2020
Ai Ecën përpara Nesh
maj 2020


2:3

Ai Ecën përpara Nesh

Zoti po udhëheq Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe të Kishës së Tij. Ai e njeh të ardhmen përsosurisht. Ai ju fton në punë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në ftesën e tij për të reflektuar mbi mënyrën se si na ka bekuar ne dhe njerëzit tanë të dashur Rivendosja e Kishës së Zotit prej Tij në këtë periudhë të fundit ungjillore, Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi se përvoja jonë do të ishte jo vetëm e shënuar por e paharrueshme.

Përvoja ime ka qenë e shënuar, siç jam i sigurt se ka qenë e juaja. Nëse ajo do të jetë e paharrueshme, kjo varet nga secili prej nesh. Kjo është e rëndësishme për mua sepse përvoja e përgatitjes për këtë konferencë më ka ndryshuar në një mënyrë që do të doja të zgjaste. Më lini ta shpjegoj.

Përgatitja ime më çoi tek anali i një ngjarjeje në Rivendosje. Kisha lexuar për atë ngjarje shumë herë, por për mua kishte qenë gjithmonë një raportim për një mbledhje të rëndësishme që përfshinte Jozef Smithin, profetin e Rivendosjes. Por këtë herë, në rrëfim pashë mënyrën se si na udhëheq Zoti ne, dishepujt e Tij, në Kishën e Tij. Pashë se çfarë do të thotë për ne të vdekshmit që të udhëhiqemi nga Shpëtimtari i botës, Krijuesi – i cili i di të gjitha gjërat, të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Ai na jep mësim hap pas hapi dhe na udhërrëfen, duke mos na detyruar kurrë.

Mbledhja që po përshkruaj, ishte një çast kryesor në Rivendosje. Ishte një mbledhje e ditës së Shabatit, e mbajtur më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit në Ohajo, shtatë ditë pasi ai u përkushtua. Jozef Smithi e përshkroi këtë çast të madhërishëm në historinë e botës në një mënyrë të thjeshtë. Pjesa më e madhe e rrëfimit të tij është shënuar te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 110:

“Pasdite, unë ndihmova presidentët e tjerë në shpërndarjen e Darkës së Zotit Kishës, duke e marrë atë nga të Dymbëdhjetët, privilegji i të cilëve ishte të vepronin te tavolina e shenjtë këtë ditë. Pasi ua kisha kryer këtë shërbim vëllezërve të mi, unë u tërhoqa te katedra, velat duke qenë të lëshuara, dhe unë u përkula, me Oliver Cowdery-n, në lutje solemne dhe të heshtur. Pasi u ngritëm nga lutja, vegimi që pason u hap përpara nesh.”1

“Veli u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën.

Ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës, përpara nesh; dhe nën këmbët e tij ishte një dysheme e punuar prej ari të pastër, me ngjyrë qelibari.

Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës, duke thënë:

Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin.

Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni.

Zemrat e vëllezërve tuaj duhet të gëzohen dhe zemrat e gjithë njerëzve të mi duhet të gëzohen, të cilët, me fuqinë e tyre, kanë ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim.

Sepse, vini re, unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi.

Po, unë do t’u shfaqem shërbëtorëve të mi dhe do t’u flas me zërin tim, në qoftë se populli im do t’i zbatojë urdhërimet e mia dhe nuk do ta ndotë këtë shtëpi të shenjtë.

Po, zemrat e mijërave dhe qindra mijërave do të gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen dhe e dhurimit me të cilin shërbëtorët e mi janë dhuruar në këtë shtëpi.

Dhe fama e kësaj shtëpie do të përhapet në toka të huaja; dhe ky është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim. Madje kështu. Amen.

Pasi ky vegim u mbyll, qiejt u hapën përsëri mbi ne; dhe Moisiu u shfaq përpara nesh dhe na dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës dhe të udhëheqjes së dhjetë fiseve nga toka e veriut.

Pas kësaj, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke thënë se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin.

Pasi ishte mbyllur ky vegim, një tjetër vegim i madh e i lavdishëm u derdh mbi ne; sepse Elija profeti, i cili ishte marrë në qiell pa shijuar vdekjen, qëndroi përpara nesh dhe tha:

“Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte –

Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim –

Si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert.”2

Tani, unë e kisha lexuar atë rrëfim shumë herë. Fryma e Shenjtë më kishte pohuar se rrëfimi ishte i vërtetë. Por teksa studiova dhe u përgatita për këtë konferencë, arrita ta shoh më qartë fuqinë e Zotit për t’i udhëhequr me hollësi dishepujt e Tij në punën e Tij.

