Mirëbesoni te Zoti
Marrëdhënia jonë me Perëndinë do të rritet vetëm deri në masën që jemi të gatshëm ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai.
Në familjen tonë ndonjëherë luajmë një lojë që e quajmë “Ushtrimi i Mirëbesimit të Çmendur”. Edhe ju mund ta keni luajtur atë. Dy njerëz qëndrojnë pak hapa larg njëri‑tjetrit, njëri me shpinë nga tjetri. Pas sinjalit nga personi prapa, personi përballë bie mbrapsht në krahët e shokut që e pret.
Mirëbesimi është themeli i të gjitha marrëdhënieve. Një pyetje e fillimit për çdo marrëdhënie është: “A mund t’i mirëbesoj personit tjetër?” Një marrëdhënie formohet vetëm kur njerëzit janë të gatshëm ta vendosin mirëbesimin te njëri‑tjetri. Nuk quhet marrëdhënie nëse një person ka plotësisht mirëbesim, por tjetri nuk e ka këtë mirëbesim.
Secili prej nesh është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e një Ati të dashur Qiellor. Por ndërsa ajo gjenealogji shpirtërore e ka një themel, ajo vetë nuk krijon një marrëdhënie kuptimplotë me Perëndinë. Një marrëdhënie mund të ndërtohet vetëm kur zgjedhim të mirëbesojmë tek Ai.
Ati Qiellor dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë e vetjake me secilin prej fëmijëve të Tij shpirtërorë. Jezusi e shprehu atë dëshirë kur u lut: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”. Marrëdhënia që kërkon Perëndia me secilin fëmijë shpirtëror, është një marrëdhënie kaq e ngushtë dhe vetjake saqë Ai do të mund të japë gjithçka që ka dhe gjithçka që është. Ajo lloj marrëdhënie e thellë dhe e qëndrueshme mund të zhvillohet vetëm kur ndërtohet mbi mirëbesimin e përsosur dhe të plotë.
Nga ana e Tij, Ati Qiellor ka punuar që në fillim për të kumtuar mirëbesimin e Tij absolut në potencialin hyjnor të secilit prej fëmijëve të Tij. Mirëbesimi është në themel të planit që Ai paraqiti për rritjen dhe përparimin tonë përpara ardhjes sonë në tokë. Ai do të na mësonte ligjet e përjetshme, do të krijonte një tokë, do të na siguronte një trup të vdekshëm, do të na jepte dhuratën për të zgjedhur për veten tonë dhe do të na lejonte të mësonim e të rriteshim duke bërë zgjedhjet tona. Ai do që ne të zgjedhim t’i ndjekim ligjet e Tij dhe të kthehemi për të gëzuar jetën e përjetshme me Të dhe Birin e Tij.
Duke e ditur se ne nuk do të bënim gjithmonë zgjedhje të mira, Ai përgatiti edhe një mënyrë që ne të shpëtojmë nga pasojat e zgjedhjeve të këqija. Ai na dha një Shpëtimtar, Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të shlyente për mëkatet tona dhe të na bëjë sërish të pastër me kushtin e pendimit. Ai na fton ta përdorim rregullisht dhuratën e çmuar të pendimit.
Çdo prind e di se sa e vështirë është t’i mirëbesojë një fëmije aq sa ta lejojë të marrë vendimet e veta, sidomos kur prindi e di se fëmija ka gjasë të bëjë gabime dhe si pasojë të vuajë. Prapëseprapë, Ati Qiellor na lejon të bëjmë zgjedhje që do të na ndihmojnë të arrijmë potencialin tonë hyjnor! Sikurse dha mësim Plaku Dejll G. Renland: “Qëllimi i [Tij] si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai”.
Pavarësisht nga mirëbesimi i Perëndisë te ne, marrëdhënia jonë me Të do të rritet vetëm deri në masën që jemi të gatshëm ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai. Sfida është se jetojmë në një botë të rënë dhe të gjithë kemi përjetuar një thyerje mirëbesimi si pasojë e pandershmërisë, manipulimit, imponimit nga të tjerët ose rrethanave të tjera. Pasi tradhtohemi, mund ta kemi të vështirë të mirëbesojmë sërish. Këto përvoja negative të mirëbesimit me njerëz të vdekshëm të papërsosur, madje mund të ndikojnë te gatishmëria jonë për të mirëbesuar te një Atë i përsosur Qiellor.
