2020
Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht
maj 2020


2:3

Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht

Kur vështirësitë vetjake ose rrethanat e botës, përtej kontrollit tonë na e errësojnë shtegun, kujtimet që na përcaktojnë shpirtërisht nga libri ynë i jetës, janë si gurë të shndritshëm që ndihmojnë të na e ndriçojnë udhën para nesh.

Tetëmbëdhjetë vjet pas Vegimit të Parë, Profeti Jozef Smith shkroi një rrëfim të zgjeruar të përvojës së tij. Ai ishte përballur me kundërshtim, përndjekje, ngacmime, kërcënime dhe sulme mizore1. Pavarësisht, ai vazhdoi të dëshmonte trimërisht për Vegimin e tij të Parë: “Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën; edhe pse urrehesha dhe përndiqesha, sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë. … Unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja.”2

Gjatë orëve të tij të vështira, kujtesa e Jozefit u kthye te pothuajse dy dekada më parë, te siguria e dashurisë së Perëndisë ndaj tij dhe te ndodhitë që e mirëpritën Rivendosjen e parashikuar kohë më parë. Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij shpirtëror, Jozefi tha: “Nuk i vë faj askujt që nuk e beson historinë time. Në qoftë se nuk do të kisha përjetuar atë që provova, nuk do ta kisha besuar as vetë.”3

Por përvojat ishin reale dhe ai kurrë nuk i harroi apo i mohoi ato, duke e vërtetuar pa zhurmë dëshminë e tij ndërsa u largua për në Karthixh. “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur”, tha ai, “por jam i qetë si një mëngjes vere; kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve”4.

Përvojat Tuaja që ju Përcaktojnë Shpirtërisht

Ka një mësim për ne te shembulli i Profetit Jozef. Bashkë me udhëzimin plot paqe që marrim nga Fryma e Shenjtë, herë pas here, Perëndia e siguron fuqimisht dhe shumë personalisht secilin prej nesh, se Ai na njeh dhe na do dhe se Ai po na bekon në veçanti dhe haptas. Atëherë, në çastet tona të vështirësisë, Shpëtimtari na i sjell këto përvoja sërish në mendje.

Mendoni për vetë jetën tuaj. Me kalimin e viteve, kam dëgjuar mijëra përvoja të thella shpirtërore nga shenjtorë të ditëve të mëvonshme në mbarë botën, që më vërtetonin përtej çdo dyshimi se Perëndia e njeh dhe e do secilin prej nesh dhe se Ai dëshiron shumë fort të na e zbulojë Veten. Këto përvoja mund të vijnë në kohë kulmore gjatë jetës sonë ose gjatë atyre që mund të duken fillimisht si ndodhi të qeta, por që shoqërohen gjithnjë me një pohim shpirtëror jashtëzakonisht të fortë për dashurinë e Perëndisë.

Të kujtuarit e këtyre përvojave që të përcaktojnë shpirtërisht na gjunjëzojnë, duke shpallur ashtu siç bëri Profeti Jozef: “Ajo që mora ishte nga qielli. Unë e di atë dhe e di se Perëndia e di që unë e di atë.”5

Katër Shembuj

Reflektoni mbi kujtimet tuaja që ju përcaktojnë shpirtërisht, teksa unë jap disa shembuj nga njerëz të tjerë.

Mjeku Rasëll M. Nelson

Vite më parë, një patriark kunji i moshuar me dy valvula zemre jofunksionale iu lut në atë kohë mjekut Rasëll M. Nelson që ta operonte, ndonëse në atë kohë nuk kishte një zgjidhje me operim për valvulën e dytë të dëmtuar. Mjeku Nelson, si përfundim, pranoi ta bënte operimin. Këto janë fjalët e Presidentit Nelson:

“Pasi pastruam bllokimin e valvulës së parë, ne hapëm valvulën e dytë. Zbuluam se ishte e paprekur por ishte zgjeruar aq keq saqë nuk mund ta kryente më siç duhej funksionin. Ndërsa po e ekzaminoja këtë valvul, një mesazh më erdhi qartë në mendje: Zvogëlo perimetrin e unazës. Ia komunikova atë mesazh ndihmësit tim. ‘Membrana e valvulës do të mjaftojë në qoftë se arrijmë me sukses ta zvogëlojmë unazën në përmasën e saj të zakonshme.’

Por si? … Një pamje m’u shfaq shumë qartë në mendje, ku më tregohej se si mund të vendoseshin penjtë – të bëja një rrudhë këtu e një palë atje. … Ende e kujtoj atë imazh mendor – bashkë me vijat e pikëzuara ku duhej të bëheshin qepjet. Riparimi u krye ashtu siç qe paraqitur në mendjen time. Ne e provuam valvulën dhe zbuluam se rrjedhja ishte zvogëluar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndihmësi im tha: ‘Është një mrekulli’.”6 Patriarku jetoi për shumë vjet.

Mjeku Nelson kishte marrë udhëzim. Dhe ai e dinte se Perëndia e dinte që ai e dinte se kishte marrë udhëzim.

Beatris Magreja

Kethi dhe unë e takuam fillimisht Beatris Magrenë në Francë, 30 vjet më parë. Beatrisa më tregoi së fundi një përvojë që kishte ndikuar në jetën e saj shpirtërore, fill pas pagëzimit, kur ishte adoleshente. Këto janë fjalët e saj:

“Të rinjtë e të rejat e degës sonë bënë një udhëtim me udhëheqësit e tyre në plazhin Lakanu, një orë e gjysmë larg nga Bordoja.

Përpara se të ktheheshim në shtëpi, njëri nga udhëheqësit vendosi të notonte edhe një herë të fundit dhe u zhyt mes dallgëve me syze shikimi. Kur doli në sipërfaqe, syzet e shikimit ishin zhdukur. … I kishte humbur në oqean.

Mospasja e syzeve të shikimit nuk do ta lejonte që t’i jepte makinës. Do të mbeteshim pa transport larg shtëpisë.

Një motër me shumë besim sugjeroi që të luteshim.

Murmurita se lutja nuk do të na vlente absolutisht për asgjë dhe me zor iu bashkova grupit për t’u lutur haptas, teksa qëndronim të zhytur deri në gjysmë të trupit në ujin e mugët.

Sapo lutja mbaroi, zgjata duart që t’i spërkatja me ujë të gjithë. Ndërsa po prekja sipërfaqen e ujit syzet e tij më ngecën në dorë. Një ndjenjë e fuqishme ma përshkoi shpirtin se Perëndia vërtet i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona.”7

Dyzet e pesë vjet më vonë, asaj iu kujtua sikur të kishte ndodhur dje. Beatrisa ishte bekuar dhe ajo e dinte se Perëndia e dinte që ajo e dinte se ishte bekuar.

Përvojat e Presidentit Nelson dhe të Motrës Magre ishin shumë të ndryshme, sidoqoftë, për të dy ata, një kujtim i paharrueshëm që të përcakton shpirtërisht, për dashurinë e Perëndisë u ngulit në zemrën e tyre.

Këto ndodhi përcaktuese shpesh vijnë kur je duke mësuar rreth ungjillit të rivendosur ose duke e përhapur ungjillin tek të tjerët.

Floripes Luiza Damasio dhe Nil L. Anderseni

Kjo fotografi u bë në San-Paolo, Brazil në vitin 2004. Floripes Luiza Damasio nga Kunji Ipaçinga Brazil, ishte 114 vjeçe. Duke folur për kthimin e saj në besim, Motra Damasio më tha se misionarët në fshatin e saj i kishin dhënë një bekim priftërie një fëmije të sëmurë rëndë që u shërua mrekullisht. Ajo donte të dinte më shumë. Teksa u lut për mesazhin e tyre, një dëshmi e pamohueshme e Shpirtit i pohoi asaj se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Në moshën 103-vjeçare u pagëzua dhe në moshën 104-vjeçare mori dhurimin [indaumentin]. Çdo vit më pas, ajo bënte 14 orë me autobus që të kalonte një javë në tempull. Motra Damasio kishte marrë një pohim qiellor dhe ajo e dinte se Perëndia e dinte që ajo e dinte se dëshmia ishte e vërtetë.

Ja tek është një kujtim shpirtëror nga misioni im i parë në Francë, 48 vjet më parë.

Ndërkohë që po shpërndanim fletushka, shoku im i misionit dhe unë i lamë një Libër Mormoni një gruaje të moshuar. Kur u kthyem në banesën e gruas rreth një javë më vonë, ajo e hapi derën. Përpara se të thosha ndonjë fjalë, ndjeva një fuqi të dallueshme shpirtërore. Ndjenjat e forta vazhduan teksa zonja Alis Odëberi na ftoi brenda dhe na tha se e kishte lexuar Librin e Mormonit dhe se e dinte që ai ishte i vërtetë. Ndërsa u larguam nga banesa e saj atë ditë, u luta: “Atë Qiellor, të lutem më ndihmo që të mos e harroj kurrë atë që sapo ndjeva”. Kurrë nuk e kam harruar.