Shtatë vjet përpara se Moisiu t’i dorëzonte Jozefit çelësat e mbledhjes së Izraelit në Tempullin e Kirtlandit, “Jozefi mësoi nga faqja e titullit e Librit të Mormonit se qëllimi i tij ishte për t’u ‘treguar atyre që mbetën nga shtëpia e Izraelit … që ata të mund të dinë besëlidhjet e Zotit, që ata nuk janë braktisur përgjithmonë’. Në vitin 1831, Zoti i tha Jozefit se mbledhja e Izraelit do të fillonte në Kirtland: ‘Dhe që atje [Kirtlandi], kushdo që unë dëshiroj, do të shkojë mes gjithë kombeve … sepse Izraeli do të shpëtohet e unë do t’i udhëheq ata’.”3

Ndonëse për ta mbledhur Izraelin nevojitej puna misionare, Zoti i frymëzoi udhëheqësit e Tij që t’u jepnin mësim Të Dymbëdhjetëve, të cilët u bënë disa nga misionarët tanë të hershëm: “Mbajeni mend, ju nuk do të shkoni në kombe të tjera derisa të merrni dhurimin [indaumentin] tuaj”4.

Duket sikur Tempulli i Kirtlandit ishte i rëndësishëm në planin hap pas hapi të Zotit për të paktën dy arsye: Së pari, Moisiu priti derisa tempulli të përfundonte për t’i rivendosur çelësat e mbledhjes së Izraelit. Dhe së dyti, Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se “Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një tempull [Tempullin e Kirtlandit], në të cilin ai mund të zbulonte çelësat e autoritetit dhe ku apostujt mund të merrnin dhurimin dhe të përgatiteshin për të krasitur vreshtin e tij për herë të fundit”5. Megjithëse dhurimi në tempull siç e njohim sot nuk u administrua në Tempullin e Kirtlandit, në përmbushje të profecisë, ordinancat përgatitore të tempullit filluan të paraqiteshin atje, së bashku me një derdhje të shfaqjeve shpirtërore, të cilat i armatosën ata që u thirrën në misione, me dhurimin e premtuar të “fuqi[së] nga lart”6, e cila çoi në një mbledhje të madhe nëpërmjet shërbimit misionar.

Pasi çelësat e mbledhjes së Izraelit iu dorëzuan Jozefit, Zoti e frymëzoi Profetin që t’i dërgonte në misione anëtarët e Të Dymbëdhjetëve. Ndërsa studioja, u bë e qartë për mua se Zoti e kishte përgatitur me hollësi udhën që Të Dymbëdhjetët të shkonin në misione jashtë vendit, ku ishin përgatitur njerëz që t’i besonin dhe mbështetnin ata. Me kalimin e kohës, nëpërmjet tyre do të silleshin mijëra njerëz në Kishën e rivendosur të Zotit.

Sipas analeve tona, përllogaritet se gjatë dy misioneve të Të Dymbëdhjetëve në Ishujt Britanikë u pagëzuan nga 7 500 deri në 8 000 njerëz. Kjo hodhi themelin për punën misionare në Europë. Deri në fund të shekullit të 19‑të, në Amerikë ishin mbledhur rreth 90 000 njerëz, ku pjesa më e madhe e tyre vinin nga Ishujt Britanikë dhe Gadishulli Skandinav.7 Zoti e kishte frymëzuar Jozefin dhe ata misionarë besnikë që shkuan të punonin, që të arrinin një korrje e cila duhet të jetë dukur, në atë kohë, përtej aftësisë së tyre. Por Zoti, me largpamësinë dhe përgatitjen e Tij të përsosur, e bëri atë të mundur.

Ju kujtohet gjuha në dukje e thjeshtë dhe pothuajse poetike nga seksioni 110 te Doktrina e Besëlidhje:

“Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte –

Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim –

Si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert”8.

Dëshmoj se Zoti pa larg në të ardhmen dhe e pa mënyrën se si do të na udhëhiqte Ai, për ta ndihmuar Atë që të përmbushte qëllimet e Tij në ditët e fundit.

