2020
Dëgjojeni Atë
maj 2020


2:3

Dëgjojeni Atë

Ati ynë e di se, kur jemi të rrethuar nga pasiguria dhe frika, ajo që do të na ndihmojë më tepër se çdo gjë tjetër, është ta dëgjojmë Birin e Tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirënjohës jam që, me anë të përdorimit të teknologjisë, kemi qenë në gjendje të mblidhemi së bashku dhe të adhurojmë këtë mëngjes të diele! Sa të bekuar jemi që e dimë se ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në tokë!

Në disa nga javët e kaluara, shumica prej nesh kemi përjetuar ndërprerje në jetën tonë vetjake. Tërmete, zjarre, përmbytje, epidemi dhe situatat pas tyre e kanë ndërprerë rutinën dhe kanë shkaktuar mangësi në ushqime, artikuj të rëndësishëm konsumi dhe kursime.

Mes gjithë kësaj, ne ju lavdërojmë dhe ju falënderojmë që keni zgjedhur ta dëgjoni fjalën e Zotit gjatë kësaj kohe trazire duke u bashkuar me ne për konferencën e përgjithshme. Errësira në rritje që e shoqëron fatkeqësinë, bën që drita e Jezu Krishtit të ndriçojë përherë më e shkëlqyeshme. Thjesht mendoni për të mirën që secili prej nesh mund të bëjë gjatë kësaj kohe të rrëmujës mbarëbotërore. Dashuria juaj për Shpëtimtarin dhe besimi tek Ai fare mirë mund të jenë katalizatori që dikush ta zbulojë Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.

Gjatë dy viteve të shkuara, Motra Nelson dhe unë kemi takuar mijëra prej jush anekënd botës. Jemi mbledhur me ju në arena të hapura dhe në salla vallëzimi të hoteleve. Në secilën vendndodhje, kam ndier që kam qenë në praninë e të zgjedhurve të Zotit dhe se po e shihja mbledhjen e Izraelit të ndodhte përpara syve të mi.

Ne jetojmë në kohën që “baballarët tanë e kanë pritur me një shpresë të dëshiruar”1. Ne jemi të ulur në rreshtin e parë që ta dëshmojmë drejtpërsëdrejti atë që profeti Nefi e pa vetëm në vegim, që “fuqi[a] e Qengjit të Perëndisë” do të zbriste mbi “njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”2.

Ju, vëllezërit dhe motrat e mia, jeni mes atyre burrave, grave dhe fëmijëve që pa Nefi. Mendoni për këtë!

Pavarësisht se ku jetoni apo se cilat janë rrethanat tuaja, Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari juaj dhe profeti i Perëndisë Jozef Smithi është profeti juaj. Ai u parashugurua përpara themelimit të tokës që të ishte profeti i kësaj periudhe të fundit ungjillore, kur “asgjë nuk do të mbahet”3 prej shenjtorëve. Zbulesa vazhdon të rrjedhë nga Zoti gjatë këtij procesi të vazhdueshëm të rivendosjes.

Çfarë do të thotë për ju që ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në tokë?

Do të thotë që ju dhe familja juaj mund të vuloseni së bashku përgjithmonë! Do të thotë që, për shkak se jeni pagëzuar nga dikush që ka autoritet nga Jezu Krishti, dhe jeni konfirmuar anëtar/e i/e Kishës së Tij, ju mund të gëzoni shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju udhërrëfejë dhe mbrojë. Do të thotë që nuk do të mbeteni kurrë pa ngushëllim apo pa të drejtën e përdorimit të fuqisë së Perëndisë për t’ju ndihmuar. Do të thotë që fuqia e priftërisë mund t’ju bekojë kur i merrni ordinancat thelbësore dhe bëni besëlidhje me Perëndinë e i mbani ato. Çfarë spirance janë këto të vërteta për shpirtin tonë, veçanërisht në këto kohë kur furtuna vazhdon plot furi!

