Konferenca e Përgjithshme
Parashuguruar për të Shërbyer
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


11:30

Parashuguruar për të Shërbyer

Ati ynë Qiellor dëshiron t’jua zbulojë parashugurimin tuaj vetjak dhe Ai do ta bëjë këtë teksa ju kërkoni të mësoni dhe ta ndiqni vullnetin e Tij.

Këtë mbrëmje, u flas të rinjve të Kishës, brezit të ri të të rinjve dhe të të rejave që janë bartësit e standardeve për brezin e ardhshëm.

Në tetor 2013, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, shpalli: “Ati juaj Qiellor ju ka njohur për një kohë shumë të gjatë. Ju, si bir ose bijë e Tij, Ai ju zgjodhi të vini në tokë pikërisht në këtë kohë, që të jeni një udhëheqës në veprën e Tij të madhe mbi tokë.”

Dy vjet më parë, Presidenti Nelson vijoi:

“Sot e ripohoj fuqishëm se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. Ju të rinj jeni ruajtur për këtë kohë kur po ndodh mbledhja e premtuar e Izraelit. …

Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë. … Lutuni për të ditur a do të donte Zoti që të shërbeni në një mision dhe Fryma e Shenjtë do të përgjigjet në zemrën dhe mendjen tuaj.”

Referencat e profetit tonë në lidhje me atë që Zoti po e mban rininë e ditëve tona në ruajtje për këtë kohë për mbledhjen e Izraelit, dhe ftesa e tij për t’u lutur që të dini se çfarë Zoti do të donte që ju të bënit, janë pjesërisht referenca në lidhje me jetën që jetuat dhe bekimet që morët nga Perëndia përpara se të lindeshit në këtë tokë. Të gjithë ne që kemi lindur në këtë tokë, jetuam fillimisht me Atin tonë Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë. Zoti i shpalli Moisiut: “Unë, Zoti Perëndi, i krijova të gjitha gjërat … shpirtërisht, përpara se ato të ishin në mënyrë të natyrshme mbi faqen e tokës”.

Kur Ai ju krijoi shpirtërisht, Ai ju deshi si bijtë dhe bijat e Tij shpirtërorë dhe nguliti brenda secilit prej jush një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm.

Gjatë jetës suaj para lindjes, ju “zhvilluat identitetin [tuaj] dhe rritët aftësitë [tuaja] shpirtërore”. Ju u bekuat me dhuratën e lirisë së zgjedhjes, aftësinë për të bërë zgjedhje për veten tuaj dhe morët njëmend vendime të rëndësishme, të tillë si vendimin për të ndjekur planin e Atit Qiellor për lumturinë, i cili është “të merrni një trup fizik [dhe të] mund të fitoni përvojë tokësore për të përparuar … dhe së fundi, [të] mund të arrini destinacionin [tuaj] hyjnor si trashëgimtarë [të] jetës së përjetshme”. Ky vendim ndikoi në jetën tuaj atëherë, në jetën tuaj para lindjes dhe vijon të ndikojë në jetën tuaj tani. Si fëmijë të Perëndisë që jetuat në jetën tuaj para lindjes, ju “u rritët në inteligjencë dhe mësuat ta donit të vërtetën”.

Përpara se të lindnit, Perëndia e caktoi secilin prej jush që të përmbushte misione të caktuara gjatë jetës në vdekshmëri këtu në tokë. Nëse qëndroni të denjë, bekimet e atij dekreti të jetës para lindjes do t’ju aftësojnë që t’i keni të gjitha llojet e mundësive në këtë jetë, përfshirë mundësitë për të shërbyer në Kishë dhe për të marrë pjesë në punën më të rëndësishme që po ndodh në tokë sot: mbledhjen e Izraelit. Ato premtime dhe bekime në jetën para lindjes quhen parashugurimi juaj. “Doktrina e parashugurimit gjen zbatim për të gjithë anëtarët e Kishës.” Parashugurimi nuk është garanci që ju do të merrni thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Këto bekime dhe mundësi vijnë në këtë jetë si rrjedhojë e ushtrimit tuaj të lirisë së zgjedhjes me drejtësi, ashtu siç parashugurimi juaj në jetën tuaj para lindjes erdhi si rrjedhojë e drejtësisë. Kur jepni prova që jeni të denjë dhe përparoni përgjatë shtegut të besëlidhjeve, do të merrni mundësi për të shërbyer në klasën tuaj të Të Rejave ose në kuorumin tuaj të priftërisë. Ju do të bekoheni për të shërbyer në tempull, për t’u bërë një vëlla ose motër shërbestare dhe për të shërbyer në një mision si një dishepull/e i/e Jezu Krishtit.

