Jezu Krishti në Qendër të Jetës Sonë
Pyetjet e thella të shpirtit, ato që dalin në sipërfaqe në orët tona më të errëta dhe sprovat më të forta, trajtohen nëpërmjet dashurisë së palëkundur të Jezu Krishtit.
Ndërsa udhëtojmë gjatë vdekshmërisë, nganjëherë jemi të rrethuar nga sprova: dhembja e madhe e humbjes së njerëzve të dashur, lufta e mundimshme kundër sëmundjes, thumbi i padrejtësisë, përvojat e tmerrshme të ngacmimit seksual apo keqtrajtimit, hija e papunësisë, fatkeqësitë familjare, klithma e heshtur e vetmisë ose pasojat dërrmuese të konflikteve të armatosura. Në çaste të tilla, shpirti ynë digjet për ngushëllim. Kërkojmë me zell të dimë: “Ku mund ta gjejmë balsamin e paqes?” Kujt mund t’i mirëbesojmë që të na ndihmojë me vetëbesimin dhe forcën për t’i kapërcyer këto sfida? Kush e zotëron durimin, dashurinë gjithëpërfshirëse dhe dorën e plotfuqishme për të na ngritur moralisht e për të na mbështetur?
Pyetjet e thella të shpirtit, ato që dalin në sipërfaqe në orët tona më të errëta dhe sprovat më të forta, trajtohen nëpërmjet dashurisë së palëkundur të Jezu Krishtit. Në Të dhe nëpërmjet bekimeve të premtuara të ungjillit të Tij të rivendosur, ne gjejmë përgjigjet që kërkojmë. Është nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme që na ofrohet një dhuratë përtej imagjinatës, një dhuratë shprese, shërimi dhe sigurie e pranisë së Tij të vazhdueshme dhe të qëndrueshme në jetën tonë. Kjo dhuratë është në dispozicion për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë me besim, duke e përqafuar paqen dhe shëlbimin që Ai e ofron kaq lirisht.
Zoti ia shtrin dorën secilit prej nesh, një gjest që është vetë thelbi i dashurisë dhe mirësisë së Tij hyjnore. Ftesa e tij për ne e tejkalon një thirrje të thjeshtë; ajo është një betim hyjnor, i përforcuar nga fuqia e qëndrueshme e hirit të Tij. Në shkrimet e shenjta, Ai na siguron me dashuri:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”
Qartësia e ftesës së Tij “ejani tek unë” dhe “merrni … zgjedhën time”, pohon natyrën e thellë të premtimit të Tij, një premtim kaq i gjerë dhe i plotë saqë mishëron dashurinë e Tij, duke na ofruar një garanci solemne: “Ju do të gjeni prehje”.
Ndërsa kërkojmë me zell udhërrëfim shpirtëror, ne nisim një proces thellësisht shndërrues që i forcon dëshmitë tona. Kur e kuptojmë pafundësinë e dashurisë së përsosur të Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit, zemrat tona mbushen me mirënjohje, përulësi dhe një dëshirë të përtërirë për të ndjekur shtegun e dishepullimit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se, “kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij.”
Alma, duke i folur birit të tij, Helamanit, shpalli: “Dhe tani, O biri im Helaman, vër re, ti je në rininë tënde dhe prandaj unë të lutem shumë, që ti të dëgjosh fjalët e mia dhe të mësosh prej meje; pasi unë e di se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit”.
Helamani, duke u folur bijve të vet, dha mësim rreth këtij parimi të përjetshëm të vënies së Shpëtimtarit në qendër të jetës sonë: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”.
Te Mateu 14 mësojmë se, pasi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzorit, Jezusi kërkoi të rrinte vetëm. Sidoqoftë, një turmë e madhe e ndoqi Atë. I prekur nga dhembshuria e dashuria dhe duke mos e lejuar pikëllimin që ta shpërqendronte Atë nga misioni i Tij, Jezusi i mirëpriti ata, duke i shëruar të sëmurët mes tyre. Kur u afrua mbrëmja, dishepujt u përballën me një sfidë të frikshme: një turmë njerëzish me ushqim të pamjaftueshëm në dispozicion. Ata propozuan që Jezusi ta dërgonte turmën për të siguruar ushqim, por Jezusi, me dashuri të madhe dhe pritshmëri të mëdha, u kërkoi dishepujve që përkundrazi, ata ta ushqenin turmën.
Ndërkohë që dishepujt ishin të shqetësuar për sfidën aktuale, Jezusi tregoi mirëbesimin e Tij tek Ati i Tij dhe dashurinë e Tij për Të, të shoqëruar me një dashuri të palëkundur për njerëzit. Ai e udhëzoi turmën që të ulej në bar dhe, duke marrë vetëm pesë bukë e dy peshq, zgjodhi të falënderonte Atin e Tij, duke pranuar fuqinë e Perëndisë për të siguruar ushqim kundrejt autoritetit dhe fuqisë së Tij.
Pasi dha falënderime, Jezusi e copëtoi bukën dhe dishepujt ua shpërndanë njerëzve. Mrekullisht, ushqimi jo vetëm që mjaftoi, por ishte i bollshëm, me 12 kosha që tepruan. Grupi që u ushqye, përfshiu pesë mijë burra, gra dhe fëmijë.