Libri i Mormonit bën kronikën për ngritjen dhe rënien klasike të dy qytetërimeve të mëdha. Historia e tyre demonstron se sa e lehtë është që një shumicë njerëzish ta harrojnë Perëndinë, të mos i pranojnë paralajmërimet e profetëve të Zotit dhe të kërkojnë pushtet, famë dhe kënaqësi të mishit.4 Në mënyrë të përsëritur, profetët e së shkuarës kanë shpallur “gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme mes popullit të cilat [njerëzit] nuk i besuan”5.

Nuk është ndryshe në kohën tonë. Nëpër vite, gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme janë dëgjuar nga foltore të përkushtuara anekënd tokës. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk i përqafojnë këto të vërteta – ose ngaqë nuk dinë se ku t’i gjejnë ato6 ose sepse po ua vënë veshin atyre që nuk e kanë të vërtetën e plotë, ose sepse nuk e kanë pranuar të vërtetën dhe kanë zgjedhur në favor të veprimtarive të botës.

Kundërshtari është i zgjuar. Për mijëvjeçarë ai ka bërë që e mira të duket e keqe dhe e keqja të duket e mirë7. Mesazhet e tij priren të jenë të zhurmshme, të guximshme dhe mburracake.

Mirëpo, mesazhet nga Ati ynë Qiellor janë qartësisht të ndryshme. Ai komunikon me thjeshtësi, qetësi dhe me një qartësi të tillë mahnitëse saqë ne nuk mund ta keqkuptojmë Atë.8

Për shembull, kurdoherë që Ai e ka paraqitur Birin e Tij të Vetëmlindur ndaj njerëzve mbi tokë, Ai e ka bërë atë me pak fjalë mbesëlënëse. Në Malin e Shpërfytyrimit, Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, Perëndia u tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni [Atë]!”9 Fjalët e Tij drejtuar nefitëve në qytetin e lashtë të Begatisë ishin: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim – dëgjojeni atë”10. Dhe Jozef Smithit, në atë shpallje të thellë që e hapi këtë periudhë ungjillore, Perëndia i tha thjesht: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!11

Tani, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, merreni parasysh faktin që në këta tre shembuj që sapo u përmendën, pikërisht përpara se Ati ta paraqiste Birin, njerëzit e përfshirë ishin në një gjendje frike dhe, deri në njëfarë mase, dëshpërimi.

Apostujt ishin të frikësuar kur e panë Jezu Krishtin të rrethuar nga një re në Malin e Shpërfytyrimit.

Nefitët ishin të frikësuar pasi kishin qenë mes shkatërrimit dhe errësirës për disa ditë.

Jozef Smithin e kishte mbërthyer një forcë e errësirës pikërisht përpara se qiejt të hapeshin.

Ati ynë e di se, kur jemi të rrethuar nga pasiguria dhe frika, ajo që do të na ndihmojë më tepër se çdo gjë tjetër, është ta dëgjojmë Birin e Tij.

Sepse kur kërkojmë ta dëgjojmë – ta dëgjojmë vërtet – Birin e Tij, ne do të udhërrëfehemi për ta ditur se çfarë të bëjmë në çfarëdo rrethanë.

Në vetë vargun e parë te Doktrina e Besëlidhje është fraza mbani vesh.12 Do të thotë “t’ia vini veshin me qëllimin që të bindeni”13. Të mbajmë vesh do të thotë ta “dëgjojmë Atë” – ta dëgjojmë atë që thotë Shpëtimtari dhe pastaj t’i kushtojmë vëmendje këshillës së Tij. Në këto dy fjalë – “Dëgjojeni Atë” – Perëndia na jep modelin për sukses, lumturi dhe gëzim në këtë jetë. Ne duhet t’i dëgjojmë fjalët e Zotit, t’i mbajmë vesh ato dhe t’i kushtojmë vëmendje asaj që Ai na ka thënë!

Teksa kërkojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, përpjekjet tona që ta dëgjojmë Atë nevojitet të jenë përherë e më të qëllimshme. Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij.

