Konferenca e Përgjithshme
Është Urtësia e Zotit që Ne Duhet ta Kemi Librin e Mormonit
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


11:13

Është Urtësia e Zotit që Ne Duhet ta Kemi Librin e Mormonit

Lutja ime është që leximi i Librit të Mormonit këtë vit do të jetë një gëzim dhe një bekim për secilin prej nesh.

Të dashur vëllezër e motra, jemi shumë mirënjohës për përpjekjet tuaja për t’i lexuar shkrimet e shenjta me programin Eja, Më Ndiq. Faleminderit për gjithçka që po bëni. Lidhja juaj e përditshme me Perëndinë dhe fjalën e Tij ka pasoja kuptimplote. “Ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.”

Leximi i mësimeve të Shpëtimtarit te shkrimet e shenjta na ndihmon t’i kthejmë shtëpitë tona në shenjtërore besimi dhe në qendra të të mësuarit të ungjillit. Kjo e fton Shpirtin në shtëpitë tona. Fryma e Shenjtë na e mbush shpirtin me gëzim dhe na kthen në dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën tonë.

Gjatë këtyre viteve të fundit, ndërsa kemi lexuar librat e shkrimeve të shenjta, ne e kemi vrojtuar panoramën e mësimeve të Perëndisë ndaj fëmijëve të Tij në të gjitha periudhat e mëdha ungjillore.

Në secilën periudhë ungjillore, kemi parë një model familjar. Perëndia e rivendos ose e zbulon ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet profetëve të Tij. Njerëzit ndjekin profetët dhe marrin bekime të mëdha. Megjithatë, me kalimin e kohës, disa njerëz nuk ua vënë më veshin fjalëve të profetëve dhe e largojnë veten nga Zoti dhe ungjilli i Tij. Kjo është ajo që ne e quajmë braktisje. Ungjilli iu zbulua në fillim Adamit, por disa nga fëmijët e Adamit dhe Evës i kthyen shpinën Zotit duke shkuar në braktisje të madhe. Ne shohim një model rivendosjeje dhe braktisjeje të madhe që përsëritet në periudhat ungjillore të Enokut, Noeut, Abrahamit, Moisiut dhe të tjerëve.

Tani, sot, ne jetojmë në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Kjo është e vetmja periudhë ungjillore që nuk do të përfundojë në një braktisje të madhe. Është kjo periudhë ungjillore që do të shënojë fillimin e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe mbretërimit të Tij mijëvjeçar.

Pra, çfarë ka ndryshe kjo periudhë ungjillore? Çfarë ka siguruar Zoti për ne sot, veçanërisht për kohën tonë, që do të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Shpëtimtarin dhe që të mos largohemi kurrë prej Tij?

Një përgjigje që më vjen në mendje, janë shkrimet e shenjta dhe veçanërisht Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.

Ndonëse Perëndia ka premtuar se nuk do të ketë më kurrë një tjetër braktisje të madhe të përgjithshme, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm që të shmangim një braktisje të madhe vetjake – duke kujtuar, siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson që “secili prej nesh është përgjegjës për rritjen [e vet] shpirtërore vetjake”. Studimi i Librit të Mormonit, siç po e bëjmë këtë vit, na sjell përherë më afër Shpëtimtarit dhe na ndihmon të rrimë pranë Tij.

Ne e quajmë këtë “studim” dhe kjo është gjë e mirë sepse nënkupton përpjekje. Por nuk është gjithmonë e nevojshme që të mësojmë ca fakte të reja. Nganjëherë leximi i Librit të Mormonit ka të bëjë thjesht me ndjesinë se je i/e lidhur me Perëndinë sot – të ushqyerit e shpirtit, forcimin nga ana shpirtërore përpara se të nisemi për t’u përballur me botën ose gjetjen e shërimit pas një dite të vështirë jashtë në botë.

Ne i studiojmë shkrimet e shenjta në mënyrë që Fryma e Shenjtë, mësuesi i madh, të mund të na e thellojë kthimin në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe të na ndihmojë për t’u bërë më shumë si Ata.

Me këto mendime në mendje, mund të marrim parasysh pyetjet: “Çfarë na ka mësuar Fryma e Shenjtë këtë javë gjatë studimit tonë të Librit të Mormonit?” dhe “Si na sjell kjo gjë më afër Shpëtimtarit?”

