2020
Ejani dhe Kini Përkatësi
maj 2020


2:3

Ejani dhe Kini Përkatësi

Ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në mbarë botën, që të bashkohen me ne në këtë punë të madhërishme.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, çdo javë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në mbarë globin e adhurojnë Atin tonë të dashur Qiellor, Perëndinë dhe Mbretin e universit, dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin. Ne e përsiatim jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit – të vetmin shpirt të pamëkatë që ka jetuar ndonjëherë, Qengjin e panjollë të Perëndisë. Sa më shpesh të mundemi, ne e marrim sakramentin në kujtim të flijimit të Tij dhe e pranojmë që Ai është qendra në jetën tonë.

Ne e duam Atë dhe e nderojmë Atë. Për shkak të dashurisë së Tij të thellë dhe të përjetshme, Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për ju dhe për mua. Ai i shembi portat e vdekjes, i rrëzoi pengesat që i ndanin miqtë dhe njerëzit e tyre të dashur1, dhe u solli shpresë të pashpresëve, shërim të sëmurëve dhe çlirim robërve2.

Atij ia kushtojmë zemrën tonë, jetën tonë dhe devotshmërinë tonë të përditshme. Për këtë arsye, “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin [dhe] ne predikojmë për Krishtin, … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”3.

Të Ushtruarit e Dishepullimit

Sidoqoftë, të qenit një dishepull i Jezu Krishtit përfshin shumë më tepër gjëra sesa të flasësh dhe të predikosh për Krishtin. Vetë Shpëtimtari e rivendosi Kishën e Tij që të na ndihmojë përgjatë shtegut për t’u bërë më shumë si Ai. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e strukturuar që të japë mundësi për të ushtruar bazat e dishepullimit. Nëpërmjet pjesëmarrjes sonë në Kishë, ne mësojmë që t’i dallojmë nxitjet nga Shpirti i Shenjtë dhe të veprojmë sipas tyre. Ne e zhvillojmë prirjen për t’u shkuar në ndihmë të tjerëve me dhembshuri dhe mirësi.

Kjo është një përpjekje që zgjat gjithë jetën dhe kërkon ushtrim.

Sportistët e arrirë shpenzojnë orë pafund duke i ushtruar bazat e sporteve të tyre. Infermierët, punonjësit e rrjeteve kompjuterike, inxhinierët bërthamorë e madje dhe unë si kuzhinier amator me shpirt konkurrence, në kuzhinën e Herrietës, bëhemi të aftë dhe të zotë vetëm kur e ushtrojmë me zell zanatin tonë.

Si kapiten i linjave ajrore, shpesh kam trajnuar pilotë duke përdorur një simulant fluturimi – një makineri të sofistikuar që imiton përvojën e fluturimit. Simulanti jo vetëm që i ndihmon pilotët të mësojnë bazat e fluturimit; ai i lejon gjithashtu që ata të përjetojnë dhe të reagojnë gjatë ndodhive të paparashikuara që mund të hasin kur marrin komandën e avionit të vërtetë.

Të njëjtat parime gjejnë zbatim edhe për dishepujt e Jezu Krishtit.

Pjesëmarrja aktive në Kishën e Jezu Krishtit dhe shumëllojshmëria e madhe e mundësive të saj, do të na ndihmojnë që të jemi të përgatitur më mirë për rrethanat e ndryshueshme të jetës, cilatdo qofshin ato dhe sado të rënda qofshin. Si anëtarë të Kishës, na nxitin që të thellohemi te fjalët e Perëndisë të thëna nëpërmjet profetëve të Tij, të lashtë dhe të kohës. Nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe të përulur ndaj Atit tonë Qiellor, ne mësojmë ta dallojmë zërin e Shpirtit të Shenjtë. Ne pranojmë thirrje që të shërbejmë, të japim mësim, të planifikojmë, të japim shërbesë dhe të administrojmë. Këto mundësi na lejojnë të rritemi në shpirt, mendje dhe në karakter.

Ato do të na ndihmojnë të përgatitemi që t’i bëjmë dhe t’i mbajmë besëlidhjet e shenjta që do të na bekojnë në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë.

Ejani, Bashkohuni me Ne!

Ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në mbarë botën, që të bashkohen me ne në këtë punë të madhërishme. Ejani e shihni! Edhe gjatë kësaj kohe sfiduese nga virusi COVID‑19, takohuni me ne nëpërmjet internetit. Takohuni me misionarët tanë nëpërmjet internetit. Zbulojeni vetë se cili është qëllimi i kësaj Kishe! Kur kjo kohë e vështirë të ketë kaluar, takohuni me ne në shtëpitë tona dhe në vendet tona të adhurimit!

Ne ju ftojmë që të vini dhe të ndihmoni! Ejani dhe shërbeni me ne, duke u dhënë shërbesë fëmijëve të Perëndisë, duke ndjekur gjurmët e Shpëtimtarit dhe duke e bërë këtë botë një vend më të mirë.

Ejani dhe kini përkatësi! Ju do të na bëni më të fortë. Dhe ju do të bëheni më të mirë, më të sjellshëm dhe më të lumtur gjithashtu. Besimi juaj do të thellohet dhe do të bëhet më i qëndrueshëm – më i aftë për t’u bërë ballë turbullirave dhe sprovave të paparashikuara të jetës.

Dhe si t’ia nisim? Ka shumë mënyra të mundshme.

Ne ju ftojmë që ta lexoni Librin e Mormonit. Nëse nuk keni një kopje, mund ta lexoni te faqja ChurchofJesusChrist.org4 ose të shkarkoni programin kompjuterik për Librin e Mormonit. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe një shoqërues i Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Ne i kemi për zemër të gjitha këto shkrime të shenjta dhe mësojmë prej tyre.

Ne ju ftojmë që të kaloni ca kohë te faqja EjaniTeKrishti.org për të zbuluar se çfarë japin mësim dhe besojnë anëtarët e Kishës.

Ftojini misionarët që të bisedojnë me ju në internet ose në privatësinë e shtëpisë suaj, aty ku është e mundur – ata kanë një mesazh shprese dhe shërimi. Këta misionarë janë bijtë dhe bijat tona të çmuara, të cilët shërbejnë në shumë vende në mbarë botën nga koha dhe paratë e vetë atyre.

Në Kishën e Jezu Krishtit, do të gjeni një familje me njerëz që nuk janë dhe aq të ndryshëm nga ju. Do të gjeni njerëz të cilët kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe që duan t’ju ndihmojnë teksa përpiqeni fort të bëheni varianti më i mirë i vetes suaj – personi që Perëndia ju krijoi të bëheni.

Përqafimi i Shpëtimtarit i Mbledh të Gjithë

Mund të jeni duke menduar: “Kam bërë shumë gabime në jetën time. Nuk jam i/e sigurt a mund të ndihem ndonjëherë sikur i përkas Kishës së Jezu Krishtit. Perëndisë nuk mund t’i interesojë dikush si unë.”

Jezu Krishti, edhe pse Ai është “Mbreti i mbretërve”5, Mesia, “Biri i Perëndisë të gjallë”6, përkujdeset thellësisht për secilin dhe çdonjërin prej fëmijëve të Perëndisë. Ai përkujdeset, pavarësisht nga rrethanat e një personi – se sa i varfër apo i pasur, se sa i papërsosur apo i sprovuar është dikush. Gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari u dha shërbesë të gjithëve: të lumturve dhe të suksesshmëve, zemërthyerve dhe të humburve dhe atyre pa shpresë. Shpesh, njerëzit që Ai u shërbeu dhe u dha shërbesë nuk ishin individë me famë, me pamje të bukur apo me mirëqenie. Shpesh, njerëzit që Ai i ngriti moralisht nuk kishin çfarë të jepnin në këmbim përveç mirënjohjes, një zemre të përulur dhe dëshirës për të pasur besim.

Nëse Jezusi e kaloi jetën e tij në vdekshmëri duke u dhënë shërbesë “këtyre … më të vegjël[ve]” [njerëzve më të pavlerësuar]7, a nuk do t’i dojë Ai ata edhe sot? A nuk ka në Kishën e Tij një vend për të gjithë fëmijët e Perëndisë? Edhe për ata që ndihen të padenjë, të harruar apo të vetmuar?

