Konferenca e Përgjithshme
Tempujt, Shtëpitë e Zotit po Mbushin Tokën
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


13:56

Tempujt, Shtëpitë e Zotit po Mbushin Tokën

Teksa vini denjësisht dhe plot lutje në shtëpinë e Tij të shenjtë, ju do të armatoseni me fuqinë e Tij.

A nuk ju pëlqejnë fjalët e bukura që sapo kënduam? “T’forcoj, të ndihmoj, t’bëj në këmb’ të qëndrosh, … mbështetur në krahun Tim t’drejt’ dhe plot forc’.” Zoti po i forcon shenjtorët e Tij të të gjitha moshave teksa ata vijnë në shtëpinë e Tij të shenjtë. Nga Kinshasa gjer në Colikofen, nga Fukuoka gjer në Okland, të rinjtë e të rejat, me nismën e tyre vetjake, po mbushin pagëzimoret e tempullit. Në të shkuarën, shumica e punonjësve tanë të dashur të ordinancave kishin flokë me thinja, por jo më. Misionarët e thirrur, misionarët me shërbim dhe misionarët e kthyer nga misioni gjenden në çdo cep. Anembanë botës ka një ndjenjë në rritje, që po na tërheq drejt shtëpisë së Zotit.

Vetëm para një viti, një mikeshë e dashur e familjes, në moshën 95‑vjeçare, që jeton në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, e cila kishte marrë mësime nga misionarët për 70 vjet, i tha vajzës së saj: “Dua të shkoj në tempull me ty”.

Vajza e saj iu përgjigj: “Epo, mama, fillimisht duhet të pagëzohesh”.

Pagëzimi i motrës së moshuar.

“Dakord”, – u përgjigj ajo, – “atëherë, dëshiroj të pagëzohem.” Ajo u pagëzua. Disa ditë më vonë, ajo hyri plot nderim në pagëzimoren e tempullit. Dhe vetëm para një muaji, ajo mori dhurimin dhe vulosjen e saj. “Dija dhe forca e Per’ndis’ po përhapen; veli q’ësht’ mbi tok’ të çahet po fillon.”

Motra e moshuar jashtë tempullit.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse Zoti do ta udhëzonte profetin e Tij që ta mbushte tani tokën me tempujt e Tij të shenjtë? Pse Ai, në këtë kohë specifike, do t’ia jepte mirëqenien e nevojshme njerëzve të Tij besëlidhës, që nëpërmjet të dhjetave të tyre të shenjta, të mund të ndërtoheshin me qindra shtëpi të Zotit?

Këtë mëngjes, Presidenti Dallin H. Ouks shfaqi një material pamor të bukur të tempujve që po ndërtohen anembanë botës. Unë dhe Kethi ishim së fundmi në Filipine. Mendoni për këtë mrekulli: Tempulli i Manilës u përkushtua në vitin 1984. Do të kalonin 26 vjet përpara se tempulli i dytë, në Sebu-Siti, të përfundonte në vitin 2010. Tani, 14 vjet më vonë, 11 tempuj janë duke u ndërtuar, projektuar ose përgatitur për t’u përkushtuar. Nga veriu në jug, [përkatësisht] në: Laoag, Tugegarao, Santiago, Urdaneta, Alabang, Nagë, Takloban-Siti, Iloilo, Bakolod, Kagajan de Oro dhe Davao. Është marramendëse të shohësh veprat e mahnitshme të Perëndisë!

Tempujt në Filipine.

Në mbarë globin, shtëpitë e Zotit po vijnë më afër nesh. Pse në kohën tonë?

Ditët e Fundit

Zoti paralajmëroi se në ditët e fundit, do të kishte tensione mes kombeve, njerëzit do të ishin “egoistë”, “gjithë gjërat do të [ishin] në rrëmujë”, pështjellimi do të shumohej, dhe “zemrat e njerëzve do të mpake[shin]”. Pa diskutim që i kemi parë zemrat e burrave dhe grave të mpaken: joshjet prej botës, shpërqendrimi nga zërat ndjellës, shpërfillja e ushqimit shpirtëror, lodhja prej kërkesave të dishepullimit. Ndoshta jeni trishtuar teksa e keni parë dikë që e doni, i cili apo e cila dikur ka folur sinqerisht për besimin e vet te Jezu Krishti, ka dhënë dëshmi për Librin e Mormonit dhe ka ndihmuar me zell për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë, që të largohet papritmas, të paktën hëpërhë, nga bindjet e veta fetare dhe ta lërë mënjanë Kishën. Këshilla ime kundrejt jush është: Mos u dëshpëroni! Gjithçka është mirë. Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.