Plaku Andersen kur ishte misionar

Në një çast në dukje të zakonshëm, te një derë e ngjashme me qindra dyer të tjera, kisha ndier fuqinë e qiellit. Dhe e dija se Perëndia e dinte që unë e dija se një dritare e qiellit ishte hapur.

Të Posaçme për Ne dhe të Pamohueshme

Këto çaste që të përcaktojnë shpirtërisht vijnë në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme, të posaçme për secilin prej nesh.

Mendoni për shembujt tuaj të parapëlqyer në shkrimet e shenjta. Njerëzit që e dëgjuan Apostullin Pjetër u “pikëlluan në zemër”8. Gruaja lamanite, Abishi, e besoi “vegimi[n e] pazakontë të atit të saj”9. Dhe një zë i erdhi Enosit në mendje10.

Miku im Klejton Kristenseni e përshkroi një përvojë gjatë një leximi plot lutje të Librit të Mormonit në këtë mënyrë: “Një Shpirt i bukur, i ngrohtë e i dashur … më rrethoi dhe ma përshkoi shpirtin, duke më mbështjellë me një ndjenjë dashurie që nuk e kisha imagjinuar se mund ta ndieja [dhe këto ndjenja vazhduan për net me radhë]”11.

Ka çaste kur ndjenjat shpirtërore na hyjnë thellë në zemër si zjarr, duke na e ndriçuar shpirtin. Jozef Smithi shpjegoi se ne nganjëherë marrim “befas ide” dhe me raste inteligjencë të pastër që rrjedh12.

Presidenti Dallin H. Ouks, duke iu përgjigjur një burri të sinqertë, i cili pretendonte se nuk kishte pasur kurrë një përvojë të tillë, e këshilloi: “Ndoshta ke marrë përgjigje për lutjet e tua vazhdimisht, por i ke pasur pritshmëritë e tua të përqendruara te një shenjë aq e madhe apo te një zë aq i lartë, saqë mendon se nuk ke marrë përgjigje”13. Vetë Shpëtimtari foli për njerëzit me besim të madh, të cilët “u [bekuan] me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë [por të cilët] nuk e dinin”14.

Në ç’Mënyrë e Dëgjoni Ju Atë?

E kemi dëgjuar kohët e fundit Presidentin Rasëll M. Nelson të thotë: “Unë ju ftoj të mendoni thellë dhe shpesh për këtë pyetje kyç: Në ç’mënyrë e dëgjoni ju Atë? Unë ju ftoj gjithashtu që të ndërmerrni hapa për ta dëgjuar Atë më mirë dhe më shpesh.”15 Ai e përsëriti atë ftesë këtë mëngjes.

Ne e dëgjojmë Atë në lutjet tona, në shtëpitë tona, në shkrimet e shenjta, në himnet tona, teksa e marrim denjësisht sakramentin, teksa e tregojmë besimin tonë, teksa u shërbejmë të tjerëve dhe teksa e frekuentojmë tempullin me bashkëbesimtarët. Çastet që të përcaktojnë shpirtërisht, vijnë teksa ne e dëgjojmë plot lutje konferencën e përgjithshme dhe teksa i zbatojmë më mirë urdhërimet. Dhe ju fëmijë, këto përvoja janë edhe për ju! Kujtoni, Jezusi “i mësoi dhe u shërbeu fëmijëve … dhe [fëmijët] thanë … gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme”16. Zoti tha:

“[Kjo njohuri] ju jepe[t] me anë të Shpirtit tim … dhe nëse nuk është me anë të fuqisë sime, ju nuk mund [ta] keni at[ë];

Prandaj, ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia.”17

Ne mund ta “dëgjojmë Atë” për shkak të bekimeve të Shlyerjes së pashoqe të Shpëtimtarit.

Meqenëse ne nuk mund ta zgjedhim kohën e marrjes së këtyre çasteve përcaktuese, Presidenti Henri B. Ajring dha këtë këshillë për përgatitjen tonë: “Sonte dhe nesër mbrëma, ju mund të luteni dhe të përsiatni, duke bërë pyetjet: ‘A dërgoi Perëndia një mesazh që ishte vetëm për mua? A e pashë dorën e Tij në jetën time apo në atë të [familjes sime]?’”18 Besimi, bindja, përulësia dhe qëllimi i vërtetë i hapin dritaret e qiellit19.

