Konferenca e Përgjithshme
“Rrini të Qetë dhe Dijeni së Unë Jam Perëndi”
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


14:43

“Rrini të Qetë dhe Dijeni së Unë Jam Perëndi”

Ne mund të rrimë të qetë dhe të dimë se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Kohët e fundit, gjatë një shtëpie të hapur dhe një dite me mediat për një shtëpi të re të Zotit, udhëhoqa një grup gazetarësh në një vizitë nëpër strukturën e shenjtë. Përshkrova qëllimet e tempujve në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe iu përgjigja shumë pyetjeve të tyre të shkëlqyera.

Përpara se të hynim në dhomën çelestiale, shpjegova se kjo dhomë e veçantë në shtëpinë e Zotit përfaqëson simbolikisht paqen dhe bukurinë e shtëpisë qiellore tek e cila mund të kthehemi pas kësaj jete. U tregova të ftuarve se nuk do të flisnim ndërkohë që ishim në dhomën çelestiale, por do të isha i lumtur t’i përgjigjesha çdo pyetjeje pasi të lëviznim drejt ndalesës tjetër të vizitës.

Pasi dolëm nga dhoma çelestiale dhe kur u mblodhëm në vendndodhjen e radhës, i pyeta të ftuarit a kishin ndonjë vëzhgim që donin ta shprehnin. Një nga gazetaret tha me emocion të madh: “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë gjatë gjithë jetës time. Nuk e dija se ekzistonte një heshtje e tillë në botë; thjesht nuk e besoja se një qetësi e tillë qe e mundur.”

U shtanga nga sinqeriteti si edhe thjeshtësia e pohimit të këtij personi. Reagimi i gazetares theksoi një anë të rëndësishme të qetësisë: mposhtjen dhe përjashtimin e zhurmës së mjedisit tonë të jashtëm.

Ndërsa përsiata më vonë mbi komentin e gazetares dhe reflektova mbi ritmin shpesh të vrullshëm të jetës sonë bashkëkohore: ngarkesën, zhurmën, argëtimet, shpërqendrimet dhe shmangiet që aq shpesh duket se kërkojnë vëmendjen tonë, më erdhi një shkrim i shenjtë ndër mend: “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”.

Lutem që Fryma e Shenjtë ta ndriçojë secilin prej nesh teksa marrim parasysh një përmasë më të lartë e më të shenjtë të qetësisë në jetën tonë, një qetësi shpirtërore e të brendshme të shpirtit që na mundëson të dimë dhe të mbajmë mend se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ky bekim mbresëlënës është në dispozicion për të gjithë anëtarët e Kishës që po përpiqen fort me besnikëri për t’u bërë “njerëzit e besëlidhjes së Zotit”.

Rrini të Qetë

Në vitin 1833, shenjtorët në Misuri qenë në shënjestër të një përndjekjeje të fortë. Turmat i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre në kontenë Xhekson dhe disa anëtarë të Kishës qenë përpjekur të sistemoheshin në kontetë e tjera aty pranë. Por përndjekja vazhdoi dhe kërcënimet me vdekje qenë të shumta. Në këto rrethana sfiduese, Zoti i zbuloi udhëzimin vijues Profetit Jozef Smith në Kirtland, Ohajo:

“Si rrjedhim, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen lidhur me Sionin; sepse gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”.

Unë besoj se këshilla e Zotit “rrini të qetë” përfshin shumë më tepër sesa thjesht të mos flasim ose të mos lëvizim. Ndoshta qëllimi i Tij është që ne ta kujtojmë dhe të mbështetemi tek Ai dhe fuqia e Tij “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[m]i”. Pra, fraza “rrini të qetë” mund të jetë një mënyrë për të na kujtuar të përqendrohemi te Shpëtimtari, pa lëkundje, si burimi më madhor i qetësisë shpirtërore të frymës, që na forcon t’i bëjmë dhe kapërcejmë gjërat e vështira.

Ndërtoni mbi Shkëmbin

Besimi i vërtetë përqendrohet gjithnjë në dhe te Zoti Jezu Krisht – në Të si Biri Hyjnor dhe i Vetëmlindur i Atit të Përjetshëm dhe tek Ai e misioni shëlbues që Ai përmbushi.