Ne thjesht nuk mund të mbështetemi tek informacioni që e ndeshim rastësisht në mjetet shoqërore të komunikimit. Me miliarda fjalë në internet dhe në një botë të mbingopur nga reklamat, të depërtuar vazhdimisht nga përpjekjet e zhurmshme, shumë të liga të kundërshtarit, ku mund të shkojmë që ta dëgjojmë Atë?

Ne mund të shkojmë te shkrimet e shenjta. Ato na japin mësim rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, madhështisë së Shlyerjes së Tij dhe planit të madhërishëm të Atit tonë për lumturi dhe shëlbim. Zhytja e përditshme në fjalën e Perëndisë është jetike për mbijetesën tonë shpirtërore, veçanërisht në këto ditë të rrëmujës në rritje. Teksa ushqehemi me bollëk përditë me fjalët e Krishtit, fjalët e Krishtit do të na thonë se si të reagojmë ndaj vështirësive me të cilat kurrë nuk menduam se do të përballeshim.

Ne gjithashtu mund ta dëgjojmë Atë në tempull. Shtëpia e Zotit është një shtëpi mësimi. Atje Zoti jep mësim në vetë mënyrën e Tij. Atje çdo ordinancë jep mësim për Shpëtimtarin. Atje ne mësojmë se si ta hapim velin dhe të komunikojmë më qartë me qiellin. Atje ne mësojmë se si ta qortojmë kundërshtarin dhe të marrim fuqinë e priftërisë së Zotit për të na forcuar ne dhe ata që i duam. Sa i etur duhet të jetë secili prej nesh që të kërkojë strehim atje!

Kur të hiqen këto kufizime të përkohshme prej virusit COVID-19, ju lutem, planifikoni kohë të rregullt që të adhuroni dhe shërbeni në tempull. Secila minutë e asaj kohe do t’ju bekojë ju dhe familjen tuaj në mënyra si asgjë tjetër nuk mund ta bëjë. Gjeni kohë për të përsiatur për atë që dëgjoni dhe ndieni kur jeni atje. Kërkojini Zotit t’ju mësojë se si t’i hapni qiejt që ta bekoni jetën tuaj dhe jetën e atyre që i doni dhe u shërbeni.

Ndërkohë që adhurimi në tempull tani për tani nuk është i mundur, unë ju ftoj ta shtoni pjesëmarrjen tuaj në historinë familjare, duke përfshirë kërkimin dhe indeksimin për historinë familjare. Ju premtoj që, teksa e shtoni kohën që kaloni në tempull dhe për historinë familjare, ju do ta shtoni dhe përmirësoni aftësinë tuaj që ta dëgjoni Atë.

Ne gjithashtu e dëgjojmë Atë më qartë teksa e përpunojmë aftësinë tonë për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. Asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta dini se si ju flet Shpirti sesa është pikërisht tani. Në Kreun-Perëndi, Fryma e Shenjtë është lajmëtari. Ai do t’ju sjellë në mendje mendime që Ati dhe Biri dëshirojnë që ju t’i merrni. Ai është Ngushëlluesi. Ai do t’ju sjellë në zemër një ndjenjë paqeje. Ai dëshmon për të vërtetën dhe do t’jua pohojë se çfarë është e vërtetë teksa e dëgjoni dhe e lexoni fjalën e Zotit.

E përsërit përgjërimin tim ndaj jush që të bëni çfarëdo që të duhet që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake.

Bërja e kësaj do t’ju ndihmojë ta dini se si të shkoni përpara në jetën tuaj, çfarë të bëni në kohë krizash dhe se si t’i dalloni e shmangni tundimet dhe mashtrimet e kundërshtarit.

Dhe, së fundi, ne e dëgjojmë Atë kur u kushtojmë vëmendje fjalëve të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Apostujt e shuguruar të Jezu Krishtit gjithmonë dëshmojnë për Të. Ata tregojnë udhën teksa ne çajmë udhën tonë nëpër labirintin zemërndrydhës të përvojave tona në vdekshmëri.

