2020
Plaku Horhe T. Besera
maj 2020


Plaku Horhe T. Besera

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Horhe T. Besera ishte i turpshëm dhe i ndrojtur teksa rritej, por presidenti i misionit i dha atij mundësi për të udhëhequr. Horheja u kthye në shtëpi nga Misioni i Kalifornisë, Arkadia me një dëshirë që të përfshihej në punën e Zotit për tërë jetën.

Mundësi të tjera udhëheqjeje erdhën edhe më shpejt nga ç’e priste. Në moshën 27 vjeç, ai u thirr në peshkopatë. Në moshën 32 vjeç, u thirr si peshkop. Fillimisht u ndje i papërshtatshëm kur njerëzit i drejtoheshin me sfidat e tyre.

“Nuk e kam idenë se çfarë po bëj”, i tha babait të vet.

Përgjigjja e të atit i dha një mësim të fuqishëm, i kujtoi besimin që kishte pasur tek ai presidenti i tij i misionit dhe e ndihmoi të përgatitej për thirrje të ardhshme udhëheqjeje, përfshirë thirrjen si president kunji në moshën 37‑vjeçare.

“Babai më tha: ‘Bir, çfarë moshe ka Fryma e Shenjtë?’” solli ndërmend Plaku Besera. “Ky ishte një çast i rëndësishëm mësimdhënieje për mua ngaqë e dija se mund të bëja çdo gjë që Zoti më kërkonte.”

Ai mësim i ka qëndruar parasysh Plakut Besera gjatë shumë viteve të shërbimit me gjithë zemër në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Horhe Eduardo Tores Besera iu lindi Huan C. Beserës dhe Selia T. Beserës, më 18 dhjetor 1962 në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA, ku edhe u rrit.

Pasi shërbeu në një mision kohëplotë, Plaku Besera u martua me Debi Ilejn Shnebërgërin në Tempullin e Solt‑Lejkut më 10 gusht 1984. Ata janë prindër të katër fëmijëve.

Plaku Besera mori një diplomë universitare për studime të përgjithshme në Universitetin e Jutës dhe një diplomë për financë në Kolegjin Komunitar të Solt‑Lejkut. Ai gjithashtu studioi për biznes në Universitetin e Feniksit. Në vitin 1998 u bë partner i Allegis Advisor Group, një kompani këshillimore financiare. Në kohën kur mori thirrjen si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, ai po punonte si këshilltar investimesh për kompaninë Intermountain Financial Partners.

Plaku Besera ka shërbyer si president i Të Rinjve të lagjes, këshilltar në një presidencë misioni, këshilltar në një presidencë dege, mësues seminari, këshilltar në peshkopatë, peshkop, president kunji dhe president i Misionit të Kalifornisë, Arkadia. Në kohën e thirrjes së tij, ai po shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal.