Fjalët Kanë Rëndësi
Fjalët përcaktojnë tonin e komunikimit. Ato u japin zë mendimeve, ndjenjave dhe përvojave tona, për mirë ose për keq.
Vëllezër, motra dhe miq anembanë botës, kam nderin t’i drejtohem këtij publiku të gjerë, shumë prej pjesëtarëve të të cilit janë anëtarë të Kishës dhe shumë janë miq dhe dëgjues të rinj të transmetimit të kësaj konference. Mirë se erdhët!
Mesazhet e dhëna nga kjo foltore komunikohen me fjalë. Ato jepen në gjuhën angleze dhe përkthehen në gati 100 gjuhë të ndryshme. Baza është gjithmonë e njëjta. Fjalët. Dhe fjalët kanë shumë rëndësi. Lejomëni t’jua them prapë. Fjalët kanë rëndësi!
Ato janë themeli se si ne lidhemi; ato përfaqësojnë bindjet, parimet morale dhe këndvështrimet tona. Nganjëherë themi fjalë; herë të tjera dëgjojmë. Fjalët përcaktojnë tonin e komunikimit. Ato u japin zë mendimeve, ndjenjave dhe përvojave tona, për mirë ose për keq.
Fatkeqësisht, fjalët mund të jenë të pamenduara mirë, të nxituara dhe lënduese. Pasi të thuhen, nuk mund t’i tërheqim më pas. Ato mund të hapin plagë, të ndëshkojnë, të therin në shpirt dhe madje të çojnë në veprime shkatërruese. Ato mund të na rëndojnë tej mase.
Nga ana tjetër, fjalët mund të kremtojnë fitoren, të jenë shpresëdhënëse dhe inkurajuese. Ato mund të na shtyjnë të rimendohemi, t’ia rinisim dhe ta riorientojmë drejtimin. Fjalët mund të na e hapin mendjen ndaj së vërtetës.
Kjo është arsyeja pse, pikësëpari, fjalët e Zotit kanë rëndësi.
Te Libri i Mormonit, profeti Alma dhe populli i tij në Amerikën e lashtë u përballën me luftëra të panumërta me ata që e kishin shpërfillur fjalën e Perëndisë, që e kishin ngurtësuar zemrën dhe që e kishin korruptuar kulturën e tyre. Besimtarët mund të kishin luftuar, por Alma këshilloi: “Dhe tani, pasi predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre – prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë”.
“Fjal[a e] Perëndisë” i tejkalon të gjitha shprehjet e tjera. Ka qenë kështu që nga Krijimi i tokës kur Zoti tha fjalët: “‘U bëftë drita!’ Dhe drita u bë.”
Nga Shpëtimtari erdhën këto fjalë siguruese në Dhiatën e Re: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”.
Edhe kjo: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai”.
Nga Maria, nëna e Jezusit, erdhi kjo dëshmi e përulur: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”.
Pasja e besimit dhe vënia vesh ndaj fjalës së Perëndisë do të na afrojnë më shumë me Të. Presidenti Rasëll M. Nelson ka premtuar: “Nëse do t’i studioni fjalët e Tij, aftësia juaj për të qenë më shumë si Ai do të shtohet”.
A nuk duam të gjithë të jemi, siç thotë himni: “Më shum’ [të] bekuar – Më shum’ si Ti Zot”?
E përfytyroj djaloshin Jozef Smith, të ulur në gjunjë duke i dëgjuar me vëmendje fjalët e Atit të tij në Qiell: “[Jozef,] ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”
Ne e “dëgjoj[më] Atë” në fjalët e shkrimeve të shenjta, por a i lëmë ato thjesht të mbeten në letër, apo e dallojmë se Ai po na flet neve? A ndryshojmë ne?
Ne e “dëgjoj[më] Atë” në zbulesa dhe nxitje vetjake nga Fryma e Shenjtë, në përgjigje ndaj lutjeve dhe në ato çaste kur vetëm Jezu Krishti, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, mund të na i heqë barrët, të na japë falje e paqe dhe të na marrë “në krahët e dashurisë së tij”.
Së dyti, fjalët e profetëve kanë rëndësi.
Profetët dëshmojnë për natyrën hyjnore të Jezu Krishtit. Ata e japin mësim ungjillin e Tij dhe e tregojnë dashurinë e Tij për të gjithë njerëzit. Jap dëshminë time se profeti ynë i gjallë, Presidenti Rasëll M. Nelson, dëgjon dhe flet fjalën e Zotit.
