Konferenca e Përgjithshme
Të Gjitha Gjërat për të Mirën Tonë
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


14:14

Të Gjitha Gjërat për të Mirën Tonë

Në kohë e përjetësi, qëllimi i Krijimit dhe natyra e Perëndisë Vetë janë që t’i sjellin të gjitha gjërat së bashku për të mirën tonë.

Sot është data 6 prill, përvjetori i rivendosjes nga Jezu Krishti i Kishës së Tij në ditët e mëvonshme dhe pjesa e periudhës së Pashkës kur ne plot gëzim dëshmojmë për jetën e përsosur, flijimin shlyes dhe Ringjalljen e lavdishme të Jezu Krishtit.

Një histori kineze fillon kur biri i një burri gjen një kalë të bukur.

“Sa me fat”, – thonë fqinjët.

“Do ta shohim”, – thotë burri.

Më pas djali bie nga kali dhe dëmtohet për tërë jetën.

“Sa pa fat”, – thonë fqinjët.

“Do ta shohim”, – thotë burri.

Një ushtri rekrutuese erdhi, por nuk e mori birin e dëmtuar.

“Sa me fat”, – thonë fqinjët.

“Do ta shohim”, – thotë burri.

Kjo botë e ndryshueshme shpesh ndihet e shkundur nga stuhia, e paqëndrueshme, nganjëherë fatlume dhe, shumë shpesh, fatkeqe. Prapëseprapë, në këtë botë mundimesh, “ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”. Vërtet, teksa ecim me drejtësi dhe i kujtojmë besëlidhjet tona, “gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”.

Të gjitha gjërat për të mirën tonë.

Një premtim mbresëlënës! Sigurim ngushëllues nga Perëndia Vetë! Në një mënyrë të mrekullueshme, qëllimi i Krijimit dhe natyra e Perëndisë, janë që ta njohin fillimin dhe fundin; të bëjnë të ndodhin të gjitha ato që janë për të mirën tonë dhe të na ndihmojnë të bëhemi të shenjtëruar e të shenjtë nëpërmjet hirit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na çlirojë dhe shëlbojë nga mëkati. Por Jezu Krishti gjithashtu e kupton në mënyrë intime çdo dhembje, brengë, sëmundje, hidhërim dhe ndarje tonën. Në kohë dhe përjetësi, ngadhënjimi i Tij mbi vdekjen dhe ferrin mund t’i vërë në vendin e duhur të gjitha gjërat. Ai ndihmon që të shërohen të thyerit dhe të nënçmuarit, që të pajtohen të zemëruarit dhe të përçarët, që të ngushëllohen të vetmuarit dhe të izoluarit, që të nxiten të pasigurtët dhe të papërsosurit dhe që të bëjë të ndodhin mrekulli që janë të mundshme vetëm me Perëndinë.

Ne këndojmë aleluja dhe thërrasim hosana! Me fuqinë e përjetshme dhe mirësinë e pafundme, në planin e Perëndisë për lumturinë të gjitha gjërat mund të punojnë së bashku për të mirën tonë. Ne mund të përballemi me jetën me vetëbesim dhe jo me frikë.

Të lënë të vetëm, ne mund të mos e dimë të mirën tonë vetjake. Kur “zgjedh veten”, unë po zgjedh edhe kufizimet, dobësitë dhe papërshtatshmëritë e mia. Më së fundmi, që të bëjmë të mirën e epërme, ne duhet të jemi të mirë. Përderisa askush përveç Perëndisë nuk është i mirë, ne kërkojmë përsosmëri te Jezu Krishti. Ne bëhemi vetja jonë më e vërtetë dhe më e mirë vetëm kur zhveshim burrin ose gruan e natyrshme dhe bëhemi një fëmijë përpara Perëndisë.

Me mirëbesimin dhe besimin tonë te Perëndia, sprovat dhe fatkeqësitë mund të shenjtërohen për të mirën tonë. Jozefi, i shitur në skllavëri në Egjipt, më vonë i shpëtoi familjen dhe popullin e tij. Burgosja e Profetit Jozef Smith në burgun e Libertisë i mësoi atij se “këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”. Kur i jetojmë me besim, sprovat dhe sakrificat që asnjëherë nuk do t’i zgjidhnim, mund të na bekojnë ne dhe të tjerët në mënyra që nuk i përfytyruam kurrë.