Një Ilustrim

1:19
Përshkimi [i rrugëtimit] të jetës
Kujtimet shpirtërore bëjnë dritë
Të ndihmojmë të tjerët që ta zbulojnë sërish dritën shpirtërore

Ju mund të mendoni në këtë mënyrë për kujtimet tuaja shpirtërore. Me lutje të vazhdueshme, me një vendosmëri për t’i mbajtur besëlidhjet tona dhe me dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne e përshkojmë rrugëtimin tonë gjatë jetës. Kur vështirësia vetjake, dyshimi, ose shkurajimi na e errësojnë shtegun, ose kur rrethanat e botës përtej kontrollit tonë na shtyjnë të vrasim mendjen për të ardhmen, kujtimet që na përcaktojnë shpirtërisht nga libri ynë i jetës, janë si gurë të shndritshëm që ndihmojnë të na e ndriçojnë udhën para nesh, duke na siguruar se Perëndia na njeh, na do dhe ka dërguar Birin e Tij, Jezu Krishtin për të na ndihmuar që të kthehemi në shtëpi. Dhe kur dikush i lë në harresë kujtimet e veta përcaktuese dhe është i përhumbur apo i pështjelluar, i drejtojmë ata te Shpëtimtari, teksa u tregojmë besimin dhe kujtimet tona, duke i ndihmuar që t’i zbulojnë sërish ato çaste shpirtërore të çmuara që dikur i kishin të vyera.

Disa përvoja janë aq të shenjta saqë i ruajmë në kujtesën tonë shpirtërore dhe nuk i tregojmë ato20.

“Engjëjt flasin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; prandaj, ata flasin fjalët e Krishtit.”21

“Engjëjt nuk kanë pushuar së shërbyeri fëmijëve të njerëzve.

Pasi vini re, ata i janë nënshtruar [Krishtit], që të shërbejnë sipas … urdhrit të tij, duke iu shfaqur atyre që kanë besim të fortë dhe mendje të vendosur në çdo formë drejtësie.”22

Dhe “Ngushëlluesi, [i cili është] Fryma e Shenjtë, … do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”23.

Përqafojini kujtimet tuaja të shenjta. Besojini ato. Hidhini në letër. Tregojuani familjes suaj. Mirëbesoni se ato ju vijnë nga Ati juaj Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur24. Le t’ju sjellin ato durim ndaj dyshimeve tuaja dhe kuptueshmëri ndaj vështirësive tuaja25! Ju premtoj se ndërsa i pranoni me gatishmëri dhe i ruani me kujdes si thesar ndodhitë që ju përcaktojnë shpirtërisht në jetën tuaj, shumë e më shumë të tilla do t’ju vijnë. Ati Qiellor ju njeh dhe ju do!

Jezusi është Krishti, ungjilli i Tij është rivendosur dhe teksa qëndrojmë besnikë, dëshmoj se do të jemi gjithmonë të Tijtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 150–153; shih edhe Joseph Smith, “History, 1838–1856, volume A-1 [23 December 1805–30 August 1834]”, 205–9, josephsmithpapers.org; Saints, 1:365–366.

  2. Joseph Smith – Historia 1:25.

  3. Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 507.

  4. Doktrina e Besëlidhje 135:4.

  5. Gjithnjë më kanë lënë mbresa fjalët te Joseph Smith – Historia: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë” (Joseph Smith – Historia 1:25). Atij do tʼi duhej të qëndronte përpara Perëndisë dhe të pranonte se këto ngjarje në Korijen e Shenjtë i ndodhën njëmend në jetë dhe se jeta e tij nuk mund të ishte më kurrë e njëjta për shkak të tyre. Rreth 25 vjet më parë, dëgjova për herë të parë një variant të kësaj fraze nga Plaku Nil A. Maksuell. Ai dha këtë shembull: “Shumë kohë më parë, në maj 1945 pata një çast të tillë në ishullin Okinava, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Sigurisht nuk ishte aspak heroizëm nga ana ime por përkundrazi, një bekim për mua dhe të tjerët gjatë bombardimit të pozicionit tonë nga artileria japoneze. Pas bombardimeve të përsëritura që nuk e goditën pozicionin tonë, artileria e armikut së fundi u përqendrua te ne. Faktikisht duhet të kishin shtënë mbi ne, por pati një përgjigje hyjnore ndaj të paktën një lutjeje të trembur, egoiste. Bombardimi u ndal. … Isha bekuar dhe e dija se Perëndia e dinte që unë e dija” (“Becoming a Disciple”, Ensign, qershor 1996, f. 19).

    Plaku Maksuell shtoi se, jo vetëm që ai e dinte, dhe jo vetëm që Perëndia e dinte, por se Perëndia e dinte që ai e dinte se ishte bekuar. Nga ana simbolike për mua kjo më ngre një shkallë më lart në përgjegjësi. Hera‑herës, Ati ynë Qiellor e shoqëron një bekim që na jepet me një pohim të fortë shpirtëror se qiejt ndërhynë në emrin tonë. Nuk ka mohim për këtë. Ai mbetet me ne dhe nëse jemi të ndershëm dhe besnikë, do t’i japë formë jetës sonë në vitet e ardhshme. “Isha bekuar, dhe e dija se Perëndia e dinte që unë e dija se isha bekuar.”

