2023
Pas Traumës: Ndërtimi i Aftësisë për t’u Ripërtërirë dhe Përqafimi i Shërimit
Shtator 2023


“Pas Traumës: Ndërtimi i Aftësisë për t’u Ripërtërirë dhe Përqafimi i Shërimit”, Liahona, shtator 2023.

Pas Traumës: Ndërtimi i Aftësisë për t’u Ripërtërirë dhe Përqafimi i Shërimit

Shërimi vjen teksa kërkojmë ndihmën e Shpëtimtarit dhe ndërtojmë mbështetje emocionale te vetja.

Pamja
imazhi bardhë e zi i një peme me një rreth të gjelbër të mbivendosur

Shumica e njerëzve do të përjetojnë të paktën një ngjarje tronditëse në jetën e tyre. Ne e kemi parë këtë gjë në jetën tonë personalisht dhe profesionalisht. Çfarë e shkakton traumën? Një përvojë e vështirë si një aksident me makinë, humbja e një vendi pune, lufta, keqtrajtimi fizik, sulmi seksual, bullizmi i rëndë, humbja e një njeriu të dashur e të tjera.

Trauma është e dhembshme dhe ngandonjëherë mund t’ju bëjë të ndiheni sikur nuk mund të gjeni lehtësim. Prapëseprapë është e rëndësishme të dini se dhembja mund të largohet dhe mund të gjeni paqe përsëri kur mbështeteni tek Ati juaj Qiellor dhe Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti.

Ati Qiellor na lejon të përjetojmë vështirësi. Edhe nëse Ai nuk i parashuguron, krijon ose miraton këto përvoja, Ai mund të ndihmojë që të “gjith[a] gjërat … të punojnë së bashku për të mirën” tonë, në qoftë se ne mirëbesojmë tek Ai (Doktrina e Besëlidhje 90:24; shih edhe te 2 Nefi 32:9).

Ne kemi mësuar se të drejtuarit tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari për përkrahje është jetik në procesin e shërimit. Paqja e tyre shëron emocionalisht dhe shpirtërisht. Ne e dimë se në dashurinë dhe dhembshurinë e tyre, ju mund të gjeni forcë për t’u shëruar. Ne gjithashtu kemi gjetur disa teknika që do t’ju lejojnë t’i zhvilloni pikat tuaja të forta vetjake dhe të lëvizni drejt shërimit.

Çdo njeri i përjeton ndryshe ngjarjet tronditëse. Në fakt, disa njerëz mund ta përjetojnë një ngjarje si tronditëse, ndërkohë që të tjerëve thjesht mund t’u jetë dukur e parehatshme. Për këtë arsye, mbajeni mend të mos i krahasoni përvojat tuaja me përvojat e të tjerëve ose ta përdorni përvojën tuaj si përvojën standarde.

Reagimi ndaj Ngjarjeve në Mënyra të Ndryshme

Semi dhe Lusi po shkonin së bashku për një udhëtim dhe shoferin e makinës ku ndodheshin ata, e zuri gjumi dhe devijoi nga rruga. Kjo shkaktoi që makina e tyre të rrokullisej disa herë. Semi nuk u dëmtua rëndë dhe fillimisht u duk se nuk po e trajtonte ngjarjen si ndonjë problem të madh. Ai iu gjend Lusit pranë për ta ngushëlluar, ngaqë asaj iu desh ta fuste në allçi krahun e saj të thyer.

Disa javë më vonë, kur doli mundësia që Semi të udhëtonte sërish, ai pati një ndjenjë paniku thjesht duke menduar rreth orëve të gjata në rrugë.

Semi po përjetonte pasojën emocionale prej një përvoje tronditëse. Ngurronte të fliste me dikë rreth kësaj. Por teksa foli me Lusin, mësoi se ajo kishte qenë në një aksident me makinë më parë dhe e dinte se si ndihej ai. Diskutuan se çfarë mësoi Lusi nga përvoja e vet e mëparshme ndërkohë që ushtroi besimin e saj te Jezu Krishti, u lut për drejtim dhe përfitoi nga këshillimi kur po haste vështirësi.

Pamja
imazh bardhë e zi i një peme të vogël me një rreth të gjelbër të mbivendosur

Shpresa dhe Shërimi nëpërmjet Jezu Krishtit

Pavarësisht nga trauma jonë, shërimi mund të vijë nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht. Për shkak të Shlyerjes së pafundme të Shpëtimtarit dhe dhembshurisë e mëshirës së Tij, Ai mund t’i shërojë të gjitha plagët e përjetuara në këtë ekzistencë në vdekshmëri, qoftë nëse shërimi vjen në këtë jetë ose në jetën pas kësaj. Nganjëherë për shërimin duhet më shumë kohë nga sa e presim ose dëshirojmë, edhe me përkrahjen hyjnore të Shpëtimtarit. Por Ai është në gjendje të na shërojë (shih tek 3 Nefi 17:7).