Pse ka rëndësi fakti që të kërkoni ta dini dhe ta kuptoni parashugurimin tuaj? Në një kohë kur pyetjet janë me tepri, kur kaq shumë njerëz kërkojnë ta dinë identitetin e tyre të vërtetë, fakti që Perëndia e njeh dhe e ka bekuar secilin prej nesh individualisht përpara se të lindnim në këtë tokë me “karakteristik[a] thelbësore [të] identitetit dhe qëllimit … [para lindjes, në vdekshmëri dhe në përjetësi]”, i sjell paqe dhe siguri të ëmbël mendjes dhe zemrës sonë. Dijenia se cilët jeni, fillon me të kuptuarit e bekimeve të parashuguruara nga Perëndia që ju janë dhënë përpara se të lindnit në këtë tokë. Ati ynë Qiellor dëshiron t’jua zbulojë parashugurimin tuaj vetjak dhe Ai do ta bëjë këtë teksa ju kërkoni të mësoni dhe ta ndiqni vullnetin e Tij.

Më pëlqen shumë t’i lexoj publikimet në Instagram të Presidentit Nelson. Një nga të parapëlqyerit e mi ishte ai i 20 korrikut 2022. Ai shkroi:

“Besoj që, në qoftë se Zoti do t’ju fliste drejtpërsëdrejti sonte, gjëja e parë që Ai do të sigurohej që ju të kuptoni, është identiteti juaj i vërtetë. Miqtë e mi të dashur, ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. …

… Mos bëni gabim në lidhje me këtë: Potenciali juaj është hyjnor. Me kërkimin tuaj të zellshëm, Perëndia do t’ju japë grimca të personit që mund të bëheni.”

A mund t’ju tregoj se si babai im tokësor më mësoi të zbuloja identitetin tim dhe planin e Perëndisë në jetën time?

Një mëngjes të shtune, kur isha 13 vjeç, po korrja barin si pjesë e punëve të mia javore të shtëpisë. Kur mbarova, dëgjova derën të mbyllej në pjesën e pasme të shtëpisë sonë dhe pashë babanë tim që më thërriste për të shkuar tek ai. U nisa drejt verandës së pasme dhe ai më ftoi të ulesha me të te shkallët. Ishte një mëngjes i bukur. Ende e kujtoj atë të ulur aq ngjitur me mua saqë na takonin shpatullat. Ai filloi duke më thënë se më donte. Ai më pyeti se cilat ishin qëllimet e mia në jetë. Mendova: “Epo, kjo është fare e thjeshtë”. Dy gjëra i dija me siguri: Doja të isha më i gjatë dhe doja të shkoja më shpesh në kamping. Isha një njeri i thjeshtë. Ai buzëqeshi, ndaloi për një çast dhe tha: “Stiv, dua të të them diçka që ka shumë rëndësi për mua. Jam lutur që Ati ynë Qiellor të bëjë që ajo që do të të them tani të lërë gjurmë të pakthyeshme në mendjen dhe në shpirtin tënd që të mos e harrosh kurrë.”

Im atë kishte gjithë vëmendjen time në atë çast. Ai u kthye dhe më pa drejt e në sy dhe tha: “Bir, mbroji çastet private të jetës”. Pati një heshtje të gjatë teksa e la kuptimin e asaj që shprehu të më zhytej thellë në zemër.

Më pas vijoi: “E ke parasysh, ato çaste kur ndodhesh i vetëm, pa asnjë njeri rreth teje, dhe kur askush nuk e di se çfarë po bën? Në ato çaste kur mendon: ‘Çfarëdolloj gjëje që të bëj tani, nuk do të ketë ndikim tek askush tjetër, përveç meje’?”

Më pas ai tha: “Më shumë se çdo herë tjetër në jetën tënde, ajo që bën gjatë çasteve private të jetës do të ketë ndikimin më të madh te mënyra se si do të përballesh me sfidat dhe pikëllimet që do të hasësh; dhe ajo që ti bën gjatë çasteve private të jetës, do të ketë gjithashtu një ndikim më të madh te mënyra se si do të përballesh me sukseset dhe gëzimin që do të përjetosh, më shumë se çdo herë tjetër në jetën tënde”.