  6. Russell M. Nelson, “Sweet Power of Prayer”, Liahona, maj 2003, f. 8.

  7. Histori vetjake e Beatris Magresë treguar Plakut Andersen më 29 tetor 2019; mesazhi elektronik i radhës më 24 janar 2020.

  8. Veprat e Apostujve 2:37.

  9. Alma 19:16.

  10. Shih Enosi 1:5.

  11. Clayton M. Christensen, “The Most Useful Piece of Knowledge”, Liahona, janar 2009, f. 23.

  12. Shih Mësimet: Jozef Smith f. 339.

  13. Dallin H. Oaks, Life’s Lessons Learned: Personal Reflections (2011), f. 116.

  14. 3 Nefi 9:20.

  15. Russell M. Nelson, “‘How Do You #HearHim?’ A Special Invitation”, 26 shkurt 2020, blog.ChurchofJesusChrist.org.

  16. 3 Nefi 26:14.

  17. Doktrina e Besëlidhje 18:35–36. Ndjenjat e shoqërojnë gjithnjë njohurinë shpirtërore. “Ju jeni të shpejtë të bëni paudhësi, por të ngadalshëm të kujtoni Zotin, Perëndinë tuaj. Ju keni parë një engjëll dhe ai ju foli; po, ju keni dëgjuar zërin e tij herë pas here; dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij” (1 Nefi 17:45).

  18. Shih Henri B. Ajring, “O Kujtoni, Kujtoni”, Liahona, nëntor 2007, f. 69.

  19. Shih 2 Nefi 31:13; Moroni 10:4. Presidenti Dallin H. Ouks, vizitoi misionin tonë në Bordo të Francës në vitin 1991. Ai u shpjegoi misionarëve tanë se qëllim i vërtetë do të thotë që personi që lutet po i thotë Zotit diçka të tillë: “Unë nuk pyes për kureshtje, por me sinqeritet të plotë për të vepruar sipas përgjigjes së lutjes sime. Nëse Ti do të ma japësh këtë përgjigje, do të veproj për ta ndryshuar jetën. Unë do të reagoj.”

  20. “Shumë njerëzve u është dhënë të dinë misteret e Perëndisë; por ata janë nën urdhër të rreptë që t’u thonë të tjerëve vetëm atë pjesë të fjalës së tij, që ai ua lejon fëmijëve të njerëzve, sipas vëmendjes dhe zellit që i japin atij” (Alma 12:9).

    Plaku Nil A. Maksuell tha: “Duhet frymëzim për të ditur se kur t’i tregosh [përvojat shpirtërore]. Kujtoj kur e dëgjova Presidentin Marion G. Romni, i cili e ndërthuri zgjuarsinë dhe mençurinë, të thoshte: ‘Do të kishim më shumë përvoja shpirtërore nëse nuk do të flisnim kaq shumë rreth tyre’” (“Called to Serve” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 27 mars 1994], speeches.byu.edu.

  21. 2 Nefi 32:3.

  22. Moroni 7:29–30.

  23. Gjoni 14:26.

  24. Të vërtetat e ungjillit janë të disponueshme për të gjithë. Javën përpara se të fillonte konferenca, pasi e përfundova bisedën time, më tërhoqi shpirtërisht një libër që titullohet Divine Signatures: The Confirming Hand of God (2010), i shkruar nga Gerald N. Land, i cili shërbeu si Autoritet i Përgjithshëm i Shtatëdhjetë nga viti 2002 deri në 2008. Për kënaqësinë time, fjalët e Vëllait Land ishin një dëshmi e dytë e bukur për parimet që u shprehën në këtë bisedë konference dhe që do t’i japin gëzim kujtdo që ka dëshirën të studiojë më shumë rreth kujtimeve që të përcaktojnë shpirtërisht.

  25. Një nga citimet më të parapëlqyera të Presidentit Tomas S. Monson, ishte nga poeti skocez, James M. Barrie: “Perëndia na dha kujtime, që të mund të kemi trëndafila qershori gjatë dhjetorit të jetës sonë”(në Thomas S. Monson, “Think to Thank”, Liahona, janar 1999, f. 22) E njëjta gjë është e vërtetë edhe për kujtimet shpirtërore. Ato mund të jenë më të dobishmet në kohët e vështira, të ftohta të jetës sonë kur të kemi nevojë për ato çaste shpirtërore “qershori”.