2023
“Unë do të Doja që ta Kujtoni”
Shtator 2023


“Unë do të Doja që ta Kujtoni”, Liahona, shtator 2023.

“Unë do të Doja që ta Kujtoni”

Mosia 5:12

Secilit prej nesh i janë dhënë kujtues të personalizuar për Krishtin. Vështrojini ata dhe kujtojeni Atë.

Pamja
portret i Jezu Krishtit

Detaj nga Christ and the Rich Young Ruler [Krishti dhe i Riu Pasanik], nga Heinrich Hofmann

Si pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri, ne të gjithë jemi të nënshtruar jo vetëm ndaj një veli harrese, por edhe ndaj një gjendjeje harrese. Veli i harresës na shkakton që të harrojmë skena dhe të vërteta që arritëm t’i dinim në gjendjen tonë para vdekshmërisë. Gjendja jonë e harresës na bën që të harrojmë dhe të endemi larg nga të vërtetat që i kemi mësuar ose rimësuar në këtë jetë. Në qoftë se nuk e kapërcejmë gjendjen tonë të rënë të harresës, ne në mënyrë të natyrshme do të bëhemi “të shpejtë të bë[jmë] paudhësi, por të ngadalshëm [që] të kujto[jmë] Zotin, Perëndinë t[onë]” (1 Nefi 17:45).

Kujtuesit e Krishtit

Me çdo urdhërim që Ai jep, Perëndia premton që të “përgatit[ë] një udhë për [ne], që [ne] të mund ta plotësojmë gjënë, që ai [na] urdhëron” (1 Nefi 3:7). Në mënyrë që të mund t’i bindemi urdhërimit të Tij për të kujtuar, Zoti ka përgatitur kujtues.

Vërtet, të gjitha gjërat krijohen dhe bëhen për të dhënë dëshmi dhe për të na kujtuar për Krishtin (shih te Moisiu 6:63; shih edhe tek Alma 30:44). Është me qëllim, për shembull, që ne ta kujtojmë Atë “mes drur’ve t’pyllit, lëndinës kur endem[i] dhe dëgjoj[më] zogjt’ që ëmbël cicërijn’”1. Madje edhe gurët mund të bërtasin si dëshmi dhe kujtues të Jezusit (shih te Lluka 19:40). Në fakt, e tërë bota, si në formë zanore edhe pamore, jep dëshmi të mahnitshme dhe ofron kujtues mahnitës për Krijuesin e saj.

Kujtuesit në dukje të rastësishëm në të gjithë krijimin përforcohen nga kujtuesit më formalë që i gjejmë në ordinancat e shenjta. Abinadi dha mësim se Izraelit të lashtë iu dhanë ordinanca të përcaktuara që të kryheshin me qëllim që “t’i bë[nin] ata të kujtonin Perëndinë dhe detyrën e tyre kundrejt tij” (Mosia 13:30). Profetët bashkëkohorë kanë dhënë mësim të njëjtën gjë. Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) shpalli: “Unë supozoj se nuk do të kishte kurrë një braktisës, nuk do të kishte kurrë një krim, në qoftë se njerëzit kujtonin, vërtet kujtonin, gjërat që ata kishin besëlidhur tek buza e ujit apo tek tavolina e sakramentit dhe në tempull”2.

Shlyerja e Krishtit është si universale edhe individuale. Po ashtu janë kujtuesit e Tij. Prandaj, përveç ordinancave të njëtrajtshme që u ofrohen të gjithëve, Ai na jep kujtues të ndryshueshëm dhe të personalizuar për Të. Për shembull, argjila e zakonshme ose balta nuk ka shumë të ngjarë që t’i bëjë shumë njerëz të kujtojnë Jezusin ose të mbushen me emocion dhe mirënjohje për Të. Prapëseprapë burri të cilit iu kthye shikimi kur Jezusi ia leu sytë me baltë, ndoshta e kujtoi Jezusin plot mall çdo herë që shihte argjilën – baltën (shih edhe te Gjoni 9:6–7). As nuk ka të ngjarë që Naamani të ishte ndonjëherë në gjende të shihte një lumë, veçanërisht lumin Jordan, pa menduar për Zotin i cili e shëroi atje (shih te 2 Mbretërve 5:1–15). Secilit prej nesh i janë dhënë një ose më shumë kujtues të personalizuar për Krishtin. Vështrojini ata dhe kujtojeni Atë.

