E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po e përgatit botën për ditën kur toka “do të mbushet me njohurinë e Zotit” (Isaia 11:9).
Ju dhe unë kemi mundësi të marrim pjesë në Rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Është e madhërishme! Nuk është krijuar nga njeriu! Ajo vjen nga Zoti i cili tha: “Unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë” (Doktrina e Besëlidhje 88:73). Kjo punë është fuqizuar prej një shpalljeje hyjnore, e bërë 200 vjet më parë. Përbëhej nga vetëm shtatë fjalë: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Shih Joseph Smith – Historia 1:17).
E shqiptuar nga Perëndia i Plotfuqishëm, ajo shpallje e solli një djalosh të quajtur Jozef Smith te Zoti Jezu Krisht. Ato shtatë fjalë filluan Rivendosjen e ungjillit të Tij. Përse? Sepse Perëndia ynë i gjallë është një Perëndi i dashur! Ai dëshiron që fëmijët e Tij të fitojnë pavdekësi dhe jetë të përjetshme! Vepra e madhërishme e ditëve të mëvonshme, pjesë e së cilës jemi ne, u themelua, kur duhej, që të bekonte një botë në pritje e vajtim.
Unë nuk mund të flas për Rivendosjen pa emocion. Ky fakt i historisë është absolutisht i jashtëzakonshëm! Është i pabesueshëm! Është marramendës! Sa mahnitëse është që lajmëtarë nga qielli erdhën për t’i dhënë autoritet dhe fuqi kësaj pune!
Sot, puna e Zotit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po ecën përpara me një ritëm të përshpejtuar. Kisha do të ketë një të ardhme të pashembullt, të pakrahasueshme. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar, … janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë” (1 Korintasve 2:9; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 76:10).
Mbani mend se plotësia e shërbesës së Krishtit shtrihet në të ardhmen. Profecitë për Ardhjen e Tij të Dytë ende nuk janë përmbushur. Ne thjesht po ndërtojmë hap pas hapi pjesën kulmore të kësaj periudhe të fundit ungjillore – kur Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit të bëhet realitet.
Mbledhja e Izraelit në të Dyja Anët e Velit
Një prelud i nevojshëm për atë Ardhje të Dytë është mbledhja e shumëpritur e Izraelit të shpërndarë (shih 1 Nefi 15:18; shih edhe faqen e titullit të Librit të Mormonit). Kjo doktrinë e mbledhjes është një nga mësimet e rëndësishme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti ka shpallur: “Unë do t’ju jap një shenjë … kur unë të mbledh nga shpërndarja e tij e gjatë, popullin tim, O shtëpi e Izraelit dhe të vendos përsëri mes tyre Sionin tim” (3 Nefi 21:1).
Ne jo vetëm që e japim mësim këtë doktrinë, por marrim pjesë në të. Ne e bëjmë këtë ndërkohë që ndihmojmë për t’i mbledhur të zgjedhurit e Zotit në të dyja anët e velit. Si pjesë e fatit të planifikuar të tokës dhe banorëve të saj, të afërmit tanë të vdekur duhet të shëlbehen (shih Doktrina e Besëlidhje 128:15). Plot mëshirë, ftesa që “të vijnë te Krishti” (Jakobi [LiM] 1:7; Moroni 10:32; Doktrina e Besëlidhje 20:59) gjithashtu mund të shtrihet tek ata që vdiqën pa një njohuri për ungjillin (shih Doktrina e Besëlidhje 137:6–8). Një pjesë e përgatitjes së tyre, sidoqoftë, kërkon përpjekjet tokësore të të tjerëve. Ne mbledhim tabela gjenealogjike, krijojmë fletë të grupeve familjare dhe bëjmë në mënyrë mëkëmbëse punën në tempull për t’i mbledhur individët te Zoti dhe te familjet e tyre (shih 1 Korintasve 15:29; 1 Pjetër 4:6).
Familjet duhet të vulosen së bashku për gjithë përjetësinë (shih Doktrina e Besëlidhje 2:2–3; 49:17; 138:48; Joseph Smith – Historia 1:39). Një lidhje e fortë duhet të farkëtohet midis etërve dhe bijve. Në kohën tonë, një bashkim i plotë, tërësor dhe i përsosur i të gjitha periudhave ungjillore, çelësave dhe fuqive duhet të saldohet së bashku (shih Doktrina e Besëlidhje 128:18). Për këto qëllime të shenjta, tempujt e shenjtë tani e mbushin tokën. E theksoj sërish se ndërtimi i këtyre tempujve mund të mos e ndryshojë jetën tuaj, por shërbimi juaj në tempull sigurisht që do ta ndryshojë.