Ne e rritim besimin dhe mirëbesimin te Zoti se të gjitha gjërat mund të punojnë së bashku për të mirën tonë kur fitojmë një këndvështrim të përjetshëm; kur kuptojmë se sprovat tona mund të jenë “veçse për një çast të shkurtër”; kur e dallojmë se fatkeqësia mund të shenjtërohet për përfitimin tonë; kur e pranojmë se aksidentet, vdekja e parakohshme, sëmundja dhe lëngata ligështuese janë pjesë e vdekshmërisë dhe kur mirëbesojmë se Ati i dashur Qiellor nuk jep sprova për të ndëshkuar ose gjykuar. Ai nuk do t’i japë një gur dikujt që kërkon bukë, as një gjarpër dikujt që kërkon një peshk.

Kur vijnë sprovat, shpesh gjëja që dëshirojmë më së shumti, është që dikush të na dëgjojë e të na rrijë pranë. Në atë çast, përgjigjet klishe mund të jenë të padobishme, pavarësisht nga qëllimi i tyre për të ngushëlluar. Nganjëherë kemi mall për dikë që do të pikëllohet, do të ndiejë dhembje dhe do të vajtojë me ne; do të na lejojë të shprehim dhembje, mërzitje, nganjëherë madje zemërim; dhe do të pranojë me ne se ka gjëra që nuk i dimë.

Kur mirëbesojmë te Perëndia dhe dashuria e Tij për ne, edhe zemërthyerjet tona më të mëdha më së fundi mund të punojnë së bashku për të mirën tonë.

Më kujtohet dita kur mora lajmin e një aksidenti të rëndë me makinë në të cilin u përfshinë njerëz që i dua. Në kohë të tilla, në ankth e besim, ne vetëm mund të themi me Jobin: “Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit.”

Anembanë Kishës mbarëbotërore, rreth 3500 kunje e distrikte dhe rreth 30 000 lagje e degë sigurojnë strehim e siguri nga stuhitë. Por brenda kunjeve dhe lagjeve tona shumë familje dhe individë besnikë përballen me sfida të vështira, madje ndërkohë që e dinë se (pa e ditur ende se si) gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë.

Në Hadërsfilld të Anglisë, Vëllai Samuel Brixhstok u diagnostikua me kancer të fazës së katërt pak kohë përpara thirrjes së një presidenti të ri të kunjit. Nisur nga diagnoza e tij e tmerrshme, ai e pyeti bashkëshorten e tij, Anën, pse vallë të shkonte për t’u intervistuar.

“Sepse”, – tha Motra Brixhstok, – “ti do të thirresh si president kunji.”

Familja Brixhstok.

Megjithëse fillimisht atij i dhanë edhe një ose dy vjet jetë, Presidenti Brixhstok (i cili është këtu sot) është në vitin e tij të katërt të shërbimit. Ai ka ditë të mira dhe të vështira. Kunji i tij po grumbullohet me besim, shërbim e mirësi të shtuar. Nuk është e lehtë, por bashkëshortja dhe familja e tij jetojnë me besim, mirënjohje dhe trishtim të kuptueshëm se mirëbesimi i tyre do të bëhet gëzim i përjetshëm nëpërmjet Shlyerjes rivendosëse të Jezu Krishtit.

Kur jemi të qetë, të hapur dhe plot nderim, ne mund të ndiejmë bukurinë, qëllimin dhe qetësinë e përkatësisë në besëlidhje që e ofron Zoti. Në çaste të shenjta, Ai mund të na lejojë t’i hedhim një sy realitetit më të madh, të përjetshëm në të cilin është pjesë jeta jonë e përditshme, ku gjëra të vogla e të thjeshta punojnë së bashku për të mirën e dhënësve dhe të marrësve.

Rebeka, bija e presidentit tim të parë të misionit, tregoi se si Zoti iu përgjigj lutjes së saj për ngushëllim me një mundësi të papritur për t’iu përgjigjur lutjes së dikujt tjetër.

Rebeka i dha gruas aparatin e oksigjenit që e kishte pasur nëna e saj.