Disa vjet më parë, dy miq të mi, Leonidi dhe Valentina, shprehën interes për t’u bërë anëtarë të Kishës. Ndërsa Leonidi filloi të mësonte për ungjillin, e kishte të vështirë të lutej. Më herët në jetën e tij, Leonidi kishte vuajtur nga manipulimi dhe kontrolli nga eprorët dhe kishte zhvilluar mungesë mirëbesimi ndaj autoritetit. Këto përvoja ndikuan tek aftësia e tij për ta hapur zemrën dhe për t’ia shprehur ndjenjat vetjake Atit Qiellor. Me kohë dhe studim, Leonidi mori një kuptueshmëri më të mirë për karakterin e Perëndisë dhe përjetoi ndjesinë e dashurisë së Perëndisë. Përfundimisht, lutja u bë një mënyrë e natyrshme për të për të shprehur falënderimet dhe dashurinë që po ndiente për Perëndinë. Mirëbesimi i tij në rritje te Perëndia përfundimisht e priu atë dhe Valentinën që të hynin në besëlidhjet e shenjta për ta forcuar marrëdhënien e tyre me Perëndinë dhe njëri‑tjetrin.
Nëse humbja e mëparshme e mirëbesimit po ju pengon që t’i mirëbesoni Perëndisë, ju lutem, ndiqni shembullin e Leonidit. Me durim vazhdoni të mësoni më shumë rreth Atit Qiellor, karakterit të Tij, cilësive të Tij dhe qëllimeve të Tij. Kërkoni dhe shënoni përvoja kur e keni ndier dashurinë dhe fuqinë e Tij në jetën tuaj. Profeti ynë i gjallë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë mësim se sa më shumë të mësojmë rreth Perëndisë, aq më e lehtë do të jetë t’i mirëbesojmë Atij.
Ndonjëherë mënyra më e mirë për t’i mirëbesuar Perëndisë është thjesht duke i mirëbesuar Atij. Ashtu si “Ushtrimi i Mirëbesimit të Çmendur”, ndonjëherë thjesht duhet të jemi të gatshëm të biem mbrapsht dhe ta lëmë Atë të na presë. Jeta jonë në vdekshmëri është një provë. Sfidat që na sforcojnë përtej aftësisë sonë vijnë herë pas here. Kur vetë njohuria dhe kuptueshmëria jonë nuk mjaftojnë, natyrshëm kërkojmë burime për të na ndihmuar. Në një botë të ngopur me informacione, nuk mungojnë burimet që nxitin zgjidhjet e tyre për sfidat tona. Megjithatë, këshilla e thjeshtë, që i ka rezistuar kohës te Fjalët e Urta, jep këshillën më të mirë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër”. Ne e tregojmë mirëbesimin tonë te Perëndia duke u kthyer së pari nga Ai kur përballemi me sfidat e jetës.
Pasi mbarova juridikun në Jutë, familja jonë u përball me vendimin e rëndësishëm se ku të punonim dhe ku do të zinte vend familja jonë. Pasi u këshilluam me njëri-tjetrin dhe me Zotin, u ndiem të drejtuar për ta shpërngulur familjen tonë në lindje të Shteteve të Bashkuara, larg prindërve dhe vëllezërve e motrave. Fillimisht, gjërat shkuan mirë dhe ndiem konfirmim për vendimin tonë. Por më pas gjërat ndryshuan. Në firmën ligjore pati shkurtime personeli dhe u përballa me perspektivën e të qenit pa punë apo pa sigurime, pikërisht në kohën kur vajza jonë, Dora, lindi me sfida të rënda mjekësore dhe nevoja të veçanta afatgjata. Ndërsa përballesha me këto sfida, m’u ofrua një thirrje për të shërbyer, e cila do të kërkonte kohë dhe angazhim të konsiderueshëm.
Nuk isha përballur ndonjëherë me një sfidë të tillë dhe isha i dërmuar. Fillova ta vija në dyshim vendimin që kishim marrë dhe vërtetimin që e pasoi. Ne kishim mirëbesuar te Zoti dhe gjërat supozohej të shkonin mirë. Kisha rënë mbrapsht dhe tani dukej se askush nuk ishte aty për të më pritur.