Çfarë do të ndodhë teksa ju në mënyrë më të qëllimshme e dëgjoni, ia vini veshin dhe i kushtoni vëmendje asaj që Shpëtimtari ka thënë dhe asaj që Ai po thotë tani nëpërmjet profetëve të Tij? Ju premtoj se do të bekoheni me fuqi shtesë për t’u përballur me tundimet, vështirësitë dhe dobësitë. Unë premtoj mrekulli në martesën tuaj, në marrëdhëniet tuaja familjare dhe në punën tuaj të përditshme. Dhe ju premtoj se aftësia juaj për të ndier gëzim, do të rritet edhe në qoftë se shtohet trazimi në jetën tuaj.

Kjo konferencë e përgjithshme e prillit 2020 është koha jonë për të përkujtuar një ngjarje që e ndryshoi botën. Teksa e prisnim këtë 200‑vjetor të Vegimit të Parë të Jozef Smithit, ne si Presidencë e Parë dhe Këshill i Dymbëdhjetë Apostujve pyetnim veten për atë që ne mund të bëjmë për ta përkujtuar siç duhet këtë ngjarje të vetme.

Ajo teofani [shfaqje e Hyjnisë] filloi Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit dhe hapi periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve.

Vramë mendjen a duhej të ndërtohej një monument. Por teksa e morëm parasysh ndikimin e pashoq historik dhe ndërkombëtar të atij Vegimi të Parë, ndiem përshtypjen që të krijonim një monument jo prej graniti apo guri, por prej fjalësh – fjalë të proklamatës solemne dhe të shenjtë – shkruar, jo që të skaliten mbi “rrasa guri”, por më tepër që të gdhenden mbi “rrasa … mishi” të zemrës sonë.14

Qëkurse është organizuar Kisha, janë nxjerrë vetëm pesë proklamata, ku e fundit është “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, e paraqitur nga Presidenti Gordon B. Hinkli në vitin 1995.

Tani, teksa e kundrojmë këtë kohë domethënëse në historinë e botës dhe detyrën nga Zoti që të mblidhet Izraeli i shpërndarë në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, ne, Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve, nxjerrim proklamatën që vijon. Titulli i saj është: “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”. Autorët e saj janë Presidenca e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mban datën prill 2020. Për t’u përgatitur për ditën e sotme, unë e regjistrova më parë këtë proklamatë në Korijen e Shenjtë, atje ku Jozef Smithi pa së pari Atin dhe Birin.

6:15

“Ne shpallim solemnisht se Perëndia i do fëmijët e Tij në çdo komb të botës. Perëndia, Ati, na ka dhënë lindjen hyjnore, jetën e pakrahasueshme dhe flijimin e pafundmë shlyes të Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Me anë të fuqisë së Atit, Jezusi u ngrit përsëri dhe korri fitore mbi vdekjen. Ai është Shpëtimtari ynë, Shembulli ynë dhe Shëlbuesi ynë.

Dyqind vjet më parë, në një mëngjes të bukur pranvere në vitin 1820, i riu Jozef Smith, duke kërkuar ta dinte se me cilën kishë të bashkohej, shkoi që të lutej në pyllin pranë shtëpisë së tij, në rrethinat në veri të Nju-Jorkut në SHBA. Ai kishte pyetje lidhur me shpëtimin e shpirtit të tij dhe mirëbesoi se Perëndia do ta drejtonte.

Me përulësi, ne shpallim se në përgjigje ndaj lutjes së tij, Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozefit dhe përuruan ‘ripërtëritje[n e] të gjithë gjërave’ (Veprat e Apostujve 3:21) siç u paratha në Bibël. Në këtë vegim, ai mësoi se pas vdekjes së Apostujve të parë, Kisha e Krishtit e Dhiatës së Re, humbi nga toka. Jozefi do të ishte mjet vendimtar për kthimin e saj.