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Drita e Perëndisë është e vërtetë. Është e disponueshme për të gjithë! Ajo i jep jetë gjithçkaje. Ajo ka fuqinë ta zbutë dhembjen e plagës më të thellë.”1

Askush nuk e di vuajtjen tonë aq gjerësisht sa e dinë Ati Qiellor dhe Shpëtimtari. Zoti “zbriti nën gjithçka, në atë që ai i kupton të gjitha gjërat, që ai mund të jetë në të gjitha dhe përmes të gjitha gjërave” (Doktrina e Besëlidhje 88:6). Motra Emi A. Rajt, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, dha mësim:

“Ne të gjithë kemi diçka në jetën tonë që është e thyer, e cila duhet ndrequr, rregulluar ose shëruar. Ndërsa kthehemi te Shpëtimtari, ndërsa e përputhim zemrën dhe mendjen tonë me Të, ndërsa pendohemi, Ai vjen te ne ‘me shërimin në krahët e tij’ [2 Nefi 25:13], na i hedh krahët me dashuri dhe thotë: ‘Nuk ka problem. … Mund ta rregullojmë këtë së bashku!’

Unë dëshmoj se nuk ka asgjë në jetën tuaj që është e thyer, e cila është përtej fuqisë kuruese, shëlbuese dhe aftësuese të Jezu Krishtit.”2

Shembujt e shërimit dhe mënyrat për të shëruar gjenden në shkrimet e shenjta – dhe në jetën e familjeve tona, miqve dhe paraardhësve tanë. Në çfarë mënyrash kishin paraardhësit tuaj aftësi për t’u ripërtëritur?3

Identiteti Ynë i Përjetshëm

Kur Xhulioja ishte 13 vjeç, atë e keqtrajtoi seksualisht daja i vet. Me kalimin e kohës, ai filloi të rrinte larg nga familja e tij dhe të mbyllej në vetvete. Herë pas here vepronte sikur të mos kishte ndodhur gjë, por me raste përmbytej nga emocioni. Gjithmonë ka qenë në gjendje ta organizojë mirë jetën, madje të ndiejë lumturi të thellë, si në lindjen e birit të tij. Gjithashtu ndihet i thyer shpirtërisht. Biri i tij tani po i afrohet të njëjtës moshë kur Xhulioja u keqtrajtua dhe teksa Xhulioja mendon për përvojat e mundshme të të birit, ai po ndeshet me mendime e ndjenja rreth vlerës së tij vetjake dhe identitetit të tij të përjetshëm.

Ndërkohë që trauma është pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri, ajo nuk është identiteti ynë i përjetshëm. Identiteti ynë i përjetshëm është se ne jemi fëmijë i Perëndisë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Kush jeni ju?

Së pari dhe më kryesorja, ju jeni një fëmijë i Perëndisë.

Së dyti, si anëtar i Kishës, ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Dhe së treti, ju jeni një dishepull i Jezu Krishtit.”4

Përveç kësaj, trauma nuk është kurrë një pasqyrim i vlerës ose denjësisë sonë. Motra Xhoi D. Xhons, ish-Presidente e Përgjithshme e Fillores, i qartësoi këto dy koncepte kur dha mësim:

Vlerë shpirtërore do të thotë ta vlerësosh veten sipas mënyrës që na vlerëson Ati Qiellor. …

… Denjësia jonë arrihet nëpërmjet bindjes. Nëse mëkatojmë, ne jemi më pak të denjë, por nuk jemi kurrë pa vlerë.”5

Keqtrajtimi të cilit Xhulioja iu nënshtrua prej dajës së vet, nuk e ndryshoi vlerën dhe denjësinë e Xhulios. Ai nuk mëkatoi kurrë, por u krye mëkat kundër tij. Nganjëherë mund të jetë e vështirë ta kujtoni vlerën dhe denjësinë tuaj kur keni qenë të keqtrajtuar. Mbajeni mend, nuk mëkatuat, vlera juaj nuk është pakësuar kurrë dhe ju jeni i/e denjë të vazhdoni në shtegun e besëlidhjeve.

Kur Xhulioja filloi të mirëbesonte te Zoti, Ai e ndihmoi Xhulion të kuptonte se përvojat në vdekshmëri nuk e ndryshojnë dashurinë që ka për ne Ati ynë në Qiell. Tani ai po mëson që të kuptojë se si, edhe pse ndodhën gjëra të tmerrshme, ato nuk e ndryshuan vlerën e tij thelbësore, identitetin e përjetshëm ose denjësinë e tij.