Koha po vjen kur ata që nuk i binden Zotit, do të veçohen prej atyre që i binden Atij (shih Doktrina e Besëlidhje 86:1–7). Siguria jonë më e madhe është të vazhdojmë të jemi të denjë për pranimin në shtëpinë e Tij të shenjtë. Dhurata më e madhe që mund t’i jepni Zotit, është ta mbani veten të panjollosur nga bota, të denjë për ta frekuentuar shtëpinë e Tij të shenjtë. Dhurata e Tij për ju do të jetë paqja dhe siguria që të dini se jeni të denjë të takoheni me Të, kurdoherë që të vijë ajo kohë.
Përveç punës në tempull, dalja në dritë e Librit të Mormonit është një shenjë për të gjithë botën që Zoti ka filluar ta mbledhë Izraelin dhe t’i përmbushë besëlidhjet që Ai i bëri me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin (shih Zanafilla 12:2–3; 3 Nefi 21; 29). Libri i Mormonit e shpall doktrinën e mbledhjes (shih, për shembull, 1 Nefi 10:14). Ai i bën njerëzit të mësojnë rreth Jezu Krishtit, ta besojnë ungjillin e Tij dhe të bashkohen me Kishën e Tij. Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër të Mormonit, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte.
Puna misionare është gjithashtu vendimtare për atë mbledhje. Shërbëtorët e Zotit shkojnë përpara duke shpallur Rivendosjen. Në shumë kombe anëtarët dhe misionarët tanë i kanë kërkuar njerëzit e Izraelit të shpërndarë; i kanë ndjekur hap pas hapi “në të çarat e shkëmbinjve” (Jeremia 16:16); dhe kanë peshkuar për ta, si në ditët e lashta.
Puna misionare i lidh njerëzit me besëlidhjen që bëri Zoti me Abrahamin në lashtësi:
“Ti do të jesh një bekim për farën tënde pas teje, që në duart e tyre ata do ta mbajnë këtë shërbesë dhe Priftëri për të gjitha kombet;
Dhe unë do t’i bekoj ata nëpërmjet emrit tënd; sepse të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre” (Abraham 2:9–10).
Puna misionare është vetëm fillimi i bekimit. Plotësimi, përmbushja e atyre bekimeve vjen kur ata që kanë hyrë në ujërat e pagëzimit, e përsosin jetën e tyre deri në pikën që mund të hyjnë në tempullin e shenjtë. Marrja e një dhurimi atje i vulos anëtarët e Kishës në besëlidhjen Abrahamike.
Zgjedhja për të ardhur te Krishti nuk është një çështje vendndodhjeje fizike; ajo është një çështje zotimi vetjak. Të gjithë anëtarët e Kishës kanë të drejtë tʼi përdorin doktrinën, ordinancat, çelësat e priftërisë dhe bekimet e ungjillit pavarësisht nga vendndodhja e tyre. Njerëzit mund të “sillen në njohurinë e Zotit” (3 Nefi 20:13) pa u larguar nga atdheu i tyre.
Vërtet, në ditët e hershme të Kishës, kthimi në besim shpesh do të thoshte edhe emigrim. Por tani mbledhja ndodh në çdo komb. Zoti e ka shpallur ngritjen e Sionit (shih Doktrina e Besëlidhje 6:6; 11:6) në çdo vend ku Ai u ka dhënë shenjtorëve të Tij lindjen dhe kombësinë e tyre. Vendi i mbledhjes për shenjtorët brazilianë është në Brazil; vendi i mbledhjes për shenjtorët nigerianë është në Nigeri; vendi i mbledhjes për shenjtorët koreanë është në Kore. Sioni është “të kulluarit në zemër” (Doktrina e Besëlidhje 97:21). Ai është kudo ku janë shenjtorët e drejtë.
Siguria shpirtërore gjithmonë do të varet nga mënyra se si jeton një njeri, jo nga vendi ku jeton ai. Unë premtoj që, në qoftë se do të bëjmë gjithçka mundemi për të ushtruar besim te Jezu Krishti dhe për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Tij nëpërmjet pendimit, ne do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.
Ardhja e Dytë
Zoti do të kthehet në tokën që Ai e bëri të shenjtë nëpërmjet misionit të Tij atje gjatë vdekshmërisë. Plot ngadhënjim, Ai do të vijë përsëri në Jerusalem. Me rrobën e kuqe mbretërore që të simbolizojë gjakun e Tij që doli nga çdo por, Ai do të kthehet në Qytetin e Shenjtë (shih Doktrina e Besëlidhje 133:46–48). Atje dhe kudo tjetër, “lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë” (Isaia 40:5; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 101:23). Ai “do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:5).
Ai do të qeverisë nga dy kryeqytete të botës: njëri në Jerusalemin e lashtë (shih Zakaria 14) dhe tjetri në Jerusalemin e Ri që “do të ndërtohet në kontinentin amerikan” (Nenet e Besimit 1:10). Nga këto qendra Ai do të drejtojë punët e Kishës dhe të mbretërisë së Tij. Një tempull tjetër sërish do të ndërtohet në Jerusalem. Nga ai tempull Ai do të mbretërojë përgjithmonë si Zot i Zotërve. Ujë do të rrjedhë nga poshtë tempullit. Ujërat e Detit të Vdekur do të shërohen. (Shih Ezekiel 47:1–8.)
