Mesazh i Udhëheqjes Zonale
E Vërteta e Parë
Shoqëria përpiqet të na bindë se identiteti dhe vetëvlerësimi ynë janë të lidhura disi me zotërimet, pozitat e ndikimit dhe vlerësimin nga të tjerët. Ajo na nxit të përqendrohemi më shumë te “pasja” sesa tek “të qenit”1. Por ky shteg shpesh rezulton në një jetë me gara e krahasime, duke i lënë shumë prej nesh me ankth, të papërmbushur dhe të izoluar gjithnjë e më shumë. Pak njerëz u shpëtojnë mesazheve të vazhdueshme dhe të pandalshme që ne nuk jemi mjaftueshëm sa nevojitet ose që nuk jemi në lartësinë e duhur.
Ky është një drejtim i gabuar, i krijuar mirë.
Kundërshtari e kupton rëndësinë e identitetit dhe nuk dëshiron që ne ta zbulojmë ose kuptojmë se kush jemi në të vërtetë. Por ne jemi më shumë sesa ajo që bota do të donte të besonim. Ndofta më shumë nga sa edhe vetë e përfytyrojmë ose marrim me mend.
Shpëtimtari kaloi dyzet ditë e net në shkretëtirën judease duke agjëruar, duke komunikuar me Atin e Tij dhe duke u përgatitur për misionin e Tij formal në tokë.2 Pikërisht në këtë kohë ndodhi që kundërshtari e tundoi, duke e joshur të kënaqte oreksin e Tij fizik, të ndiqte vlerësimin publik dhe të pranonte pasuritë e botës ose pushtetin mes njerëzve.3 Por Xhejms E. Talmixhi vuri re tundimin më tinëzar4, më të madh se këto tri tundime gjithëpërfshirëse, të nënkuptuar nga pyetja: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë”. Kundërshtari donte që Krishti ta vinte në dyshim se kush ishte Ai.
Fatmirësisht, Ai mbeti i vërtetë dhe i patundur. Krishti e dinte se kush ishte. Kjo i solli fuqi, forcë, qëllim dhe drejtim misionit të Tij hyjnor. Ne e dëshmojmë madhështinë e kësaj kur Ai qëndron në sinagogën e Nazaretit, duke lexuar fjalët e profetit Isaia dhe me terma të qartë e të sigurt njofton birninë e Tij hyjnore.5
Fjalët “njih vetveten” (ose “gnothi seauton” në greqishten e lashtë) janë gdhendur mbi sheshpushimin e Tempullit të Apollonit në Delfi. Ky aforizëm i shkurtër, me vetëm dy fjalë, është diskutuar nga Sokrati, Platoni, Emersoni, Rusoi dhe njerëz të tjerë të panumërt gjatë gjithë historisë. Të gjithë e pranojnë se të dish kush je, të jep fuqi.
Ashtu si Shpëtimtari, të dimë se kush jemi në të vërtetë, mund të na ndihmojë ta udhërrëfejmë sjelljen dhe të gjejmë forcë e drejtim gjatë gjithë jetës sonë. Kjo është arsyeja pse kundërshtari është kaq i vendosur që të na bëjë të dyshojmë te vetja. Dyshimi është një mjet i fuqishëm për të dhe një murtajë në të gjithë botën sot. Ai nuk do që të kemi forcë, fuqi, paqe dhe drejtim. Ai do që ju dhe unë t’i vëmë në dyshim aftësitë tona, vendimet tona, vlerën tonë dhe veçanërisht më së shumti, identitetin tonë. Dhe për më tepër, jeta bashkëkohore mund të na bëjë të ndihemi të mbingarkuar, të vetmuar, të harruar, të pavend dhe nganjëherë, të papërshtatshëm.
Por kur e kuptojmë vërtet se jemi fëmijë i Perëndisë, ne fillojmë ta shohim veten sikurse Ai na sheh. Ne e shohim të mirën brenda vetes dhe potencialin tonë të vërtetë. Dhe ngaqë e bëjmë këtë, veprojmë dhe mendojmë ndryshe. Gjykojmë më pak, falim më lirisht dhe e gjejmë veten më të prirur për të dashur, shërbyer, ngritur moralisht dhe për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Pika jonë kryesore e përqendrimit ndryshon nga ajo e “pasj[es]” tek ajo e të “qenit” dhe e lidhjes me të tjerët. Plaku Xhefri R. Holland dha mësim se e vërteta e parë e madhe në univers është që Perëndia na do. Ai na do me gjithë zemër, pa rezerva ose kompromis.6
E vërteta e parë është e fuqishme. Perëndia ju do dhe ju jeni fëmija i Tij. Kjo është pjesë e identitetit tuaj të përjetshëm. Asgjë nuk mund ta ndryshojë atë. Plaku Uhtdorf dha mësim: “Ju jeni bij e bija të qenies më të madhe, më të lavdishme në univers. Ai ju do me një dashuri të pafundme.”7
Në një botë të zhytur në dyshim, mos e vini në mëdyshje vlerën tuaj ose atë që ndien Ati Qiellor për ju. Përpiquni dhe shihni përtej papërsosurive dhe dyshimeve te vetja dhe dallojeni se kush jeni në të vërtetë.8
Një qëllim i jetës është të njohim Perëndinë dhe Jezu Krishtin.9 Por është gjithashtu e rëndësishme që të “njih[ni] vetveten” dhe ta kuptoni identitetin tuaj hyjnor.
Doktrina jonë më themelore është që ne jemi fëmijët e Atit tonë në Qiell. Kjo marrëdhënie hyjnore është me rëndësi madhore. Dhiata e Re është e tejmbushur me mësime të përqendruara te rimarrja e atyre që kanë humbur dhe që janë tejet të çmuar për Të. Përparësia e Atit dhe Birit është e qartë. Kjo është për ju. Ju jeni vepra dhe lavdia e Tij. Ju jeni burimi i gëzimit të Tij. Shlyerja e Jezu Krishtit është shprehja më e madhe e dashurisë së Atit Qiellor për ju.10
E vërteta e parë e madhe është që Perëndia ju do. Ju jeni fëmija i Tij dhe keni rëndësi për Të. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.