Ne pohojmë se, nën drejtimin e Atit dhe të Birit, lajmëtarë qiellorë erdhën për ta udhëzuar Jozefin dhe për ta rithemeluar Kishën e Jezu Krishtit. Gjon Pagëzori, i ringjallur, rivendosi autoritetin për të pagëzuar me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Tre nga dymbëdhjetë Apostujt e parë – Pjetri, Jakobi dhe Gjoni – rivendosën detyrën e Apostullit dhe çelësat e autoritetit të priftërisë. Erdhën edhe të tjerë, përfshirë Elijan, i cili rivendosi autoritetin për t’i bashkuar familjet së bashku përgjithmonë në marrëdhënie të përjetshme që e kapërcejnë vdekjen.

Ne dëshmojmë më tej se Jozef Smithit iu dha dhurata dhe fuqia e Perëndisë për të përkthyer një anal të lashtë: Librin e Mormonit – Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Faqet e këtij teksti të shenjtë përfshijnë një rrëfim të shërbesës vetjake të Jezu Krishtit mes njerëzve në Hemisferën Perëndimore pak kohë pas Ringjalljes së Tij. Ai jep mësim për qëllimin e jetës dhe shpjegon doktrinën e Krishtit, që është qendrore për atë qëllim. Si shkrim i shenjtë shoqërues për Biblën, Libri i Mormonit dëshmon që të gjitha qeniet njerëzore janë bij e bija të një Ati të dashur në Qiell, që Ai ka një plan hyjnor për jetën tonë dhe që Biri i Tij, Jezu Krishti, flet sot ashtu si në kohët e vjetra.

Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e organizuar më 6 prill 1830, është Kisha e Krishtit e Dhiatës së Re që është rivendosur. Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e Tij të pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë. Jezu Krishti edhe një herë ka thirrur Apostuj dhe u ka dhënë atyre autoritetin e priftërisë. Ai na fton që të gjithëve ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm.

Dyqind vjet kanë kaluar tani që kur kjo Rivendosje u fillua nga Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti. Miliona njerëz kudo në botë kanë përqafuar një njohuri për këto ngjarje të profetizuara.

Ne me gëzim shpallim se Rivendosja e premtuar shkon përpara nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme. Toka kurrë më nuk do të jetë e njëjta, teksa Perëndia do ‘t’i s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat’ (Efesianëve 1:10).

Me nderim dhe mirënjohje, ne si Apostujt e Tij, i ftojmë të gjithë që ta dinë – ashtu siç e dimë ne – që qiejt janë hapur. Ne pohojmë se Perëndia po e bën të njohur vullnetin e Tij për bijtë dhe bijat e Tij të dashura. Ne dëshmojmë se ata që me lutje e studiojnë mesazhin e Rivendosjes dhe veprojnë me besim, do të bekohen të fitojnë vetë dëshminë e tyre për hyjninë e saj dhe qëllimin e saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të premtuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”15

Vëllezër dhe motra të shtrenjta, ajo ishte proklamata jonë në dyqindvjetor drejtuar botës lidhur me Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij. Ajo është përkthyer në 12 gjuhë. Gjuhë të tjera do të vijojnë së shpejti. Do të jetë menjëherë në dispozicion në faqen e Kishës në internet, nga e cila mund të merrni një kopje. Studiojeni atë më vete dhe me pjesëtarët e familjes suaj dhe miqtë tuaj. Përsiatni për të vërtetat dhe mendoni për ndikimin që këto të vërteta do të kenë në jetën tuaj nëse ju i dëgjoni ato, i mbani vesh ato dhe u kushtoni vëmendje urdhërimeve dhe besëlidhjeve që i shoqërojnë ato.

E di se Jozef Smithi është profeti i parashuguruar të cilin Zoti e zgjodhi për ta hapur këtë periudhë të fundit ungjillore. Nëpërmjet tij, Kisha e Zotit u rivendos në tokë. Jozefi e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij. Sa shumë e dua dhe e nderoj atë!

Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kisha e Tij është rivendosur! Ai dhe Ati i Tij, Ati ynë Qiellor, po vëzhgojnë mbi ne. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.