2020
A Nuk do të Vazhdojmë në një Kauzë Kaq të Madhe?
maj 2020


2:3

A Nuk do të Vazhdojmë në një Kauzë Kaq të Madhe?

Ne duhet ta kujtojmë gjithmonë çmimin që paguan Jozef dhe Hajrëm Smithi, së bashku me kaq shumë burra, gra e fëmijë të tjerë besnikë për të themeluar Kishën.

Faleminderit shumë, President, për një hapje kaq të mrekullueshme. Vëllezër e motra, 215 vjet më parë, një djalë i vogël u lindi Jozef dhe Lusi Mek Smithit në Vermont, në një krahinë të njohur si Nju‑Inglënd, në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara.

Jozefi dhe Lusi Meku besonin te Jezu Krishti, i studionin shkrimet e shenjta, luteshin me çiltërsi dhe ecnin me besim te Perëndia.

Ata e quajtën birin e tyre të sapolindur, Jozef Smith i Riu.

Për familjen Smith, Brigam Jangu tha: “Zoti ishte në dijeni të [Jozef Smithit] dhe atit të tij, dhe atit të atit të tij, dhe të paraardhësve të tyre deri tek Abrahami, dhe nga Abrahami te përmbytja, nga përmbytja tek Enoku, dhe nga Enoku tek Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak teksa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri te lindja e atij njeriu. [Jozef Smithi] u parashugurua në përjetësi.”1

I dashur nga familja e tij, Jozefi i Riu ishte veçanërisht i lidhur me vëllanë e tij më të madh, Hajrëmin, i cili ishte gati gjashtë vjeç kur lindi Jozefi.

Tetorin e kaluar, u ula në caranin që ishte në shtëpinë e vogël të familjes Smith në Sharon të Vermontit, vendi ku lindi Jozefi. E ndjeva dashurinë e Hajrëmit për Jozefin dhe e përfytyrova atë duke e mbajtur vëllanë e tij foshnjë në krahë dhe duke e mësuar se si të ecë.

Babai dhe nëna Smith përjetuan pengesa vetjake, duke i detyruar ata që ta zhvendosnin familjen e tyre shumë herë para se të hiqnin dorë përfundimisht nga Nju‑Inglëndi dhe të merrnin vendimin e guximshëm për t’u shpërngulur më larg në perëndim, në shtetin e Nju‑Jorkut.

Për shkak se familja ishte e bashkuar, ata u mbijetuan këtyre sfidave dhe së bashku u përballën me detyrën e frikshme për t’ia filluar përsëri nga e para në një sipërfaqe të madhe toke të pyllëzuar prej 40,5 hektarësh (0,4 km2) në Mançester, afër Palmirës në Nju-Jork.

Nuk jam i sigurt a i kuptojnë shumë prej nesh sfidat fizike dhe emocionale që paraqiste fillimi nga e para për familjen Smith – pastrimi i tokës, mbjellja e pemishteve dhe fushave, ndërtimi i një shtëpie të vogël prej druri dhe strukturave të tjera të fermës, punësimi si punëtorë ditorë dhe bërja e produkteve në shtëpi për t’i shitur në qytet.

Në kohën kur familja mbërriti në Nju‑Jorkun perëndimor, zona gëlonte nga zelli për fenë – i njohur si Zgjimi i Dytë i Madh.

Gjatë kësaj kohe debati dhe grindjeje midis grupeve fetare, Jozefi përjetoi një vegim të mahnitshëm, që sot njihet si Vegimi i Parë. Ne jemi të bekuar që kemi katër rrëfime kryesore tek të cilat unë do të mbështetem.2

Jozefi mbajti shënim: “Gjatë kësaj kohe gjallërimi të madh [fetar] mendja ime u nxit të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati; por edhe pse ndjenjat e mia ishin të thella dhe shpesh të fuqishme, përsëri unë qëndrova larg nga të gjitha këto grupe, edhe pse i ndoqa disa prej mbledhjeve të tyre, sa herë që ma lejonte rasti. … [Prapëseprapë] kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja midis zotërimeve të ndryshme, sa ishte e pamundur për një njeri, të ri si unë dhe të pamësuar me njerëzit dhe gjërat, të arrija në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim.”3

Jozefi iu drejtua Biblës që të gjente përgjigje për pyetjet e tij dhe lexoi te Jakobi 1:5: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”4.

