2020
Thellë në Zemrën Tonë
maj 2020


2:3

Thellë në Zemrën Tonë

Ne do të shohim se si Zoti përpiqet të na ndihmojë – të gjithë ne – që ta futim ungjillin më thellë në zemrën tonë.

Motra dhe Vëllezër, në çfarë kohe të lavdishme po jetojmë! Ndërsa kremtojmë fillimin e Rivendosjes është gjithashtu e përshtatshme të kremtojmë Rivendosjen e vazhdueshme që po dëshmojmë. Unë gëzohem me ju që jetoj në këtë kohë.1 Zoti vazhdon të vendosë në vend, nëpërmjet profetëve të Tij, gjithçka duhet për të na ndihmuar të përgatitemi për ta pritur Atë.2

Një nga ato gjëra që nevojiten, është nisma e re Fëmijët dhe Rinia. Shumë nga ju janë njohur me theksin e këtij programi te vendosja e synimeve, emblemat e reja të përkatësisë dhe konferencat Për Forcën e Rinisë [FSY]. Por ne duhet të mos lejojmë që ato të na errësojnë pamjen e parimeve mbi të cilat është ndërtuar programi dhe të qëllimit të tyre: të ndihmojnë të futet ungjilli i Jezu Krishtit thellë në zemrën e fëmijëve dhe të rinisë sonë.3

Besoj se kur arrijmë t’i kuptojmë më qartë këto parime, do ta shohim që ky është më shumë se një program për anëtarët e moshës 8 deri 18 vjeç. Ne do të shohim se si Zoti po përpiqet të na ndihmojë – të gjithë ne – që ta futim ungjillin më thellë në zemrën tonë. Unë lutem që Fryma e Shenjtë të na ndihmojë të mësojmë së bashku.

Marrëdhëniet – “Jini me Ta”4

Parimi i parë janë marrëdhëniet. Ngaqë janë një pjesë aq e natyrshme e Kishës së Jezu Krishtit, ne e harrojmë ndonjëherë rëndësinë e marrëdhënieve në udhëtimin tonë të vazhdueshëm drejt Krishtit. Nuk pritet që ne ta gjejmë apo të ecim të vetmuar në shtegun e besëlidhjeve. Neve na nevojitet dashuria dhe përkrahja nga prindërit, pjesëtarët e tjerë të familjes, miqtë dhe udhëheqësit që po ecin gjithashtu në atë shteg.

Këto lloj marrëdhëniesh kërkojnë kohë. Kohë për të qenë bashkë. Kohë për të qeshur, mësuar dhe shërbyer së bashku. Kohë për të vlerësuar interesat dhe sfidat e njëri-tjetrit. Kohë për të qenë të hapur dhe të ndershëm me njëri-tjetrin ndërsa përpiqemi fort të bëhemi më të mirë së bashku. Këto marrëdhënie janë një nga qëllimet parësore të të mbledhurit së bashku si familje, kuorume, klasa, dhe bashkësi. Ato janë themeli për një dhënie të efektshme të shërbesës.5

Plaku Dejll G. Renland na dha një çelës për t’i zhvilluar këto marrëdhënie kur tha: “Që t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri, ne duhet t’i shohim ata … nëpërmjet syve të Atit Qiellor. Vetëm atëherë ne mund të fillojmë ta kuptojmë vlerën e vërtetë të një shpirti. Vetëm atëherë ne mund ta ndiejmë dashurinë që Ati Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij.”6

T’i shohim të tjerët sikurse i sheh Perëndia është një dhuratë. E ftoj secilin prej nesh që të kërkojë për këtë dhuratë. Kur i kemi sytë të hapur për të parë7, ne do të jemi gjithashtu në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët ta shohin veten sikurse i sheh Perëndia.8 Presidenti Henri B. Ajring e theksoi fuqinë e kësaj kur ai tha: “Ajo që do të ketë më shumë rëndësi është ajo që [të tjerët] mësojnë nga [ju] rreth asaj që ata janë vërtet dhe që ata vërtet mund të bëhen. Mendoj se këtë nuk do ta mësojnë aq shumë nga leksionet. Ata do ta marrin nga ndjesitë e asaj se çka ju jeni, cilët mendoni se janë ata dhe çfarë mendoni se ata mund të bëhen.”9 Të ndihmojmë të tjerët të kuptojnë identitetin dhe qëllimin e tyre të vërtetë është një nga dhuratat më të mëdha që mund të japim10 Të parit e të tjerëve dhe të vetes siç bën Perëndia i bën “zemrat [tona] të thurura në bashkim dhe në dashuri”11.

