2020
Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë
maj 2020


2:3

Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë

Mesazhi qendror i Librit të Mormonit është të rivendosë njohurinë e vërtetë mbi rolin thelbësor të Jezu Krishtit për shpëtimin dhe ekzaltimin e njerëzimit.

Në një ditë pranvere me diell në vitin 2017, shtëpia e hapur për Tempullin e Parisit në Francë kishte kohë që ishte në dispozicion kur njërit prej udhërrëfyesve të vizitorëve iu afrua një burrë me një pamje të trishtuar në fytyrë. Ai tha se banonte ngjitur me tempullin dhe e pranoi se kishte qenë një kundërshtues aktiv për ndërtimin e tij. Ai tregoi se një ditë, ndërsa po kundronte nga dritarja e banesës së tij, pa një vinç të madh që po e ulte një statujë të Jezusit nga qielli dhe e vendosi atë ngadalë në territorin e tempullit. Burri deklaroi se kjo përvojë ia ndryshoi tërësisht ndjenjat kundrejt Kishës. Ai e kuptoi se ishim ndjekës të Jezu Krishtit dhe na kërkoi shumë ndjesë për dëmin që mund të kishte shkaktuar më parë.

Statuja duke u vendosur në Tempullin e Parisit në Francë

Statuja Christus, e cila i jep hijeshi territoreve të Tempullit të Parisit dhe pronave të tjera të Kishës, dëshmon rreth dashurisë sonë për Shpëtimtarin. Statuja origjinale, e mermertë është vepra e artistit danez Bertel Thorvaldsen, i cili e gdhendi në vitin 1820 – në të njëjtin vit me Vegimin e Parë. Statuja mbetet në kontrast të plotë me shumicën e punimeve artistike të asaj periudhe, të cilat portretizojnë kryesisht Krishtin që po vuan në kryq. Vepra e Thorvaldsenit paraqet Krishtin e gjallë, i cili korri fitore mbi vdekjen dhe krahëhapur i fton të gjithë që të vijnë tek Ai. Vetëm gjurmët e gozhdëve në duart e këmbët e Tij dhe plaga në ijën e Tij dëshmojnë për agoninë e papërshkrueshme që duroi Ai për të shpëtuar gjithë njerëzimin.

Dora e Shpëtimtarit siç paraqitet te statuja Christus

Ndoshta një arsye pse neve si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na pëlqen shumë kjo statujë, është se na kujton përshkrimin që jepet në Librin e Mormonit për shfaqjen e Shpëtimtarit në kontinentin amerikan:

Jezu Krishti viziton kontinentin amerikan

“Dhe vini re, panë një Njeri duke zbritur nga qielli; dhe ishte veshur me një rrobë të bardhë; dhe zbriti poshtë dhe qëndroi mes tyre; …

Dhe ndodhi që ai e shtriu dorën e tij dhe i foli popullit, duke thënë:

Vini re, unë jam Jezu Krishti, …

… unë kam pirë nga ajo kupë e hidhur që Ati më dha dhe kam lartësuar Atin, duke marrë përsipër mëkatet e botës.”1

Pastaj ai e ftoi secilin burrë, grua e fëmijë që të afrohej dhe të vinte duart në ijën e Tij, dhe të ndiente gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij, duke marrë kështu një dëshmi vetjake se Ai ishte njëmend Mesia i shumëpritur2.

Kjo ngjarje sublime është pika kulmore në Librin e Mormonit. I gjithë “lajmi i mirë” i ungjillit përmbahet në këtë imazh të Shpëtimtarit, që i zgjat përzemërsisht “krahët e [Tij të] mëshirës”3 për ta ftuar çdo individ që të vijë tek Ai dhe të marrë bekimet e Shlyerjes së Tij.

Mesazhi qendror i Librit të Mormonit është të rivendosë njohurinë e vërtetë mbi rolin thelbësor të Jezu Krishtit për shpëtimin dhe ekzaltimin e njerëzimit. Kjo temë pasqyrohet që nga parathënia e deri te fjalët e fundit të kapitullit të fundit. Gjatë shekujve të braktisjes dhe pështjellimit shpirtëror, kuptimi më i thellë mbi atë që Krishti bëri në Gjetseman dhe në Golgotë, humbi ose pësoi zvetënim. Sa i emocionuar duhet të jetë ndier Jozef Smithi kur, ndërkohë që po përkthente librin 1 Nefi, zbuloi këtë premtim të mrekullueshëm: “Këto anale të fundit [Libri i Mormonit] … do të vendosin të vërtetën e të parit [Biblës] … dhe ato do të bëjnë të ditur gjërat e qarta dhe të çmueshme që janë hequr prej tyre; dhe do t’u bëjnë të njohur të gjitha racave, gjuhëve dhe njerëzve, se Qengji i Perëndisë është Biri i Atit të Amshuar dhe Shpëtimtari i botës; dhe se të gjithë njerëzit duhet të vijnë tek ai ose ata nuk mund të shpëtohen”4.

Të vërteta të qarta dhe të çmueshme rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit jehojnë gjatë gjithë Librit të Mormonit. Ndërsa i rendit disa nga këto të vërteta, unë ju ftoj që të reflektoni mbi mënyrën se si ato e kanë ndryshuar ose mund ta ndryshojnë jetën tuaj.

  1. Shlyerja e Jezu Krishtit është një dhuratë që u jepet lirisht të gjithë njerëzvekanë jetuar, që jetojnë aktualisht dhe që do të jetojnë në tokë5.

