Kundërshtim në të Gjitha Gjërat
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes, ne nevojitet që të kemi alternativa të kundërta për t’i marrë parasysh.
Kohët e fundit, ndërsa po ngisja makinën në një qytet të panjohur për ne, pa dashje mora një kthesë të gabuar, gjë që na çoi mua dhe bashkëshorten time në një autostradë shpejtësie të lartë për kilometra pafund, pa qenë në gjendje që të ktheheshim përsëri mbrapsht. Kishim marrë një ftesë dashamirëse për në shtëpinë e një mikeshe dhe kishim merak që tanimë do të mbërrinim shumë më vonë nga sa na prisnin.
Ndërsa ishim në këtë autostradë dhe po kërkonim dëshpërimisht një rrugëdalje përsëri, e fajësova veten që nuk i kushtova më shumë vëmendje sistemit udhërrëfyes. Kjo përvojë më bëri të mendoj se si në jetën tonë ndonjëherë marrim vendime të gabuara dhe se si duhet të jetojmë me pasojat me përulësi e durim, derisa të jemi në gjendje ta ndryshojmë përsëri kursin e drejtimit tonë.
Jeta ka të bëjë e tëra me bërjen e zgjedhjeve. Ati ynë në Qiell na dha dhuratën hyjnore të lirisë së zgjedhjes pikërisht që të mund të mësonim nga zgjedhjet tona, nga ato të drejtat dhe gjithashtu nga ato të gabuarat. Ne i korrigjojmë zgjedhjet tona të gabuara kur pendohemi. Kështu ndodh rritja. Plani i Atit Qiellor për të gjithë ne ka të bëjë me të mësuarit, zhvillimin dhe përparimin drejt jetës së përjetshme.
Që kur unë dhe bashkëshortja ime morëm mësimet nga misionarët dhe iu bashkuam Kishës shumë vjet më parë, më kanë lënë gjithmonë shumë mbresë mësimet e thella që Lehi i dha të birit, Jakobit, në Librin e Mormonit. Ai i mësoi atij se “Zoti Perëndi e lejoi njeriun që ai të veprojë nga vetja e tij” dhe se “është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat”. Në mënyrë që të jemi në gjendje ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes, ne nevojitet që të kemi alternativa të kundërta për t’i marrë parasysh. Duke e bërë këtë, Libri i Mormonit na kujton gjithashtu se jemi “udhëzuar mjaftueshëm” dhe se “Shpirti i Krishtit” i është dhënë secilit prej nesh që “të kuptoj[m]ë të mirën nga e keqja”.
Në jetë, ne ballafaqohemi vazhdimisht me shumë zgjedhje të rëndësishme. Për shembull:
-
Zgjedhjen a do t’i zbatojmë apo jo urdhërimet e Perëndisë.
-
Zgjedhjen për të pasur besim e për ta dalluar kur ndodhin mrekullitë apo zgjedhjen për të pritur në mënyrë skeptike që diçka të ndodhë përpara se të vendosim të zgjedhim që të besojmë.
-
Zgjedhjen për të zhvilluar mirëbesim te Perëndia apo për t’i paraprirë plot frikë një sfide tjetër të nesërmen.
Ashtu si në rastin kur mora një kthesë të gabuar në atë autostradë, vuajtja nga pasojat e vendimeve tona vetjake jo të mira shpesh mund të jetë veçanërisht e dhembshme, pasi ne mund të bëjmë vetëm veten me faj. Sidoqoftë, ne gjithmonë mund të zgjedhim të gjejmë ngushëllim nëpërmjet procesit hyjnor të pendimit, t’i ndreqim gjërat e gabuara dhe duke vepruar kështu të nxjerrim disa mësime jetëndryshuese.
Ndonjëherë ne mundet gjithashtu të përjetojmë kundërshtim e sprova nga gjëra që janë jashtë kontrollit tonë, të tilla si:
-
Momente me shëndet dhe periudha me sëmundje.
-
Etapa paqeje dhe etapa lufte.
-
Orë dite e nate dhe stinë vere e dimri.
-
Periudha pune të pasuara nga periudha pushimi.
Ndonëse ne zakonisht nuk mund të zgjedhim ndërmjet këtyre lloj situatave, pasi ato thjesht ndodhin, ne prapëseprapë jemi të lirë që të zgjedhim se si të reagojmë ndaj atyre. Këtë mund ta bëjmë me një qëndrim pozitiv ose pesimist. Mund të përpiqemi të mësojmë nga përvoja dhe të kërkojmë ndihmën dhe përkrahjen e Zotit tonë, ose mund të mendojmë se jemi vetëm në këtë sprovë dhe që duhet ta vuajmë atë të vetëm. Ne mund t’i “drejtojmë velat tona” për t’iu përshtatur realitetit të ri ose mund të vendosim të mos ndryshojmë asgjë. Në errësirën e natës, ne mund t’i ndezim dritat tona. Në të ftohtin e dimrit, ne duhet të zgjedhim të veshim rroba të ngrohta. Në periudhat e sëmundjes, ne mund të kërkojmë ndihmë mjekësore dhe shpirtërore. Ne zgjedhim se si do të reagojmë ndaj këtyre rrethanave.
Përshtatemi, mësojmë, kërkojmë, zgjedhim janë të gjitha folje veprimi. Kujtoni se ne jemi veprues dhe jo objekte. Le të mos harrojmë kurrë se Jezusi premtoi se “do të m[errte] përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij … që ai të mund … të [na] ndihmo[nte]” ose të na vinte në ndihmë ndërsa i drejtohemi Atij. Ne mund të zgjedhim ta ngremë themelin tonë mbi shkëmbin që është Jezu Krishti, në mënyrë që kur të vijë shtjella e erës, “nuk do të ketë fuqi mbi [ne]”. Ai ka premtuar se “kushdo që do të vijë [tek Ai], [Ai] do ta pranoj[ë]; dhe të bekuar [janë] ata që vijnë tek [Ai]”.
Tani, ka një parim tjetër që është veçanërisht i rëndësishëm. Lehi tha se “është [i] nevojsh[ëm] … një kundërshtim në të gjitha gjërat”. Kjo do të thotë se të kundërtat nuk ekzistojnë veças njëra‑tjetrës. Ato madje mund ta plotësojnë njëra-tjetrën. Ne nuk do të ishim në gjendje ta identifikonim gëzimin po të mos e kishim përjetuar edhe trishtimin në një moment të caktuar. Kur ndihemi të uritur ndonjëherë, kjo na ndihmon të jemi veçanërisht mirënjohës kur vërtet kemi përsëri mjaftueshëm për të ngrënë. Nuk do të ishim në gjendje ta identifikonim të vërtetën po të mos kishim parë edhe gënjeshtra aty‑këtu.
Këto të kundërta janë të gjitha si dy anët e së njëjtës monedhë. Të dyja anët janë përherë të pranishme. Çarls Dikensi dha një shembull të kësaj ideje kur shkroi se “ishte periudha më e mirë, ishte periudha më e keqe”.
Më lejoni të jap një shembull nga vetë jeta jonë. Martesa, krijimi i familjes dhe pasja e fëmijëve na sollën çastet më të mëdha të gëzimit që kemi përjetuar ndonjëherë në jetën tonë, por edhe çastet më të thella të dhembjes, ankthit dhe hidhërimit kur diçka [e keqe] i ndodhi cilitdo prej nesh. Gëzimi dhe hareja e pafundme me fëmijët tanë ndonjëherë u pasuan edhe nga periudha të përsëritura sëmundjeje, shtrimesh në spital e netësh pa gjumë të mbushura me shqetësim, si edhe gjetje të lehtësimit te lutjet dhe bekimet e priftërisë. Këto përvoja të kundërta na mësuan se ne nuk jemi kurrë vetëm në çastet e vuajtjeve dhe gjithashtu na treguan se sa shumë mund të mbajmë me ndihmën dhe ndihmesën e Zotit. Këto përvoja ndihmuan në mënyra të mrekullueshme për formimin tonë dhe e gjitha ajo ia ka vlejtur tërësisht. A nuk është kjo arsyeja për të cilën erdhëm këtu?