Një ditë fjalët: “Mos pyet pse; pyet se çfarë dua që të mësosh”, hynë dukshëm në mendjen dhe zemrën time. Tani isha akoma më i pështjelluar. Pikërisht në çastin që vendimi i mëparshëm po më mundonte, Perëndia po më ftonte t’i mirëbesoja Atij akoma më shumë. Duke vështruar pas, kjo ishte një pikë kritike në jetën time, ishte çasti kur kuptova se mënyra më e mirë për të mësuar të mirëbesoja te Perëndia, ishte thjesht duke i mirëbesuar Atij. Në javët që pasuan, vëzhgova i mahnitur teksa Zoti shpalosi në mënyrë të mrekullueshme planin e Tij për të bekuar familjen tonë.
Mësuesit dhe trajnerët e zotë e dinë se rritja intelektuale dhe forca fizike mund të ndodhin vetëm kur mendja dhe muskujt sforcohen. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia na fton të rritemi duke i mirëbesuar mësimdhënies së Tij shpirtërore nëpërmjet përvojave që ta sforcojnë shpirtin. Prandaj, mund të jemi të sigurt se çfarëdo mirëbesimi që mund të kemi treguar te Perëndia në të kaluarën, një përvojë tjetër sforcuese e mirëbesimit ende shtrihet përpara. Perëndia përqendrohet te rritja dhe përparimi ynë. Ai është Mësuesi Mjeshtër, Trajneri i përsosur që gjithmonë është duke na sforcuar për të na ndihmuar që të kuptojmë më shumë për potencialin tonë hyjnor. Kjo do të përfshijë përherë një ftesë në të ardhmen për t’i mirëbesuar Atij pak më shumë.
Libri i Mormonit na mëson për modelin që përdor Perëndia për të na sforcuar me qëllim që të ndërtojë marrëdhënie të forta me ne. Tek Eja, Më Ndiq, së fundmi studiuam për mënyrën se si mirëbesimi i Nefit te Perëndia u vu në provë kur ai me vëllezërit e vet u urdhëruan të ktheheshin në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi. Pasi nuk arritën gjë gjatë përpjekjeve fillestare, vëllezërit e tij u dorëzuan dhe ishin gati të ktheheshin pa fletët. Por Nefi zgjodhi ta vendoste mirëbesimin e tij të plotë te Zoti dhe pati sukses me marrjen e fletëve. Ajo përvojë ka të ngjarë ta ketë forcuar besimin e Nefit te Perëndia kur iu thye harku dhe familja po përballej me urinë në vendin e shkretë. Nefi sërish zgjodhi t’i mirëbesonte Perëndisë dhe familja u shpëtua. Këto përvoja të njëpasnjëshme i dhanë Nefit besim edhe më të fortë te Perëndia për detyrën e jashtëzakonshme e sforcuese të mirëbesimit për ndërtimin e një anijeje me të cilën ai do të përballej së shpejti.
Nëpërmjet këtyre përvojave, Nefi e forcoi marrëdhënien e tij me Perëndinë nëpërmjet mirëbesimit të vazhdueshëm e të pandërprerë tek Ai. Perëndia përdor të njëjtin model me ne. Ai na bën ftesa vetjake për ta forcuar dhe thelluar mirëbesimin tonë tek Ai. Çdo herë që e pranojmë dhe veprojmë sipas një ftese, mirëbesimi ynë te Perëndia rritet. Nëse e shpërfillim ose refuzojmë një ftesë, përparimi ynë ndalet derisa të jemi gati për të vepruar sipas një ftese të re.
Lajmi i mirë është se pavarësisht nga mirëbesimi që mund të kemi zgjedhur ose jo të vendosim te Perëndia në të kaluarën, mund të zgjedhim t’i mirëbesojmë Perëndisë sot dhe çdo ditë në vazhdim. Unë premtoj se çdo herë që e bëjmë këtë, Perëndia do të jetë atje për të na pritur dhe marrëdhënia jonë e mirëbesimit do të forcohet gjithnjë e më shumë deri në ditën që do të bëhemi një me Të dhe Birin e Tij. Më pas mund të shpallim sikurse Nefi: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe do të besoj te ti përgjithmonë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.