2020
COVID‑19: Mesazhe Udhërrëfimi, Shërimi dhe Shprese
maj 2020


COVID‑19: Mesazhe Udhërrëfimi, Shërimi dhe Shprese

Anëtarët dëshmojnë se e kanë parë dorën e Zotit madje edhe gjatë kësaj periudhe të ndryshimeve, ankthit dhe humbjes.

Ai Ishte me Mua në Atë Kohë; Ai Është me Mua Tani

Teksa qëndroja e ulur në shtëpi duke u përpjekur të qetësoja ankthin tim lidhur me atë që po ndodhte në botë, hapa ditarin tim rastësisht dhe lexova sa vijon: “Frika na vjen nga shumë gjëra kur ngrihemi nga shtrati çdo ditë në këtë botë, por me besim te mësimet e ungjillit, ne mund t’i hedhim hapat përpara një e nga një. … Besimi përherë e mund frikën.”

E dija se sapo kisha marrë zbulesë të fuqishme vetjake dhe se Ati Qiellor ma dha atë nëpërmjet vetë shkrimeve të mia në ditar nga disa vite më parë. U bekova me një çast paqeje dhe diturie se Ati Qiellor ishte me mua atëherë dhe Ai është pikërisht këtu me mua tani.

Danet Grei, Jutë, SHBA

Fryma e Shenjtë Mund të Punojë në Internet

U ndjeva e frymëzuar të filloja që të zhvilloja orë mësimore seminari nëpërmjet bashkëbisedimeve me video në grupe. Dy ditë përpara se qyteti ynë të vendosej në karantinë, klasa jonë pati mësimin e parë në internet.

Disa nga prindërit gjithashtu u bashkuan me klasën tonë, përfshirë ata që nuk janë anëtarë. Mezi i mbajta lotët kur studiuam së bashku kapitullin 2 te Mosia. Ne të gjithë e ndiem Shpirtin kur mësuam se shërbimi ndaj të tjerëve është gjithashtu shërbim ndaj Perëndisë. Mësova shumë rreth marrjes dhe dallimit të zbulesës vetjake. Fryma e Shenjtë do ta shfaqë të vërtetën e ungjillit në shumë metoda të ndryshme. Pavarësisht se çfarë po ndodh në botë, asgjë nuk mund ta ndalojë përparimin e punës së Atit Qiellor për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

Marites Pineda, Mindanao, Filipine

Nuk Kemi Humbur Asnjë Ditë nga Seminari

Edhe me gjithçka që ka ndodhur me virusin korona, unë jam e lumtur të them se nuk kemi humbur asnjë ditë nga seminari. Dhënia mësim në orët e mia mësimore me anë të bashkëbisedimit me video paraqet disa sfida, por më pëlqen shumë kur i shoh prindërit dhe motrat e vëllezërit më të vegjël që i dëgjojnë bashkëbisedimet tona. Më pëlqen shumë që kjo jep një ndjenjë vazhdimësie dhe rutine për familjet tona dhe veçanërisht më pëlqen shumë që mund të vazhdojmë t’i japim dëshmi njëri‑tjetrit për Jezu Krishtin dhe dashurinë e Tij për ne.

Mendi Krendëlli, Jigo, Guam

Shërbimi ndaj Njerëzve në të Dyja Anët e Velit

Po shërbeja si motër misionare në moshë të thyer, në Misionin e Indipendënsit në Misuri, kur mbledhjet e Kishës u anuluan dhe ne filluam të vetizoloheshim në apartamentet tona. Përdorëm telefonat dhe kompjuterët tanë që të mbanim lidhje me anëtarët dhe të lidheshim me njerëzit me të cilët po punonim, por nuk e ndiqnin kishën rregullisht.

Që të merresha me punë, vendosa të bëja diçka me historinë familjare, ndonëse për mjaft kohë ka qenë e vështirë për mua që të gjej ndonjë emër të ri. Kur u futa në FamilySearch, gjeta një njoftim për një dokument në pritje për t’iu bashkëlidhur një emri. Ai dokument i vetëm më bëri të gjeja rreth 70 njerëz në linjën time. Pas pesë ditësh, rrjedhja e emrave ndaloi. Po atë ditë më vonë, ne të gjithë mësuam se do të liroheshim nga misioni për të shkuar në shtëpi. Më vjen keq që të largohem, por gjithashtu ndihem e bekuar që isha në gjendje t’i shërbeja familjes në anën tjetër të velit gjatë kësaj kohe të vështirë.

Kim Nillsëni, Oregon, SHBA

Bërja e Pjesës Sonë për ta Mbajtur në Lëvizje Punën e Zotit

Ndërkohë që misionarët në zonën tonë u këshilluan të qëndronin në apartamentet e tyre, ne jemi përpjekur të bëjmë pjesën tonë duke e ftuar një mik që të mësojë për Kishën. Misionarët po i bëjnë mësimet me telefon me mikun tonë. E ndiejmë forcën e Shpirtit në shtëpinë tonë falë teknologjisë që kemi sot. Ka qenë mahnitëse të shohim se puna e Zotit akoma vazhdon, madje me gjithë sfidat në botë.

Illejna Raishi, Uashington, SHBA

Shpëtimtari e Dëgjon Këngën Tonë

Unë shërbej si misionare me shërbim në Kishë për programin PathwayConnect në kunjin e Kievit në Ukrainë. Udhëheqësit e programit vendosën të na trajnonin ne të gjithëve që udhëheqim, në mbledhje me prani fizike, me qëllim që t’i drejtonim ato nëpërmjet internetit. Pikërisht të nesërmen qeveria shpalli masa karantine në Kiev.