Ai shënoi: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here.”5

Jozefi arriti të kuptonte se Bibla nuk përmbante të gjitha përgjigjet për pyetjet e jetës; përkundrazi, ajo u mësonte burrave dhe grave se si mund të gjenin përgjigje për pyetjet e tyre duke komunikuar drejtpërdrejt me Perëndinë nëpërmjet lutjes.

Ai shtoi: “Kështu, në përputhje me këtë, vendosmërinë time për t’i kërkuar Perëndisë, unë u tërhoqa në pyll për t’u përpjekur. Ishte në mëngjesin e një dite të bukur, të kthjellët, në fillim të pranverës së njëmijetetëqindenjëzetës.”6

Shpejt pas kësaj, Jozefi tha: “[Një shtyllë] drit[e] pushoi mbi mua [dhe] unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: [Jozef,] Ky Është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!7

Shpëtimtari më pas tha: “Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, sillu sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme.”8

Jozefi shtoi: “Si rrjedhim, sapo e zotërova përsëri veten, aq sa të isha në gjendje të flisja, atëherë u kërkova Personazheve që qëndronin mbi mua në dritë, se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti”9.

Ai kujtoi: “Ata më thanë se gjithë besimet fetare po besonin në doktrina të pasakta dhe se asnjëri prej tyre nuk pranohej nga Perëndia si kisha dhe mbretëria e Tij. Dhe … në të njëjtën kohë, mora një premtim se plotësia e ungjillit në një kohë të ardhme do të më bëhej e njohur.”10

Jozefi gjithashtu shënoi: “Pashë shumë engjëj në këtë vegim”11.

Pas këtij vegimi të lavdishëm, Jozefi shkroi: “Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh. … Zoti ishte me mua.”12

Ai doli nga Korija e Shenjtë për të filluar përgatitjen e tij që të bëhej një profet i Perëndisë.

Jozefi filloi gjithashtu të mësonte ato që përjetuan profetët e lashtë – refuzimin, kundërshtimin dhe përndjekjen. Jozefi kujtoi se ia tregoi atë që kishte parë e dëgjuar njërit prej shërbestarëve që kishte qenë aktiv në rigjallërimin fetar:

“U habita shumë nga sjellja e tij; ai e trajtoi komunikimin tim jo vetëm si të parëndësishëm, por me shumë mllef, duke thënë se e gjitha ishte nga djalli, se nuk kishte gjëra të tilla si vegime ose zbulesa në këto ditë; se të gjitha këto gjëra k[ishin] mbaruar me apostujt dhe se nuk do të kishte më të tilla.

Shpejt mësova, megjithatë, se tregimi im i historisë kishte nxitur shumë paragjykim kundër meje midis profesorëve të fesë dhe ishte shkaku i përndjekjes së madhe, e cila vazhdoi të rritej … dhe kjo ishte e përbashkët mes të gjitha sekteve – të gjithë të bashkuar për të më përndjekur mua.”13

Tre vjet më vonë, në vitin 1823, qiejt u hapën përsëri si pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e fundit. Jozefi vuri në dukje se një engjëll, i quajtur Moroni, iu shfaq atij dhe tha “se Perëndia kishte një punë për mua për ta bërë … [dhe që] një libër ishte fshehur, i shkruar mbi fletë të arta” i cili përmbante “plotësi[në] e Ungjillit të përjetshëm … sikurse iu dha nga Shpëtimtari banorëve të lashtë [të kontinentit amerikan]”14.

Përfundimisht, Jozefi e mori, e përktheu dhe e botoi analin e lashtë, që sot njihet si Libri i Mormonit.