Këto janë pyetje të mira për studimin tonë të shkrimeve të shenjta në shtëpi. Ato janë gjithashtu pyetje të shkëlqyera për ta filluar një orë mësimore të dielave në Kishë. Ne e përmirësojmë mësimdhënien tonë në Kishë të dielave duke e përmirësuar të mësuarit në shtëpi gjatë javës. Si rrjedhim, në orët tona mësimore të së dielës, “ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri‑tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku”.

Këtu janë disa vargje të cilat Shpirti m’i ka ngulitur në mendje nga studimi i kësaj jave të Librit të Mormonit:

  • Nefi e udhëzoi Jakobin që “t’i rua[nte] këto fletë dhe t’i kalo[nte] . … nga brezi në brez. Dhe në qoftë se do të kishte predikim i cili ishte i shenjtë, ose zbulim … , ose profeci”, Jakobi duhet t’i “gdhend[te] … mbi këto fletë … për hir të popullit [të vet]”.

  • Jakobi më vonë dëshmoi: “Ne kërkojmë [në shkrimet e shenjta], … dhe duke pasur gjithë këto dëshmi, ne marrim një shpresë dhe besimi ynë bëhet i patundur”.

Tani, këto vargje më bënë që të kujtoja atë që kishte thënë Nefi më parë rreth fletëve prej tunxhi:

“Ne kishim marrë analet … dhe i shqyrtuam dhe gjetëm se ato ishin … me një vlerë të madhe për ne, saqë ne të mund t’i ruanim urdhërimet e Perëndisë te fëmijët tanë.

Kështu që ishte urtësia e Zotit, që ne duhet t’i merrnim ato me vete, ndërsa udhëtonim në vendin e shkretë, drejt tokës së premtimit.”

Tani, nëse ishte urtësi për Lehin dhe familjen e tij që t’i kishin shkrimet e shenjta, është po aq gjë e mençur edhe për ne sot. Vlera e madhe dhe fuqia shpirtërore e shkrimeve të shenjta vijon pa u zvogëluar në jetën tonë sot.

Nuk ka pasur kurrë një popull në histori me qasjen që gëzojmë ne sot te Libri i Mormonit dhe shkrimet e tjera të shenjta. Po, Lehi dhe familja e tij ishin të bekuar që i mbanin fletët prej tunxhi me vete, por ata nuk kishin një kopje për çdo tendë! Kopja më e rëndësishme e Librit të Mormonit është kopja jonë vetjake. Është kopja që ne lexojmë.

Në vegimin e Lehit të pemës së jetës, Lehi na mësoi rëndësinë e përvojës vetjake me dashurinë e Perëndisë. Pasi hëngri frutën, Lehi pa gruan e tij, Sarian, dhe bijtë e tij, Nefin dhe Samin, pak më tutje.

“Ata qëndruan sikur nuk dinin nga duhej të shkonin.

… U bëra shenjë të afroheshin”, – tha Lehi, – “dhe u thashë me një zë të lartë se ata duhej të vinin tek unë dhe të hanin frutin që ishte më i dëshirueshëm mbi çdo frut tjetër.

Dhe … ata erdhën tek unë dhe hëngrën gjithashtu frutin.”

Më pëlqen shumë shembulli i Lehit për prindërimin e ndërgjegjshëm. Saria, Nefi dhe Sami po bënin një jetë të mirë, me drejtësi. Por Zoti kishte diçka më të mirë, diçka më të ëmbël për ta. Ata nuk e dinin se ku ta gjenin atë, por Lehi e dinte. Ndaj, i thirri ata “me një zë të lartë” që të vinin te pema e jetës dhe ta hanin frutën për veten e tyre. Udhëzimi i tij ishte i qartë. Nuk mund të kishte asnjë keqkuptim.

Unë jam produkt i një lloji të ngjashëm të prindërimit të ndërgjegjshëm. Kur isha djalë i ri, ndoshta 11 ose 12 vjeç, nëna ime më pyeti: “Mark, a e di ti vetë, nga Fryma e Shenjtë, se ungjilli është i vërtetë?”

