2022
Të ndiesh gëzimin e një misioni gjatë pandemisë
Korrik/Gusht 2022


Të ndiesh gëzimin e një misioni gjatë pandemisë

E fillova misionin tim në mars 2019 në misionin e Lejtonit në Jutë dhe e përfundova atë në fund të marsit 2021. Mora mjaft përvojë nga shërbimi në Jutë! Përvoja e misionit ishte gjithashtu unike sepse shërbeva në “dy” periudha të ndryshme. Në vitin e parë të misionit tim, pata punë normale misionare dhe pas vitit të dytë si misionar isha nën kufizimin e Covid-19. Duke shërbyer në të dyja periudhat, kam parë dorën e Zotit që drejton punën e shpëtimit dhe kam qenë dëshmitar i shumë mrekullive.

Kur morëm për herë të parë lajmin se do të futeshim në karantinë si misionarë, u shkatërrova pak sepse nuk doja të qëndroja brenda banesës time ose në një ndërtesë kishe gjatë gjithë kohës. Isha i shqetësuar sepse po mendoja se si do të bëhej puna misionare ose të kontaktoja me njerëzit, si të gjeja më shumë njerëz për të dhënë mësim. Fillimisht ishte e vështirë, por më pas presidenti i misionit tonë në një konferencë të gjerë misioni, tha: “Duhet të kemi besim te Zoti, kjo është puna e Tij dhe Ai do të na udhëheqë!” Kështu që ai na ftoi të kishim më shumë besim dhe të ecnim përpara, të bënim përpjekjet tona dhe se Perëndia dhe Krishti do të na ndihmonin nëse do të ishim të gatshëm të punonim shumë gjatë kësaj kohe sprovuese. Unë dhe shumë misionarë të tjerë ndryshuam të kuptuarit tonë dhe filluam të kishim më shumë besim te Perëndia dhe të lutemi më fort.

Në Jutë ne mbuluam shumë lagje dhe kunje (zona ishte gjeografi e vogël). Ne menduam t’i vizitonim të gjithë anëtarët e kunjit, për t’u dhënë mendimet shpirtërore, për të pyetur se si po shkonin në detyrat shërbestare. I pyesnim a kishin ndonjë fqinj që donte të dëgjonte një mesazh paqeje në këtë kohë të vështirë dhe a njihnin dikë që donte të mësonte më shumë për kishën.

U njoha me shumë njerëz përmes teknologjisë. Unë dhe shoku im biseduam me rreth 80-100 persona/familje të ndryshme çdo javë për shumë muaj! Ishte thjesht e mahnitshme. Ishim tejet të ngarkuar duke dhënë mësim pa pushim. Qemë në gjendje t’i ndihmonim lagjet me anëtarë që po luftonin me besimin e tyre dhe për shkak të kësaj, Zoti na bekoi me njerëz që nuk ishin anëtarë të besimit tonë, por ata kishin nevojë për ndihmë për t’u udhëhequr dhe për të dëgjuar lajmin e mirë të ungjillit .

Në një bisedë që Plaku Uhtdorf mbajti për të gjithë misionarët që ishin në mision, thuhej: “Mendoni për gjërat që mund të bëni dhe jo për gjërat që nuk mund t’i bëni”. Kjo gjë më ndihmoi të ndryshoja këndvështrimin tim dhe të shumë misionarëve të tjerë gjithashtu. Unë pashë dorën e Zotit në çdo mësim që unë dhe shoku im po bënim gjatë kësaj pandemie. Ne përdorëm të gjitha mediat sociale atje dhe mundëm të njihnim njerëz nga e gjithë bota. U dhashë mësim shumë njerëzve nga Filipinet, disa të tjerëve nga India dhe disave nga Afrika. Ishte diçka tepër e veçantë!

Nuk do ta kisha menduar kurrë kur filloi pandemia se ne do të ishim në gjendje të viheshim në kontakt me aq shumë njerëz atje. E gjithë kjo e ka forcuar dëshminë time. E di që puna misionare dhe kisha drejtohen nga Perëndia dhe Krishti. Unë e kam parë vërtet dorën e Tyre në këtë punë dhe e di këtë! Në çdo çast, në çdo takim, ishin aty.

Gjatë kësaj kohe, takova shumë njerëz të mahnitshëm që ndryshuan jetën time dhe shumë njerëz që hynë në ujërat e pagëzimit. Askush nuk e ndaloi punën e Zotit. Kishte ende njerëz atje jashtë që po e kërkonin Zotin.

E di se kjo kishë është e saktë dhe se libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Ai libër ka ndryshuar jetën time, jetën e njerëzve përreth meje dhe jetën e njerëzve të cilëve u shërbeva gjithashtu. E di që një profet i gjallë na drejton dhe se ai merr udhëzim nga Ati Ynë në qiell. Unë e di me gjithë zemër se ky ungjill është i vërtetë. E di që Zoti është në çdo detaj të të gjithë jetës sonë.