Plaku Tieri K. Mutombo
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Plaku Tieri K. Mutombo pati një dëshmi të fortë për ungjillin kur mori thirrjen për në mision kur ishte djalë i ri. I pagëzuar me familjen kur ishte 10 vjeç, ai kishte dëshmuar mënyrën e fuqishme se si ungjilli e ndryshoi familjen e tij.
Por edhe ndërsa përgatitej që të shërbente një mision në Misionin e Bregut të Fildishtë, Abixhan, ai nuk kishte dëshmi të fortë për Librin e Mormonit. Nuk e kishte lexuar kurrë më parë.
Peshkopi i frymëzuar i Tierit e sfidoi ta lexonte Librin e Mormonit çdo ditë përpara se të largohej për në mision. Ai madje i dha Tierit një çelës për shtëpinë vendore të mbledhjeve të Kishës që të mund të studionte në paqe.
Tieri lexoi çdo ditë për tre muaj. Në kohën kur hyri në fushën e misionit, jo vetëm që kishte fituar dëshmi të fortë për Librin e Mormonit, por gjithashtu kishte zhvilluar zakone studimi që e ndihmuan si misionar.
“Mjeti më i shkëlqyer që kemi për t’i sjellë njerëzit te drita e ungjillit dhe për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë, është Libri i Mormonit”, tha ai.
Tieri Kasuangi Mutombo iu lindi Antuan Kasuangi Mutombos dhe Mari Teres Matsanga Mutombos, më 31 janar 1976 në Kinshasë të Republikës Demokratike të Kongos. Ai u martua me Tshaji Natali Sindan në një ceremoni civile më 29 nëntor 2002. Ata u vulosën më vonë në Tempullin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut më 19 nëntor 2004. Ata kanë gjashtë fëmijë.
Plaku Mutombo u diplomua në vitin 2010 në Universitetin e Kepromadit me një diplomë universitare për administrim biznesi dhe në vitin 2012 me një diplomë universitare për administrim të burimeve njerëzore. Ai punoi për Kishën në Republikën Demokratike të Kongos si administrator i Sektorit të Historisë Familjare dhe Burimeve Njerëzore dhe si mbikëqyrës i Sektorit të Administrimit të Materialeve.
Në kohën e thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Mutombo po shërbente si president i Misionit të Merilendit, Baltimorë në SHBA. Më parë ai shërbeu si president kunji, këshilltar në presidencë kunji, udhëheqës i misionit të lagjes, mësues i Shkollës të së Dielës dhe sekretar ekzekutiv i kunjit.