Vëllai i tij, Hajrëmi, i cili kishte qenë përkrahësi i tij i vazhdueshëm, veçanërisht pas operacionit të tij në këmbë, që ishte i dhembshëm dhe i rrezikshëm për jetën, në vitin 1813, ishte njëri nga dëshmitarët e fletëve prej ari. Ai ishte gjithashtu një nga gjashtë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit kur ajo u organizua në vitin 1830.

Gjatë jetës së tyre, Jozefi dhe Hajrëmi u përballën me turmat dhe përndjekjen së bashku. Për shembull, ata lënguan në kushtet më të mjerueshme në burgun e Libertisë në Misuri për pesë muaj gjatë dimrit të ftohtë të viteve 1838–1839.

Në prill 1839, Jozefi i shkroi bashkëshortes së tij, Emës, duke i përshkruar gjendjen e tyre në burgun e Libertisë: “Besoj se tani është bërë rreth pesë muaj e gjashtë ditë qëkur kam qenë nën ngërdheshjen e një roje, natë e ditë, dhe brenda mureve, hekurave dhe dyerve çjerrëse prej hekuri, të një burgu të shkretë, të errët e të ndyrë. … Ne do të shpërngulemi nga ky [vend] me çdo kusht dhe jemi të lumtur për këtë. Le të bëhet ç’të bëhet me ne, nuk mund të jemi më keq se kaq. … Urojmë që të mos kthehemi më kurrë në Liberti, në kontenë Klej të Misurit. Na mjafton kjo sa për gjithë përjetësinë.”15

Ndërkohë që përballej me përndjekje, Hajrëmi shfaqi besim te premtimet e Zotit, përfshirë një garanci se do të shpëtonte prej armiqve të vet nëse kjo do të ishte zgjedhja e tij. Në një bekim që Hajrëmi e mori në vitin 1835 nga duart e Jozef Smithit, Zoti i premtoi atij: “Ti do të kesh fuqi të shpëtosh nga duart e armiqve të tu. Jeta jote do të kërkohet me zell të palodhur, por ti do të shpëtosh. Nëse të pëlqen dhe e dëshiron, ti do të kesh fuqinë që ta japësh jetën tënde në mënyrë të vullnetshme për t’i dhënë lavdi Perëndisë.”16

Në qershor 1844, Hajrëmit iu paraqit zgjedhja që të jetonte ose të jepte jetën e vet për t’i dhënë lavdi Perëndisë dhe për ta “vulos[ur] dëshminë e tij me gjakun e tij” – krah për krah së bashku me vëllanë e tij të dashur, Jozefin.17

Një javë përpara udhëtimit fatal për në Karthixh, ku ata u vranë me gjakftohtësi nga një turmë e armatosur burracakësh, të cilët i kishin lyer fytyrat e tyre për të mos u zbuluar, Jozefi mbajti shënim se “unë e këshillova vëllanë tim, Hajrëmin, që me familjen e vet të merrte anijen tjetër me avull dhe të shkonte në Sinsinati”.

Ende kam emocion të madh teksa e kujtoj përgjigjen e Hajrëmit: “Jozef, nuk mund të të lë18.

Kështu Jozefi dhe Hajrëmi shkuan në Karthixh, ku u bënë martirë për kauzën dhe emrin e Krishtit.

Në njoftimin zyrtar të martirizmit thuhej sa vijon: “Joseph Smithi‑i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, … ka sjellë Librin e Mormonit, të cilin e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe ka qenë mjeti i botimit të tij në dy kontinente; u ka dërguar plotësinë e ungjillit të përjetshëm, që ai përmbante, katër anëve të dheut; ka sjellë zbulesat dhe urdhërimet që përbëjnë këtë libër të ‘Doktrina e Besëlidhje‑ve’ dhe shumë dokumente dhe udhëzime të tjera të urta për të mirën e fëmijëve të njerëzve; mblodhi me mijëra Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, themeloi një qytet të madh dhe la një famë e një emër që nuk mund të vritet. … Dhe si shumica e të vajosurve të Zotit në kohët e lashta, [Jozefi] i ka vulosur misionin e tij dhe veprat e tij me vetë gjakun e tij; dhe kështu e ka bërë vëllai i tij, Hajrëmi. Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!19

