2020
Shkoni Përpara me Besim
maj 2020


2:3

Shkoni Përpara me Besim

Ju bekoj me paqe dhe shtim të besimit te Zoti.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërsa vijmë në fundin e kësaj konference historike, ne i shprehim mirënjohjen tonë Zotit. Muzika ka qenë madhështore dhe mesazhet frymëzuese.

Gjatë kësaj konference, kemi përjetuar shumë çaste kulmore. Në këtë përvjetor të dyqindvjetorit, kemi paraqitur një proklamatë drejtuar botës që shpall realitetin e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij.

E përkujtuam Rivendosjen me Thirrjen Hosana.

I hoqëm velin një simboli të ri që përfaqëson besimin tonë te Zoti Jezu Krisht, dhe për njohjen pamore të informacionit dhe materialeve zyrtare të Kishës.

Kemi bërë thirrje për një ditë botërore agjërimi dhe lutjeje, që pandemia e tanishme të mund të kontrollohet, që kujdestarët e shëndetit të mbrohen, ekonomia të forcohet dhe jeta të normalizohet. Ky agjërim do të zhvillohet të Premten e Mirë, më 10 prill. Ç’e premte e madhërishme do të jetë ajo!

Të dielën tjetër është e diela e Pashkës, kur do të përkujtojmë sërish Shlyerjen dhe Ringjalljen e Zotit tonë Jezu Krisht. Për shkak të Shlyerjes së Tij, dhurata e Tij e ringjalljes do t’u vijë të gjithë atyre që kanë jetuar. Dhe dhurata e Tij e jetës së përjetshme do t’u vijë të gjithë atyre që kualifikohen nga besnikëria ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve të bëra në tempujt e Tij të shenjtë.

Përbërësit e shumtë frymëzues të kësaj konference të përgjithshme të prillit 2020 – dhe java e shenjtë që fillojmë tani – mund të përmblidhen nga dy fjalë të dekretuara hyjnisht: “Dëgjoje Atë”1. Ne lutemi që nga gjithçka që ka ndodhur, përqendrimi juaj tek Ati Qiellor, i cili i tha ato fjalë, dhe te Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, të mbizotërojë më së shumti në kujtesën tuaj. Lutemi që ju do të filloni sërish t’i dëgjoni, t’i mbani vesh e t’i kushtoni vëmendje vërtet fjalëve të Shpëtimtarit.2 Ju premtoj se kjo do të pasohet nga pakësimi i frikës dhe shtimi i besimit.

Ju faleminderit për dëshirën që keni për t’i bërë shtëpitë tuaja shenjtërore të vërteta besimi, ku Shpirti i Zotit të mund të banojë. Programi ynë mësimor për studimin e ungjillit, Eja, Më Ndiq, do të vazhdojë ta bekojë jetën tuaj. Përpjekjet tuaja të qëndrueshme për këtë sipërmarrje – edhe gjatë atyre çasteve kur ndieni se nuk jeni veçanërisht të suksesshëm – do të ndryshojnë jetën tuaj, atë të familjes suaj dhe të botës. Ne do të forcohemi teksa bëhemi dishepuj edhe më trima të Zotit, duke u ngritur e duke folur për Të, kudo qofshim.

Tani le të flasim rreth tempujve. Kemi 168 tempujt të përkushtuar anembanë botës. Të tjerë janë në faza të ndryshme të planifikimit dhe ndërtimit. Kur njoftojmë planet për të ngritur një tempull të ri, ai bëhet pjesë e historisë sonë të shenjtë.

Mund të duket e çuditshme të njoftohen tempuj të rinj kur të gjithë tempujt tanë janë të mbyllur për pak kohë.

Më shumë se një shekull më parë, Presidenti Uillford Udraf i parashikoi kushte të tilla si tonat sot, sikurse shënohet në lutjen e tij përkushtuese të Tempullit të Solt-Lejkut, të bërë në vitin 1893. Disa nga ju mund të kenë parë së fundi disa pjesë të shkëputura nga kjo lutje mbresëlënëse në median shoqërore.

Dëgjojini këto lutje nga një profet i fuqishëm i Perëndisë: “Kur njerëzit e Tu të mos e kenë mundësinë për të hyrë në këtë shtëpi të shenjtë … dhe të jenë të shtypur e në telashe, të rrethuar nga vështirësitë … dhe ta kthejnë fytyrën drejt kësaj, shtëpisë Sate të shenjtë, dhe të Të kërkojnë Ty çlirim, ndihmë dhe që fuqia Jote të shpaloset në emër të tyre, ne Të përgjërohemi Ty të vështrosh poshtë nga banesa Jote e shenjtë me mëshirë … e t’i dëgjosh thirrjet e tyre për ndihmë. Ose kur fëmijët e njerëzve të Tu, në vitet që do të vijnë, të ndahen nga ky vend për çfarëdo arsye, … dhe të Të bëjnë thirrje nga thellësia e brengës dhe hidhërimit të tyre për t’u dhënë lehtësim e çlirim, ne Të lutemi përulësisht Ty që … t’i dëgjosh thirrjet e tyre për ndihmë e t’u dhurosh bekimet që do të kërkojnë.”3