Presidenti Nelson di të shprehet mirë me fjalë. Ai ka thënë: “Vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve”, “Mblidheni Izraelin”, “Lejojeni Perëndinë të triumfojë”, “Ndërtoni ura mirëkuptimi”, “Jepni falënderime”, “Rrit[e]ni besimin tuaj te Jezu Krishti”, “Merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj” dhe “Bëh[uni] një paqebërës/e”.
Kohët e fundit, ai na ka kërkuar të “mendo[jmë] çelestialisht!” “Kur të përballeni me një mëdyshje”, – tha ai, “mendoni çelestialisht! Kur t’ju vërë në provë tundimi, mendoni çelestialisht! Kur jeta ose njerëz të dashur t’ju lënë në baltë, mendoni çelestialisht! Kur dikush të vdesë para kohe, mendoni çelestialisht. … Kur trysnitë e jetës të mblidhen mbi ju, mendoni çelestialisht! … Ndërsa mendoni çelestialisht, zemra juaj gradualisht do të ndryshojë … do t’i shihni sprovat dhe kundërshtimin me një këndvështrim të ri … [dhe] besimi juaj do të rritet.”
Kur mendojmë çelestialisht, ne i shohim “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë dhe … siç do të jenë në të vërtetë”. Në këtë botë të ngarkuar me pështjellim dhe grindje, të gjithë kemi nevojë për atë këndvështrim.
Plaku Xhorxh Albert Smithi, shumë kohë para se të bëhej Presidenti i Kishës, foli që ta mbështetim profetin dhe t’ia vëmë veshin fjalëve të tij. Ai tha: “Detyrimi që ne marrim përsipër kur ngremë dorën … është një nga më të shenjtët. … Do të thotë … se ne do ta mbështe[t]im atë; ne do të lutemi për të … dhe ne do të përpiqemi të plotësojmë udhëzimet e tij ndërsa Zoti do ta drejtojë atë.” Me fjalë të tjera, ne do të veprojmë me zell sipas fjalëve të profetëve tanë.
Si njëri prej 15 profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të mbështetur dje nga Kisha jonë mbarëbotërore, unë dua t’ju tregoj një nga përvojat e mia kur kam mbështetur profetin dhe i kam përqafuar fjalët e tij. Për mua ishte si përvoja e profetit Jakob, i cili tha: “Unë kisha dëgjuar zërin e Zotit, duke më folur me fjalë”.
Tetorin e kaluar, unë dhe bashkëshortja ime, Melania, ishim në Bangkok, Tajlandë, teksa po përgatitesha të përkushtoja atë që do të ishte tempulli i 185‑të i Kishës. Për mua, detyra ishte si fantastike edhe përulëse. Ky ishte tempulli i parë në gadishullin e Azisë Juglindore. Ishte projektuar me mjeshtëri – një strukturë gjashtëkatëshe, me nëntë maja, “e lidhur mirë” për të qenë një shtëpi e Zotit. Kishte muaj që e bluaja në mendje përkushtimin. Ajo që më ishte ngulitur në shpirt dhe në mendje, ishte se vendi dhe tempulli ishin përkundur në krahët e profetëve dhe apostujve. Presidenti Tomas S. Monson kishte njoftuar për ndërtimin e tempullit dhe Presidenti Nelson për përkushtimin.
E kisha përgatitur lutjen e përkushtimit muaj përpara. Ato fjalë të shenjta ishin përkthyer në 12 gjuhë. Ishim gati. Ose kështu mendoja unë.
Natën përpara përkushtimit, u zgjova nga gjumi me një ndjenjë të ngutshme shqetësimi për lutjen e përkushtimit. U përpoqa ta shpërfillja nxitjen, duke menduar se lutja ishte gati. Por Shpirti nuk po më linte të qetë. Kisha ndjesinë se mungonin disa fjalë të caktuara dhe nëpërmjet ndihmës hyjnore ato më erdhën me anë të zbulesës dhe i vendosa këto fjalë te lutja, nga fundi i saj: “Mendofshim çelestialisht, duke e lejuar Shpirtin Tënd të triumfojë në jetën tonë dhe u përpjekshim të jemi gjithnjë paqebërës”. Zoti po më kujtonte që t’ua vija veshin fjalëve të profetit tonë të gjallë: “Mendoni çelestialisht”, “lejojeni Shpirtin të triumfojë”, “përpiquni të jeni paqebërës/e”. Fjalët e profetit kanë rëndësi për Zotin dhe për ne.