Me forcat laike gjithnjë në rritje që na tërheqin, neve na nevojitet fuqia që vjen nga marrëdhëniet e përzemërta. Kështu, kur planifikojmë veprimtari, mbledhje dhe grumbullime të tjera, le të kujtojmë se qëllim parësor i tyre është të ndërtohen marrëdhënie që na bashkojnë e na ndihmojnë ta futim ungjillin e Jezu Krishtit më thellë në zemrat tona.12

Zbulesa, Liria e Zgjedhjes dhe Pendimi – “Lidhini Ata me Qiellin”13

Sigurisht, nuk mjafton thjesht të jemi të lidhur së bashku. Ka shumë grupe dhe organizata që arrijnë unitet për një mori kauzash. Gjithsesi, uniteti që kërkojmë është të bëhemi një në Krisht, ta lidhim veten me Të.14 Për ta lidhur zemrën tonë me qiellin, neve na nevojiten përvoja shpirtërore vetjake, sikurse sapo na foli shumë qartë Plaku Anderson për to.15 Ato përvoja vijnë kur Fryma e Shenjtë e mbart fjalën dhe dashurinë e Perëndisë në mendjen dhe zemrën tonë.16

Kjo zbulesë na vjen nëpërmjet shkrimeve të shenjta, veçanërisht Libri i Mormonit; nëpërmjet fjalëve të frymëzuara nga profetët e gjallë dhe dishepuj të tjerë besnikë, dhe nëpërmjet zërit të qetë e të ulët.17 Këto fjalë janë më shumë se bojë mbi letër, valë zanore në veshët tanë, apo mendime në mendjen tonë, apo ndjenja në zemrën tonë. Fjala e Perëndisë është fuqi shpirtërore.18 Ajo është e vërtetë dhe dritë.19 Është mënyra se si e dëgjojmë Atë! Ajo lind dhe rrit besimin tonë në Krisht dhe ndez brenda nesh një dëshirë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari – që do të thotë të pendohesh dhe të ecësh në shtegun e besëlidhjeve.20

Prillin e kaluar Presidenti Rasëll M. Nelson na ndihmoi ta kuptojmë rolin qendror të pendimit në këtë udhëtim zbulese.21 Ai tha: “Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. … Ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!”22 Ky proces ndryshimi, i ushqyer nga fjala e Perëndisë, përbën mënyrën se si lidhemi me qiellin.

Në bazë të ftesës së Presidentit Nelson për t’u penduar është parimi i lirisë së zgjedhjes. Ne duhet ta zgjedhim pendimin vetë. Ungjilli nuk mund të futet me forcë në zemrën tonë. Sikurse tha Plaku Renland: “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë”23.

Në programet e zëvendësuara nga programi Fëmijët dhe Rinia, ishin mbi 500 kërkesa të ndryshme për tʼu plotësuar për të marrë njohje [certifikata] të ndryshme.24 Sot, në thelb është një. Është një ftesë që të zgjedhësh të bëhesh më shumë si Shpëtimtari. Ne e bëjmë këtë duke marrë fjalën e Perëndisë nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe duke lejuar Krishtin të na ndryshojë në variantin më të mirë të vetes sonë.

Kjo është shumë më tepër sesa një ushtrim për vendosje synimesh apo vetëpërmirësim. Synimet janë thjesht mjete që na ndihmojnë të lidhemi me qiellin nëpërmjet zbulesës, lirisë së zgjedhjes, dhe pendimit – për të ardhur te Krishti dhe për ta marrë ungjillin e Tij më thellë në zemrën tonë.

