2023
Zemërbutësia e Gruas Kananease
Shtator 2023


“Zemërbutësia e Gruas Kananease”, Liahona, shtator 2023.

Mrekullitë e Jezusit

Zemërbutësia e Gruas Kananease

Cili është roli i besimit dhe zemërbutësisë në kërkimin e mrekullive që na nevojiten?

Pamja
Jezusi dhe gruaja kananease

The Woman of Canaan [Gruaja Kananease], nga Harold Copping, Bridgeman Images

Mes ndërveprimeve të panumërta që Jezu Krishti duhet të ketë pasur gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, ka një ndërveprim që është i lehtë për t’u anashkaluar ngaqë është i shkurtër dhe nganjëherë i keqkuptuar: me gruan kananease, që përshkruhet te Mateu 15:21–28.

Me njëfarë konteksti shtesë, gjithsesi, ne mund të mësojmë të vërteta të bukura rreth durimit e dhembshurisë së Jezu Krishtit, teksa njihemi me këtë grua vazhdimisht të papërmendur që ka besim dhe zemërbutësi shembullore.

Konteksti

Te Mateu 14, ne mësojmë se Shpëtimtari ishte në dijeni për vdekjen e Gjon Pagëzorit, të cilit i ishte prerë koka me kërkesën e Herodiadës. Kur mësoi për vdekjen e kushëririt të Tij, Jezusi u përpoq të largohej me anije drejt një “vend[i] të shkretë”, ndoshta për të vajtuar, por turmat e njerëzve e ndoqën Atë në këmbë (shih te Mateu 14:13). Duke treguar dhembshuri të madhe, Krishti e kaloi ditën me njerëzit dhe madje kreu një nga mrekullitë e Tij të fuqishme, ushqimin e turmës prej mijëra vetash me pesë bukë dhe dy peshq (shih te Mateu 14:15–21).

Atë natë Shpëtimtari kreu një mrekulli të dytë të madhe. Ai kishte shkuar në mal, “i veçuar” nga dishepujt e Tij, për t’u lutur. Dishepujt e Tij hipën në një anije, e cila më pas u rrethua nga stuhia në detin e Galilesë, duke u përplasur nga valët dhe era. “Dhe … Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det”, duke i bërë dishepujt të thonë: ‘Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!’” (Shih te Mateu 14:23–25, 33.)

Jezusi më pas udhëtoi nga Galilea për në brigjet e Tiros dhe Sidonit, që janë në Libanin e kohës sonë. Ai sigurisht po kërkonte “prehje, izolim ose mundësi të përshtatshme për t’i udhëzuar të Dymbëdhjetët”, që nuk e kishte pasur deri atëherë.1 Ishte atje që “një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ‘Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon’” (Mateu 15:22).

Pamja
hartë dhe pamje të Sidonit e Tiros

Shërimi i bijës së gruas kananease ndodhi diku në krahinën midis Sidonit dhe Tiros, në veri të Galilesë.

Sidoni (shih ilustrimin më lart): Gjithashtu i njohur si Zidon [në Biblën në anglisht]. Në kohët e lashta, tregtia e bëri atë një nga qytetet më të rëndësishme të Fenikisë.

Tiro (shih fotografinë më lart): Një qytet tjetër i rëndësishëm tregtar, që ndodhet rreth 35 km në jug të Sidonit. Gjatë shërbesës së tij, Apostulli Pal i vizitoi anëtarët e Kishës këtu (shih te Veprat e Apostujve 21:3–7).

Ilustrim i Sidonit nga Balage Balogh

Gruaja Kananease

Ishte mbresëlënës thjesht fakti që gruaja iu afrua Jezusit. Ajo ishte një kananease, e “lindur pagane ose idhujtare”, dhe kananeasit “mbaheshin veçanërisht me emër të keq nga hebrenjtë”2. Prapëseprapë besimi i saj te fuqia e Jezu Krishtit dhe dashuria e saj për bijën e vet e shtyu që t’i përgjërohej Shpëtimtarit për ndihmë. Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Fakti që ajo iu drejtua Jezusit si Biri i Davidit tregon bindjen e saj se Ai ishte Mesia i Izraelit”3.

Ndonëse dimë shumë pak rreth kësaj nëne johebrease, ne mund të pandehim se besimi i saj ishte i ngjashëm me atë të grave të tjera të përmendura në Dhiatën e Re. Sikurse gruaja që kishte “një fluks gjaku” (Marku 5:25), Maria dhe Marta nga Betania, dhe Maria Magdalena, gruaja kananease e vuri besimin e saj të plotë te Shpëtimtari. Ajo kishte një kuptueshmëri të caktuar dhe të sigurt se kush ishte Ai.