Së treti, dhe shumë e rëndësishme, janë fjalët tona vetjake. Besomëni, në botën tonë të mbushur me simbole grafike [emoji], fjalët tona kanë rëndësi.
Fjalët tona mund të jenë përkrahëse ose plot inat, të gëzueshme ose fyese, të dhembshura ose mospërfillëse. Në ato çaste të ndera, fjalët mund të shpojnë si thumbi dhe të zhyten dhimbshëm thellë në shpirt – dhe të qëndrojnë atje. Fjalët tona në internet, në mesazhet me celular, në mediat shoqërore ose në mesazhet në Twitter fillojnë të marrin një rrjedhë të tyren. Prandaj bëni kujdes se çfarë thoni dhe se si e thoni atë. Në familjet tona, veçanërisht me bashkëshortët, bashkëshortet dhe fëmijët, fjalët tona mund të na bashkojnë ose të krijojnë përçarje mes nesh.
Lejomëni t’ju sugjeroj tri fraza të thjeshta që mund t’i përdorim për ta nxjerrë jashtë thumbin nga vështirësitë dhe dallimet, për të ngritur moralisht dhe për t’i dhënë siguri njëri-tjetrit:
“Faleminderit.”
“Më fal ose më vjen keq.”
Dhe “të dua”.
Mos i ruani këto fraza të përulura për një ngjarje apo fatkeqësi të veçantë. Përdorini ato shpesh dhe me sinqeritet, pasi ato tregojnë respekt për të tjerët. Bisedimet po bëhen gjithnjë e më të vrazhda, mos e ndiqni atë model.
Mund të themi “faleminderit” në ashensor, në sheshin e parkimit, në treg, në zyrë, në një radhë njerëzish, ose t’ua themi fqinjëve apo miqve tanë. Mund të themi “më fal ose më vjen keq” kur bëjmë një gabim, kur mungojmë në një mbledhje, kur harrojmë një ditëlindje ose kur shohim dikë duke vuajtur. Mund të themi “të dua” dhe ato fjalë mbartin mesazhin: “Po mendoj për ty”, “shqetësohem për ty”, “më ke mua” ose “ti je gjithçka për mua”.
Lejomëni t’ju tregoj një shembull nga vetja. Bashkëshortë, mbani vesh! Motra, kjo do t’ju ndihmojë edhe ju. Përpara detyrës sime me kohë të plotë në Kishë, udhëtoja anembanë për kompaninë time. Isha i ikur një pjesë të mirë të kohës në vende të largëta të botës. Në fund të ditës, pavarësisht se ku isha, e merrja gjithmonë familjen në telefon. Kur bashkëshortja ime, Melania, e ngrinte telefonin dhe unë i raportoja asaj, bashkëbisedimi ynë na shpinte gjithmonë te fjalët: “Të dua”. Çdo ditë, këto fjalë shërbenin si një spirancë për shpirtin tim dhe sjelljen time; ato ishin një mbrojtje për mua ndaj skemave të liga. “Melani, të dua”, fjalë të dala nga mirëbesimi ynë i shtrenjtë midis nesh.
Presidenti Tomas S. Monson thoshte: “Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxitim, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë”. Të thuash “faleminderit”, “më fal ose më vjen keq”, “të dua” bën pikërisht këtë gjë.
Vëllezër e motra, fjalët kanë vërtet rëndësi.
Ju premtoj që, në qoftë se “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit”, të cilat çojnë drejt shpëtimit, me fjalët e profetit tonë që na udhërrëfejnë dhe na inkurajojnë, si dhe me vetë fjalët tona që tregojnë se cilët jemi dhe se çfarë çmojmë si të shtrenjtë, fuqitë e qiellit do të derdhen mbi ne. “Fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni.” Ne jemi fëmijët e Atit Qiellor dhe Ai është Perëndia ynë dhe Ai pret nga ne që të flasim “me gjuhën e engjëjve” nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
E dua Zotin Jezu Krisht. Ai është, me fjalët e profetit Isaia në Dhiatën e Vjetër: “Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”. Siç e bëri të qartë Apostulli Gjon, Vetë Jezu Krishti është “Fjala”.
Për këtë unë dëshmoj si një Apostull i thirrur në shërbimin hyjnor të Zotit, për të shpallur fjalën e Tij dhe i thirrur për të qëndruar si dëshmitar i veçantë i Tij. Në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.