Mbështetja Emocionale te Vetja

Zhvillimi i mbështetjes emocionale te vetja do t’ju ndihmojë të përdorni burime të shëndetshme vetjake për t’u përballur me sfidat dhe emocionet e vështira. Ju mund të zhvilloni aftësi për t’u ripërtërirë, aftësinë për t’u përshtatur ndaj sfidave dhe për t’ua dalë mbanë atyre, përfshirë traumën.

Aftësia për t’u ripërtërirë përfshin kërkimin e përkrahjes dhe të udhërrëfimit nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, shërbimin ndaj të tjerëve dhe marrjen e shërbimit nga të tjerët kur është i nevojshëm dhe i përshtatshëm.

Veprimet vijuese, të rekomanduara nga këshillues profesionistë, do t’ju ndihmojnë të zhvilloni aftësi për t’u ripërtërirë:

  1. Krijimi i lidhjeve me të tjerët

  2. Përmirësimi i mirëqenies fizike

  3. Gjetja e qëllimit në jetë

  4. Kultivimi i mendimeve të shëndetshme

  5. Kërkimi i ndihmës kur ju nevojitet 6

Pamja
imazh bardhë e zi i dy grave me një drejtkëndësh të gjelbër të mbivendosur

1. Lidhuni me të Tjerët

Marrëdhëniet e shëndetshme shpesh nxitin shërimin. Lidhja me ata që ju forcojnë dhe ju nxitin të ktheheni te Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor, mund të sjellë ndryshimin që ju nevojitet për t’u shëruar më plotësisht.

Semi i kërkoi ndihmë Lusit, duke i treguar për frikën dhe sikletin e tij. Kjo marrëdhënie e ndihmoi të bëhej më i vetëdijshëm dhe më i aftë për t’u ripërtërirë. E ndihmoi të shihte mënyrat se si mund të shërohej emocionalisht dhe shpirtërisht.

Merrni parasysh të caktoni synime për të zhvilluar një lidhje më të fortë me njerëz të tjerë të cilëve u mirëbesoni. Dhënia e shërbesës është një mënyrë se si lidhemi me njerëz të tjerë në Kishë.

2. Kujdesuni për Mirëqenien Fizike

Trauma ndihet jo vetëm emocionalisht por edhe fizikisht. Ne mund të përjetojmë lodhje më të madhe, rrahje të shpeshta të zemrës, dhembje koke ose probleme me stomakun që shkaktojnë dhembje ose ndjesi trazire. Këto simptoma fizike ekzistojnë që të na njoftojnë se diçka nuk shkon mirë dhe se kemi nevojë t’i kushtojmë vëmendje shëndetit tonë. Ashtu siç mund të bëjmë gjëra për të përmirësuar përkujdesin për shëndetin tonë emocional, ne gjithashtu mund të marrim parasysh mënyra se si të kujdesemi për veten tonë fizikisht pas traumës.

Së pari, dallojini simptomat fizike që po përjetoni. Më pas përpiquni ta qetësoni trupin tuaj duke u përqendruar te fryma juaj dhe duke e ngadalësuar frymëmarrjen. Përpiquni të kuptoni se si ndiheni kur frymëmarrja juaj është e shpejtë dhe e rëndë, e krahasuar me raste kur frymëmarrja juaj është e ngadalësuar dhe e matur.

Nganjëherë trauma mund të shkaktojë një dëmtim që na kufizon, prandaj bëni atë që është e drejtë për trupin tuaj. Por lëvizja, veçanërisht ushtrimi fizik, është i dobishëm. Disave u pëlqen të bëjnë ecje ose vrapim, ndërkohë që të tjerë mund ta shohin më të dobishme që të punojnë shumë me një projekt.

Mbajeni mend Fjalën e Urtësisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 89). Përpjekja për ta mbuluar dhembjen me sjellje ose lëndë të padobishme është thjesht sikur të “vendosësh një leukoplast mbi një plagë të thellë”7. Ndihmojeni trupin tuaj që ta mbajë nën kontroll stresin e dhembjen në vend që ta mbuloni atë.

3. Gjeni Qëllim dhe Kuptim

Qëllimi ynë kryesor në jetë është që të përgatitemi për t’u kthyer që të jetojmë me Atin tonë Qiellor (shih tek Alma 12:24). Trauma mund ta turbullojë këtë qëllim dhe të na pengojë që të kuptojmë se kush jemi. Gjetja e një qëllimi të veçantë në veprimet tona të përditshme mund të na ndihmojë të shkojmë përpara dhe madje të kujtojmë qëllimin tonë kryesor në jetë. Xhulioja filloi të shkonte përpara dhe të gjente qëllim në veprimet e tij të përditshme kur e kuptoi se dëshironte ta ndihmonte të birin.