Përfshirje dhe Sakrificë – “Lërini të Udhëheqin”25

Së fundi, për ta futur ungjillin e Jezu Krishtit thellë në zemrën tonë, nevojitet të përfshihemi në këtë – të japim kohën e talentet tona për këtë, të sakrifikojmë për këtë.26 Ne të gjithë duam të jetojmë një jetë me kuptim dhe kjo është posaçërisht e vërtetë për brezin e ri. Ata dëshirojnë një kauzë.

Ungjilli i Jezu Krishtit është kauza më e madhërishme në botë. Presidenti Ezra Taft Benson tha: “Ne jemi urdhëruar nga Perëndia që ta çojmë këtë ungjill në gjithë botën. Ajo është kauza që duhet të na bashkojë sot. Vetëm ungjilli do ta shpëtojë botën nga fatkeqësia e vetëshkatërrimit të saj. Vetëm ungjilli do t’i bashkojë njerëzit e të gjitha racave dhe kombësive në paqe. Vetëm ungjilli do t’i sjellë gëzim, lumturi dhe shpëtim familjes njerëzore.”27

Plaku Dejvid A. Bednar premtoi: “Kur ne i fuqizojmë të rinjtë dhe të rejat duke i ftuar dhe lejuar të veprojnë, Kisha do të shkojë përpara në mënyra të mrekullueshme”28. Më shpesh nga sa mendojmë, ne nuk e kemi ftuar dhe lejuar rininë të sakrifikojë për këtë kauzë të madhe të Krishtit. Plaku Nil A. Maksuell vërejti: “Nëse rinia [jonë] është tepër pak e ngarkuar [nga puna e Perëndisë] ajo ka më shumë gjasa të jetë tepër mbingarkuar nga bota”29.

Programi Fëmijët dhe Rinia përqendrohet te fuqizimi i rinisë. Ata i zgjedhin vetë synimet e veta. Presidencat e kuorumeve dhe të klasave janë vënë në rolin e duhur të tyre. Këshilli i lagjes për rininë, pikërisht si këshilli i lagjes, përqendrohet te puna e shpëtimit dhe ekzaltimit.30 Dhe kuorumet dhe klasat i fillojnë mbledhjet e tyre duke u këshilluar rreth mënyrës se si ta bëjnë punën që Perëndia u ka dhënë.31

Presidenti Nelson i tha rinisë së Kishës: “Nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi ju … mund të jeni një pjesë e madhe e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore! … Ju jeni nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë tokë. Ju keni kapacitetin për të qenë më të zgjuar e më të mençur dhe për të pasur më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!”32 Në një rast tjetër, Presidenti Nelson u tha të rinjve e të rejave: “Unë kam besim të plotë te ju”. Unë ju dua dhe po kështu edhe Zoti. Ne jemi populli i Tij, të përfshirë së bashku në punën e Tij të shenjtë.”33 Të rinj e të reja, a mund ta ndieni mirëbesimin që Presidenti Nelson ka te ju dhe se sa të rëndësishëm jeni për këtë punë?

Prindër dhe udhëheqës në moshë madhore, unë ju ftoj ta shihni rininë sikurse Presidenti Nelson. Kur rinia e ndien dashurinë dhe mirëbesimin tuaj, kur ju i nxitni dhe i mësoni ata se si të udhëheqin – dhe mandej i lini të lirë të udhëheqin – ata do t’ju mahnitin me idetë, aftësitë dhe zotimin e tyre ndaj ungjillit.34 Ata do të ndiejnë gëzimin e zgjedhjes për t’u përfshirë dhe për të sakrifikuar për kauzën e Krishtit. Ungjilli i Tij do të shkojë më thellë në zemrën e tyre dhe puna do të përparojë në mënyra të mrekullueshme.

Premtim dhe Dëshmi

Unë premtoj se, ndërsa përqendrohemi në këto parime – marrëdhënie, zbulesë, liri e zgjedhjes, pendim, dhe sakrifikim – ungjilli i Jezu Krishtit do të futet më thellë në zemrën tonë. Ne do ta shohim Rivendosjen të shkojë përpara te qëllimi i saj më i lartë, shëlbimi i Izraelit dhe vendosja e Sionit,35 ku Krishti do të mbretërojë si Mbreti i mbretërve.