Nuk ka asnjë nivel përsosurie që ju duhet ta arrini, me qëllim që të kualifikoheni për hirin e Perëndisë. Lutjet tuaja nuk kanë përse të thuhen me zë të lartë apo me fjalë të bukura ose gramatikisht të sakta me qëllim që të arrijnë qiellin.

Në të vërtetë, Perëndia nuk mban anësi8 – gjërat që bota i vlerëson, nuk kanë fare rëndësi për Të. Ai jua njeh zemrën dhe Ai ju do pavarësisht nga titulli juaj, nga vlera e pasurive financiare apo numri i ndjekësve në instagram.

Teksa e drejtojmë zemrën tek Ati ynë Qiellor dhe i afrohemi më shumë Atij, ne do ta ndiejmë Atë të na afrohet9.

Ne jemi fëmijët e Tij të dashur.

Madje edhe ata që nuk e pranojnë Atë.

Madje edhe ata që, si një fëmijë kokëfortë e i pabindur, zemërohen me Perëndinë dhe Kishën e Tij, mbledhin plaçkat dhe dalin furishëm nga dera duke thënë se po ikin dhe nuk do të kthehen më kurrë.

Kur një fëmijë ia mbath nga shtëpia, ai ose ajo mund të mos i vërë re prindërit e shqetësuar që vështrojnë nga dritarja. Me zemër të brishtë ata e shohin birin apo bijën e tyre të largohet – duke shpresuar që fëmija i tyre i çmuar do të mësojë diçka nga kjo përvojë që të këput shpirtin, dhe ndoshta do ta shohë jetën me sy tjetër – dhe si përfundim të kthehet në shtëpi.

Kështu është edhe me Atin tonë të dashur Qiellor. Ai po e pret kthimin tonë.

Shpëtimtari juaj, me lot dashurie dhe dhembshurie në sytë e Tij, e pret kthimin tuaj. Edhe kur ndiheni shumë larg Perëndisë, Ai do t’ju shohë; Ai do të ketë dhembshuri për ju dhe do të vrapojë që t’ju përqafojë10.

Ejani dhe kini përkatësi.

Perëndia na Lejon që të Mësojmë nga Gabimet Tona

Ne jemi udhëtarë që e përshkojmë udhën e vdekshmërisë në kërkimin e madh për kuptimin dhe të vërtetën përfundimtare. Shpesh, gjithçka që shohim është shtegu drejt, që kemi përpara – ne nuk mund të shohim se ku do të na shpien kthesat e rrugës. Ati ynë i dashur Qiellor nuk na ka dhënë çdo përgjigje. Ai pret nga ne që t’i zbulojmë vetë shumë gjëra. Ai pret nga ne që të besojmë – edhe kur është e vështirë që ta bëjmë këtë.

Ai pret nga ne që t’i mbajmë shpatullat drejt dhe të zhvillojmë pakëz vendosmëri – pakëz shtyllë kurrizore – dhe të hedhim më tej hapin tjetër.

Kjo është mënyra se si mësojmë dhe rritemi.

A do të donit vërtet që gjithçka të specifikohej deri në hollësi? A do të donit vërtet që të kishte përgjigje për çdo pyetje? Ta kishit të shënuar në hartë çdo vendmbërritje?

Besoj që shumica prej nesh do të lodheshin shumë shpejt nga ky lloj administrimi qiellor deri në hollësitë më të imta. Ne i marrim mësimet e rëndësishme të jetës nëpërmjet përvojës. Nëpërmjet mësimit nga gabimet tona. Nëpërmjet pendimit dhe kur e kuptojmë vetë se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”11.

Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, vdiq që gabimet tona të mund të mos na dënojnë dhe të na e ndalojnë përgjithmonë përparimin. Për shkak të Tij, ne mund të pendohemi dhe gabimet tona mund të bëhen gurë kalimi drejt lavdisë më të madhe.

Nuk keni përse ta përshkoni të vetëm këtë udhë. Ati ynë Qiellor nuk na ka lënë të endemi në errësirë.

Kjo është arsyeja pse, në pranverën e vitit 1820, Ai iu shfaq me Birin e Tij, Jezu Krishtin, një të riu, Jozef Smithit.

