Konferenca e Përgjithshme
Fryte të Qëndrueshme
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


11:39

Fryte të Qëndrueshme

Pasja e Frymës së Shenjtë që i vulos ordinancat tona është thelbësore nëse duam të kemi bekimet e premtuara për gjithë përjetësinë.

Kur isha djalë i vogël më pëlqenin shumë pjeshkët e freskëta, të pjekura. Edhe sot e kësaj dite, ideja e një kafshate të një pjeshke të lëngshme e të pjekur mirë me atë shijen e saj të athët bën që të më lëshojë goja lëng. Kur vilen pjeshkët e pjekura mirë, ato durojnë dy deri në katër ditë para se të prishen. Kam kujtime të bukura nga koha kur mblidheshim në kuzhinë me nënën, motrat e vëllezërit e mi teksa i ruanim pjeshkët e vjela si konserva për dimrin e ardhshëm, duke i vulosur hermetikisht nëpër kavanoza. Nëse i konservonim siç duhej pjeshkët, këto fruta të shijshme mund t’i përdornim për disa vjet, jo thjesht dy deri në katër ditë. Nëse përgatiten dhe nxehen në temperaturën e duhur, frutat ruhen derisa të hapet kapaku i vulosur hermetikisht.

Krishti na udhëzoi: “Shkoni dhe … jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm”. Por Ai nuk po fliste për pjeshkët. Ai po fliste për bekimet e Perëndisë ndaj fëmijëve të Tij. Nëse i bëjmë e i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, bekimet që i shoqërojnë besëlidhjet tona mund të shtrihen përtej kësaj jete dhe të vulosen mbi ne, ose të ruhen, përgjithmonë, duke u bërë fryte të qëndrueshme për gjithë përjetësinë.

Fryma e Shenjtë, në rolin e Tij hyjnor si Shpirti i Shenjtë i Premtimit, do ta vulosë çdo ordinancë mbi ata që janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, që ajo të jetë e vlefshme pas jetës në vdekshmëri. Pasja e Frymës së Shenjtë që i vulos ordinancat tona është thelbësore nëse duam të kemi bekimet e premtuara për gjithë përjetësinë, duke u bërë fryte të qëndrueshme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse duam që të ekzaltohemi. Siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, ne duhet “të fillojmë me përfundimin në mendje. … Sigurisht, për secilin prej nesh, ‘fundi’ që do të donim më së shumti të arrinim është të jetojmë përgjithmonë me familjet tona në një gjendje të ekzaltuar ku do të jemi në praninë e Perëndisë, Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.” Presidenti Nelson ka thënë gjithashtu: “Martesa çelestiale është një pjesë thelbësore e përgatitjes për jetën e përjetshme. Ajo kërkon të jesh martuar me personin e duhur, në vendin e duhur, nga autoriteti i duhur dhe t’i bindesh besnikërisht asaj besëlidhjeje të shenjtë. [Atëherë, një njeriu mund t’i jepet siguri] për ekzaltimin në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.”

Cilat janë bekimet e ekzaltimit? Ato përfshijnë të jetuarit në praninë e Perëndisë në përjetësi së bashku si bashkëshort e bashkëshorte, duke trashëguar “frone, mbretëri, principata dhe fuqi … dhe vazhdimësi [të] farës përherë e përgjithmonë”, duke marrë të gjitha ato që ka Perëndia Ati.

Zoti zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit:

“Në lavdinë çelestiale ka tre qiej ose shkallë;

Dhe me qëllim që të fitojë më të lartën, një njeri duhet të hyjë në këtë rend të priftërisë [domethënë besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës];

Dhe nëse nuk e bën këtë, ai nuk mund ta fitojë atë.

Ai mund të hyjë në një tjetër, por është fundi i mbretërisë së tij; ai nuk mund të ketë rritje.”