Pyetja e saj më befasoi. Isha përpjekur gjithmonë që të isha një “djalë i mirë” dhe mendoja se ishte e mjaftueshme. Por nëna ime, si Lehi, e dinte se nevojitej diçka më shumë. Kisha nevojë të veproja dhe ta dija vetë.

U përgjigja që nuk e kisha pasur ende atë përvojë. Ajo nuk u duk aspak e befasuar nga përgjigjja ime.

Më pas ajo tha diçka që nuk e kam harruar kurrë. Sot e kësaj dite i kujtoj fjalët e saj: “Ati Qiellor dëshiron që ti ta dish vetë. Por duhet të bësh përpjekje për këtë. Ti duhet ta lexosh Librin e Mormonit dhe të lutesh që të dish me anë të Frymës së Shenjtë. Ati Qiellor do t’u përgjigjet lutjeve të tua.”

Epo, nuk e kisha lexuar kurrë më parë Librin e Mormonit. Mendoja se nuk isha mjaftueshëm i rritur për ta bërë atë. Por nëna ime e dinte më mirë.

Pyetja e saj ndezi tek unë një dëshirë që unë ta dija për veten time.

Ndaj, çdo mbrëmje, në dhomën e gjumit ku flija me dy nga vëllezërit e mi, ndizja dritën mbi kokën e shtratit tim dhe lexoja një kapitull në Librin e Mormonit. Pastaj, pasi fikja dritën, rrëshqisja jashtë nga shtrati, bija në gjunjë dhe lutesha. Lutesha më sinqerisht dhe me dëshirë më të madhe se kurrë më parë. I kërkoja Atit Qiellor duke iu lutur që të ma bënte të ditur vërtetësinë e Librit të Mormonit.

Qëkurse fillova ta lexoja Librin e Mormonit, ndjeva se Ati Qiellor ishte në dijeni për përpjekjet e mia. Ndjeva se kisha rëndësi për Të. Teksa lexoja dhe lutesha, tek unë vinin ndjenja rehatie dhe paqeje. Kapitull pas kapitulli, drita e besimit po bëhej më e ndritshme brenda shpirtit tim. Me kalimin e kohës, kuptova se këto ndjenja ishin pohime të së vërtetës nga Fryma e Shenjtë. Arrita të dija vetë se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Sa mirënjohës jam për ftesën e frymëzuar të nënës sime!

Kjo përvojë me leximin e Librit të Mormonit kur isha një djalosh, nisi një model studimi të shkrimeve të shenjta që vijon të më bekojë deri më sot. Ende e lexoj Librin e Mormonit dhe ende gjunjëzohem në lutje. Fryma e Shenjtë m’i pohon të vërtetat e tij në mënyrë të përsëritur.

Nefi e tha saktë. Ishte urtësia e Zotit që ne duhet t’i mbajmë shkrimet e shenjta me vete gjatë gjithë jetës sonë. Libri i Mormonit është “guri kyç” që e bën këtë periudhë ungjillore të ndryshme nga të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore. Teksa ne e studiojmë Librin e Mormonit dhe e ndjekim profetin e gjallë, nuk do të ketë braktisje të madhe vetjake në jetën tonë.

Ftesa për të ardhur te pema e jetës duke u mbajtur fort te fjala e Perëndisë, nuk është vetëm një ftesë nga Lehi ndaj familjes së tij dhe nuk është thjesht një ftesë nga nëna ime ndaj meje për ta lexuar dhe për t’u lutur rreth Librit të Mormonit. Është gjithashtu një ftesë nga profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ndaj secilit prej nesh.

“Unë ju premtoj”, – tha ai, – “se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj.”

Lutja ime është që leximi i Librit të Mormonit këtë vit do të jetë një gëzim dhe një bekim për secilin prej nesh dhe që do të na sjellë gjithnjë e më pranë Shpëtimtarit.

Ati Qiellor jeton. Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Libri i Mormonit përmban fjalët e Tij dhe përçon dashurinë e Tij. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i gjallë i Zotit në tokë sot. Unë e di që këto gjëra janë të vërteta për shkak të dëshmisë pohuese nga Fryma e Shenjtë, dëshmi të cilën e mora si fillim ndërsa lexova Librin e Mormonit kur isha një djalosh. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 64:33.

