Faqet Vendore
Rruga drejt lumturisë
Kjo është historia e dy të rinjve që nuk kanë shumë kohë që janë vulosur në tempull për këtë kohë dhe për gjithë përjetësinë.
Enida nga Elbasani u njoh me ungjillin kur ishte 16 vjeçe. Në verën e 2013-s mori pjesë në kampin e Të Rejave që organizoi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe aty mori një dëshmi se duhet të pagëzohej. Rruga deri te pagëzimi nuk qe e lehtë pasi prindërit dhe të afërmit e saj ishin kundër ndaj iu desh të priste derisa të mbushte 18 vjeçe për t’u pagëzuar.
Gerti një 23 vjeçar nga Vlora u njoh me ungjillin në një periudhë të vështirë. Ndihej nën trysni si nga ana shoqërore, psikologjike dhe shëndetësore. Donte të dinte se si t’i afrohej Zotit, cila fe ishte e vërtetë, por askund nuk po e gjente atë që shpirti i kërkonte. Kishte shumë pyetje në mendje dhe pikërisht në atë kohë u ndesh në rrugë me misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata e pyetën: “A do të dish për jetën, Zotin dhe për Krishtin?”. Mbasi u njoh me misionarët ai pranoi të merrte mësimet prej tyre, të lexonte librin e Mormonit dhe më vonë të pagëzohej.
Dy të rinjtë u njohën në vitin 2019 gjatë një ceremonie martese në godinën e kishës së Durrësit. Njohja e tyre vazhdoi më pas gjatë mbledhjeve të kishës duke folur mbi besimin, shkrimet e shenjta dhe përvojat e tyre. Enida shprehet: “Unë e kisha marrë tashmë një konfirmim nga Perëndia që ai ishte njeriu që Zoti donte për mua dhe nuk duhet ta pyesja më për një gjë të tillë”. Ata bënë martesë civile por pandemia ua bëri të pamundur të vuloseshin në tempull në atë kohë.
Enida tregon: ”Një gjë që na mundonte vazhdimisht ishte fakti që ne akoma nuk ishim vulosur në tempull. Kjo ishte ëndrra jonë dhe një dëshirë e madhe e zemrave tona. Ne e dinim që nëse ne nuk martoheshim në tempull, nuk mund të ishim me njëri-tjetrin në përjetësi dhe kjo na e thyente zemrën”.
Pandemia bëri që tempujt të mbylleshin kudo nëpër botë dhe shumë ordinanca u ndërprenë. Një ndër to ishte edhe vulosja e çifteve të reja që kishin dëshirë të lidheshin me njëri-tjetrin në përjetësi. Pas shumë lutjesh dhe agjërimesh që Gerti dhe Enida bënë vazhdimisht, masat kishin filluar të liroheshin dhe dëshira e tyre për t’u vulosur së bashku sa vinte e bëhej edhe më e madhe. Pjesëmarrja e tyre në programin Cumorah Academy në Republikën Çeke bëri të mundur që vulosja e tyre të realizohej më në fund. Martesa u bë në Gjermani në tempullin e Freibergut.
“Ishte emocionuese, rrugës këndonim. Pa humbur kohë shkuam brenda në tempull. Aty punonjësit të veshur me të bardha, (që përfaqësojnë më së miri parajsën), ishin shumë të dashur dhe të sjellshëm. Të gjithë flisnin me zë të ulët, nderimi ishte shumë i madh. Ishte një ndjesi e bukur kur hyra te dhoma e nuses dhe u përgatita për ordinancën. Pastaj më drejtuan punonjëset e tempullit për të marrë dhurimin. Aty u rrit kuptueshmëria jonë, horizontet tona u hapën, kuptuam më shumë mbi planin e Atit Qiellor dhe dashurisë së Tij të pafundme. Isha shumë e gëzuar. Më në fund do të ishim bashkë përjetësisht”, rrëfen Enida.
Gerti tregon: ”Kur isha i gjunjëzuar në altar, e kuptova rëndësinë e këtyre besëlidhjeve. E kuptova se sa me rëndësi është të kesh dhe të duash bashkëshorten, ta respektosh, ta nderosh dhe ta konsiderosh partnere të barabartë dhe se çdo vështirësi apo gëzim ne duhet ta ndanim me njëri-tjetrin. Padyshim, që ekzaltimi të ndodhë duhet që gjithë jetën ne të jemi besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe Perëndisë duke u bërë mjete në duart e Tij”.
Pas vulosjes, dy bashkëshortët shërbejnë me gëzim në thirrjet e tyre në Kishë.
Qëllimi i tyre është të punojnë për historinë familjare dhe të rikthehen në tempull për të kryer ordinancat për paraardhësit e tyre.