Një mbrëmje vonë, Rebeka, e pikëlluar për vdekjen e nënës së saj kohët e fundit, pati një mbresë të qartë që të shkonte për të blerë benzinë për makinën e vet. Kur mbërriti te pika e karburantit, ajo takoi një grua të moshuar që merrte frymë me vështirësi nëpërmjet një bombole të madhe oksigjeni. Më vonë, Rebeka pati mundësi t’i jepte gruas aparatin portativ të oksigjenit që e kishte pasur nëna e saj. Kjo motër plot mirënjohje tha: “Më ke kthyer lirinë”. Gjërat punojnë së bashku për mirë kur japim shërbesë siç do të jepte Jezu Krishti.

Një baba, i cili u caktua në dyshe shërbestare me birin e tij të moshës së mësuesit, shpjegoi: “Dhënia e shërbesës është kur ne kalojmë nga të qenit fqinjë që u sjellin biskota miqve të mirëbesuar, në ndihmën e shpejtë e të parë shpirtërore”. Përkatësia në besëlidhje te Jezu Krishti ngushëllon, lidh, përkushton.

Edhe në tragjedi, përgatitja shpirtërore mund të na kujtojë se Ati Qiellor e dinte kur po ndiheshim më të cenueshëm dhe të vetmuar. Për shembull, një familje fëmija e së cilës u çua në spital, më vonë gjeti ngushëllim duke kujtuar se Fryma e Shenjtë u kishte pëshpëritur që më parë se çfarë të pritnin.

Nganjëherë realiteti më i madh e i përjetshëm që Zoti na lejon ta ndiejmë, përfshin edhe familjarët në anën tjetër të velit. Një motër gjeti gëzim në kthimin në besim tek ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit. Prapëseprapë dy tronditje kishin ndikuar thellësisht në jetën e saj: të parit e një aksidenti me anije dhe humbja tragjike e nënës së saj, e cila i dha fund jetës së vet.

Motra e mposhti frikën dhe u pagëzua.

Gjithsesi kjo motër e mposhti frikën e vet ndaj ujit aq sa të pagëzohej me anë të zhytjes. Në atë që u bë një ditë shumë e lumtur, ajo qe dëshmitare që dikush, duke vepruar si mëkëmbëse për nënën e saj të vdekur, u pagëzua në tempull. “Pagëzimi në tempull e shëroi nënën time dhe më çliroi mua”, – tha motra. “Ishte hera e parë që ndjeva paqe që kur më vdiq nëna.”

Muzika jonë e shenjtë jehon sigurinë e Tij se të gjitha gjërat mund të punojnë së bashku për të mirën tonë.

Rri qet’, o shpirt: Per’ndia zotohet,

Si në të shkuarën, udh’heq’ t’ardhmen.

Shpresa, besimi yt t’mos tronditen;

Ç’ësht’ sot e fshehur, në fund do t’shkëlqej’.

Eni shenjtor’, punën mos kini frik’;

Por ecni me gëzim.

Dhe pse ky udh’tim duket i vështir’,

Dita do të ket’ hir. …

Edhe në vdekshim përgjat’ udh’timit,

G’zohuni! Gjithçka mir’!

Libri i Mormonit është provë që mund ta mbajmë në dorë, se Jezusi është Krishti dhe Perëndia i përmbush profecitë e Tij. I shkruar nga profetë të frymëzuar që e panë kohën tonë, Libri i Mormonit fillon me një dramë të pastër, një familje që po has mosmarrëveshje të thella. Prapëseprapë, teksa studiojmë dhe përsiatim kapitujt nga 1 Nefi 1 deri te Moroni 10, ne tërhiqemi drejt Jezu Krishtit me një dëshmi të patundur se çfarë ndodhi atje dhe në atë kohë, mund të na bekojë ne këtu dhe tani.

Ndërkohë që Zoti, nëpërmjet profetit të Tij të gjallë, sjell edhe më shumë prej shtëpive të Zotit më pranë në më shumë vende, bekimet e tempullit punojnë së bashku për të mirën tonë. Ne vijmë nëpërmjet besëlidhjes dhe ordinancës te Perëndia, Ati ynë, dhe Jezu Krishti dhe fitojmë këndvështrim të përjetshëm në vdekshmëri. Një e nga një, emër pas emri, ne u ofrojmë pjesëtarëve të dashur të familjes, paraardhësve, ordinancat e shenjta dhe bekimet e besëlidhjeve sipas modelit të Zotit për shpëtimtarët në Malin e Sionit.

