e veshjes së brendshme të tempullit nga dikush mund të kuptohet si mospranim i përgjegjësive të besëlidhjeve dhe bekimeve me të cilat lidhen ato. Në dallim, njerëzit që i veshin veshjet e tyre të brendshme të tempullit me besnikëri dhe i mbajnë besëlidhjet e tyre të tempullit, e pohojnë vazhdimisht rolin e tyre si dishepuj të Zotit Jezu Krisht.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po ndërton tempuj në të gjithë botën. Qëllimi i tyre është t’i bekojnë fëmijët besëlidhës të Perëndisë me adhurimin në tempull dhe me përgjegjësitë e shenjta dhe fuqitë dhe bekimet e pashoqe të të qenit të lidhur me Krishtin që i marrin me anë të besëlidhjes.
Kisha e Jezu Krishtit njihet si një kishë që e thekson bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë. Besëlidhjet janë të qenësishme në secilën prej ordinancave të shpëtimit dhe të ekzaltimit që i administron kjo Kishë e rivendosur. Ordinanca e pagëzimit dhe besëlidhjet që lidhen me të, janë kërkesat për hyrjen në mbretërinë çelestiale. Ordinancat dhe besëlidhjet që lidhen me tempullin, janë kërkesat për ekzaltimin në mbretërinë çelestiale, e cila është jeta e përjetshme, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”. Ai është përqendrimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, i cili është kreu i asaj Kishe, dhe kërkoj bekimet e Tij për të gjithë ata që përpiqen fort t’i mbajnë besëlidhjet e tyre të shenjta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.