Me këtë rrëmujë dhe mosbesim të profetizuar në botë, Zoti premtoi se do të kishte një popull besëlidhës, një popull që e pret me padurim kthimin e Tij, një popull që qëndron në mjedise të shenjta dhe nuk lëviz prej vendit të vet. Ai foli për një popull të drejtë që i bën ballë mashtrimeve të kundërshtarit, duke e disiplinuar besimin e vet, duke menduar çelestialisht dhe duke mirëbesuar plotësisht te Shpëtimtari Jezu Krisht.

Pse Zoti po sjell tani me qindra tempuj të Tij më afër nesh? Një arsye është se mes turbullirës dhe tundimeve të botës, Ai ka premtuar që t’i forcojë dhe t’i bekojë shenjtorët e Tij besëlidhës dhe premtimet e Tij janë duke u përmbushur!

Premtime nga Tempulli i Kirtlandit

Si na forcojnë, na ngushëllojnë dhe na mbrojnë këto shtëpi të shenjta? Një përgjigje e gjejmë te përgjërimet e Profetit Jozef Smith në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit. Ndodhi në këtë tempull që shenjtorët kënduan: “Me ushtrit’ e qiellit me gaz do t’këndojmë”. Vetë Shpëtimtari u shfaq dhe profetë të lashtë u rikthyen, duke dhënë çelësa shtesë të priftërisë për ungjillin e rivendosur.

Në atë rast të shenjtë në Tempullin e Kirtlandit, Profeti u lut që në shtëpinë e shenjtë të Zotit, shenjtorët të [mund të] armatoseshin me fuqinë e Perëndisë, që emri i Jezu Krishtit të ishte mbi ta, që engjëjt e Tij të ngarkoheshin me përgjegjësi për ta dhe që ata të rriteshin në Zotin dhe të merrnin një plotësi të Frymës së Shenjtë. Këto përgjërime të fuqishme përmbushen në jetën tonë teksa ne adhurojmë me besnikëri në shtëpinë e Zotit.

Armatosur me Fuqi

Në shtëpinë e Tij, neve na dhurohet mirëfilli fuqi qiellore. Besimi ynë te Jezu Krishti dhe dashuria jonë ndaj Tij vërtetohet dhe përforcohet. Ne marrim siguri shpirtërore për identitetin tonë të vërtetë dhe qëllimet e jetës. Ndërsa jemi besnikë, ne bekohemi me mbrojtje nga tundimet dhe shpërqendrimet. Ne e ndiejmë dashurinë e Shpëtimtarit tonë teksa Ai na ngre moralisht nga vështirësitë dhe brengat tona. Ne armatosemi me fuqinë e Perëndisë.

Emrin e Tij mbi Ne

Në shtëpinë e Tij të shenjtë, ne e marrim emrin e Tij më plotësisht mbi vete. Kur pagëzohemi, ne shprehim besimin tonë tek Ai dhe gatishmërinë tonë për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Në tempull, ne premtojmë shenjtërisht, nëpërmjet besëlidhjeve tona, që do ta ndjekim Atë përgjithmonë.

Paraqitje e tempullit Hibër‑Velli, Jutë.

Rinia e kësaj Kishe është e jashtëzakonshme. Në një botë të vështirë, ata marrin mbi vete emrin e Krishtit. Në Hibër-Siti të Jutës, u mbajt një mbledhje publike për të diskutuar hollësitë e një tempulli të planifikuar për ndërtim. Treqind të rinj e të reja e mbushën parkun ngjitur për të treguar përkrahjen e tyre për tempullin e propozuar. Një i ri, që po u fliste udhëheqësve qeveritarë në një forum të hapur, shpjegoi me guxim: “Kam shpresën që të martohem në këtë tempull. [Tempulli do të më ndihmojë] ta mbaj veten të pastër moralisht dhe të dëlirë.” Një i ri tjetër e përshkroi tempullin si një simbol drite dhe shprese. Të rinj dhe të reja të Kishës anembanë botës po e përqafojnë emrin e Jezu Krishtit.