Unë dëshmoj se Perëndia vijon të bëjë gjithë gjërat e nevojshme për ta përgatitur popullin e Tij për atë ditë. E pafshim dorën e Tij në këtë punë të lavdishme ndërsa të gjithë përpiqemi të “vijmë te Krishti dhe përsos[emi] në të”36. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 45:12. Presidenti Nelson tha: “Vetëm mendoni për emocionin dhe ngutin në gjithë këtë: çdo profet, duke filluar nga Adami, e ka parë kohën tonë. Dhe çdo profet ka folur rreth kohës sonë, kur Izraeli do të mblidhej dhe bota do të përgatitej për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Mendoni për këtë! Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë, ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe. Sa emocionuese është kjo!(“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

    Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

    “Ç’kohë e mrekullueshme për të qenë gjallë.

    “Ungjilli i Jezu Krishtit është e vërteta më bindëse, më e sigurt, më e besueshme dhe më shpërblyese në tokë e në qiell, në kohë dhe në përjetësi. Asgjë – asnjë gjë, asnjë njeri, asnjë ndikim – nuk do ta pengojë këtë Kishë në përmbushjen e misionit të saj dhe në plotësimin e fatit të saj të përcaktuar që përpara krijimit të botës. … Nuk ka nevojë të ketë frikë ose druajtje për të ardhmen.

    “Ndryshe nga çdo epokë tjetër përpara nesh, kjo periudhë ungjillore nuk do të përjetojë braktisje prej Kishës si institucion; nuk do të shohë humbje të çelësave të priftërisë; nuk do të pësojë ndërprerje të zbulesës prej zërit të Perëndisë së Plotfuqishëm. … Çfarë kohe për të jetuar!

    … nëse nuk e keni vënë re, unë jam optimist për ditët e mëvonshme. … Besoni. Ngrihuni. Jini besnikë. Dhe bëni më të mirën që mundeni për kohën mbresëlënëse në të cilën jetojmë!” (Facebook post, 27 maj 2015; shih edhe “Be Not Afraid, Only Believe” (bisedë me Mësuesit Fetarë të SAK-ut, 6 shkurt 2015), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

  2. Shih Gjoni 1:12.

  3. Pak kohë pasi ishim thirrur si Presidencë e Përgjithshme e Të Rinjve, Presidenti Henri B. Ajring diskutoi me ne sfidat dhe mundësitë unike me të cilat përballet rinia e Kishës sot. Ai na këshilloi të përqendrohemi në ato gjëra të cilat do të ndihmonin që ungjilli i Jezu Krishtit të futet thellë në zemrën e tyre. Ajo këshillë ka qenë një fener për ne si Presidencë e Të Rinjve.

  4. Shih “Be with Them,” ChurchofJesusChrist.org/callings/aaronic-priesthood-quorums/my-calling/leader-instruction/be-with-them.

  5. Shih Mosia 18:25; Moroni 6:5.

  6. Dejll G. Renland, “Nëpërmjet Syve të Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 94; shih edhe Moisiu 1:4–6.

    Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Ne kemi përgjegjësinë për t’i parë individët jo siç janë, por përkundrazi, ashtu si mund të bëhen. Do t’ju lutesha që të mendoni për ta në këtë mënyrë” (“Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Liahona, nëntor 2012, f. 70).

    Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Më shpesh nga sa mendojmë, sjellja e dukshme e një personi të ri jo sipas standardeve të Kishës, ose pyetjet e tij kundërvënëse në dukje, ose dyshimet e tij të shprehura e bëjnë të etiketohet me të shpejtë. Përfundimet mund të jenë largim dhe, ndonjëherë, shkëputje prej tij. Dashurisë së vërtetë nuk i pëlqejnë etiketimet!” (“Unto the Rising Generation,” Ensign, prill 1985, f. 9).