“Pasi ai ka përmbushur qëllimet e ligjit dhe kërkon të gjithë ata që kanë besim në të; dhe ata që kanë besim në të, do të kapen pas çdo gjëje të mirë; prandaj ai përkrah çështjen e fëmijëve të njerëzve.”

Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë, Ndërmjetësi ynë dhe Avokati ynë me Atin e Përjetshëm dhe shkëmbi mbi të cilin duhet të ndërtojmë themelin shpirtëror të jetës sonë.

Helamani shpjegoi: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”.

Simbolika e Krishtit si “shkëmbi” mbi të cilin duhet të ndërtojmë themelin e jetës sonë, është tejet udhëzuese. Ju lutemi, vini re në këtë varg se Shpëtimtari nuk është themeli. Përkundrazi, ne këshillohemi ta ndërtojmë themelin tonë vetjak shpirtëror mbi Të.

Themeli është pjesa e ndërtesës që e lidh atë me tokën. Një themel i fortë siguron mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe shumë forca të tjera shkatërruese. Një themel i duhur e shpërndan gjithashtu peshën e një strukture përmbi një zonë të gjerë për të shmangur mbingarkesën e tokës që ka poshtë, dhe siguron një sipërfaqe të rrafshët për ndërtim.

Shtëpi me themel të fortë.

Një lidhje e fortë dhe e besueshme mes tokës dhe themelit është thelbësore nëse duam që struktura të mbetet e paepur dhe e qëndrueshme me kalimin e kohës. Për lloje të veçanta ndërtimi, mund të përdoren ankera mbërthimi dhe shufra çeliku për ta lidhur themelin e një ndërtese me “shtratin shkëmbor”, shkëmbin e fortë e të ngurtë poshtë materialeve sipërfaqësore të tilla si dheu dhe zhavorri.

Shtëpi e ankoruar në shtrat shkëmbor.

Në mënyrë të ngjashme, themeli i jetës sonë duhet të lidhet me shkëmbin e Krishtit nëse duam të qëndrojmë të vendosur e të patundur. Besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta të ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit mund të krahasohen me ankerat dhe shufrat e çelikut që përdoren për të lidhur një ndërtesë me shtratin shkëmbor. Sa herë që i marrim, i shqyrtojmë, i kujtojmë dhe i përtërijmë besnikërisht besëlidhjet e shenjta, ankerat tona shpirtërore nguliten edhe më fort dhe në mënyrë më të patundur pas “shkëmbit” të Jezu Krishtit.

“Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë, shpresë e cila vjen nga besimi dhe shërben si një spirancë [ose anker] për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë.”

Gradualisht dhe gjithnjë e më shumë, “me kalimin e kohës”, “virtyti [na i] stoli[t] mendimet [tona] pa pushim”, “vet[ë]besimi [ynë forcohet gjithnjë e më shumë] në prani të Perëndisë” dhe “Fryma e Shenjtë [është] shoqëruesi y[në] i vazhdueshëm”. Ne bëhemi më me themel, më të rrënjosur, më të patundur dhe më të ngulitur. Teksa themeli i jetës sonë ndërtohet mbi Shpëtimtarin, ne bekohemi që të “rri[më] të qetë”, të kemi një siguri shpirtërore se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Çastet e Shenjta, Vendet e Shenjta dhe Shtëpia

Zoti na jep si çaste të shenjta, edhe vende të shenjta për të na ndihmuar ta përjetojmë këtë qetësi të brendshme të shpirtit tonë dhe të mësojmë rreth saj.

