Konferenca e Përgjithshme
Të Përfshirë nga Gëzimi për Krishtin
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


11:35

Të Përfshirë nga Gëzimi për Krishtin

Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor i dëgjon përgjërimet tuaja të përlotura dhe do të përgjigjet përherë me urtësi të përsosur.

Ne të duam, Plaku Kirën. A mund ta marr hua atë theks për 10 minuta?

Mrekullitë e Dëshiruara Fort

Në Dhiatën e Re, ne mësojmë për Bartimeun e verbër, i cili i thirri Jezusit duke dëshiruar një mrekulli. “Jezusi i tha: ‘Shko, besimi yt të shëroi’. Dhe në çast atij iu kthye të parit.”

Në një rast tjetër, një burrë në Betsaida dëshironte fort të shërohej. Ndryshe nga e para, kjo mrekulli nuk erdhi menjëherë. Përkundrazi, Jezusi e bekoi atë dy herë përpara se atij “[t’i] kth[ehej] të parit”.

Në një shembull të tretë, Apostulli Pal “iu lut… tri herë Zotit” gjatë mundimit të tij dhe megjithatë, sipas njohurisë sonë, përgjërimi i tij i sinqertë nuk u plotësua.

Tre njerëz të ndryshëm. Tri përvoja të pashembullta.

Pra, një pyetje: Përse disa njerëz i marrin shpejt mrekullitë e tyre të dëshiruara fort ndërsa të tjerë durojnë pa u ndier, duke pritur Zotin? Ne mund të mos e dimë arsyen pse, e megjithatë, me mirënjohje, ne e njohim Atë i cili “[na] do” dhe “bë[n] të gjitha gjërat për mirëqenien dhe për lumturinë [tonë]”.

Qëllime Hyjnore

Perëndia, i cili e sheh mbarimin që nga fillimi, siguron: “Fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër” dhe ato do të shenjtërohen “për të mirë”.

Duke na ndihmuar të gjejmë domethënie të mëtejshme gjatë sprovave tona, Plaku Orson F. Uitni dha mësim: “Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sprovë që përjetojmë, nuk shkon kot. Ajo i shërben edukimit tonë. … Gjithçka … që e përballojmë [me durim] … , na forcon karakterin, na pastron zemrën, na zgjeron shpirtin dhe na bën më të butë dhe më bamirës. … Është përmes pikëllimit dhe vuajtjes, rraskapitjes dhe fatkeqësisë, që ne marrim edukimin të cilin erdhëm të marrim këtu dhe i cili do të na bëjë më shumë si [prindërit tanë qiellorë].”

Duke kuptuar se “fuqia e Krishtit [do] të rri[nte] tek [ai]” gjatë mundimeve të tij, Apostulli Pal tha me përulësi: “Kur jam i dobët, atëherë jam i fortë”.

Sprovat e jetës na vënë në provë. Madje edhe Shpëtimtari e “mësoi … bind[jen]” dhe u bë i “përsosur me anë të vuajtjeve”.

Dhe një ditë Ai do të shpallë me dhembshuri: “Vër re, unë të kam rafinuar [ty], unë të kam zgjedhur [ty] në furrën e pikëllimit”.

Arritja e mirëbesimit në qëllimet hyjnore të Perëndisë u jep shpresë shpirtrave të drobitur dhe ndez vendosmëri në periudha lëngatash e brengash.

Këndvështrime Hyjnore

Vite më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson dha këtë pikëpamje të çmuar: “Ndërsa i shohim të gjitha gjërat me këndvështrim të përjetshëm, kjo do të na e lehtësojë ndjeshëm barrën”.

Holli dhe Trei Porteri.

Bashkëshortja ime, Xhilli, dhe unë kohët e fundit ishim dëshmitarë të kësaj të vërtete në jetën plot besim të Holli dhe Rik Porterit, djali 12‑vjeçar i të cilëve, Trei, ndërroi jetë në një zjarr tragjik. Me djegie të rëndë në duar e këmbë nga orvatja heroike për të shpëtuar djalin e saj të dashur, Holli më vonë dëshmoi në mbledhjen e sakramentit të lagjes për paqen dhe gëzimin e madh që Zoti kishte derdhur mbi familjen e tyre gjatë torturës së tyre, duke përdorur fjalë të tilla si mrekullibërës, i pabesueshëm dhe mahnitës.