  2. Përveçse mbajti barrët e mëkateve tona, Krishti mori mbi Vete brengat, dobësitë, vuajtjet e sëmundjet dhe të gjitha hidhërimet tona, që janë të pandara nga gjendja tokësore e njeriut. Nuk ka vuajtje, dhembje apo trishtim që Ai nuk e kaloi për ne6.

  3. Flijimi shlyes i Shpëtimtarit na lejon t’i mposhtim pasojat negative të Rënies së Adamit, përfshirë vdekjen fizike. Për shkak të Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë të lindur mbi këtë tokë, pavarësisht drejtësisë së tyre, do të përjetojnë ribashkimin e shpirtrave dhe trupave të tyre, nëpërmjet fuqisë së Ringjalljes7 dhe do të kthehen tek Ai për t’u “gjyk[uar] … sipas veprave të [tyre]”8.

  4. Ndryshe nga kjo, marrja e bekimeve të plota të Shlyerjes së Shpëtimtarit është e kushtëzuar nga zelli ynë9 për ta jetuar “doktrin[ën] e Krishtit”10. Në ëndrrën e tij, Lehi pa “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar”11 që të çon drejt pemës së jetës. Fruti i saj, i cili përfaqëson dashurinë e Perëndisë siç shprehet nëpërmjet bekimeve të mrekullueshme të Shlyerjes së Krishtit, “është më i çmuesh[mi] dhe më i dëshiruesh[mi] … [dhe] më i madhi nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”12. Me qëllim që ta marrim këtë frutë, ne duhet të ushtrojmë besim në Jezu Krisht, të pendohemi, “ta dëgjo[jmë] fjalën e Perëndisë”13, të marrim ordinancat thelbësore dhe t’i mbajmë besëlidhjet e shenjta deri në fund të jetës sonë14.

  5. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm që na i pastron mëkatet, por Ai na siguron edhe fuqinë aftësuese nëpërmjet së cilës dishepujt e Tij mund të “zhvesh[in] njeriun e natyrshëm”15, të përparojnë “rresht pas rreshti”16 dhe të rriten në shenjtëri17, që një ditë ata të mund të bëhen qenie të përkryera sipas imazhit të Krishtit18, të kualifikuar për të jetuar sërish me Perëndinë19 dhe të trashëgojnë të gjitha bekimet e mbretërisë së qiellit20.

Një e vërtetë tjetër ngushëlluese që përmbahet në Librin e Mormonit, është që, ndonëse e pafundme dhe universale në shtrirjen e saj, Shlyerja e Zotit është një dhuratë jashtëzakonisht vetjake dhe e brendshme, e përshtatur për secilin prej nesh individualisht21. Ashtu sikurse Jezusi e ftoi secilin dishepull nefit që t’ia prekte plagët e Tij, ashtu Ai vdiq për secilin prej nesh, personalisht, sikur ju dhe unë të ishim njerëzit e vetëm mbi tokë. Ai na bën një ftesë vetjake që të vijmë tek Ai dhe t’i vëmë në përdorim të gjitha bekimet e mrekullueshme të Shlyerjes së Tij22.

Natyra vetjake e Shlyerjes së Krishtit bëhet edhe më reale ndërsa i mbajmë parasysh shembujt mbresëlënës të burrave e grave në Librin e Mormonit. Ndër ta janë Enosi, Alma, Zizromi, Mbreti Lamon e bashkëshortja e tij dhe populli i Mbretit Beniamin. Historitë e tyre për kthimin në besim dhe dëshmitë e tyre të fuqishme japin një dëshmi të gjallë për mënyrën se si zemra jonë mund të ndryshohet dhe jeta jonë të tjetërsohet nëpërmjet mirësisë dhe mëshirës së pafundme të Zotit23.

Porfeti Alma i bëri popullit të tij këtë pyetje reflektuese. Ai tha: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”24 Kjo pyetje është jetike sot, sepse si dishepuj të Zotit, ne kemi nevojë që fuqia e Tij shëlbuese të na shoqërojë, të na japë shtysë dhe të na ndryshojë ditë pas dite.

Pyetja e Almës mund të riformulohet edhe kështu: Kur e keni ndier për herë të fundit ndikimin e ëmbël të Shylerjes së Shpëtimtarit në jetën tuaj? Kjo ndodh kur ju ndieni një gëzim “të mrekullesh[ëm] dhe … të ëmbël”25 që ju pushton, i cili i jep dëshmi shpirtit tuaj se mëkatet tuaja janë falur; ose kur sprovat e rënda papritur bëhen më të lehta për t’u duruar; ose kur ju zbutet zemra dhe jeni në gjendje t’i jepni falje dikujt që ju ka lënduar. Ose mund të ndodhë sa herë që vëreni se aftësia juaj për t’i dashur e për tʼu shërbyer të tjerëve është rritur ose që procesi i shenjtërimit po ju bën tjetër njeri, të modeluar sipas shembullit të Shpëtimtarit26.

Jap dëshmi se të gjitha këto përvoja janë të vërteta dhe janë prova që jeta mund të ndryshohet nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij. Libri i Mormonit e qartëson dhe e zgjeron njohurinë tonë për këtë dhuratë hyjnore. Ndërsa e studioni këtë libër, do ta dëgjoni zërin e Krishtit të gjallë që ju fton të vini tek Ai. Ju premtoj se, nëse e pranoni këtë ftesë dhe e modeloni jetën tuaj sipas shembullit të Tij, ndikimi i Tij shëlbues do të vijë në jetën tuaj. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, Shpëtimtari do t’ju shndërrojë ditë pas dite “derisa dita është e plotë”27 kur ju, siç Ai shpalli, “ta sh[ihni] fytyrën time dhe do të di[ni] se unë jam”28. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.