  2. “Programi i ri dhe i harmonizuar mësimor, i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha, ka fuqinë ta çlirojë forcën e familjeve, teksa secila familje vijon me vetëdije dhe me kujdes që ta shndërrojë shtëpinë e vet në një shenjtërore besimi. Ju premtoj që, teksa ju punoni me zell për ta shndërruar shtëpinë tuaj në një qendër të të mësuarit të ungjillit, me kalimin e kohës, ditët tuaja të Shabatit, me të vërtetë do të jenë një kënaqësi. Fëmijët tuaj do të ngazëllehen që t’i mësojnë dhe jetojnë mësimet e Shpëtimtarit dhe ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj dhe në shtëpinë tuaj do të pakësohet. Ndryshimet në familjen tuaj do të jenë thelbësore dhe mbështetëse” (Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113).

  3. “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim” (Doktrina e Besëlidhje 11:13).

  4. “Periudhat ungjillore janë periudha kohore në të cilat Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë që mban priftërinë e shenjtë dhe çelësat, dhe që ka një porosi hyjnore për t’ua përhapur ungjillin banorëve të tokës” (Tema dhe Pyetje, “Dispensations” [“Periudhat Ungjillore”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  5. Shihni te Moisiu 5:12–16.

  6. Profeti Daniel e pa ditën tonë, periudhën tonë ungjillore, kur ai interpretoi ëndrrën e Nebukadnetsarit. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është guri në atë ëndërr, i shkëputur nga mali, por jo nga dora e njeriut, duke u rrokullisur përpara për të mbushur gjithë tokën (shihni te Daniel 2:34–35, 44–45; Doktrina e Besëlidhje 65:2).

  7. “Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti thirrën Profetin Jozef Smith që të ishte profeti i kësaj periudhe ungjillore. Të gjitha forcat hyjnore të periudhave të mëparshme ungjillore duhej të rivendoseshin nëpërmjet Tij. Kjo periudhë ungjillore e plotësisë së kohëve nuk do të kufizohej në kohë apo në vendndodhje. Ajo nuk do të përfundonte në braktisje dhe do të mbushte botën” (Rasëll M. Nelson, “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 79–80; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106–110).

  8. Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 8.

  9. Shihni te “Kthimi në Besim Është Synimi Ynë”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024, f. v.

  10. Doktrina e Besëlidhje 50:22; shihni edhe vargjet 17–21.

  11. Jakobi [LiM] 1:3–4.

  12. Jakobi [LiM] 4:6.

  13. 1 Nefi 5:21–22.

  14. Është njoftuar kohët e fundit se janë shpërndarë 200 milionë kopje të Librit të Mormonit në këtë periudhë ungjillore. Kjo është vërtet mbresëlënëse. Libri i Mormonit tani është përkthyer në 113 gjuhë, me 17 përkthime të reja në proces. Çfarë bekimi është që të kemi Librin e Mormonit të shtypur në letër, në format digjital, me materiale zanore, filmike dhe në formate të tjera! (Shihni te Ryan Jensen, “Church Distributes 200 Millionth Copy of the Book of Mormon”, Church News, 29 dhjetor 2023, thechurchnews.com.)

  15. 1 Nefi 8:14–16; theksimi i shtuar.

  16. “Ndikimi më i fuqishëm shpirtëror në jetën e një fëmije është shembulli i drejtë i prindërve dhe gjyshërve të dashur, të cilët i mbajnë me besnikëri besëlidhjet e tyre të shenjta. Prindërit e ndërgjegjshëm u mësojnë fëmijëve të tyre besimin te Zoti Jezu Krisht, që edhe ata ‘të mund dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre’ [2 Nefi 25:26]. Mbajtja e besëlidhjeve në mënyrë rastësore dhe të paqëndrueshme çon në rastësi shpirtërore. Dëmi shpirtëror shpesh është më i madh te fëmijët dhe nipërit e mbesat tona” (Kevin W. Pirson, “A Jeni Ende të Gatshëm?”, Liahona, nëntor 2022, f. 69).

  17. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:22–24.

  18. Profeti Jozef Smith tha: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga [çdo] libër mbi tokë dhe gur[i kyç i fesë s]onë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur p[arime]ve të tij, se[sa të çdo] lib[ri] tjetër” (te parathënia e Librit të Mormonit).

  19. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62.