Një Anal i Gjërave që i Kam Parë Ashtu edhe Dëgjuar
Nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Pasi mora diplomën e juridikut, bashkëshortja ime, Marsia, dhe unë zgjodhëm t’i bashkoheshim një firme ligjore të specializuar për çështjet që shkonin në gjykatë. Ndërsa fillova të trajnohesha duke punuar, shpenzova shumë nga koha ime duke përgatitur dëshmitarët që të dëshmonin në gjyq. Shpejt mësova se faktet përcaktoheshin në një sallë gjyqi teksa dëshmitarët, nën betim, dëshmonin për vërtetësinë e asaj që kishin parë ashtu edhe dëgjuar. Teksa dëshmitarët dëshmonin, fjalët e tyre edhe shënoheshin, edhe ruheshin. Rëndësia e dëshmitarëve të besueshëm qe gjithnjë në krye të përgatitjes sime.
Nuk m’u desh shumë që të kuptoja se pikërisht ato terma që po përdorja çdo ditë si avokat, ishin gjithashtu termat që përdorja në bashkëbisedimet e mia për ungjillin. “Dëshmia” në gjyq dhe “dëshmia” për ungjillin janë terma që i përdorim kur shprehim njohurinë dhe ndjenjat tona për vërtetësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.
Kur u mbështeta si një I Shtatëdhjetë Zonal i ri, hapa shkrimet e shenjta për të mësuar detyrat e mia dhe lexova te Doktrina e Besëlidhje 107:25, që shpall: “Të Shtatëdhjetët gjithashtu thirren … për të qenë dëshmitarë të veçantë tek Johebrenjtë dhe në të gjithë botën”. Siç mund ta imagjinoni, sytë më shkuan tek termi “dëshmitarë të veçantë”. M’u bë e qartë se kisha përgjegjësi për të dhënë dëshminë time, për të dëshmuar në emrin e Jezu Krishtit, kudo që të udhëtoja në botë.
Ka shembuj të shumtë në shkrimet e shenjta të atyre që qenë dëshmitarë okularë dhe që dëshmuan për atë që panë ashtu edhe dëgjuan.
Ndërsa profeti i lashtësisë, Mormoni, e nis analin e tij, ai shkruan: “Dhe tani, unë, Mormoni, bëj një anal të gjërave që si i kam parë ashtu dhe dëgjuar dhe e quaj Libri i Mormonit”.
Apostujt e Shpëtimtarit, Pjetri dhe Gjoni, shëruan një burrë në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit. Kur i urdhëruan të mos flisnin në emrin e Jezusit, ata u përgjigjën:
“Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.
Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.”
Një dëshmi tjetër bindëse vjen nga shenjtorët e Librit të Mormonit të cilët dëshmuan vizitën e Shpëtimtarit Jezu Krisht. Dëgjojeni këtë përshkrim të dëshmisë së tyre: “Dhe në këtë mënyrë ata dëshmuan: Syri nuk ka parë kurrë, as veshi nuk ka dëgjuar më parë gjëra kaq të mëdha dhe të mrekullueshme si pamë dhe dëgjuam Jezusin t’i fliste Atit”.
Vëllezër dhe motra, sot shpall dëshminë time dhe bëj një anal të gjërave që i kam parë ashtu edhe dëgjuar gjatë shërbesës sime të shenjtë si I Shtatëdhjetë i Zotit Jezu Krisht. Duke e bërë këtë, ju dëshmoj për një Atë të dashur Qiellor dhe Birin e Tij mirëdashës, Jezu Krishtin, që vuajti, vdiq dhe u ngrit përsëri për t’u ofruar jetë të përjetshme fëmijëve të Perëndisë. Dëshmoj për një “punë të mrekullueshme dhe një çudi” dhe se Zoti ka vënë dorë edhe një herë për ta rivendosur ungjillin e Tij në tokë nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij të gjallë. Dëshmoj se në bazë të gjërave që i kam parë ashtu edhe dëgjuar, nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme sesa sot. E di këtë nga njohuria ime vetjake, e pavarur nga asnjë burim tjetër, për shkak të gjërave që kam i parë ashtu edhe dëgjuar.
Gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, që të merrja diplomën e seminarit, duhej t’i identifikoja të 15 tempujt e Kishës. Një fotografi e secilit tempull ishte përpara klasës sonë dhe unë duhej të dija vendndodhjen e çdonjërit. Tani, vite më vonë, do të ishte një sfidë tejet e madhe me 335 tempuj në funksionim ose të lajmëruar, që të përcaktoja çdonjërin. I kam parë vetë shumë nga këto shtëpi të Zotit dhe dëshmoj se Zoti po ua ofron bekimet dhe ordinancat e Tij gjithnjë e më shumë fëmijëve të Tij anembanë botës.
Miqtë e mi në FamilySearch më kanë mësuar se mbi një milion emra të rinj shtohen në FamilySearch çdo ditë. Nëse nuk e gjetët paraardhësin/en tuaj dje, ju ftoj të kërkoni përsëri nesër. Kur bëhet fjalë për mbledhjen e Izraelit në anën tjetër të velit, nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme sesa sot.
Teksa i rritëm fëmijët tanë në Tuin‑Folls të Ajdahos, këndvështrimi ynë për Kishën mbarëbotërore qe i kufizuar. Kur u thirra për të qenë një Autoritet i Përgjithshëm, Marsian dhe mua na caktuan të shërbenim në Zonën e Paqësorit, një vend ku nuk kishim qenë kurrë. Patëm kënaqësinë të gjenim kunje fund e krye Zelandës së Re, me një tempull që ishte përkushtuar në vitin 1958. Ishte njëri nga ata 15 tempujt që duhej ta mësoja përmendsh në seminar. Gjetëm tempuj në çdo qytet kryesor të Australisë, me kunje anembanë atij kontinenti. Na caktuan me detyrë në Samoa, ku ka 25 kunje dhe në Tongë, ku thuajse gjysma e popullatës janë anëtarë të Kishës. Na caktuan me detyrë në ishullin e Kiribatit ku gjetëm dy kunje. Na caktuan me detyrë të vizitonim kunjet në Ebi në Ishujt Marshall dhe Daru në Papua Guinea e Re.
Pas shërbimit tonë në ishujt e Paqësorit, na caktuan të shërbenim në Filipine. Për habinë time, Kisha e Jezu Krishtit në Filipine po rritet duke e tejkaluar gjithçka që kisha kuptuar. Tani ka 125 kunje, 23 misione dhe 13 tempuj në funksionim ose të njoftuar. Dëshmova një kishë me mbi 850 000 anëtarë në atë vend. Si më kishte shpëtuar themelimi i Kishës së Krishtit nëpër botë?
Pas tre vjetësh në Filipine, m’u kërkua të shërbeja në Sektorin e Misionarëve. Caktimi im na çoi në misione në të gjithë botën. Pamja ime për Kishën mbarëbotërore të Shpëtimtarit u zgjerua në mënyrë të ndjeshme. Marsian dhe mua na caktuan të vizitonim misionet në Azi. Ne gjetëm një qendër të bukur kunji në Singapor, me anëtarë të mahnitshëm e besnikë. Vizituam anëtarë dhe misionarë në një ndërtesë kishtare në Kota‑Kinabalu të Malajzisë. Takuam misionarët në Hong‑Kong dhe morëm pjesë në një konferencë të mrekullueshme kunji me shenjtorë besnikë e të përkushtuar.
Kjo përvojë u përsërit kur takuam misionarë dhe anëtarë në mbarë Europën, në Amerikën Latine, në Karaibe dhe në Afrikë. Kisha e Jezu Krishtit po përjeton një rritje të pamasë në Afrikë.