Babait tim iu plotësua dëshira e zemrës së vet. Tingulli dhe intonacioni i zërit të tij dhe dashuria që ndjeva te fjalët e tij, m’u ngulitën në mënyrë të pakthyeshme në mendje dhe në shpirt atë ditë.

Kam mësuar përgjatë viteve se mrekullia më e madhe e asaj dite te shkallët e shtëpisë sime të fëmijërisë ishte që, në çastet private të jetës, unë mund të shkoja te Perëndia në lutje për të marrë zbulesë. Im atë po më mësonte se si mund të mësoja për bekimet e parashuguruara nga Perëndia. Në ato çaste private, mësova se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Mësova se Perëndia më kishte parashuguruar për të shërbyer në një mision. Mësova se Perëndia më njeh dhe i dëgjon e u përgjigjet lutjeve të mia. Mësova se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Ndonëse kam bërë shumë gabime që nga ajo ditë e paharrueshme me babanë tim, përpjekja e fortë për t’i mbrojtur çastet private të jetës sime ka mbetur një spirancë në mes të stuhive të jetës dhe më ka aftësuar të kërkoj strehën e sigurt dhe bekimet shëruese e forcuese të dashurisë dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia në moshë të re, teksa i mbroni çastet private të jetës me veprimtari argëtuese të shëndetshme, duke dëgjuar muzikë lartësuese, duke lexuar shkrimet e shenjta, duke bërë lutje të rregullta dhe kuptimplota dhe duke bërë përpjekje për ta marrë bekimin tuaj patriarkal dhe për ta përsiatur atë, ju do të merrni zbulesë. Thënë me fjalët e Presidentit Nelson, sytë tuaj do të “j[e]në krejtësisht të hapur ndaj së vërtetës se kjo jetë realisht është koha kur merrni vendimin se çfarë lloj jete ju dëshironi të jetoni përgjithmonë”.

Ati ynë në Qiell do t’u përgjigjet lutjeve tuaja, veçanërisht lutjeve që i bëni gjatë çasteve private të jetës. Ai do t’jua zbulojë dhuntitë dhe talentet tuaja të parashuguruara dhe do të ndieni se dashuria e Tij do t’ju mbështjellë, nëse do të kërkoni sinqerisht dhe do të dëshironi çiltërisht që t’i dini ato gjëra. Teksa i mbroni çastet private të jetës, pjesëmarrja juaj në ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit do të jetë më kuptimplotë. Do ta lidhni veten më plotësisht me Perëndinë në besëlidhjet që bëni me Të dhe do të lartësoheni duke pasur më shumë shpresë, besim dhe siguri te premtimet që Ai ju ka bërë. A dëshironi ta dini planin e Perëndisë për ju? Jap dëshmi se Ai dëshiron që ju ta dini, dhe Ai e ka frymëzuar profetin e Tij për botën që ta ftojë secilin prej nesh të lutet dhe ta përjetojë vetë këtë përvojë që të hap sytë. Jap dëshmi për realitetin dhe fuqinë e flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë që na e bën të mundur të jetojmë në lartësinë e bekimeve të parashuguruara nga Perëndia dhe t’i shijojmë të gjitha ato, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107.

  2. Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6.

  3. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]: “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!”

  4. Shihni te Jeremia 1:5.

  5. Moisiu 3:5.

  6. Shihni te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Tema e Të Rejave”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Tema e Kuorumeve të Priftërisë Aarone”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  7. Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Premortal Life: Overview” [“Jeta Para Lindjes: Vështrim i Përgjithshëm”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  8. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  9. Shihni tek Alma 13:1–4.

  10. Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Premortal Life: Overview” [“Jeta Para Lindjes: Vështrim i Përgjithshëm”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni edhe Doktrina e Besëlidhje 138:55–56.

  11. Shihni tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Foreordination” [“Parashugurimi”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”.

  13. Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Foreordination” [“Parashugurimi”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni edhe te Jeremia 1:5; “What Is the Relationship between Foreordination and Agency?”, Liahona, tetor 2023, f. 47; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Parashugurim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  14. Shihni tek Alma 13:1–4; Doktrina e Besëlidhje 130:20–21.

  15. Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Shihni te Jeremia 1:5.

  17. Russell M. Nelson, Instagram, 20 korrik 2022, Instagram.com/russellmnelson.

  18. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  19. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 93–96.