Nga kjo mrekulli nxjerrim një mësim të madh: Kur përballemi me sfida, është e lehtë të zhytemi në vështirësitë tona. Megjithatë, Jezu Krishti dha shembull fuqinë e përqendrimit tek Ati i Tij, duke ofruar mirënjohje dhe duke e pranuar se zgjidhjet për sprovat tona nuk qëndrojnë gjithmonë brenda nesh, por te Perëndia.
Kur ndeshim vështirësi, natyrshëm kemi prirjen që të përqendrohemi te pengesat me të cilat po përballemi. Sfidat tona janë të prekshme dhe kërkojnë vëmendjen tonë, por prapëseprapë parimi i kapërcimit të tyre gjendet te përqendrimi ynë. Duke e vendosur Krishtin në qendër të mendimeve dhe veprimeve tona, ne e vëmë veten tonë në një vijë me pikëpamjen dhe forcën e Tij. Kjo përshtatje nuk i zhvlerëson betejat tona; në vend të kësaj, ajo na ndihmon të lundrojmë përmes tyre nën udhërrëfimin hyjnor. Si rrjedhojë, ne zbulojmë zgjidhje dhe përkrahje që vijnë nga një urtësi më e lartë. Përvetësimi i këtij këndvështrimi të përqendruar te Krishti, na fuqizon me guximin dhe mprehtësinë për t’i kthyer sprovat tona në fitore, duke na kujtuar se me Shpëtimtarin, ajo që duket si një problem madhor, mund të bëhet një shteg drejt një përparimi më të madh shpirtëror.
Historia e Almës të Riut në Librin e Mormonit paraqet një rrëfim bindës të shëlbimit dhe ndikimin e thellë të përqendrimit të jetës së dikujt përreth Krishtit. Në fillim, Alma qëndroi si kundërshtar i Kishës së Zotit, duke i larguar shumë njerëz nga shtegu i drejtësisë. Megjithatë, një ndërhyrje hyjnore, e shenjuar nga një vizitë engjëllore, e zgjoi atë nga gabimet e veta.
Në orën e tij më të errët, i munduar nga faji dhe i dëshpëruar për të gjetur një rrugëdalje nga ankthi i tij shpirtëror, Alma solli ndërmend mësimet e atit të tij rreth Jezu Krishtit dhe fuqisë së Shlyerjes së Tij. Me një zemër të dëshiruar për shëlbim, ai u pendua me zell dhe u lut me zjarr për mëshirën e Zotit. Ky çast vendimtar i dorëzimit të plotë, duke e vënë Krishtin të parin në mendimet e tij ndërkohë që Alma e kërkoi plot zell mëshirën e Tij, shkaktoi një shndërrim të jashtëzakonshëm. Zinxhirët e rëndë të fajit dhe dëshpërimit u zhdukën dhe u zëvendësuan nga një ndjenjë e jashtëzakonshme gëzimi e paqeje.
Jezu Krishti është shpresa jonë dhe përgjigjja ndaj dhembjeve më të mëdha të jetës. Nëpërmjet flijimit të Tij, Ai pagoi për mëkatet tona dhe mori mbi Vete të gjithë vuajtjen tonë – dhembjen, padrejtësinë, pikëllimin e frikën – dhe Ai na fal e na shëron kur mirëbesojmë tek Ai dhe kërkojmë ta ndryshojmë jetën tonë për mirë. Ai është Shëruesi ynë, që i ngushëllon e i ndreq zemrat tona nëpërmjet dashurisë dhe fuqisë së Tij, ashtu si shëroi shumë njerëz gjatë kohës së Tij në tokë. Ai është uji i gjallë, që i plotëson nevojat më të thella të shpirtit tonë me dashurinë dhe mirësinë e Tij të vazhdueshme. Ky është i ngjashëm me premtimin që Ai ia bëri gruas samaritane te pusi, duke ofruar “një pus uji që buron në jetë të përjetshme”.
Unë jap dëshmi solemne se Jezu Krishti jeton, se Ai kryeson mbi këtë, Kishën e Tij të shenjtë, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dëshmoj se Ai është Shpëtimtari i botës, Princi i Paqes, Mbreti i mbretërve, Zoti i zotërve, Shëlbuesi i botës. Pohoj me siguri se ne jemi kurdoherë të pranishëm në mendjen dhe zemrën e Tij. Si dëshmi për këtë, Ai e ka rivendosur Kishën e Tij në këto ditë të mëvonshme dhe e ka thirrur Presidentin Rasëll M. Nelson si profetin e Tij dhe Presidentin e Kishës në këtë kohë. E di se Jezu Krishti dha jetën e Tij që ne të mund të kemi jetë të përjetshme.
Ndërsa përpiqemi ta vendosim Atë në qendër të jetës sonë, zbulesat na shpalosen, paqja e Tij e thellë na rrethon dhe Shlyerja e Tij e pafundme sjell faljen dhe shërimin tonë. Është tek Ai që ne zbulojmë forcën për të mposhtur, guximin për të ngulmuar dhe paqen që ia tejkalon çdo zgjuarsie. U përpjekshim çdo ditë për t’iu afruar Atij, burimit të gjithçkaje të mirë, fenerit të shpresës në udhëtimin tonë të kthimit drejt pranisë së Atit tonë Qiellor. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.