Ne mësojmë këtu se një njeri mund të jetë në mbretërinë çelestiale, ose të banojë në praninë e Perëndisë dhe të jetë beqar. Por që të ekzaltohesh në lavdinë më të lartë të mbretërisë çelestiale, një njeri duhet të lidhet në martesë me anë të autoritetit të duhur dhe më pas të jetë i vërtetë ndaj besëlidhjeve të bëra në atë martesë. Kur jemi besnikë ndaj atyre besëlidhjeve, Shpirti i Shenjtë i Premtimit mund ta vulosë besëlidhjen tonë të martesës. Këto lloj bekimesh të vulosura bëhen fryte të qëndrueshme.

Çfarë kërkohet për ta mbajtur me besnikëri besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës?

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se ka dy lloje lidhjesh kur ne hyjmë në këtë besëlidhje të përjetshme të martesës: një lidhje barazie midis një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje dhe një lidhje vertikale me Perëndinë. Në mënyrë që bekimet e ekzaltimit të vulosen mbi ne dhe që ato të qëndrojnë pas kësaj jete, ne duhet të jemi të vërtetë si ndaj lidhjes së barazisë, ashtu edhe ndaj lidhjes vertikale të besëlidhjes.

Për ta mbajtur lidhjen e barazisë me bashkëshortin ose bashkëshorten tuaj, Perëndia na ka këshilluar: “Duaje bashkëshorten tënde [ose bashkëshortin tënd] me gjithë zemër dhe … të kapesh pas saj [ose pas tij] e pas askujt tjetër”. Për ata që janë të martuar, që të kapesh pas saj ose pas tij dhe pas askujt tjetër, do të thotë që ju këshilloheni së bashku në dashuri, e doni njëri-tjetrin dhe kujdeseni për njëri-tjetrin, i jepni përparësi kohës suaj me bashkëshortin ose bashkëshorten tuaj mbi interesat e jashtme dhe i bëni thirrje Perëndisë që t’ju ndihmojë t’i mposhtni dobësitë tuaja. Do të thotë gjithashtu se nuk ka intimitet emocional apo marrëdhënie seksuale të asnjë lloji jashtë martesës suaj, përfshirë flirtimin apo daljen në takime dhe nuk ka pornografi, e cila ndjell epshin.

Për ta mbajtur lidhjen e barazisë në besëlidhje, secili nga partnerët duhet të dëshirojë të jetë në martesë. Presidenti Dallin H. Ouks kohët e fundit dha mësim: “E dimë gjithashtu se Ai [Perëndia] nuk do ta detyrojë asnjë njeri që të hyjë në një lidhje vulosëse kundër vullnetit të tij apo të saj. Bekimet e një lidhjeje vulosëse sigurohen për të gjithë ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, por kurrë duke [ia] detyruar një lidhje vulosëse një personi tjetër që nuk është i denjë apo i gatshëm.”

Cila është lidhja vertikale së cilës i referohet Presidenti Nelson? Lidhja vertikale është ajo që ne bëjmë me Perëndinë.

Për ta mbajtur lidhjen vertikale me Perëndinë, ne duhet të jemi të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tempullit që kemi bërë për sa i përket ligjeve të bindjes, sakrificës, të ungjillit, të dëlirësisë dhe të përkushtimit. Ne gjithashtu besëlidhim me Perëndinë që ta marrim shokun ose shoqen tonë të përjetshme dhe që të jemi një bashkëshort ose bashkëshorte dhe prind i drejtë. Teksa e mbajmë lidhjen vertikale, ne kualifikohemi për bekimet e të qenit pjesë e familjes së Perëndisë nëpërmjet besëlidhjes së Abrahamit, përfshirë bekimet e pasardhësve, të ungjillit dhe të priftërisë. Këto bekime janë gjithashtu fryte të qëndrueshme.