Pas martirizimit, trupat e Jozefit dhe të Hajrëmit u kthyen në Navu, u lanë dhe u veshën në mënyrë që familja Smith të mund t’i shihte të dashurit e vet. Nëna e tyre e çmuar kujtoi: “Për një kohë të gjatë kisha kalitur çdo nerv, kisha përdorur gjithë energjinë e shpirtit tim dhe i kisha thirrur Perëndisë që të më forconte; por kur hyra në dhomë dhe pashë djemtë e mi të vrarë, të shtrirë që të dy njëherazi përpara syve të mi, dhe dëgjova dënesat dhe ofshamat e familjes sime dhe klithmat … nga buzët e bashkëshorteve, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave të tyre, kjo ishte tepër e rëndë. U plandosa prapa duke i thirrur Zotit, në agoninë e shpirtit tim: ‘Perëndia im! Perëndia im! Përse e ke braktisur këtë familje?’”20

Në atë çast pikëllimi dhe hidhërimi, asaj iu kujtua që ata i thoshin: “Nënë, mos vajto për ne, ne e kemi mposhtur botën me anë të dashurisë”21.

Ata me të vërtetë e kishin mposhtur botën. Jozef dhe Hajrëm Smithi, sikurse ata shenjtorë besnikë që u përshkruan në librin e Zbulesës, “[erdhën] nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit [dhe] janë … përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbe[jnë] atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.”22

Ndërsa e kremtojmë këtë ngjarje të gëzuar, 200‑vjetorin e Vegimit të Parë, duhet ta kujtojmë gjithmonë çmimin që paguan Jozef dhe Hajrëm Smithi, së bashku me kaq shumë burra, gra e fëmijë të tjerë besnikë, për të themeluar Kishën në mënyrë që ju dhe unë të mund të gëzojmë bekimet e shumta dhe të gjitha këto të vërteta të zbuluara që kemi sot. Besnikëria e tyre nuk duhet të harrohet kurrë!

Shpeshherë e kam pyetur veten pse Jozefi, Hajrëmi dhe familjet e tyre duhej të vuanin kaq shumë. Mund të jetë ngaqë ata arritën ta njihnin Perëndinë nëpërmjet vuajtjes së tyre në mënyra që nuk mund të kishin ndodhur pa të. Nëpërmjet saj, ata reflektuan mbi Gjetsemanin dhe kryqin e Shpëtimtarit. Ashtu siç tha Pali: “Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për hir të tij”23.

Përpara vdekjes së tij në vitin 1844, Jozefi u shkroi shenjtorëve një letër plot gjallëri. Ishte një thirrje për veprim, e cila vazhdon në Kishë sot:

“Vëllezër [dhe motra], a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër [dhe motra]; dhe përpara, përpara drejt fitores! …

… Si rrjedhim, ne, si një kishë e si një popull dhe si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, le t’i ofrojmë Zotit një blatim me drejtësi.”24

Ndërsa e dëgjojmë Shpirtin gjatë këtij kremtimi të 200‑vjetorit këtë fundjavë, merrni parasysh se çfarë blatimi do t’i paraqitni Zotit me drejtësi në ditët e ardhshme. Jini të guximshëm – tregojini për të dikujt të cilit i mirëbesoni, dhe më e rëndësishmja, ju lutemi gjeni kohë për ta bërë atë!

Unë e di se Shpëtimtari është i kënaqur kur i paraqitim Atij një blatim nga zemrat tona me drejtësi, ashtu siç Ai ishte i kënaqur me blatimin besnik të atyre vëllezërve të shquar, Jozef dhe Hajrëm Smithit, dhe të të gjithë shenjtorëve të tjerë besnikë. Për këtë unë dëshmoj solemnisht në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Zotit tonë, Jezu Krishtit, amen.