Të rinj e të reja që mbushin një park në Hibër‑Siti.

Engjëjt me Ne

Në Tempullin e Kirtlandit, Profeti Jozef u lut që “engjëjt … [do] të ngarkohe[shin] me përgjegjësi për [shenjtorët e Tij]”. Kryerja e ordinancave rregullisht për paraardhësit tanë në tempull sjell një konfirmim të ëmbël dhe të sigurt se jeta vazhdon përtej velit.

Ndonëse shumë nga përvojat tona në shtëpinë e Zotit janë tepër të shenjta për t’u treguar publikisht, disa gjëra mund t’i tregojmë. Dyzet vjet më parë, ndërsa jetonim në Florida, unë dhe Kethi udhëtuam për në tempullin në Atlanta të Xhorxhias. Mbrëmjen e së mërkurës, më 9 maj 1984, pasi përfunduam një sesion në tempull, një punonjës ordinancash m’u afrua dhe më pyeti a kisha kohë që të bëja vetëm një ordinancë përgatitore nistore. Emri i personit që unë përfaqësova ishte i pazakontë. Emri i tij ishte Elliejzër Sersi.

Ditën tjetër, tempulli ishte përplot me shenjtorë. Ndërsa po përgatitesha për të kryer sesionin e dytë të dhurimit të asaj dite për mua, m’u dha emri i personit që do të përfaqësoja. Për çudi, emri ishte i të njëjtit individ nga nata më përpara, Elliejzër Sersi. Ndjeva Shpirtin e Zotit ndërsa dhurimi përfundoi. Më vonë, atë pasdite, ndërsa ishim ende në tempull, Kethi pa një mikeshë të moshuar të familjes, motrën Dolli Fernandez, e cila tani jetonte në Atlanta. Meqë nuk kishte me vete ndonjë pjesëtar mashkull nga familja e saj, ajo më pyeti a do të mund ta ndihmoja në vulosjen e babait të saj me prindërit e babait të saj. Sigurisht, e kisha për nder.

Ndërsa u gjunjëzova në fund të altarit për këtë ordinancë të shenjtë, dëgjova edhe një herë emrin që tani më ishte skalitur në mendje, babanë e saj, Elliejzër Sersin. E besoj plotësisht se pas kësaj jete, unë do të takoj dhe do të përqafoj një burrë që në jetën e tij në vdekshmëri njihej si Elliejzër Sersi.

Shumica e përvojave tona në shtëpinë e Zotit sjell paqe të gëzueshme dhe zbulesë të qetë më shumë sesa ndërhyrje dramatike. Por të jeni të sigurt: engjëjt janë ngarkuar me përgjegjësi për ne!

Një Plotësi të Frymës së Shenjtë

Dhurata e Frymës së Shenjtë na jepet kur konfirmohemi si një anëtar/e i/e Kishës. Çdo javë, teksa e marrim denjësisht bukën dhe ujin në kujtim të Shpëtimtarit tonë, neve na premtohet se Shpirti i Tij do të jetë gjithmonë me ne. Ndërsa vijmë me zemra të gatshme në shtëpinë e Zotit, në vendin më të shenjtë në tokë, ne rritemi në Zotin dhe mund të “marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë”. Me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mbushemi me shpresë të papërshkrueshme dhe paqe e gëzim. Ne marrim forcën për të qëndruar dishepuj të Tij edhe kur e gjejmë veten jashtë vendeve të shenjta.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka shpallur: “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejnë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe … Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi.” Mbushja e tokës me shtëpitë e Zotit është një vepër e fuqishme dhe një tregues i mrekullueshëm.

Miqtë e mi të dashur, nëse jemi në gjendje dhe nuk e kemi shtuar ende frekuentimin tonë në tempull, le të gjejmë rregullisht më shumë kohë për të adhuruar në shtëpinë e Zotit. Le të lutemi për tempujt që janë njoftuar, që pronat të mund të blihen, që qeveritë do t’i miratojnë planet, që punonjësit e talentuar do t’i shohin dhuntitë e tyre të lartësohen dhe që përkushtimet e shenjta do të sjellin miratimin e qiellit dhe vizitën e engjëjve.