Ndonëse shpresojmë se të gjithë ata që hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të qëndrojnë të vërtetë dhe të kenë bekime që vulosen mbi ta për gjithë përjetësinë, nganjëherë ai ideal duket i paarritshëm për ne. Gjatë gjithë shërbesës sime kam hasur anëtarë që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet, ndërsa bashkëshorti ose bashkëshortja e tyre jo. Ka edhe nga ata që janë beqarë, duke mos e pasur kurrë mundësinë që të martohen në vdekshmëri. Ka edhe nga ata që nuk janë besnikë në besëlidhjet e tyre të martesës. Çfarë u ndodh individëve në secilën prej këtyre rrethanave?

  1. Nëse qëndroni besnikë ndaj besëlidhjeve që keni bërë kur keni marrë dhurimin, ju do të merrni bekimet vetjake që ju janë premtuar gjatë dhurimit, edhe nëse bashkëshorti ose bashkëshortja juaj e ka shkelur besëlidhjen e vet ose ka hequr dorë nga martesa. Nëse u vulosët dhe më pas u shkurorëzuat dhe, nëse vulosja juaj nuk është anuluar, bekimet vetjake të asaj vulosjeje qëndrojnë në fuqi për ju nëse qëndroni besnikë.

    Nganjëherë, për shkak të ndjenjave të tradhtisë dhe lëndimit tejet real, një bashkëshort ose bashkëshorte besnike mund të dojë ta anulojë vulosjen me bashkëshortin ose bashkëshorten e vet jo besnike, që të jetë sa më larg që të mundet prej tij ose saj, si në tokë edhe në përjetësi. Nëse jeni të shqetësuar se mos do të jeni të lidhur në njëfarë mënyre me një ish-bashkëshort ose bashkëshorte që nuk është penduar, kujtoni, nuk do të jetë kështu! Perëndia nuk do t’i kërkojë askujt të qëndrojë në një lidhje vulosëse gjatë gjithë përjetësisë kundër vullnetit të tij apo të saj. Ati Qiellor do të sigurohet që ne të marrim çdo bekim që na e lejojnë dëshirat dhe zgjedhjet tona.

    Megjithatë, nëse dëshirohet gjithsesi një anulim i vulosjes, liria e zgjedhjes respektohet. Mund të ndiqen procedura të caktuara. Por kjo nuk duhet të bëhet në mënyrë të shkujdesur! Presidenca e Parë mban çelësat për të lidhur në tokë dhe në qiell. Pasi të jetë miratuar një anulim i vulosjes nga Presidenca e Parë, bekimet që lidhen me atë vulosje, nuk janë më në fuqi; ato anulohen si në kuadër të lidhjes së barazisë, ashtu edhe të lidhjes vertikale. Është e rëndësishme të kuptohet se që të marrim bekimet e ekzaltimit, ne duhet të tregojmë me fakte se jemi të gatshëm të hyjmë në një besëlidhje të re dhe të përjetshme dhe ta mbajmë besnikërisht atë besëlidhje, në këtë jetë ose në tjetrën.

  2. Për ata që janë anëtarë beqarë të Kishës, ju lutem, mbajeni mend se “në mënyrën dhe kohën e Zotit, asnjë bekim nuk do t’u ndalet [s]henjtorëve të Tij besnikë. Zoti do të gjykojë dhe do të shpërblejë çdo individ sipas dëshir[ave të] zemrës dhe po ashtu veprimeve të tij.”

  3. Nëse nuk keni qëndruar besnikë ndaj besëlidhjeve të tempullit, a ka shpresë? Po! Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill shprese. Ajo shpresë vjen nëpërmjet Jezu Krishtit me pendim të sinqertë dhe zbatimit me bindje të mësimeve të Krishtit. Kam parë individë të bëjnë gabime të rënda, duke thyer besëlidhjet e shenjta. Vazhdimisht, i shoh ata që pendohen sinqerisht, marrin falje dhe rikthehen në shtegun e besëlidhjeve. Nëse i keni shkelur besëlidhjet tuaja të tempullit, ju nxit t’i drejtoheni Jezu Krishtit, të këshilloheni me peshkopin tuaj, të pendoheni dhe t’ia hapni shpirtin fuqisë së madhe shëruese që është në dispozicion për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Vëllezër e motra, Ati ynë i dashur Qiellor na ka dhënë besëlidhje që ne të mund të kemi qasje tek të gjitha ato që Ai ka në ruajtje për ne. Këto bekime të shenjta nga Perëndia janë më të këndshme se çdo fryt tjetër tokësor. Ato mund të ruhen përgjithmonë për ne, duke u bërë fryte të qëndrueshme, teksa jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona të tempullit.