Ndërkohë që po shërbeja në Peshkopatën Kryesuese shumë vjet më parë, unë u ngarkova të mbikëqyrja grupin e projektimit dhe të zhvillimit, i cili krijoi atë që ne e quajtëm FamilySearch. Jam i kujdesshëm të them që e “mbikëqyra” krijimin e tij, në vend që të them se e “drejtova” atë. Shumë njerëz të shkëlqyer i lanë karrierat dhe erdhën për të ndërtuar atë që donte Zoti.

Presidenca e Parë kishte vendosur një synim që të zvogëlonte dublimin e ordinancave. Shqetësimi i tyre i madh ishte se ne nuk ishim në gjendje të dinim a ishin kryer tashmë ordinancat e një personi. Për vite me radhë – ose për një kohë që m’u duk si vite të tëra – Presidenca e Parë më pyeste: “Kur do ta mbaroni?”

Me lutje, zell dhe sakrificë vetjake të njerëzve me aftësi të mëdha, detyra u krye. Erdhi hap pas hapi. Detyra e parë ishte që ta bënte të lehtë përdorimin e programit FamilySearch për ata që nuk ndiheshin rehat me kompjuterat. Erdhën ndryshime të tjera dhe unë e di se ato do të vazhdojnë të vijnë, sepse kurdoherë që vazhdojmë të zgjidhim një problem të frymëzuar, ne i hapim derën zbulesës së mëtejshme drejt përparimeve, të paktën po aq të rëndësishme, por që ende nuk shihen në horizont. Edhe sot, programi FamilySearch po bëhet ai që i nevojitet Zotit për një pjesë të Rivendosjes së Tij – dhe jo vetëm për të shmangur dublimin e ordinancave.

Zoti na lejon të bëjmë përmirësime për t’i ndihmuar njerëzit që të fitojnë një ndjenjë afërsie madje edhe dashurie për paraardhësit e tyre dhe që të përfundojnë ordinancat e tyre në tempull. Tani, ashtu sikurse Zoti e dinte me siguri se do të ndodhte, të rinjtë dhe të rejat po bëhen këshillues kompjuterash për prindërit e tyre dhe anëtarët e lagjes. Të gjithë kanë gjetur gëzim të madh në këtë shërbim.

Shpirti i Elijas po i ndryshon zemrat e të rinjve, të rejave dhe të të moshuarve, të fëmijëve dhe të prindërve, të nipërve e të mbesave dhe të gjyshërve e gjysheve. Tempujt së shpejti do të planifikojnë përsëri me lumturi mundësi për pagëzime dhe ordinanca të tjera të shenjta. Dëshira për t’u shërbyer paraardhësve tanë dhe lidhja e prindërve dhe fëmijëve po shtohen.

Zoti i pa se do të ndodhnin. Ai planifikoi për to, hap pas hapi, ashtu siç Ai ka bërë me ndryshime të tjera në Kishën e Tij. Ai ka ngritur dhe përgatitur njerëz besnikë që zgjedhin t’i bëjnë mirë gjërat e vështira. Ai gjithmonë ka duruar me dashuri që të na ndihmojë të mësojmë “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”9. Ai është i patundur për kohën e duhur dhe rendin e synimeve të Tij, megjithatë Ai na siguron se sakrifica shpesh sjell bekime të vazhdueshme që ne nuk i parashihnim.

E mbyll duke i shprehur mirënjohjen time Zotit – Ai që e frymëzoi Presidentin Nelson të më ftonte të bëja një sakrificë për t’u përgatitur për këtë konferencë. Çdo orë dhe çdo lutje gjatë përgatitjes sime solli një bekim.

I ftoj të gjithë ata që e dëgjojnë këtë mesazh ose i lexojnë këto fjalë, që të kenë besim se Zoti po e udhëheq Rivendosjen e Ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij. Ai ecën përpara nesh. Ai e njeh të ardhmen përsosurisht. Ai ju fton në punë. Ai bashkohet me ju në të. Ai ka hartuar një plan për shërbimin tuaj. Dhe madje ndërsa sakrifikoni, ju do të ndieni gëzim teksa i ndihmoni të tjerët të ngrihen që të jenë gati për ardhjen e Tij.

Ju dëshmoj se Perëndia, Ati, jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Ai ju njeh dhe ju do. Ai ju udhërrëfen. Ai e ka përgatitur udhën për ju! Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.