2023
Shpërndarja e 72 Kopjeve të Librit të Mormonit
Shtator 2023


“Shpërndarja e 72 Kopjeve të Librit të Mormonit”, Liahona, shtator 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Shpërndarja e 72 Kopjeve të Librit të Mormonit

Sa herë që e hapja gojën për të folur rreth Librit të Mormonit, Fryma e Shenjtë ishte me mua.

Pamja
kuti me kopje të Librit të Mormonit

Ilustrimi nga Allen Garns

Gjatë pandemisë së COVID-19 ne u bekuam që të kishim përkujdes mjekësor në shtëpinë tonë për bashkëshortin tim, Klodin, që nuk kishte shërim. Atje, fëmijët e mi dhe unë ndihmuam plot dashuri duke u kujdesur për të derisa ai qetësisht u largua drejt shtëpisë sonë qiellore.

Më përpara, Klodi dhe unë ishim lutur që ta kthenim apo jo pjesën jashtë shtëpisë, të rrethuar me rrjetë metalike, në një dhomë përkujdesjeje mjekësore, ku mund të futnim gjithçka që do t’i nevojitej atij për të ndier rehati. Morëm miratim se duhej ta bënim ndryshimin.

Për ta rimodeluar pjesën e jashtme, disa punëtorëve do t’iu nevojitej që të hynin në shtëpinë tonë. Për fat të mirë, pjesa e jashtme kishte një derë nga pas, prandaj punëtorët mund të hynin e të dilnin pa iu dashur të hynin në dhomat e ndenjjes të shtëpisë sonë. Kjo qe një bekim i madh gjatë kufizimeve të COVID‑19.

Pasi u mbarua dhoma e Klodit, infermieret erdhën çdo ditë. Ato ishin plot dashamirësi, dashuri dhe njohuri rreth asaj që na nevojitej të bënim për ta mbajtur Klodin në një gjendje pa dhembje.

Kur u bashkova me Kishën, mësova se çdo anëtar i Kishës është një misionar.1 Ngaqë më pëlqen shumë ta shpërndaj ungjillin, porosita tri kuti me Librin e Mormonit, 24 libra në secilën kuti. Mora zotim që t’i jepja një libër çdo personi që do të hynte në shtëpinë tonë.

Shënova pjesë të rëndësishme në secilin libër me një kartëvizitë që e krijova, që paraqiste një fotografi që e bëra vetë të Tempullit të Solt‑Lejkut. Gjithashtu shkrova dëshminë time në faqen bosh në fillim të çdo libri. Pastaj, përpara se t’i jepja një libër një punëtori ose një infermiereje, u shpjegoja se çfarë është Libri i Mormonit.

U habita plot kënaqësi nga reagimet e tyre. Vetëm një person refuzoi ta merrte një libër. Çdo njeri tjetër ishte i interesuar të dëgjonte për të. Disa më falënderuan thellësisht, duke thënë se dinin rreth Librit të Mormonit dhe dëshironin një libër. Disa të tjerë ishin aq të lumtur sa madje më përqafuan.

Jam e bindur se kjo ndodhi ngaqë, sa herë që hapa gojën për të folur rreth Librit të Mormonit, Fryma e Shenjtë ishte me mua. Kam mirëbesim se punëtorët dhe infermieret mundën ta ndienin Shpirtin. Ua dhashë të 72 librat dhe kohët e fundit bëra kërkesë për 24 libra të tjerë.

Shënim

  1. Shih te Marianne Holman, “‘Every Member a Missionary’ for 50 Years”, Ensign, prill 2009, f. 77.

Shtyp në Letër