2020
Ejani te Krishti – Jetesa si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme
maj 2020


2:3

Ejani te Krishti – Jetesa si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme

Ne mund të bëjmë gjëra të vështira dhe mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, sepse e dimë se kujt mund t’i mirëbesojmë.

Faleminderit, Plaku Soares, për dëshminë tënde të fuqishme dhe profetike për Librin e Mormonit. Kohët e fundit, pata mundësinë e pashoqe që të mbaja në duar një faqe nga dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit. Në këtë faqe të veçantë, për herë të parë në këtë periudhë ungjillore, ishin shënuar këto fjalë të guximshme të Nefit: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”1.

Faqe e dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit

Teksa e mbaja faqen në duar, u mbusha me një vlerësim të thellë për përpjekjet e Jozef Smithit 23 vjeçar, i cili e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet “dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”2. Gjithashtu ndjeva vlerësim për fjalët e Nefit të ri në moshë, të cilit i qe kërkuar të kryente një detyrë shumë të vështirë siç qe marrja e fletëve prej tunxhi nga Labani.

Nefi e dinte që nëse vazhdonte të qëndronte i përqendruar te Zoti, ai do të ishte i suksesshëm në përmbushjen e asaj që Zoti i urdhëroi. Ai qëndroi i përqendruar te Shpëtimtari gjatë gjithë jetës së vet ndonëse vuajti tundime, sprova fizike dhe madje tradhtinë nga disa pjesëtarë të familjes së tij të ngushtë.

Nefi e dinte se kujt mund t’i mirebesonte.3 Pak pasi thirri, “O, ç’njeri i mjerë që jam! Po, zemra ime brengoset për shkak të mishit tim”4, Nefi shpalli: “Perëndia im ka qenë mbështetja ime; ai më ka nxjerrë prej vuajtjeve të mia në vendin e shkretë; dhe ai më ka ruajtur mbi ujërat e thellësisë së madhe”5.

Si ndjekës të Krishtit, neve nuk na kursehen sfidat dhe sprovat në jetën tonë. Shpesh na kërkohet të bëjmë gjëra të vështira që, nëse orvatemi t’i bëjmë vetëm, do të ishin rraskapitëse dhe ndoshta të pamundura. Teksa e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit “ejani tek unë”6, Ai do të sigurojë përkrahjen, ngushëllimin dhe paqen që janë të nevojshme, ashtu siç bëri për Nefin dhe Jozefin. Edhe në sprovat tona më të vështira, ne mund të ndiejmë përqafimin e ngrohtë të dashurisë së Tij teksa i mirëbesojmë Atij dhe e pranojmë vullnetin e Tij. Ne mund të përjetojmë gëzimin e ruajtur për dishepujt e Tij besnikë, sepse “Krishti është gëzim.”7

Në vitin 2014, ndërkohë që po shërbenim në një mision kohëplotë, familja jonë përjetoi një rrjedhë të paparashikuar ngjarjesh. Duke zbritur një kodër të thepisur mbi një dërrasë patinash me rrota, djali ynë më i vogël u rrëzua dhe pësoi një dëmtim në tru që i kërcënoi jetën. Teksa situata përkeqësohej, personeli mjekësor e futi me ngut në një operacion urgjent.

Familja jonë u gjunjëzua në dyshemenë e një dhome bosh të spitalit dhe ia hapëm zemrat tona Perëndisë. Në mes të këtij çasti pështjellues e të dhembshëm, ne u mbushëm me dashurinë dhe paqen e Atit tonë Qiellor.

Nuk e dinim se çfarë do të sillte e ardhmja ose a do ta shihnim djalin tonë sërish të gjallë. E kishim shumë të qartë se jeta e tij ishte në duart e Perëndisë dhe rrjedhojat, nga një pikëpamje e përjetshme, do të ishin për të mirën e tij dhe për të mirën tonë. Nëpërmjet dhuratës së Shpirtit, ne ishim plotësisht të përgatitur për të pranuar çfarëdo rezultati.

Nuk ishte e lehtë! Ky aksident rezultoi në një shtrim dymujor në spital ndërkohë që ne po kryesonim mbi 400 misionarë kohëplotë. Djali ynë përjetoi një humbje domethënëse të kujtesës. Shërimi i tij përfshiu sesione të gjata dhe të vështira të terapisë fizike, të të folurit dhe terapi të tjera aftësuese. Sfidat mbeten, por me kalimin e kohës ne kemi dëshmuar një mrekulli.

Ne e kuptojmë qartësisht se jo çdo sprovë me të cilën përballemi do të ketë një rezultat të dëshirueshëm. Sidoqoftë, kur qëndrojmë të përqendruar te Krishti, ne do të ndiejmë paqe dhe do të shohim mrekullitë e Perëndisë, cilatdo qofshin ato, në kohën e Tij dhe në mënyrën e Tij.

Do të ketë raste kur nuk do të jemi në gjendje të shohim asnjë mënyrë në të cilën situata e tanishme do të përfundojë mirë dhe madje mund të shprehemi ashtu si Nefi: “Zemra ime brengoset për shkak të mishit tim”8. Mund të ketë raste kur shpresa e vetme që kemi është te Jezu Krishti. Çfarë bekimi është ta kemi atë shpresë dhe mirëbesim tek Ai! Krishti është Ai që do t’i mbajë gjithmonë premtimet e Tij. Prehja e Tij është e sigurt për të gjithë ata që vijnë tek Ai.9

Udhëheqësit tanë dëshirojnë thellësisht që të gjithë ta ndiejnë paqen dhe ngushëllimin që vijnë nëpërmjet mirëbesimit te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe përqendrimit tek Ai.