Unë dëshmoj se Perëndia e ka rivendosur autoritetin për të lidhur në tokë edhe në qiell. Ai autoritet gjendet te Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai mbahet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve dhe ushtrohet nën drejtimin e Presidentit Rasëll M. Nelson. Ata që hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës dhe e mbajnë atë besëlidhje, mund të bëhen të përsosur dhe si përfundim të marrin plotësinë e lavdisë së Atit, pavarësisht nga rrethanat përtej kontrollit të tyre.

Këto bekime të premtuara në lidhje me besëlidhjet tona mund të vulosen mbi ne me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit dhe të bëhen fryte të qëndrueshme përherë e përgjithmonë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 15:16.

  2. Shihni te Dejll G. Renland, “Qasja te Fuqia e Perëndisë nëpërmjet Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2023, f. 35–38; Doktrina e Besëlidhje 132:7.

  3. Një ordinancë vuloset kur bëhet e vlefshme si në qiell, ashtu edhe në tokë për shkak se kryhet nga dikush që ka autoritetin dhe miratohet nga Fryma e Shenjtë.

    “Ne priremi të mendojmë për autoritetin vulosës se gjen zbatim vetëm në ordinanca të caktuara në tempull, por ai autoritet është i domosdoshëm për ta bërë cilëndo ordinancë të vlefshme dhe lidhëse përtej vdekjes. Fuqia vulosëse i vë një vulë ligjshmërie pagëzimit tuaj, për shembull, kështu që ai njihet këtu dhe në qiell. Më së fundmi, të gjitha ordinancat e priftërisë kryhen nën çelësat e Presidentit të Kishës dhe siç shpjegoi Presidenti Jozef Filding Smith: ‘Ai [Presidenti i Kishës] na ka dhënë autoritet, ai e ka vendosur fuqinë vulosëse në priftërinë tonë, sepse ai i mban ato çelësa’” [cituar nga Harold B. Lee, në Conference Report, tetor 1944, f. 75]” (D. Tod Kristoferson, “Fuqia Vulosëse”, Liahona, nëntor 2023, f. 20).

    “Një akt që vuloset nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit është një akt që ratifikohet nga Fryma e Shenjtë; është një akt që miratohet nga Zoti. … Askush nuk mund ta gënjejë Frymën e Shenjtë dhe të kalojë pa u diktuar. … Këto parime gjejnë zbatim edhe për çdo ordinancë dhe akt tjetër të kryer në Kishë. Si rrjedhim, nëse të dyja palët [në martesë] janë ‘të drejtë dhe të vërtetë’ [Doktrina e Besëlidhje 76:53], nëse janë të denjë, vendoset një vulë ratifikuese në martesën e tyre në tempull; nëse nuk janë të denjë, ato nuk shfajësohen nga Shpirti dhe ratifikimi nga Fryma e Shenjtë nuk jepet. Denjësia pasuese do ta vërë vulën në fuqi dhe padrejtësia do ta thyejë çfarëdolloj vule” (Bruce R. McConkie, “Holy Spirit of Promise”, në Preparing for an Eternal Marriage Student Manual [2003], f. 136).

    Shpirti i Shenjtë i Premtimit është Fryma e Shenjtë që i vë vulën e miratimit çdo ordinance: pagëzimit, konfirmimit, shugurimit, martesës. Premtimi është që bekimet do të merren nëpërmjet besnikërisë. Nëse një njeri e shkel një besëlidhje, qoftë atë të pagëzimit, shugurimit, martesës apo diçka tjetër, Shpirti e tërheq vulën e miratimit dhe bekimet nuk do të merren. Çdo ordinancë vuloset me një premtim të një shpërblimi të bazuar te besnikëria. Shpirti i Shenjtë e tërheq vulën e miratimit atje ku besëlidhjet shkelen” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie [1954], 1:45).