Në shkrimet e shenjta gjejmë gjithashtu disa shembuj interesantë:
-
Lehi i mësoi të birit, Jakobit, se hidhërimet që vuajti në shkretëtirë e ndihmuan që të njihte madhështinë e Perëndisë dhe se “[Perëndia] do t’i shenjtëro[nte] hidhërimet e t[ij] për të mirë”.
-
Gjatë burgosjes mizore të Jozef Smithit në Burgun e Libertisë, Zoti i tha atij se “gjithë këto gjëra do [t’i] j[epnin] përvojë dhe do të [ishin] për të mirën [e tij]”.
-
Së fundi, flijimi i pafund i Jezu Krishtit ishte sigurisht shembulli më i madh i dhembjes dhe i vuajtjes që është parë ndonjëherë, por ai bëri të mundura edhe bekimet e mrekullueshme të Shlyerjes së Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Atje ku ka diell, patjetër që do të ketë edhe hije. Përmbytjet mund të sjellin shkatërrim, por ato zakonisht sjellin edhe jetë. Lotët e hidhërimit shpesh shndërrohen në lot lehtësimi dhe lumturie. Ndjenjat e brengës kur largohen njerëz të dashur, shpërblehen më vonë me gëzimin e ritakimit. Në periudha lufte e shkatërrimi, ndodhin edhe shumë vepra të vogla mirësie e dashurie për ata me “sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar”.
Bota jonë sot shpesh karakterizohet nga frika dhe ankthi, frika për atë që mund të sjellë e ardhmja për ne. Por Jezusi na ka mësuar të mirëbesojmë dhe të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë”.
Le të bëjmë në mënyrë të vazhdueshme një përpjekje tepër të ndërgjegjshme për t’i pranuar të dyja anët e çdo monedhe që na ka rënë për pjesë në jetën tonë. Ndonëse ndonjëherë të dyja anët mund të mos jenë sakaq të dukshme për ne, mund ta dimë dhe mirëbesojmë se ato janë përherë të pranishme.
Mund të jemi të sigurt se vështirësitë, pikëllimet, mundimet dhe dhembjet tona nuk na përcaktojnë; përkundrazi, është mënyra se si i trajtojmë ato që do të na ndihmojë të rritemi dhe t’i afrohemi më shumë Perëndisë. Janë qëndrimet dhe zgjedhjet tona që na përcaktojnë shumë më mirë sesa sfidat tona.
Në kohë shëndeti, gëzojuni atij dhe jini mirënjohës për të në çdo çast. Në kohë sëmundjeje, përpiquni të mësoni plot durim prej saj dhe të dini se kjo mund të ndryshojë përsëri sipas vullnetit të Perëndisë. Në kohë pikëllimi, mirëbesoni se lumturia është prapa derës; shpesh ne thjesht nuk mund ta shohim ende atë. Zhvendoseni me vetëdije përqendrimin tuaj dhe ngrijini lart mendimet tuaja tek aspektet pozitive të sfidave, pasi padyshim që ato janë ngaherë të pranishme gjithashtu! Kurrë mos harroni të jini mirënjohës. Zgjidhni të besoni. Zgjidhni të keni besim te Jezu Krishti. Zgjidhni t’i mirëbesoni përherë Perëndisë. Zgjidhni të “mendoni çelestialisht”, siç na mësoi kohët e fundit Presidenti Rasëll M. Nelson.
Le ta mbajmë gjithnjë parasysh planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor për ne. Ai na do dhe dërgoi Birin e Tij të Dashur për të na ndihmuar në sprovat tona dhe për të na hapur derën që të kthehemi tek Ai. Jezu Krishti jeton dhe na qëndron pranë në çdo çast, duke pritur që të zgjedhim t’i bëjmë thirrje Atij për të na dhënë ndihmë, forcë dhe shpëtim. Për këto gjëra unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.