Teksa tempujt vijnë më pranë nesh në shumë vende, një sakrificë tempulli që mund ta ofrojmë, është të kërkojmë më shpesh shenjtëri në shtëpinë e Zotit. Për shumë vjet ne kemi kursyer, planifikuar e sakrifikuar për të ardhur në tempull. Tani, siç e lejojnë rrethanat, ju lutem, ejani edhe më shpesh te Zoti në shtëpinë e Tij të shenjtë. Ju bekoftë, ju mbroftë e ju frymëzoftë adhurimi dhe shërbimi i rregullt në tempull ju dhe familjen tuaj, familjen që keni ose familjen që do të keni e do të bëheni një ditë!

Gjyshe jashtë tempullit.

Gjithashtu, atje ku e lejojnë rrethanat tuaja, ju lutem merreni parasysh bekimin e zotërimit të veshjeve tuaja të tempullit. Një gjyshe nga një familje e përulur tha se gjëja që ajo dëshironte më shumë në botë, ishin rrobat e veta të tempullit. Nipi i saj tha: “Gjyshja pëshpëriti: ‘Unë do të shërbej e veshur me rrobat e mia vetjake të tempullit dhe pasi të vdes, do të varrosem e veshur me to’”. Dhe kur erdhi koha, ashtu ndodhi.

Siç na jep mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Çdo gjë që ne besojmë dhe çdo premtim që Perëndia ia ka bërë popullit të Tij të besëlidhjes, përmblidhe[t] në tempull”.

Në kohë e përjetësi, qëllimi i Krijimit dhe natyra e Perëndisë Vetë janë që t’i sjellin të gjitha gjërat së bashku për të mirën tonë.

Ky është qëllimi i përjetshëm i Zotit. Është këndvështrimi i Tij i përjetshëm. Është premtimi i Tij i përjetshëm.

Kur jeta koklavitet dhe qëllimi nuk është i qartë, kur ju dëshironi të jetoni më mirë por nuk dini se si, ju lutem ejani te Perëndia, Ati ynë dhe Jezu Krishti. Mirëbesoni se Ata jetojnë, ju duan dhe dëshirojnë të gjitha gjërat për të mirën tuaj. Unë dëshmoj se Ata i bëjnë këto gjëra, pafundësisht e përjetësisht, në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Gjoni 16:33.

  2. Romakëve 8:28.

  3. Doktrina e Besëlidhje 90:24. Fraza e mirënjohur “gjithçka është mirë” shpesh nënkupton se gjërat janë mirë dhe në rregull, pa nënkuptuar me doemos se ato janë vërtet për të mirën tonë.

  4. Shihni te Moisiu 1:3.

  5. Shihni tek Alma 7:11.

  6. Shihni te 2 Nefi 9:10–12. Zoti e respekton lirinë morale të zgjedhjes, nganjëherë madje duke lejuar që veprimet e padrejta të të tjerëve të ndikojnë te ne. Por kur kërkojmë me gatishmëri që të bëjmë gjithçka mundemi, hiri i Jezu Krishtit dhe fuqia e Tij aftësuese dhe shlyese mund të na pastrojnë, shërojnë, ngushëllojnë, pajtojnë me veten tonë dhe njëri‑tjetrin, në të dyja anët e velit.

  7. Shihni te Moroni 7:6, 10–12. Profesori Teri Uorner shkruan me mprehtësi për këtë temë.

  8. Shihni te Romakëve 3:10; Moroni 10:25.

  9. Shihni te Moroni 10:32.

  10. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 122:4, 7.

