2023
Mirënjohëse që e “Dëgjoj Atë”
Shtator 2023


“Mirënjohëse që e ‘Dëgjoj Atë’”, Liahona, shtator 2023.

Mirënjohëse që e “Dëgjoj Atë”

E kam të vështirë që të dëgjoj në kishë, por kjo histori nga Dhiata e Re më ndihmoi ta shikoj ndryshe gjendjen time.

Pamja
burrë duke qëndruar në këmbë te foltorja

Shumicën e jetës sime kam pasur një humbje të madhe të dëgjimit dhe mund të kuptoj vetëm rreth 20 përqind të asaj që thuhet te foltorja gjatë shumicës së mbledhjeve në Kishë. Me raste, shurdhësia ime më bën të ndihem e vetme dhe e veçuar, si për shembull, kur bashkësia qesh me vërejtjen plot humor të një folësi, por unë nuk qesh sepse nuk e dëgjova atë. Dhe nuk isha e vetmja. Anëtarë dhe anëtare të moshuara të lagjes më thanë në mirëbesim se edhe ata e kishin të vështirë të dëgjonin.

Nganjëherë, pas vështirësisë për të kuptuar një folës me zë të ulët në mbledhjen e sakramentit ose kur mësuesi/ja e Shkollës të së Dielës shpall se nuk ka nevojë ta përdorë mikrofonin ngaqë të gjithë mund të dëgjojnë, unë vras mendjen përse madje shkoj në kishë kur mund të dëgjoj kaq pak. A nuk do ta kaloja më mirë kohën në shtëpi duke lexuar mësimet e programit Eja, Më Ndiq ose studimin e shkrimeve të shenjta?

Akoma dëshiroja të isha e bindur dhe vazhdova të frekuentoj me familjen time që të ripërtërija besëlidhjet e pagëzimit dhe që ta kujtoja Shpëtimtarin duke marrë sakramentin. Ishte gjithmonë bekim që të ndieja Shpirtin dhe gjithmonë u ndjeva e lartësuar shpirtërisht nga ato gjëra që mund t’i dëgjoja.

Pamja
Jezusi dhe gruaja me fluks gjaku

Një të diel, këshilltari i lartë që foli në mbledhjen e sakramentit, kishte njërin nga ata zërat e qartë dhe të lartë që e bëjnë më të lehtë të dëgjosh. Ai diskutoi ngjarjen e Dhiatës së Re për gruan që vuante nga një fluks gjaku për 12 vjet dhe kishte besim se ajo mund të shërohej nëse thjesht mund ta shtrinte dorën dhe të prekte rrobën e Jezusit teksa Ai ecte aty pranë (shih te Lluka 8:43–48).

Më pas folësi ofroi një ide prekëse që më befasoi thellësisht, duke shpjeguar se për shkak të gjendjes së saj, kjo grua do të ishte konsideruar e papastër dhe ka shumë të ngjarë që nuk do të ishte lejuar të frekuentonte kishën. Për 12 vjet!

Rrjedhojat e kësaj ngjarjeje më lanë me gojë hapur nga habia. Edhe pse e sëmurë, kjo grua ndoshta nuk ishte aq keq sa nuk mund ta frekuentonte kishën, të paktën me raste. Por për shkak të zakoneve shoqërore të asaj kohe, ajo nuk lejohej të frekuentonte. Çfarë sprove e tmerrshme për një person besimtar!

Teksa përsiatja dhimbjen që ajo duhej të kishte ndier ngaqë i ndalohej ta adhuronte Perëndinë me besimtarët e tjerë për shkak të gjendjes së saj fizike – diçka mbi të cilën ajo nuk kishte asnjë mundësi se si ta kontrollonte – Shpirti m’i hapi sytë që të kuptoja se si gjendja e saj krahasohej me timen. M’u dha që të kuptoja se, edhe pse nuk mund të isha një pjesëmarrëse e plotë, të paktën kisha privilegjin që të frekuentoja kishën dhe të dëgjoja atë që mundesha. Kjo grua nuk e kishte një zgjedhje të tillë. Më erdhi turp për rastet që për pak çaste e kisha marrë parasysh të qëndroja në shtëpi.

Menjëherë Perëndia i foli zemrës sime, duke më bërë të njohur se Ai nuk donte që unë të ndihesha fajtore. Ai donte që unë të ndihesha mirënjohëse – mirënjohëse për privilegjin që të frekuentoja kishën dhe të forcohesha nga shoqërimi me dishepuj besnikë të Krishtit. Edhe pse nuk mund të dëgjoja gjithçka, unë mund të kuptoja disa gjëra – dhe secila prej tyre ma bekoi jetën. Gjithashtu pati çaste të veçanta kur Shpirti më ndihmoi të kuptoja ato gjëra që nuk mund t’i dëgjoja.

U ndjeva mirënjohëse për lirinë që të adhuroja Perëndinë dhe të gëzoja bekimet e vajtjes në shtëpinë e Tij. Shpirti më dëshmoi se ishte shumë, shumë më mirë për mua që të isha në mbledhjet e Kishës, të merrja sakramentin dhe të dëgjoja atë që mundesha, sesa të mos e frekuentoja aspak.

Në atë ditë sjellja ime ndryshoi. Në vend që të ndihesha e vrarë shpirtërisht nga kufizimet e mia, paqja ma mbushi zemrën dhe mora vendim të përqendrohesha te bekimet e frekuentimit të kishës. Mora vendim që të bëja një përpjekje të çiltër për të qenë mirënjohëse për atë që mund të dëgjoja, në vend që të isha e shkurajuar për atë që nuk mund ta dëgjoja.

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Të qenit mirënjohës në kohët e vuajtjes nuk do të thotë që ne kënaqemi me rrethanat tona. Kjo vërtet do të thotë që, nëpërmjet syve të besimit, ne shohim përtej sfidave tona të së sotmes.”1 Gruaja që zgjati dorën për të prekur rrobën e Jezusit, ishte një kujtues i mrekullueshëm për mua që të kisha besim të mjaftueshëm te Zoti për të parë përtej kufizimeve të mia dhe mirëbesim të mjaftueshëm te Perëndia për të ditur se Ai do të më bekojë që të ngrihem mbi kufizimet e mia fizike.

Jeta vjen me të gjitha llojet e sfidave që na rëndojnë shpirtërisht, emocionalisht ose fizikisht, por edhe gjatë kohëve të shqetësimit ne inkurajohemi që të jemi mirënjohës për bekimet që gëzojmë. Zoti tha:

“Miq[të e] mi, mos kini frikë, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen; po, gëzohuni më shumë se kurrë dhe në gjithçka jepni falënderime; …

… Dhe të gjitha gjërat me të cilat jeni munduar, do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit tim” (Doktrina e Besëlidhje 98:1, 3).

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Shtyp në Letër