2020
Plaku Methju S. Holland
maj 2020


Plaku Methju S. Holland

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Methju S. Holland nuk është i panjohur për Autoritetet e Përgjithshme ose për konferencat e përgjithshme.

Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme e njohin atë si birin e Plakut Xhefri R. Holland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Të tjerë mund ta mbajnë mend si 17‑vjeçari që po fliste gjatë sesionit të priftërisë së konferencës së përgjithshme të prillit 1983.

“Ka qenë një bekim i mrekullueshëm, gjatë gjithë jetës sime, që të shoh se si kanë jetuar mami dhe babi im, gjërat ndaj të cilave janë zotuar dhe gjërat që u janë kërkuar të bëjnë”, tha Plaku Holland, i cili aktualisht kryeson mbi Misionin e Karolinës së Veriut, Ralei.

“Prapëseprapë, për shkak të këtyre vëzhgimeve të drejtpërdrejta, ne dimë shumë për këtë thirrje që të mendojmë se jemi të pajisur siç duhet për të”, shtoi ai. “Për fat të mirë, gjithashtu kemi mësuar se Zoti i kualifikon ata që Ai i thërret dhe ne po marrim shumë besim e ngushëllim nga kjo gjë.”

Plaku Holland mban mend se të folurit në konferencën e përgjithshme ishte i frikshëm. Përgatitja e një mesazhi i cili më së fundi erdhi “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30), u bë “një bekim i hershëm e që i dha siguri për të ditur se kur i pranon caktimet nga Zoti, Ai do të të ndihmojë dhe do të të japë mendime e mbresa për gjëra që nevojitet të thuhen”.

Methju Skot Hollandi lindi më 7 qershor 1966 në Provo të Jutës në SHBA, biri i Xhefri R. dhe Patrishia Hollandit. Ai u martua me Peixh Bejtmanin më 20 maj 1996, në Tempullin e Seint‑Xhorxhit në Jutë. Ata janë prindër të katër fëmijëve.

Arritjet arsimore të Plakut Holland përfshijnë tri diploma për shkenca politike – një diplomë universitare nga Universiteti “Brigam Jang” në vitin 1991, një diplomë pasuniversitare dhe doktoratë në filozofi, që të dyja nga Universiteti Djuk përkatësisht në vitet 1997 dhe 2001.

Ndërkohë që punonte si profesor i asociuar për shkencat politike tek UBJ‑ja (2001–2009), ai u emërua si president i Universitetit Juta Velli në vitin 2009, duke shërbyer deri në thirrjen e tij në vitin 2018 si president misioni.

Ai ka shërbyer si peshkop, këshilltar i lartë, këshilltar në peshkopatë, këshillues i Të Rinjve të lagjes, udhëheqës i misionit të lagjes, mësues i Shkollës të së Dielës dhe misionar kohëplotë në Misionin e Edinburgut në Skoci.