Mendoni rreth kësaj për një çast! Perëndia i universit iu shfaq një njeriu!

Ky ishte i pari nga takimet e shumta që Jozefi pati me Perëndinë dhe me qenie të tjera qiellore. Shumë nga fjalët që këto qenie hyjnore i thanë atij, janë shënuar te shkrimet e shenjta të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ato mund t’i gjeni lehtësisht. Çdokush mund t’i lexojë ato dhe ta mësojë vetë mesazhin që Perëndia ka për ne në kohën tonë.

Ne ju ftojmë që t’i studioni vetë ato.

Jozef Smithi ishte fare i ri kur i mori këto zbulesa. Shumica e zbulesave i erdhi përpara moshës 30‑vjeçare12. Atij i mungonte përvoja dhe disa njerëzve ai kishte gjasë t’u dukej i pakualifikuar për të qenë profeti i Zotit.

Dhe megjithatë, Zoti e thirri gjithsesi – duke ndjekur një model që e gjejmë gjatë gjithë shkrimeve të shenjta.

Perëndia nuk priti derisa të gjente një njeri të përkryer për ta rivendosur ungjillin e Tij.

Nëse Ai do ta bënte, do të ishte ende duke pritur.

Jozefi ishte shumë i ngjashëm me ju dhe mua. Ndonëse Jozefi bëri gabime, Perëndia e përdori për të përmbushur qëllimet e Tij të madhërishme.

Presidenti Tomas S. Monson i përsëriti shpesh këto fjalë këshille: “Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon”13.

Apostulli Pal u dha këtë arsye shenjtorëve në Korint: “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër [dhe motra], sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë”14.

Perëndia e përdor njeriun e pafuqishëm dhe të thjeshtë për të përmbushur qëllimet e Tij. Kjo e vërtetë mbetet si dëshmi, se është fuqia e Perëndisë, jo e njeriut, që e përmbush veprën e Tij mbi tokë15.

Dëgjojeni Atë, Ndiqeni Atë

Kur Perëndia iu shfaq Jozef Smithit, Ai e paraqiti Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe tha: “Dëgjoje Atë”16.

Jozefi e kaloi pjesën e mbetur të jetës duke e dëgjuar Atë dhe duke e ndjekur Atë.

Ashtu si me Jozefin, dishepullimi ynë fillon me vendimin tonë për ta dëgjuar dhe për ta ndjekur Shpëtimtarin Jezu Krisht.

Nëse dëshironi ta ndiqni Atë, mblidheni besimin dhe merrni mbi veten tuaj kryqin e Tij.

Ju do të zbuloni se vërtet keni përkatësi në Kishën e Tij – një vend përzemërsie dhe mikpritjeje ku mund të mblidheni në kërkimin e madh të dishepullimit dhe lumturisë.

Është shpresa ime se, në këtë vit të dyqindtë të Vegimit të Parë, teksa meditojmë dhe mësojmë për Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit, ne do të kuptojmë se kjo nuk është vetëm një ngjarje historike. Ju dhe unë luajmë një pjesë thelbësore në këtë histori të madhërishme e të vazhdueshme.

Atëherë, cila është pjesa juaj dhe e imja?

Ajo është të mësojmë për Jezu Krishtin. T’i studiojmë fjalët e Tij. Ta dëgjojmë Atë dhe ta ndjekim Atë duke marrë pjesë aktivisht në këtë vepër të madhe. Unë ju ftoj që të vini dhe të kini përkatësi!

Nuk keni përse të jeni të përsosur. Ju mjafton të keni vetëm një dëshirë për ta zhvilluar besimin tuaj dhe për t’iu afruar më shumë Atij çdo ditë.

Pjesa jonë është ta duam Perëndinë e t’i shërbejmë Atij dhe t’i duam fëmijët e Perëndisë e t’u shërbejmë atyre.

Teksa bëni kështu, Perëndia do t’ju mbështjellë me dashurinë, gëzimin dhe udhërrëfimin e Tij të sigurt gjatë kësaj jete, madje edhe në rrethanat më të vështira dhe më gjerë madje.

Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim me mirënjohje dhe dashuri të thellë për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Mësuesit tonë – në emrin e Jezu Krishtit, amen.