Në atë ditë Ai do të mbajë tituj të rinj dhe do të rrethohet nga shenjtorë të veçantë. Ai do të njihet si “Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që [do të jenë] me të [do të jenë ata që] janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë” (Zbulesa 17:14) për shkak të mirëbesimit të tyre këtu në vdekshmëri. Atëherë Ai “do të mbretërojë në shekuj të shekujve” (Zbulesa 11:15).
Toka do të kthehet në gjendjen e saj të parajsës dhe do të bëhet e re. Do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re (shih Zbulesa 21:1; Ethëri 13:9; Doktrina e Besëlidhje 29:23–24).
Është përgjegjësia jonë – është privilegji ynë – që të ndihmojmë për ta përgatitur botën për atë ditë.
Përballojeni të Ardhmen me Besim
Ndërkohë, këtu dhe tani, ne jetojmë në një periudhë trazire. Tërmetet dhe cunamet shkaktojnë shkatërrim, qeveritë rrëzohen, shqetësimet ekonomike janë të rënda, familja është nën kërcënim dhe përqindjet e divorcit janë në rritje. Ne kemi arsye të madhe për t’u shqetësuar. Por nuk duhet ta lejojmë frikën tonë që ta largojë besimin tonë. Ne mund ta luftojmë atë frikë duke e forcuar besimin tonë.
Përse na nevojitet një besim kaq i patundur? Sepse përpara kemi ditë të vështira. Në të ardhmen, rrallë herë do të jetë e lehtë apo e mirëpritur që të jesh një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme. Secili prej nesh do të vihet në provë. Apostulli Pal paralajmëroi se në ditët e mëvonshme, ata që e ndjekin Zotin me zell, “do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Pikërisht ajo përndjekje mundet ose t’ju dërrmojë deri në dobësi të heshtur, ose t’ju nxitë për të qenë më shembullorë dhe të guximshëm në jetën tuaj të përditshme.
Mënyra se si përballeni me sprovat e jetës, është pjesë e zhvillimit të besimit tuaj. Forcë vjen kur kujtoni që keni një natyrë hyjnore, një trashëgimi me vlerë të pafundme. Zoti ju ka kujtuar juve, fëmijëve tuaj dhe nipërve e mbesave tuaja, që ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm, që jeni ruajtur në qiell për periudhën dhe vendin tuaj të veçantë për t’u lindur, për t’u rritur e për t’u bërë mbajtësit e flamurit të Tij dhe populli i besëlidhjes së Tij. Ndërsa ecni në shtegun e drejtësisë të Zotit, ju do të bekoheni që të vazhdoni në mirësinë e Tij dhe të jeni një dritë e një shpëtimtar për popullin e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 86:8–11).
Bëni çfarëdo gjëje të nevojshme për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti, duke e rritur kuptueshmërinë tuaj për doktrinën e dhënë mësim në Kishën e Tij të rivendosur dhe duke kërkuar pa pushim të vërtetën. Të ankoruar te doktrina e pastër, ju do të jeni në gjendje të bëni një hap përpara me besim e ngulm të paepur dhe të bëni me gëzim gjithçka që është në fuqinë tuaj për t’i përmbushur qëllimet e Zotit.
Do të keni ditë kur do të jeni të shkurajuar. Prandaj lutuni për guxim që të mos dorëzoheni! Mjerisht, disa që mendonit se ishin miqtë tuaj, do t’ju tradhtojnë. Dhe disa gjëra thjesht do të duken të padrejta.
Megjithatë, unë ju premtoj se, teksa e ndiqni Jezu Krishtin, ju do të gjeni paqe të qëndrueshme dhe gëzim të vërtetë. Teksa i mbani besëlidhjet tuaja me përpikëri më të madhe dhe teksa e mbroni Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë sot, Zoti do t’ju bekojë me forcë dhe urtësi për të përmbushur atë që vetëm anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mund ta përmbushin.
Ne duhet të jemi ndërtuesit e një besimi individual te Perëndia, e besimit te Zoti Jezu Krisht dhe e besimit te Kisha e Tij. Ne duhet të ngremë familje dhe të vulosemi në tempujt e shenjtë. Ne duhet të ndërtojmë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 6:33). Ne duhet të përgatitemi për vetë fatin tonë hyjnor: lavdi, pavdekësi dhe jetë të përjetshme (shih Romakëve 2:7; Doktrina e Besëlidhje 75:5).
Me përulësi ju dëshmoj se – ashtu siç shpalli Profeti Jozef Smith – ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit “do të shkojë përpara guximshëm, me fisnikëri dhe i pavarur derisa të ketë përshkruar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo zonë klimatike, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye” (History of the Church, 4:540).
Ne jemi të përfshirë në punën e Perëndisë së Plotfuqishëm. Lutem që bekimet e Tij të jenë me secilin dhe çdonjërin prej jush.