  11. Ne mësojmë nëpërmjet përvojave që nuk do t’i zgjidhnim kurrë. Nganjëherë mbajtja e barrëve me ndihmën e Zotit mund ta rritë aftësinë tonë për t’i duruar ato barrë; Mosia 24:10–15 ilustron premtimin e Zotit që t’i “vizitoj[ë] njerëzit e [Tij] në pikëllimet e tyre” dhe që t’i “forco[jë] ata që të mund të duronin barrët e tyre”. Alma 33:23 jep mësim se “barrat t[ona të mund] të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të tij”. Mosia 18:8 na kujton se kur jemi “të gatshëm të mba[jmë] barrat e njëri‑tjetrit … ato të mund të jenë të lehta”.

  12. Profeti Isaia flet për Mesian: “Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, … për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen, për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar” (Isaia 61:1–3). Po ashtu, psalmisti ofron këndvështrimin e premtuar nga Zoti: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmeve 30:5). Kjo përfshin premtimet e lavdishme për të drejtët në mëngjesin e Ringjalljes së Parë.

  13. Doktrina e Besëlidhje 122:4. Të besuarit se sprovat mund të zgjasin aq sa në përjetësi është veçse një “çast i shkurtër”, nuk do të thotë që ta minimizojmë ose ta quajmë më pak sprovuese apo sfiduese dhembjen ose vuajtjen plot agoni që mund të përjetojmë ditë pas dite në këtë jetë, netët e padurueshme pa gjumë apo pasiguritë torturuese të çdo dite të re. Ndoshta premtimi i të qenit në gjendje për ta kthyer vështrimin pas dhe për ta parë vuajtjen tonë në vdekshmëri në dritën e dhembshurisë dhe të pamjes së përjetshme të Perëndisë, i shton ca këndvështrim të kuptuarit tonë për vdekshmërinë dhe shpresës sonë për të duruar me besim e mirëbesim tek Ai deri në fund. Gjithashtu, kur kemi sy për të parë, ka shpesh të mirë në të tashmen; nuk na nevojitet me domosdo që të presim për një kohë të ardhme që të shohim të mirën.

  14. Shihni te 2 Nefi 2:2.

  15. Shihni te Mateu 7:9–10. Ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë nuk është të pranojmë në mënyrë pësore çfarëdo që vjen. Është të besojmë aktivisht se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dëshirojnë vetëm dhe gjithmonë atë që është më e mira për ne. Kur godet tragjedia, ne mund të pyesim me besim, jo “Përse mua?” por “Çfarë mund të mësoj unë?” Dhe ne mund të vajtojmë me zemra të thyera dhe shpirtra të penduar duke e ditur se, në kohën dhe mënyrën e Tij, bekimet dhe mundësitë shpërblyese do të vijnë.

  16. Ne kemi besëlidhur që të vajtojmë me ata që vajtojnë, dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen (shihni te Mosia 18:9).

  17. Jobit 1:21.

  18. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 115:6.

  19. Besimi përballë vështirësisë është e kundërta e ankthit dhe dëshpërimit ekzistencial që Libri i Mormonit e përshkruan për ata që “mallkonin Perëndinë dhe dëshironin të vdisnin”, por të cilët “megjithatë … luftonin me shpatë për jetën e tyre” (Mormoni 2:14).

  20. “Rri Qet’, O Shpirt”, Himne, nr. 64.

  21. “Eni Shenjtor’”, Himne, nr. 21. Merreni parasysh gjithashtu:

    O sa urti dhe dashuri. …

    Ësht’ plan’ i shëlbimit,

    Ku drejt’si, dashuri, mëshir’

    Takohen n’harmoni!

    (“O sa Urti dhe Dashuri”, Himne, nr. 110.)

    Mes pasigurive të jetës ne e dimë se plani i madhërishëm i shëlbimit do të sjellë drejtësi, dashuri e mëshirë së bashku për të mirën tonë.

  22. Shihni tek Abdia 1:21. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Si do të bëhen [shenjtorët e ditëve të mëvonshme] çlirimtarë në malin e Sionit? Duke ndërtuar tempujt e tyre, duke ngritur vaskat e tyre të pagëzimit dhe duke shkuar përpara dhe duke marrë të gjitha ordinancat … në emër të të gjithë të parëve të tyre që kanë vdekur” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 506).

  23. Anëtarët që e frekuentojnë tempullin për herë të parë, mund t’i blejnë veshjet e tempullit me një zbritje të madhe çmimi.

  24. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 94.