  7. Shih 2 Mbretërve 6:17.

  8. Stephen L. Richards, si anëtar i Presidencës së Parë tha: “Lloji më i lartë i dallimit është ai që i percepton të tjerët dhe zbulon për ta tiparet e tyre më të mira, të mirën që kanë brenda tyre” (te Conference Report, prill 1950, f. 162; te David A. Bednar, “Quick to Observe,” Ensign, dhjetor 2006, f. 35; Liahona, dhjetor 2006, f. 19). Shih edhe 2 Mbretërit 6:17.

  9. Henry B. Eyring, “Teaching Is a Moral Act” (fjalim në Universitetin Brigam Jang, 27 gusht 1991), f. 3, speeches.byu.edu; theksimi i shtuar; shih edhe Henry B. Eyring, “Ndihmojini të Vënë Qëllime të Larta”, Liahona nëntor 2012, f. 60–67.

  10. Shih Moisiu 1:3-6.

  11. Mosia 18:21; shih edhe Moisiu 7:18.

  12. “Të rinj që kanë marrëdhënie të forta, pozitive me një familje aktive [shenjtorësh të ditëve të mëvonshme], shokë dhe udhëheqës, që i ndihmojnë të zhvillojnë marrëdhënie me Atin e tyre Qiellor, kanë më shumë gjasa të mbeten aktivë. Elemente të veçanta të programit – të tilla si programi mësimor i së dielës, programi i veprimtarive [të Të Rinjve], pritshmëritë vetjake të arritjeve … mund të kenë pak ndikim të pavarura nga ato marrëdhënie. … Pyetja e rëndësishme nuk është sa elemente tërësisht të veçanta të programit janë vënë në zbatim, por si ndihmojnë ato për [të ndërtuar] marrëdhënie pozitive që e forcojnë identitetin fetar [shenjtorë të ditëve të mëvonshme” të të rinjve (“Be with Them”, ChurchofJesusChrist.org/callings/aaronic-priesthood-quorums/my-calling/leader-instruction/be-with-them).

  13. Shih “Connect Them with Heaven,” ChurchofJesusChrist.org/callings/aaronic-priesthood-quorums/my-calling/leader-instruction/connect-them-with-heaven.

  14. Shih Gjoni 15:1–5; Gjoni 17:11; Filipianëve 4:13; 1 Gjoni 2:6; Jakobi [LiM] 1:7; Omni 1:26; Moroni 10:32.

  15. Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj për këtë; këtu janë vetëm dy: 1 Nefi 2:16; Enosi 1:1–4.

  16. Shih Lluka 24:32; 2 Nefi 33:1–2; Jakobi [LiM] 3:2; Moroni 8:26; Dokrina e Besëlidhje 8:2–3.

  17. Shih 2 Timoteut 3:15–16; Doktrina e Besëlidhje 68:3–4; 88:66; 113:10.

  18. Shih 1 Thesalonikasve 1:5; Alma 26:13; 31:5; Helamani 3:29; 5:17; Doktrina e Besëlidhje 21:4–6; 42:61; 43:8–10; 50:17–22; 68:4.

  19. Shih Gjoni 6:63; 17:17; Alma 5:7; Doktrina e Besëlidhje 84:43–45; 88:66; 93:36.

  20. Shih Gjoni 15:3; 1 Pjetër 1:23; Mosia 1:5; Alma 5:7, 11–13; 32:28, 41–42; 36:26; 62:45; Helamani 14:13.

  21. Shih 2 Nefi 31:19–21; 32:3, 5.

  22. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67.

  23. Dejll G. Renland, “Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104.

  24. Kjo shifër përfshin kërkesa të programeve të skautizmit, që deri së fundi ishin pjesë e programit të aktiviteteve të Kishës për djem dhe të rinj, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Në zona që nuk marrin pjesë në skautizëm, numri i kërkesave ishte mbi 200. Përveç kësaj, programet e ndryshme të veprimtarive për djem, vajza, të rinj dhe të reja ishin ndërtuar ndryshe, duke e bërë tërë përvojën më të ndërlikuar për familjet.

  25. Shih “Let Them Lead,” ChurchofJesusChrist.org/callings/aaronic-priesthood-quorums/my-calling/leader-instruction/let-them-lead.