Unë jam një dëshmitar okular i Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit dhe përmbushjes së profecisë së Jozef Smithit se “e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh”.
Misionarët tanë të mrekullueshëm që tani mbulojnë globin, janë plot 74 000. Duke punuar së bashku me anëtarët, ata pagëzojnë mbi 20 000 njerëz çdo muaj. Së fundi, kanë qenë të rinj dhe të reja 18, 19 dhe 20 vjeç ata të cilët, me ndihmën e Zotit, e kanë shkaktuar këtë mrekulli të fuqishme të mbledhjes. Ne i gjejmë këto të reja dhe të rinj në fshatrat e vegjël të Vanuatus dhe në qytetet e mëdha si Nju‑Jorku, Parisi dhe Londra. I kam parë ata të japin mësim rreth Shpëtimtarit në bashkësitë e largëta në Fixhi dhe në bashkësi më të mëdha në vende si Teksasi, Kalifornia dhe Florida në Shtetet e Bashkuara.
Do të gjeni misionarë në çdo cep të tokës duke folur në 60 gjuhë të ndryshme dhe duke e kryer porosinë e madhërishme të Shpëtimtarit te Mateu 28: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”. U bëj nderimet e mia misionarëve të shkuar dhe të tanishëm të Kishës dhe i kujtoj brezit tonë të ri ftesën e Presidentit Rasëll M. Nelson që të vijnë e ta mbledhin Izraelin.
Dëshmoj sot se e kam vëzhguar këtë Rivendosje të thellë të ungjillit të Shpëtimtarit me sytë e mi dhe e kam dëgjuar me veshët e mi. Unë jam dëshmitar i veprës së Perëndisë në mbarë botën. Nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme sesa sot.
Ndoshta mrekullia më frymëzuese e Rivendosjes që kam dëshmuar, jeni ju, anëtarët besnikë të Kishës në çdo vend. Ju, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, përshkruheni nga Nefi në Librin e Mormonit, kur ai e pa kohën tonë dhe dëshmoi: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”.
Dëshmoj se e kam parë me sytë e mi atë që pa Nefi – ju, shenjtorët besëlidhës në çdo vend, të armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë. Ndërsa isha në foltoren e njërit prej këtyre kombeve të botës, Zoti më nguliti në mendje diçka që dha mësim mbreti Beniamin te Mosia 2 në Librin e Mormonit. Brent, “Unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore.”
Ju dëshmoj se e kam parë këtë me sytë e mi dhe e kam dëgjuar me veshët e mi kur ju kam takuar ju, shenjtorët besnikë të Perëndisë në të gjithë tokën që i zbatoni urdhërimet. Ju jeni fëmijët besëlidhës të Atit. Jeni dishepujt e Jezu Krishtit. Ju gjithashtu e dini atë që di unë për shkak se keni marrë dëshminë tuaj vetjake për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Shpëtimtari dha mësim: “Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë”.
Nën drejtimin e Zotit dhe udhëheqjen e profetëve dhe apostujve të Tij, ne do të vazhdojmë të përgatitim misionarë, të bëjmë e mbajmë besëlidhje të shenjta, të themelojmë Kishën e Krishtit anembanë botës dhe të marrim bekimet që vijnë teksa i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Ne jemi të bashkuar. Ne jemi fëmijët e Perëndisë. Ne e njohim Atë dhe e duam Atë.
Ju bashkohem juve, miqtë e mi, teksa të bashkuar dëshmojmë se këto gjëra janë të vërteta. Ne bëjmë një anal të gjërave që i kemi parë ashtu edhe dëgjuar. Ju dhe unë jemi dëshmitarë që dëshmojnë. Është me fuqinë e kësaj dëshmie të bashkuar që ne vazhdojmë të shkojmë përpara me besim te Zoti Jezu Krisht dhe tek ungjilli i Tij. Unë shpall dëshminë time se Jezu Krishti jeton. Ai është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.