Vëllezër dhe motra, gjatë kohëve të ankthit tonë kur tempujt janë mbyllur, ju mundeni ende të keni qasje te fuqia e besëlidhjeve tuaja të tempullit dhe të dhurimit tuaj teksa i nderoni besëlidhjet tuaja. Ju lutem, përdoreni këtë kohë kur tempujt janë të mbyllur që të vazhdoni të jetoni një jetë me denjësi për në tempull ose që të bëheni të denjë për në tempull.

Flisni rreth tempullit me familjen dhe miqtë tuaj. Për shkak se Jezu Krishti është në qendër të gjithçkaje që bëjmë në tempull, teksa mendoni më shumë rreth tempullit, do të jeni duke menduar më shumë rreth Tij. Studioni dhe lutuni për të mësuar më shumë rreth fuqisë dhe njohurisë që ju është dhuruar – ose që do t’ju dhurohet.

Sot kemi kënaqësinë të njoftojmë planet për të ndërtuar tetë tempuj të rinj në vendndodhjet vijuese: Baia–Blanka, Argjentinë; Tallahesi, Florida; Lubumbashi, Republika Demokratike e Kongos; Pitsburg, Pensilvani; Benin–Siti, Nigeri; Sirakjuz, Jutë; Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Shangai, Republika Popullore e Kinës.

Në të teta vendndodhjet, arkitektët e Kishës do të punojnë me drejtues vendorë në mënyrë që tempulli të jetë në harmoni me secilin komunitet dhe të jetë një shtesë e bukur në të.

Plani për një tempull në Dubai vjen në përgjigje të ftesës së tyre dashamirëse, të cilën e përshëndetim me mirënjohje.

Konteksti i planit për Shangain është shumë i rëndësishëm. Për më shumë se dy dekada, anëtarët e denjë për në tempull në Republikën Popullore të Kinës kanë frekuentuar Tempullin e Hong–Kongut në Kinë. Por në korrik 2019, ai tempull u mbyll për restaurimin planifikuar prej kohësh e shumë të nevojshëm.

Në Shangai, një shtëpi mbledhjeje e thjeshtë shumëqëllimshe do të sigurojë një mënyrë që anëtarët kinezë të vazhdojnë të marrin pjesë në ordinancat e tempullit – në Republikën Popullore të Kinës – për ta dhe paraardhësit e tyre.4

Në çdo vend, kjo Kishë u mëson anëtarëve të saj që ta nderojnë, t’i binden e ta mbështetin ligjin.5 Ne e japim mësim rëndësinë e familjes, të të qenit prindër të mirë e qytetarë shembullorë. Për shkak se i respektojmë ligjet dhe rregulloret e Republikës Popullore të Kinës, Kisha nuk dërgon misionarë predikues atje; as tani nuk do ta bëjë.

Bashkësitë e emigrantëve dhe ato kineze do të vazhdojnë të mblidhen të shkëputura nga njëra-tjetra. Statusi ligjor i Kishës atje mbetet i pandryshuar. Në një fazë fillestare të përdorimit të godinës, hyrja do të bëhet vetëm duke lënë takim. Shtëpia e Zotit në Shanghai nuk do të jetë një vend turistik për turistët nga vende të tjera.

Këta tetë tempuj të rinj do t’ua bekojnë jetën shumë njerëzve në të dyja anët e velit të vdekjes. Tempujt janë një pjesë kurorëzuese e Rivendosjes së plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit. Në mirësinë dhe bujarinë e Tij, Perëndia po i afron më shumë bekimet e tempullit me fëmijët e Tij ngado.

Teksa Rivendosja vazhdon, e di se Perëndia do të vazhdojë të zbulojë shumë gjëra të mëdha e të rëndësishme lidhur me mbretërinë e Tij këtu në tokë.6 Ajo mbretëri është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Të dashur vëllezër e motra, shpreh dashurinë time për ju. Gjatë kësaj kohe tensioni e pasigurie dhe duke i bërë thirrje autoritetit që mbaj, do të doja t’ju jepja një bekim apostolik.

Ju bekoj me paqe dhe shtim të besimit te Zoti.7

Ju bekoj me dëshirë për t’u penduar e për t’u bërë pakëz më tepër si Ai çdo ditë.8

Ju bekoj që ta dini se Profeti Jozef Smith është profeti i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në plotësinë e tij.

Nëse do të ketë sëmundje mes jush ose njerëzve tuaj të dashur, ju lë një bekim shërimi, në përputhje me vullnetin e Zotit.

Ju bekoj kështu, duke e shtuar edhe një herë shprehjen e dashurisë sime për çdonjërin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.