Më pëlqen së tepërmi mundësia për t’u mbledhur së bashku për PathwayConnect. Dhe më pëlqen pa masë mundësia për t’u mbledhur së bashku që të adhurojmë, si dhe të këndojmë së bashku në shtëpi të dielave. Jam mirënjohëse për sigurinë që atje ku dy ose tre mblidhen në emrin e Tij, Ai është aty. Askush nuk e di se sa kohë do të jemi në karantinë në Kiev, por ne e dimë se Shpëtimtari do ta dëgjojë këngën tonë.

Katerina Serdiuku, Kiev, Ukrainë

“Është Koha të Rifitosh Familjen Tënde”

Kur u shtuan lajmet lidhur me COVID‑19, mendova se ishte ekzagjeruar jashtë mase. Më pas, teksa ditët kalonin, fillova të ndihem në siklet dhe madje në panik për të ardhmen e botës sonë. 

Një mëngjes nuk më zinte më gjumi pasi u zgjova dhe qëndrova e ulur duke përsiatur se për çfarë ishte e gjithë kjo gjë. Atëherë më erdhi paqja. Shpirti më mësoi se Zoti më kishte dhënë një dhuratë. “Është koha të rifitosh familjen tënde”, tha Ai.

Jeta është kaq e zënë me gjëra. Kjo pandemi i ka dhënë familjes sonë mundësinë që të përqendrohet tek ai që ka rëndësi: ungjilli i Jezu Krishtit. Unë mund tʼi nxjerr jashtë disa nga ato ndikimet helmuese të botës dhe të përqendrohem për t’u mësuar fëmijëve të mi që të shohin te Krishti. Ati ynë në Qiell është gjithmonë i vetëdijshëm për ne. Tani e ndiej këtë gjë më shumë se kurrë. 

Meri Ostleri, Nebraskë, SHBA

Zoti na Ka Përgatitur për Këtë

Kur fillimisht m’u tha që mbledhjet e Kishës u pezulluan përkohësisht, isha pak e shqetësuar. Por tani mund ta shoh se si Zoti na ka përgatitur për këtë gjë nëpërmjet profetëve të Tij. Studimi i ungjillit i përqendruar te shtëpia mund të na ndihmojë gjatë kohëve sprovuese. Jam mirënjohëse që ende mund të marr pjesë në sakrament të dielave dhe të përdor fjalët e profetëve. Është ngushëlluese të di se derisa të mund të mblidhemi së bashku përsëri, ne mund ta ndiejmë të njëjtin Shpirt.

Ema van Asi, Gauteng, Afrikë e Jugut

Na Është Mësuar si të Adhurojmë

Kur bashkëshorti im dhe unë morëm pjesë në ordinancën e sakramentit në shtëpinë tonë për herë të parë, e ndjeva Shpirtin kaq fuqishëm sa kisha vështirësi të këndoja himnin që kishim zgjedhur. Në 70 vjetët e më shumë të frekuentimit prej nesh të shërbesave të adhurimit, nuk e mbaj mend që t’i kem vlerësuar kaq thellësisht bekimet që i kemi marrë nëpërmjet anëtarësisë dhe pjesëmarrjes sonë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Na është mësuar se si të adhurojmë dhe kë të adhurojmë. Po, na mungon shoqërimi me bashkëshenjtorët tanë dhe do të jemi të lumtur që të kthehemi në gjendje “normale” sa më shpejt që të mundemi, por unë jam mirënjohëse për mësimet që kemi mësuar ndërkohë, teksa ndjekim këshillën e profetit në adhurimin tonë “të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga Kisha”.

Suzana Preatori, Montana, SHBA

Gjetja e Paqes dhe Unitetit

Zhvillimi i mbrëmjes së shtëpisë është diçka që biri im dhe unë e presim me shumë dëshirë çdo javë. Ishim mësuar të kishim shpesh anëtarë, miq dhe misionarë në shtëpinë tonë. Më pas gjërat ndryshuan jashtëzakonisht për shkak të pandemisë. Tani e bëjmë mbrëmjen e shtëpisë me miqtë tanë me anë të telefonit. Nëpërmjet kësaj kohe së bashku, ne kemi qenë në gjendje të bëjmë shumë gjëra që na kanë afruar më pranë.

Jam shumë mirënjohëse për profetin tonë të dashur, i cili na ftoi të gjithëve që të agjëronim. Shumë nga ne ishin në gjendje ta ndienin fuqinë e unitetit dhe të paqes nëpërmjet asaj përvoje. Në kohë si këto, paqja që na nevojitet, vjen nga Shpëtimtari Jezu Krisht.

Roshen Mek‑Kenzi, Kingston, Xhamajkë

Perëndia e Ka Kontrollin

E fillova misionin tim vetëm dy muaj e gjysmë më parë. U caktova të shërbeja në Hermosijo të Meksikës. Çdo ditë kisha mundësinë të takohesha me njerëz të mrekullueshëm, të cilët ishin përgatitur për ta pranuar ungjillin e rivendosur. E ndjeva se sa po filloja ta plotësoja qëllimin tim, kur COVID-19 ma ndërpreu misionin.

U lëndova që i lashë ata njerëz që i doja aq shumë, por gjithashtu kam ndier paqe dhe siguri të madhe, sepse unë e di që Perëndia vazhdon ta ketë kontrollin. Jam mirënjohëse që kemi një profet dhe Apostuj që na udhërrëfejnë në këtë kohë. Si shumë prej misionarëve në botë, unë kam besim se ky nuk do të jetë mbarimi i misionit tim. Së shpejti, unë sërish mund të ndihmoj për ta çuar përpara punën e Zotit dhe mund të vazhdoj të jem një mjet në duart e Tij për të sjellë më shumë shpirtra në pendim.

Karolina Roman, Porto‑Riko

Shtyp në Letër