Shtrëngimi i duarve shëruese.

Hidhërimi i padurueshëm i kësaj nëne të çmuar u zëvendësua nga paqja e tejskajshme me këtë mendim: “Duart e mia nuk janë duar që shpëtojnë. Ato duar i përkasin Shpëtimtarit! Në vend që t’i shoh blanat e mia si një kujtues i asaj që nuk isha në gjendje të bëja, kujtoj blanat që mban Shpëtimtari im.”

Dëshmia e Hollit e përmbush premtimin e profetit tonë: “Ndërsa mendoni çelestialisht, do t’i shihni sprovat dhe kundërshtimin me një këndvështrim të ri”.

Plaku D. Tod Kristoferson shpalli: “Unë besoj se sfida e mposhtjes dhe rritjes nga fatkeqësitë na u duk e pëlqyeshme kur Perëndia na paraqiti planin e Tij të shëlbimit në botën para lindjes. Ne duhet t’i qasemi asaj sfide tani duke e ditur se Ati ynë Qiellor do të na mbështetë. Por është vendimtare që t’i drejtohemi Atij. Pa Perëndinë, përvojat e errëta të vuajtjeve dhe fatkeqësive priren drejt shkurajimit, dëshpërimit dhe madje hidhërimit.”

Parime Hyjnore

Për të shmangur errësirën e pakënaqësisë dhe në vend të saj të gjejmë paqe, shpresë dhe madje gëzim më të madh gjatë sfidave të vështira të jetës, ju jap tre parime hyjnore si ftesa.

Një – besim më i fortë vjen kur e vëmë Jezu Krishtin të parin. “Shihni tek unë në çdo mendim”, – shpall Ai, – “mos dyshoni, mos kini frikë.” Presidenti Nelson dha mësim:

“Jeta [jonë] e përjetshme varet nga besimi [ynë] te [Krishti] dhe te Shlyerja e Tij”.

“Ndërsa jam ndeshur me dhembjen e fortë të shkaktuar nga lëndimi im i fundit, kam ndier vlerësim edhe më të thellë për Jezu Krishtin dhe për dhuratën e pakonceptueshme të Shlyerjes së Tij. Mendoni për këtë! Shpëtimtari vuajti ‘dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji’ në mënyrë që Ai të mund të na ngushëllojë, të na shërojë [dhe] të na shpëtojë në kohë nevoje.”

Ai vazhdoi: “Lëndimi im më ka bërë të reflektoj sërish e sërish për ‘madhështinë e të Shenjtit të Izraelit’. Gjatë shërimit tim, Zoti e ka shpërfaqur fuqinë e Tij hyjnore në mënyra paqësore dhe të pagabueshme.”

“Në botë do të keni mundime, por merrni zemër”, – nxit Shpëtimtari ynë, – “unë e munda botën.”

Dy – shpresë më e ndritshme vjen nga përfytyrimi i vendmbërritjes sonë të përjetshme. Duke folur për fuqinë e qenësishme nga mbajtja e “një largpamësi[e të] bekimeve të pabesueshme të premtuara të Atit tonë … përpara syve tanë çdo ditë”, Motra Linda Rivs dëshmoi: “Unë nuk e di pse i kemi sprovat e shumta që kemi, por ndjesia ime vetjake është … që shpërblimi është kaq i madh, … kaq i gëzueshëm dhe përtej kuptueshmërisë sonë, saqë në ditën e shpërblimit, ne mund të ndiejmë t’i themi Atit tonë të dashur e të mëshirshëm: ‘A ishte kjo gjithçka që kërkohej?’ … Çfarë rëndësie do të kenë … ato që kemi vuajtur këtu, nëse, në fund, ato sprova … na kualifikojnë për jetën e përjetshme … në mbretërinë e Perëndisë?”