Premtimet

Tempulli është njëmend shtëpia e Zotit. Ju premtoj se, teksa vini denjësisht dhe plot lutje në shtëpinë e Tij të shenjtë, ju do të armatoseni me fuqinë e Tij, emri i Tij do të jetë mbi ju, engjëjt e Tij do të ngarkohen me përgjegjësi për ju dhe ju do të rriteni në bekimin e Frymës së Shenjtë.

Zoti premtoi: “Çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam”. Ka shumë mënyra të ndryshme për ta parë fytyrën e Krishtit dhe nuk ka vend më të mirë sesa në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Në këtë kohë pështjellimi dhe rrëmuje, unë dëshmoj se tempulli është shtëpia e Tij e shenjtë dhe do të ndihmojë që ta na ruajë, të na mbrojë dhe të na përgatitë për ditën e lavdishme kur, me gjithë engjëjt e Tij të shenjtë, Shpëtimtari ynë të rikthehet në madhështi, fuqi dhe lavdi të madhe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.

  2. “Shpirti i Per’ndis’”, Himne, nr. 2.

  3. Aktualisht ka 182 tempuj në funksionim. Gjashtë janë në proces restaurimi. Shtatë pritet të përkushtohen dhe një tjetër pritet të ripërkushtohet. Ka 45 tempuj në proces ndërtimi dhe 94 të tjerë që janë njoftuar ose janë në fazën e planifikimit dhe projektimit.

  4. Shihni te Lluka 21:10.

  5. 2 Timoteut 3:2.

  6. Doktrina e Besëlidhje 88:91.

  7. Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Parimet e ungjillit janë për mua dhe për ju ashtu siç është timoni për një anije. Parimet e sakta na mundësojnë të gjejmë udhën tonë dhe të qëndrojmë të vendosur, të palëkundur dhe të patundur, me qëllim që të mos e humbasim baraspeshimin dhe të biem në stuhitë e furishme të errësirës e pështjellimit në ditët e mëvonshme” (“Parimet e Ungjillit Tim”, Liahona, maj 2021, f. 126).

  8. Doktrina e Besëlidhje 45:26.

  9. “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24).

  10. Shihni te Lluka 1:37.

  11. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 87:8.

  12. Himne, nr. 2.

  13. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 110. Përpara kësaj kohe, Profeti Jozef Smith kishte marrë Priftërinë Aarone dhe çelësat e saj nga Gjon Pagëzori dhe ai kishte marrë Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat e saj nga Apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 27:12–13).

  14. Doktrina e Besëlidhje 109:15; shihni edhe vargun 22.

  15. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Tempulli mund të na ndihmojë për kërkimin tonë. Atje na dhurohet fuqi e Perëndisë, që na jep aftësinë për ta mposhtur Satanin, nxitësin e gjithë grindjes” (“Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 101).

  16. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  17. Elder Colin Stauffer, letërkëmbim vetjak, 30 janar 2024.

  18. Doktrina e Besëlidhje 109:22.

  19. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.

  20. Doktrina e Besëlidhje 109:15.

  21. Shihni te Romakëve 15:13.

  22. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  23. Presidenti Brigam Jang tha: “Ne do të kemi qindra tempuj dhe mijëra burra e gra do të kryejnë ordinanca atje brenda për njerëzit që kanë vdekur pa e pasur privilegjin të dëgjojnë për Ungjillin e t’i binden atij” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 312). Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Paraardhësit tanë kanë profetizuar se tempujt do ta mbushin peizazhin e Amerikës Veriore dhe Jugore, ishujt e Paqësorit, Europën dhe gjetkë. Nëse kjo punë shëlbuese do të bëhet në atë shkallë që duhet bërë, do të nevojiten me qindra tempuj” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 247).

  24. Doktrina e Besëlidhje 93:1.

  25. Plaku Dejvid B. Heit tha:

    “Është e vërtetë që disa njerëz njëmend e kanë parë Shpëtimtarin, por kur një njeri këshillohet me fjalorin, ai mëson se ka shumë kuptime të tjera të fjalës shikoj, të tilla si të arrish ta njohësh Atë, ta dallosh Atë, ta shquash Atë dhe punën e Tij, ta perceptosh rëndësinë e Tij ose të arrish ta kuptosh Atë.

    Një ndriçim dhe bekime të tilla qiellore janë në dispozicion për secilin prej nesh” (“Temples and Work Therein”, Ensign, nëntor 1990, f. 61).