Fillimisht Jezusi nuk iu përgjigj asaj. Dishepujt e nxitën që ta largonte ngaqë ajo po i bezdiste ata dhe menduan se ajo po e bezdiste Atë në përpjekjen e Tij për qetësi.4

Më së fundi, Jezusi u përgjigj. Duke shpjeguar heshtjen e Tij të mëparshme, Ai tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit” (Mateu 15:24).

Thënia e Shpëtimtarit e bën edhe më mahnitëse që kjo grua johebrease erdhi për të kërkuar një bekim për bijën e vet. Ajo nuk ishte një grua izraelite, por në njëfarë mënyre e dinte se Jezu Krishti ishte Mesia, një Mbret. Ndonëse Ai e bëri të qartë se misioni i Tij ishte te judenjtë në Izrael, gruaja kishte besim që Ai do ta shëronte bijën e saj. Me zemërbutësi, ajo ra te këmbët e Tij duke e pranuar mbretërimin dhe fuqinë e Tij (shih te Marku 7:25), “e adhuroi” dhe përsëri i kërkoi me ngulmim: “O Zot, ndihmomë!” (Mateu 15:25).

Zemërbutësia dhe Mrekullitë

Me një përgjigje që duket e ashpër për dishepujt e kohës sonë, Jezusi u përgjigj: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve” (Mateu 15:26). Studiuesit e Biblës kanë shpjeguar se në këtë analogji “fëmijë[t]” janë judenjtë dhe “këlyshë[t e] qenve” janë johebrenjtë.

Me fjalë të tjera, detyrimi kryesor i Krishtit ishte kundrejt judenjve. Ai duhej t’i ushqente ata, ose t’ua jepte atyre ungjillin fillimisht dhe më pas ata do të ushqenin ose t’i jepnin mësim pjesës tjetër të botës. Plaku Talmixh shpjegoi: “Fjalët, të ashpra siç mund të tingëllojnë për ne, ishin të kuptueshme nga ajo në frymën e synimit të Zotit. … Sigurisht gruaja nuk u fye nga krahasimi.”5

Përsëri, përgjigjja e kësaj gruaje të mirë është prekëse, e mrekullueshme dhe zemërbutë: “Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre” (Mateu 15:27).

Kjo grua e mbushur me besim ishte e palëkundshme. Në vend që të zgjidhte që të fyhej, ajo zgjodhi besimin. Përgjigjja e saj është një shprehje e shpresës edhe në thërrimet e vogla. Ç’besim i jashtëzakonshëm është të besosh se një thërrime nga tryeza e Shpëtimtarit do të ishte e mjaftueshme për të mposhtur çfarëdo që ishte ajo që e mundonte bijën e saj. Përgjigjja e kësaj nëne besnike tregon përulësi e zemërbutësi.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka shpjeguar se zemërbutësia është “e fortë, jo e dobët; vepruese, jo pësuese; e guximshme, jo e ndrojtur”6. Gruaja kananease ishte vërtet e fortë, vepruese dhe e guximshme në shpalljen e besimit të saj se edhe një kafshatë e fuqisë së Shpëtimtarit do të mjaftonte.

Pamja
pjatë me thërrime

Gruaja kananease ishte e fortë, vepruese dhe e guximshme në shpalljen e besimit të saj se edhe një kafshatë e fuqisë së Shpëtimtarit do të mjaftonte.

Më së fundi, Jezu Krishti dha një përgjigje fuqizuese dhe të mirënjohur: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Ky demonstrim që Ai e vlerëson dhe e përqafon secilin prej nesh në rrugëtimin tonë drejt Tij, pasohet në analin e shkrimeve të shenjta nga siguria se “që në atë çast e bija u shërua” (Mateu 15:28).

Çfarë Mund të Mësojmë?

Plaku Talmixh komentoi: “Këmbëngulja e lavdërueshme e gruas u bazua te besimi që i kapërcen pengesat e dukshme dhe duron edhe gjatë shkurajimit”7.

Ai lloj besimi i pathyeshëm te Jezu Krishti është pikërisht çfarë na ka këshilluar të zhvillojmë profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson: “Besimi te Jezu Krishti është fuqia më e madhe që kemi në dispozicion në këtë jetë. Të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë.”8

Unë e vlerësoj shumë gruan kananease e cila ishte e fortë, vepruese, e guximshme dhe këmbëngulëse në pohimin e besimit të saj te Jezu Krishti si Shpëtimtari, Mesia dhe Mbreti. Ajo është një shembull i Dhiatës së Re për besimin dhe zemërbutësinë që kërkohen nga të gjithë dishepujt e Jezu Krishtit. Të palëkundur, le të ndjekim me këmbëngulje atë lloj besimi te “kryeprift[i] i të mirave që do të vijnë” (Hebrenjve 9:11).

Shënime

  1. Shih te James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 354.

  2. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 354.

  3. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 354.

  4. Shih te James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 355.

  5. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 355.

  6. Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Liahona, maj 2018, f. 32.

  7. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 356.

  8. Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 104.

Shtyp në Letër