  4. Russell M. Nelson, Heart of the Matter: What 100 Years of Living Have Taught Me (2023), f. 15. Të gjitha besëlidhjet duhet të vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, nëse duam që të kenë forcë pas ringjalljes së të vdekurve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:7).

  5. Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Liahona, nëntor 2008, f. 94.

  6. Doktrina e Besëlidhje 132:19.

  7. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  8. Doktrina e Besëlidhje 131:1–4.

  9. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20. “Më e larta e vendmbërritjeve, ekzaltimi në mbretërinë çelestiale, është përqendrimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (Dallin H. Ouks, “Mbretëritë e Lavdisë”, Liahona, nëntor 2023, f. 26).

  10. “Ashtu siç kanë të përbashkët martesat dhe familjet një lidhje barazie të pashoqe, [e cila] krijon një dashuri të veçantë, ashtu ndodh edhe me marrëdhënien e re që formohet kur ne lidhemi me anë të besëlidhjes vertikalisht me … Perëndinë” kur hyjmë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës (Russell M. Nelson, Heart of the Matter, f. 41–42).

  11. Doktrina e Besëlidhje 42:22; shihni edhe te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.16. Kur diskutohet për martesën këtu, po i referohem martesës sipas ligjit të Perëndisë, i cili e përkufizon martesën si bashkim të ligjshëm dhe në përputhje me ligjin midis një burri dhe një gruaje (shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  12. Shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  13. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:22–24.

  14. Dallin H. Ouks, “Mbretëritë e Lavdisë”, f. 29; theksimi i shtuar.

  15. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 86:8–11; 113:8; Abraham 2:9–11.

  16. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 38.4.1.

    Ndërsa po shërbeja në një mision kohëplotë në Zvicër, shoku im i misionit dhe unë po i flisnim për ungjillin një çifti të mrekullueshëm 60‑vjeçar zviceran. Teksa i jepnim mësim këtij çifti rreth Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, gruaja tregoi interes të madh për mësimet që po i jepnim. Gjatë javëve vijuese, ajo fitoi një dëshmi për faktin real që Kisha e Jezu Krishtit ishte rivendosur, me autoritetin e duhur nga Perëndia dhe se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë. Mezi prisnim që t’i jepnim mësim këtij çifti rreth njërës nga doktrinat më sublime të Rivendosjes, mundësisë për martesën e përjetshme. Megjithatë, për çudi, ndërsa i jepnim mësim këtij çifti rreth doktrinës së martesës së përjetshme, gruaja zvicerane tha se nuk ishte e interesuar që të ishte me bashkëshortin e saj për gjithë përjetësinë. Për të, parajsa nuk përfshinte faktin që ajo të ishte me bashkëshortin e saj, me të cilin kishte qenë e martuar prej 36 vjetësh. Kjo motër u pagëzua, por bashkëshorti i saj jo. Ata nuk u vulosën kurrë në tempull.

    Sidoqoftë, për shumë njerëz, parajsa nuk do të ishte parajsë pa qenë me personin me të cilin ata janë të martuar. Të qenit së bashku me bashkëshortin apo bashkëshorten që dashuroni, përgjithmonë, tingëllon vërtet si parajsë. Plaku Xhefri R. Holland kur foli për bashkëshorten e tij të shtrenjtë e të dashur, Patin, tha që parajsa nuk do të ishte parajsë pa të (shihni te “Scott Taylor: For Elder Holland, Heaven without His Wife and Children ‘Wouldn’t Be Heaven for Me’”, Church News, 22 korrik 2023, thechurchnews.com).

  17. Shihni te Dallin H. Ouks, “Mbretëritë e Lavdisë”, f. 26.

  18. Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, f. 94.

  19. Shihni te Gjoni 15:16.