2020
Plaku Xheremi R. Jagi
maj 2020


Plaku Xheremi R. Jagi

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur Plaku Xheremi R. Jagi ishte adoleshent, motra e tij shtatëvjeçare, Kristeni, u sëmur nga një bakter që ia dëmtoi trurin. Mjekët thanë se ajo nuk do të mbijetonte.

Xheremiu i ri ra në gjunjë pranë shtratit të tij në dhomën e familjes në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA dhe iu përgjërua Zotit që të dinte përse ajo duhej të vdiste kaq e vogël. Sidoqoftë, motra e tij mori një bekim të priftërisë dhe jetoi.

Ky ishte një katalizator për Xhereminë 17‑vjeçar që të “ishte në rregull me Perëndinë”, duke e bërë atë të lexonte seriozisht Librin e Mormonit për herën e parë. Më vonë ai shërbeu si misionar kohëplotë në Misionin e Ohajos, Klivland.

Vite më vonë, Xheremiu do të binte në gjunjë, në lutje të ndier në zemër ndërkohë që bashkëshortes së tij, Emit, i kishin filluar para kohe dhembjet e lindjes për fëmijën e tyre të tretë. “Në atë çast, ndjeva një paqe gjithëpushtuese – një paqe që mund të përshkruhet vetëm kur krahët e dashurisë së një Ati Qiellor më rrethuan me ngrohtësinë e Frymës së Shenjtë”, tha ai.

Ajo paqe e shoqëroi gjatë kohës së shkurtër që jetoi foshnja dhe muajve të pikëllimit që pasuan pas një ndërprerjeje tjetër shtatzënie. “Ne të gjithë vihemi në provë sipas mënyrës sonë”, tha ai, “por ne ende e ‘konsidero[jmë] një gëzim të madh’ [Jakob [Bibël] 1:2] që Shpëtimtari ka siguruar një udhë që ne të kemi paqe e lumturi.”

Xheremi Robert Jagi iu lindi Robert Stenli Jagit dhe Xhudi En Rusit më 23 mars 1973 në Solt-Lejk-Siti të Jutës, në SHBA. Ai u martua me Emi En Stjuartin në Tempullin e Solt‑Lejkut, më 12 qershor 1995. Ata janë prindër të pesë fëmijëve.

Plaku Jagi mori një diplomë universitare për shkencën e sjelljes dhe shëndetit nga Universiteti i Jutës dhe një diplomë pasuniversitare ekzekutive për administrim biznesi nga Universiteti i Pepërdajnit. Ai po drejtonte shitjet krahinore për kompaninë Alkermes dhe po administronte pasuritë e patundshme tregtare te kompania HCA Investments në kohën e thirrjes së tij.

Plaku Jagi ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president i Misionit të Jutës, Ogden, ndihmëssekretar ekzekutiv i kunjit, peshkop, president i kuorumit të pleqve, mësues seminari, këshilltar në presidencën e Të Rinjve të lagjes, mësues i përgatitjes së misionarëve për kunjin dhe udhëheqës misioni për lagjen.