2022
Udhëtimi ynë për në tempull gjatë kohës së pandemisë
Korrik/Gusht 2022


Udhëtimi ynë për në tempull gjatë kohës së pandemisë

Në verën e vitit 2021 vendosa të vizitoja familjen time dhe ta njihja djalin tim 2-vjeçar me të gjithë njerëzit e mi të dashur në Shqipëri. Pas një kohe shumë të gjatë pritjeje, për shkak të rregullave të shumta prej pandemisë nga COVID-19 në Gjermani, ku jetojmë aktualisht, m’u dha mundësia që të kthehesha në shtëpinë time të fëmijërisë, ku kujtimet janë të panumërta. Nuk kisha fjalë që ta përshkruaja lumturinë time.

Fluturimi ishte më datë 6 gusht dhe do të shpenzonim plot tri javë të bukura në Shqipëri. Disa ditë para se të ktheheshim në Gjermani Methu (bashkëshorti im ) na pyeti a do të kishim dëshirë që ditën që do të ktheheshim të udhëtonim drejt tempullit në fundjavë, ku do shërbenim dhe do të shoqëronim të rinjtë në ceremoninë e pagëzimeve.

Patjetër qe përgjigjja ime ishte: “Po“. Ftova dhe nënën time që të na bashkohej në udhëtimin drejt tempullit dhe ajo u gëzua pa masë.

Në gusht të vitit 2021 tempulli i Frankfurtit ishte i hapur për të gjithë, por me rregulla shumë strikte duke filluar që nga numri i personave që do të merrnin pjesë në ordinanca, mbajtja e maskave gjatë gjithë kohës, matja e temperaturës sapo të hyje në tempull dhe më e rëndësishmja rezervimi i vendeve shumë javë para datave të frekuentimit.

Rruga e gjatë me makinë me djalin tonë 2-vjeçar e bëri udhëtimin të lodhshëm por kur mbërritëm në tempull qemë shumë të lumtur. Ashtu është edhe jeta jonë, një udhëtim i gjatë, plot mundim, lodhje, gëzim, entuziazëm, pushim, trishtim, por në fund lumturia dhe paqja më e madhe është kur e prekim vendmbërritjen tonë, tempullin.

Gjatë kohës që po u shërbenim të rinjve të lagjes sonë, kisha shumë dëshirë të shkoja në dhomën çelestiale ndonëse nuk kishim mundësi të bënim asnjë ordinancë tjetër. Një nga eksperiencat më të bukura ishte të gjendesha me njeriun tim të zemrës ulur në dhomën çelestiale ku bukuria, pastërtia, bardhësia ishin rrezatuese dhe zemra ime ishte e mbushur plot falënderime për të gjitha bekimet që Ati Ynë Qiellor na ka dhuruar. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë në tempull dhe unë dëshmoj që Ati Qiellor na do pa kushte, pret për ne me durim të pashtershëm për momentin e duhur kur zemra jonë do ta pranojë fjalën e Tij dhe ungjillin e Tij të vërtetë. Unë e di me plot forcën e shpirtit tim që Ati Ynë Qiellor kujdeset në çdo kohë për ne dhe i hap pragjet e qiellit për të na dhënë të gjitha bekimet e Tij.

Dëshmia e Manushaqe Osmëni në lidhje me eksperiencën e saj.

Vizita ime në tempull në këtë kohë pandemie ishte një bekim sepse kisha shumë nevojë për dashurinë e Perëndisë dhe për t‘ia drejtuar lutjet e mia Atit Tim Qiellor në shtëpinë e Tij. Tempulli është një vend i shenjtë, një vend i paqes dhe i zbulesës.

Koha ishte me shi, po zemrat tona ishin plot diell të ngrohta. Dëshira ime ishte e madhe që të merrja pjesë në ordinanca. Më kishte munguar ajo ndjenjë qetësie larg gjërave të botës dhe atmosferës së zymtë që pandemia solli për të gjithë. Ndonëse nuk e dija gjuhën që flitej aty, Shpirti i Zotit ishte aty me mua, kur ata të rinj zhyteshin dhe po bënin pagëzimin e të vdekurve. U ndjeva sikur ishte hera e parë që shkoja në tempull. Dëshmoj se ne jemi fëmijë të një Ati të dashur Qiellor, e di se Jezu Krishti jeton, Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbyesi Ynë, Ringjallja dhe Jeta e Përjetshme. Tempujt janë vende të shenjta ku ne mund të ndiejmë dashurinë e Perëndisë, të marrim ordinancat dhe t‘i bëjmë premtime Atij.