Për shembull, Shabati është dita e Perëndisë, një kohë e shenjtë, e veçuar për ta kujtuar dhe adhuruar Atin në emrin e Birit të Tij, për të marrë pjesë në ordinancat e priftërisë dhe për të marrë dhe përtërirë besëlidhjet e shenjta. Çdo javë, ne e adhurojmë Zotin gjatë studimit tonë në shtëpi dhe gjithashtu si “bashkëqytetarë të shenjtorëve” gjatë sakramentit dhe mbledhjeve të tjera. Në ditën e Tij të shenjtë, mendimet, veprimet dhe sjellja jonë janë shenja që i japim Perëndisë dhe një tregues i dashurisë sonë për Të. Çdo të diel, nëse duam, ne mund të rrimë të qetë dhe të dimë se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Një veçori qendrore e adhurimit tonë në Shabat është të “shko[jmë] në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofro[jmë] sakramentet [tona] në [d]itën … [e] shenjtë [të Zotit]”. “Shtëpi[të] e lutjes” në të cilat ne mblidhemi në Shabat, janë shtëpitë tona të mbledhjeve dhe godina të tjera të miratuara – vende të shenjta nderimi, adhurimi dhe të mësuari. Çdonjëra nga shtëpitë e mbledhjeve dhe godinat përkushtohet me anë të autoritetit të priftërisë si një vend ku Shpirti i Zotit mund të banojë dhe ku fëmijët e Perëndisë mund të vijnë “në njohurinë e Shëlbuesit të tyre”. Nëse duam, ne mund të “rri[më] të qetë” në vendet tona të shenjta të adhurimit dhe ta dimë edhe me më shumë siguri se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Tempulli është një tjetër vend i shenjtë i veçuar posaçërisht për adhurimin dhe shërbimin ndaj Perëndisë dhe të mësuarit e të vërtetave të përjetshme. Ne mendojmë, veprojmë dhe vishemi ndryshe në shtëpinë e Zotit nga çdo vend tjetër që mund të frekuentojmë. Në shtëpinë e Tij të shenjtë, nëse duam, ne mund të rrimë të qetë dhe të dimë se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Qëllimet parësore të çasteve të shenjta dhe vendeve të shenjta janë saktësisht të njëjtat: ta përqendrojmë në mënyrë të përsëritur vëmendjen tonë tek Ati Qiellor dhe plani i Tij, te Zoti Jezu Krisht dhe Shlyerja e Tij, te fuqia lartësuese e Frymës së Shenjtë dhe premtimet që i shoqërojnë ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit.

Sot po përsërit një parim që e kam theksuar më parë. Shtëpitë tona duhet të jenë ndërthurja më e mirë si e një kohe të shenjtë, dhe e një vendi të shenjtë ku individët dhe familjet mund të “rrin[ë] të qetë” dhe të dinë se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Largimi nga shtëpitë tona për të adhuruar në Shabat dhe në shtëpinë e Zotit është sigurisht thelbësor. Por vetëm kur kthehemi në shtëpitë tona me këndvështrimin dhe forcën shpirtërore të marrë në ato vende dhe veprimtari të shenjta, mund ta mbajmë më pas përqendrimin tonë te qëllimet kryesore të jetës në vdekshmëri dhe t’i mposhtim tundimet kaq mbizotëruese në botën tonë të rënë.

Përvojat tona të vazhdueshme në Shabat, në tempull dhe në shtëpi duhet të na fortifikojnë me fuqinë e Frymës së Shenjtë, me një lidhje të vazhdueshme dhe më të fortë besëlidhëse me Atin dhe Birin dhe me “një ndriçim të përkryer të shpresës” në premtimet e përjetshme të Perëndisë.

Teksa shtëpia dhe Kisha bashkohen në një në Krisht, ne mund të jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk do të jemi të ngushtuar ankthshëm deri në fund në zemër dhe në mendje. Ne mund të jemi ndërdyshas në rrethanat dhe sfidat tona, por nuk do të jemi të dëshpëruar. Mund të jemi të përndjekur, por gjithashtu do ta kuptojmë se nuk jemi kurrë vetëm. Ne mund të marrim forcë shpirtërore për t’u bërë dhe për të qëndruar të vendosur, të patundur dhe të vërtetë.

Premtim dhe Dëshmi

Premtoj se, ndërsa e ndërtojmë themelin e jetës sonë mbi “shkëmbin” e Jezu Krishtit, mund të bekohemi nga Fryma e Shenjtë për të marrë një qetësi shpirtërore dhe individuale të shpirtit që na mundëson të dimë dhe të mbajmë mend se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij, Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se ne mund të bekohemi që t’i bëjmë dhe kapërcejmë gjërat e vështira.

Unë dëshmoj gëzueshëm se Perëndia është Ati ynë Qiellor, ne jemi fëmijët e Tij dhe Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë dhe “shkëmbi” i shpëtimit tonë. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.