Gjetja e kuptimit tek trauma mund të na ndihmojë që të shohim një shteg përpara, duke dalluar se përvojat tona japin mundësi që ne të rritemi dhe bëhemi më shumë si Krishti. Për shembull, është më e lehtë të jemi të dhembshur ndaj sëmundjes së dikujt tjetër kur ne kemi kaluar vetë përmes përvojave të vështira.

Studimet kanë zbuluar se pas traumës, njerëzit shpesh përjetojnë atë që është emërtuar si “rritja post‑traumatike”. Rritja post‑traumatike shfaqet kur një person gjen forcë më të madhe pas një përvoje tronditëse, si për shembull marrëdhënie të përmirësuara, vlerësim më të madh për jetën ose cilësi të caktuara të jetës, apo një vetëdije me të madhe për mundësitë e jetës. Pas përjetimit të një ngjarjeje tronditëse, dallojini mënyrat se si jeni rritur ose mund të rriteni për shkak të përvojës, në vend që të përqendroheni te vetë ngjarja tronditëse.

4. Kultivimi i Mendimeve të Shëndetshme

Një përvojë tronditëse mund të ndikojë mbi mënyrën se si mendojmë rreth vetes dhe botës përreth nesh. Pas përjetimit të traumës, ne mund të kemi mendime negative. Mendime të tilla si: “Jam i/e dobët”, “Ati Qiellor nuk më do” dhe “Nuk jam i/e denjë” e zvogëlojnë aftësinë tonë që të jemi të ripërtëritur. Këto mendime shpesh do të ndikojnë mbi mënyrën se si ndihemi (shih te Fjalët e Urta 23:7; Doktrina e Besëlidhje 6:36).

Pasi t’i përcaktoni mendimet tuaja negative, merrini parasysh disa mendime zëvendësuese që janë të shëndetshme e realiste dhe mbajini shënim ato. Kujtojani vetes këto mendime të shëndetshme kur i dalloni mendimet negative në mendjen tuaj.

Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si ta bëni këtë gjë, shqyrtoni kapitullin 2 të materialit Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2021).

Ju mund të përdorni lutjen, mbajtjen e një ditari, meditimin për shkrimet e shenjta ose një bisedë nga konferenca e përgjithshme (shih te Jozueut 1:8), ose ndonjë praktikë tjetër përsiatjeje.

5. Drejtohuni te Dikush për Përkrahje

Nganjëherë është e përshtatshme që të merrni parasysh një ndihmë përtej burimeve tuaja vetjake. Lusi kërkoi ndihmë, gjë që e lejoi të ndihmonte Semin. Merrni parasysh njerëz të tillë si pjesëtarë të familjes, miq dhe udhëheqës/e të lagjes që mund të jenë të dobishëm. Shërimi nga trauma është një nga rastet kur ju mund të keni nevojë t’i përdorni të gjitha burimet e mundshme në jetën tuaj.

Manuali i Përgjithshëm jep udhëzim për rastet kur mund të jetë e përshtatshme që të kërkoni përkrahje nga këshillues profesionistë.8

Është e vështirë të mos përqendrohemi te ngjarja tronditëse, por kur ndjekim këshillën e profetit për ta ngulitur përqendrimin tonë te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij, “dyshimet tona dhe frika jonë largohen”9. Mbajeni mend, ju jeni bir ose bijë e një Ati të dashur Qiellor. Teksa përqendroheni që të afroheni më pranë Tij dhe i përdorni burimet e dobishme që janë në dispozicionin tuaj, Zoti mund të ndihmojë që çdo përvojë tronditëse të jetë për të mirën tuaj.

Shënime

  1. Diter F. Uhtdorf, “Shpresa e Dritës së Perëndisë”, Liahona, maj 2013, f. 75.

  2. Emi A. Rajt, “Krishti Shëron Atë që Është Thyer”, Liahona, maj 2022, f. 82, 84.

  3. Shih te Chakell Wardleigh Herbert, “Recognizing and Healing from Generational Trauma” (artikull vetëm në formatin elektronik), Liahona, janar 2023, ChurchofJesusChrist.org.

  4. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  5. Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 14.

  6. Shih te “Building Your Resilience”, American Psychological Association, 1 shkurt 2020, apa.org.

  7. “Building Your Resilience”, apa.org.

  8. Shih te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 31.3.6, ChurchofJesusChrist.org; shih edhe te Justin K. McPheters and Rebecca M. Taylor, “Is Therapy Right for Me?” (artikull vetëm në formatin elektronik), Ensign, shkurt 2020, ChurchofJesusChrist.org; Kevin Theriot, “Finding a Mental Health Professional Who’s Right for You” (artikull vetëm në formatin elektronic), Liahona, janar 2019, ChurchofJesusChrist.org.

  9. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 41.

Shtyp në Letër