  26. Shih Omni 1:26; 3 Nefi 9:20; 12:19; Doktrina e Besëlidhje 64:34. “Një fe që nuk kërkon sakrificën e të gjitha gjërave, nuk ka kurrë fuqi të mjaftueshme për të prodhuar besimin e mjaftueshëm për jetën e për shpëtimin” (Lectures on Faith [1985], f. 69).

  27. Ezra Taft Benson, Mësimet e Ezra Taft Benson (1988), f.167; te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2019), f. 13; shih edhe Russell M. Nelson, “Hope of Israel,” HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  28. Takim me Plakun Dejvid A. Bednar; shih edhe “2020 Temple and Family History Leadership Instruction,” 27 shkurt 2020, ChurchofJesusChrist.org/family-history.

  29. Neal A. Maxwell, “Unto the Rising Generation,” Ensign, f. 11. Plaku Maksuell vijoi: “Nga pikëpamja e funksionit që kryejnë, sa presidenca të kuorumeve të dhjakëve dhe mësuesve thjesht ftojnë dikë për të dhënë një lutje apo për ta shpërndarë sakramentin? Vëllezër, këta vërtet janë shpirtra të veçantë dhe ata mund të bëjnë gjëra me rëndësi po t’u jepet mundësia!”

  30. Shih General Handbook: Serving in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 2.2, ChurchofJesusChrist.org.

  31. Disa burime janë në dispozicion në Gospel Library [Bibliotekën e Ungjillit] për ta ndihmuar rininë të udhëheqë, përfshirë “Quorum and Class Presidency Resources”, “Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave, dhe në burimet për klasat e të rejave dhe kuorumet e Priftërisë Aarone në “Thirrjet e Lagjes apo të Degës”.

  32. Russell M. Nelson, “Hope of Israel,” HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org. Gjatë së njëjtës mbrëmje shpirtërore, Presidenti Nelson tha: “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!”

  33. Rasëll M. Nelson, fjalë të hapjes në “Fëmijët dhe Rinia: Ngjarje Ballë për Ballë me Plakun Gerit W. Gong”, 17 nëntor 2019, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  34. Presidenti Nelson tha: “Ne kemi nevojë t’i lemë të rinjtë dhe të rejat të udhëheqin, veçanërisht ata që janë thirrur dhe veçuar për të shërbyer në presidencat e klasave dhe të kuorumeve. Autoriteti i priftërisë do t’u jetë deleguar atyre. Ata do të mësojnë se si të marrin frymëzim për të udhëhequr klasat ose kuorumet e tyre” (te “Paraqitja e Materialit Filmik Hyrës për nismën Fëmijët dhe Rinia”, 29 shtator 2019, ChurchofJesusChrist.org).

    Plaku Kuentin L. Kuk tha: “Rinisë sonë po i kërkohet të ndërmarrë më shumë përgjegjësi individuale në mosha më të vogla – pa prindërit dhe udhëheqësit duke marrë përsipër atë që të rinjtë e të rejat mund ta bëjnë vetë” (“Përshtatje për të Forcuar Rininë”, Liahona, nëntor 2019, f. 41).

  35. Presidenti Xhorxh Q. Kenon, dha mësim: “Perëndia ka ruajtur për këtë periudhë ungjillore shpirtra që kanë kurajën dhe vendosmërinë për t’i bërë ballë botës dhe gjithë fuqive të të ligut, të dukshme e të padukshme, për të shpallur ungjillin e ruajtur të vërtetën dhe për të vendosur e ndërtuar Sionin e Perëndisë tonë, shpirtra të patrembur nga të gjitha pasojat. Ai i ka dërguar këta shpirtra në këtë brez për të ngritur themelin e Sionit që të mos përmbyset më kurrë, dhe për të rritur një farë që do të jetë e drejtë dhe që do ta nderojë Perëndinë, dhe do ta nderojë Atë plotësisht, dhe do të jetë e bindur ndaj Tij në të gjitha rrethanat” (“Remarks”, [Deseret News, 31 maj 1866, f. 203); shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52. (2007), 186].

  36. Moroni 10:32.