Presidenti Nelson dha këtë pikëpamje: “Merreni parasysh përgjigjen e Zotit ndaj Jozef Smithit kur ai u përgjërua për lehtësim në burgun e Libertisë. Zoti i mësoi Profetit se trajtimi çnjerëzor ndaj tij do t’i jepte përvojë dhe do të ishte për të mirën e tij. ‘Në qoftë se i duron mirë ato’, – premtoi Zoti, – ‘Perëndia do të të lartësojë nga lart.’ Zoti po i mësonte Jozefit të mendonte çelestialisht dhe të përfytyronte një shpërblim të përjetshëm në vend që të përqendrohej te vështirësitë torturuese të ditës.”

Ndryshimi i këndvështrimit nga ana e Jozefit solli shenjtërim të thelluar, siç pasqyrohet në këtë letër drejtuar një mikeje: “Pasi u mbylla në muret e një burgu për pesë muaj, më duket se zemra ime gjithnjë do të jetë më e butë pas kësaj se kurrë më parë. … Mendoj se nuk do të mund të isha ndier kurrë siç ndihem tani po të mos kisha vuajtur padrejtësitë që kam vuajtur.”

Tre – fuqi më e madhe vjen nga përqendrimi te gëzimi. Gjatë orëve më vendimtare dhe të mundimshme të përjetësisë, Shpëtimtari ynë nuk u mpak, por e mori kupën e hidhur. Si e bëri Ai atë? Ne mësojmë: “Për gëzimin që ishte përpara tij, [Krishti] duroi kryqin”, vullneti i Tij “u [përfshi]… në vullnetin e Atit”.

Krishti në Gjetseman.

Kjo frazë “u përfshi” më prek thellë. Interesi im u rrit kur mësova se në spanjisht fjalët “u përfshi” përkthehen si “u kapërdi”; në gjermanisht, si “u gllabërua” dhe në kinezisht “u përpi”. Prandaj, kur sfidat e jetës janë më të dhimbshmet dhe dërrmueset, kujtoj premtimin e Zotit, se ne duhet “të mos vua[jmë] nga ndonjë pikëllim, por që çdo gjë të përfshihe[t] [kapërdihet, gllabërohet, përpihet] vetëm në gëzimin për Krishtin”.

E shoh te kaq shumë prej jush këtë gëzim, i cili “[sfidon] … të kuptuarit e vdekshëm”, edhe pse kupat tuaja të hidhura nuk janë hequr ende. Faleminderit që i mbani besëlidhjet tuaja dhe qëndroni si dëshmitarë për Perëndinë. Faleminderit që e zgjatni dorën për të na bekuar të gjithëve, ndërsa “në zemrën [tuaj të] qetë fshihet hidh’rim që s’e sheh syri”. Pasi kur ua sillni të tjerëve lehtësimin e Shpëtimtarit, ju do të gjeni lehtësim për veten tuaj, dha mësim Presidentja Kamill N. Xhonson.

Premtime Hyjnore

Tani kthehuni me mua te mbledhja e sakramentit ku ne dëshmuam mrekullinë e familjes së Holli Porterit që pati ndihmën e Zotit. Në foltore, ndërsa isha duke përsiatur për atë që mund të thosha për t’i dhënë ngushëllim kësaj familjeje të jashtëzakonshme dhe miqve të tyre, më erdhi ky mendim: “Përdor fjalët e Shpëtimtarit”. Prandaj sot e mbyll, siç bëra në atë Shabat, me fjalët e Tij “që shëro[jnë] shpirtin e plagosur”.

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”

“Unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; … që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.”

“Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.”

Dëshmia Ime

Me nderim, plot gëzim, unë dëshmoj se Shpëtimtari ynë jeton dhe “premtimet e Tij janë të sigurta”. Veçanërisht për ju që jeni të trazuar ose të “prekur në ndonjë mënyrë”, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor i dëgjon përgjërimet tuaja të përlotura dhe do të përgjigjet përherë me urtësi të përsosur. “Dhëntë Perëndia” për ju ashtu siç Ai ka bërë për familjen tonë në kohë nevoje të madhe, “që barrat tuaja të jenë të lehta”, madje “të përfshihe[n] vetëm në gëzimin për Krishtin”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.