2020
Ahmad S. Korbit
maj 2020


Ahmad S. Korbit

Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve

Ahmad S. Korbiti, 57 vjeç, iu lindi Xhejms Ërl Korbitit dhe Amelia Korbitit në gusht të vitit 1962. Familja ishte e varfër dhe jetonte në lagjet e programit social të strehimit të Filadelfias në Pensilvani të SHBA‑së, e rrethuar nga krimi dhe dhuna e bandave. Nuk kishte siguri të udhëtoje nga një lagje në tjetrën.

Por mbresat shpirtërore të nënës së tij i udhërrëfyen 10 fëmijët e saj dhe i mbajtën ata të sigurt. Vetvetiu ajo e dinte se kur duhej të luanin jashtë fëmijët dhe kur duhej të qëndronin brenda.

Ishte ajo ndjeshmëri shpirtërore që më vonë e bëri t’i ftonte në shtëpinë e saj misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gjatë shumicës së fëmijërisë dhe rinisë së vet, Ahmadi dhe familja e tij kishin adhuruar bashkë me lëvizjen Kombi i Islamit dhe më pas ai u pagëzua si protestant. Por tani ai ndjeu dashurinë e bashkësisë vendore të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Nëna e tij dhe disa nga vëllezërit e motrat u pagëzuan në muajin në vazhdim. Më 16 gusht 1980, në ditëlindjen tij të 18‑të, edhe Ahmadi hyri në ujërat e pagëzimit. Njerku i tij, Henri Brendford Kempbelli, u bashkua me Kishën vitin pasardhës.

“Nuk ishte merita jonë”, tha ai. “Ishte e Perëndisë dhe asaj që Ai donte që të bënim. Ishim të gatshëm që të ishim të përulur dhe të hapur. Ai na udhëhoqi përgjatë udhës.”

Pasi ndoqi Kolegjin Riks dhe shërbeu në Misionin e Porto‑Rikos në San‑Huan nga viti 1982 deri në 1984, ai u takua me Xhejn Xhoslinin në një udhëtim për në tempull me të rinj në moshë madhore beqarë. Çifti u martua më 24 gusht 1985, në Tempullin e Uashington DK‑së dhe ata janë prindër të gjashtë fëmijëve.

Për nëntë vitet që pasuan, ai punoi gjatë ditës dhe ndoqi shkollën gjatë natës, duke marrë diploma nga Kolegji Riçard Stokton në Nju‑Xhersi dhe Fakulteti Juridik i Universitetit Ratgërs.

Ai ka shërbyer si këshilltar në një presidencë kunji, si president kunji, këshilltar i lartë dhe president i Misionit Lindor të Santo‑Domingos në Republikën Domenikane.

Vëllai Korbit punoi si avokat gjyqësor, në marrëdhëniet publike dhe si drejtor i Zyrës së Nju‑Jorkut të Kishës për Çështjet Publike dhe Ndërkombëtare. Ai është aktualisht i punësuar nga Sektori i Misionarëve i Kishës.