Profeti ynë i gjallë, Presidenti Nelson ka qenë duke komunikuar vegimin e Zotit për botën dhe për anëtarët e Kishës së Krishtit: “Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme”10.

Kjo ftesë “ejani te Krishti” ka domethënie të veçanta për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.11 Si anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit, ne kemi bërë besëlidhje me Të dhe jemi bërë bij dhe bija shpirtërore të lindura të Tij.12 Neve na është dhënë gjithashtu mundësia të punojmë me Zotin për t’i ftuar të tjerët që të vijnë te Ai.

Kur punojmë me Krishtin, përpjekjet tona duhet të jenë të përqendruara më thellësisht brenda vetë shtëpive tona. Do të ketë raste kur pjesëtarë të familjes dhe miq të ngushtë do të përballen me sfida. Zërat e botës, dhe ndoshta vetë dëshirat e tyre, mund t’i bëjnë ata që ta vënë në dyshim të vërtetën. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar ata që të ndiejnë si dashurinë e Shpëtimtarit, ashtu dhe dashurinë tonë. Më kujtohet një varg i shkrimit të shenjtë që është bërë himni ynë i dashur “Doni Njëri-Tjetrin” i cili na mëson:“T’gjith’ do ta din’ se jeni dishepuj t’mi, prej dashuris’ njëri për tjetrin”13.

Nga dashuria jonë për ata që po e vënë në dyshim të vërtetën, armiku i të gjithë gëzimit mund të përpiqet të na bëjë të ndiejmë se i tradhtojmë ata që duam nëse ne vetë vazhdojmë ta jetojmë plotësinë e ungjillit dhe t’i japim mësim të vërtetat e tij.

Aftësia jonë për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti ose të kthehen te Krishti do të përcaktohet kryesisht nga shembulli që japim nëpërmjet zotimit tonë vetjak për të qëndruar në shtegun e besëlidhjes.

Nëse dëshira jonë e vërtetë është që t’i shpëtojmë njerëzit që duam, ne vetë duhet të qëndrojmë të palëkundur me Krishtin duke e përqafuar Kishën e Tij dhe plotësinë e ungjillit të Tij.

Duke u kthyer te historia e Nefit, ne e dimë se prirja e Nefit për t’i mirëbesuar Zotit u ndikua nga tendenca e prindërve të tij për t’i mirëbesuar Zotit dhe nga shembulli i tyre për mbajtjen e besëlidhjeve. Kjo ilustrohet shumë bukur në vegimin e Lehit të pemës së jetës. Pasi e hëngri frutën e ëmbël dhe të gëzueshëm të pemës, Lehi “hodh[i] sytë rreth e qark se ndoshta mund të zbulo[nte] gjithashtu familjen [e tij]”14. Ai pa Sarian, Samin dhe Nefin duke qëndruar “sikur nuk dinin nga duhej të shkonin”15. Lehi më pas shpalli: “U bëra shenjë të afroheshin; dhe u thashë me një zë të lartë, se ata duhej të vinin tek unë dhe të hanin frutin që ishte më i dëshirueshëm mbi çdo frut tjetër.”16 Ju lutem, vini re se Lehi nuk u largua nga pema e jetës. Ai qëndroi shpirtërisht me Zotin dhe e ftoi familjen e tij që të vinte aty ku ishte ai për të ngrënë frutën.

Kundërshtari do t’i joshë disa që të largohen nga gëzimi i ungjillit duke i ndarë mësimet e Krishtit nga Kisha e Tij. Kundërshtari do të donte që ne të besonim se mund të qëndrojmë vetë të palëkundur në shtegun e besëlidhjes, nëpërmjet vetë natyrës sonë shpirtërore, të pavarur nga Kisha e Krishtit.

Në këto ditë të mëvonshme, Kisha e Krishtit u rivendos me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët besëlidhës të Krishtit që të qëndrojnë në shtegun e Tij të besëlidhjeve.

Te Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë: “Vër re, kjo është doktrina ime – kushdo që pendohet dhe vjen tek unë, ai është kisha ime.”17

Nëpërmjet Kishës së Krishtit, ne forcohemi gjatë përvojave tona si një komunitet shenjtorësh. E dëgjojmë zërin e tij nëpërmjet profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij. Më e rëndësishmja, nëpërmjet Kishës së Tij neve na sigurohen të gjitha bekimet thelbësore të Shlyerjes së Krishtit, të cilat mund të përmbushen vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes në ordinancat e shenjta.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e Krishtit në tokë, e rivendosur në këto ditë të mëvonshme për dobinë e të gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Jap dëshmi që teksa vijmë te Krishti dhe jetojmë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne do të bekohemi me një shkallë më të madhe të dashurisë së Tij, të gëzimit të Tij dhe të paqes së Tij. Ashtu si Nefi, ne mund të bëjmë gjëra të vështira dhe mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, sepse e dimë se kujt mund t’i mirëbesojmë.18 Krishti është drita jonë, jeta jonë dhe shpëtimi ynë.19 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.