Dhënia Dëshmi për Krishtin

Analet dhe historitë janë gjëra shtesë që Zoti i ka bërë të përgatiten për të na ndihmuar që t’i bindemi urdhërimit të Tij për të kujtuar. Shkrimet e shenjta – analet e marrëdhënieve të Perëndisë me fëmijët e Tij – flasin shpesh rreth dhënies së dëshmisë, ose “dëshmimit” për Të (shih te 2 Korintasve 8:3; 1 Gjon 5:7; 1 Nefi 10:10; 12:7; Doktrina e Besëlidhje 109:31; 112:4).

Analet e shenjta, përfshirë ditarët vetjakë, na ndihmojnë të dëshmojmë. Çaste të thella emocionale me Shpirtin janë një dhuratë që, në atë çast, ne besojmë se nuk do ta harrojmë kurrë. Por gjendja jonë e harresës bën që ngazëllimi, madje i përvojave më të thella, të venitet me kalimin e kohës. Një shkrim në ditar, një fotografi apo një anal mund të na ndihmojë jo vetëm që të kujtojmë çaste të thella emocionalisht, por gjithashtu do të kthejmë sërish emocionet dhe Shpirtin që ndiem. Nuk është e habitshme, pra, që urdhërimi i parë pasi Kisha u organizua në këtë periudhë ungjillore, ishte: “Do të ketë një anal të mbajtur mes jush” (Doktrina e Besëlidhje 21:1). Analet e mbajtur siç duhet e zgjerojnë kujtesën tonë dhe mund të na bindin për gabimet tona dhe të na çojnë te Perëndia (shih tek Alma 37:8).

Më së fundi, sigurisht, ne jemi në gjendje të japim dëshmi për të vërtetën sepse kemi marrë dëshmi për të vërtetën nga Fryma e Shenjtë, i cili është “anali i qiellit” (Moisiu 6:61). Në këtë rol, Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën në “rrasa[t e] zemr[ave tona prej] mishi” (2 Korintasve 3:3). Ai na ndihmon të kujtojmë Krishtin dhe gjithçka që Ai na ka dhënë mësim (shih te Gjoni 14:26).

Lidhja midis Jezusit, analeve, Frymës së Shenjtë dhe të kujtuarit vihet në dukje te Moroni 10:3–5. Na premtohet që, nëse e lexojmë Librin e Mormonit, një anal të shenjtë, me frymën e kujtimit dhe i lutemi Perëndisë në emrin e Krishtit, me një zemër të sinqertë, me dëshirë të vërtetë dhe besim te Krishti, Fryma e Shenjtë do të na shfaqë vërtetësinë e analit. Dhe nëse ai anal i veçantë është i vërtetë, atëherë Jezusi është Krishti.

Pamja
Alma dhe bijtë e Mosias vizitohen nga një engjëll

Alma Arise [Alma Ngrihu], nga Walter Rane

Kujtoni se do të Shëlboheni

Të kujtuarit e Jezusit çon drejt shëlbimit dhe shpëtimit. Merrni parasysh rolin që kujtimi luajti në shëlbimin e Almës së ri. Kur engjëlli iu shfaq Almës, ai dha urdhrin që Alma të “mos … përpiq[ej] më të shkatërro[nte] kishën”. Por edhe përpara se ta jepte atë urdhër, engjëlli shpalli: “Kujto robërinë e etërve të tu … dhe kujto sa gjëra të mëdha ka bërë [Krishti] për ta; pasi ata ishin në robëri dhe ai i çliroi” (Mosia 27:16; theksimi i shtuar).

Porosia e engjëllit për të kujtuar nuk ishte thjesht një udhëzim i urtë me një zbatim të gjerë. Për Almën, ai udhëzim ishte një e dhënë e veçantë, një shenjë paralajmëruese e dashurisë për mënyrën se si ai mund t’i mbijetonte përvojës të cilën do ta kishte së shpejti, që gati do t’i shkaktonte vdekjen.

Gati rreth njëzet vjet më vonë, Alma i tregoi birit të tij, Helamanit, në detaje dramatike, atë që ai përjetoi teksa dergjej i paralizuar dhe i pagojë për tri ditë, “duke u penduar, pothuaj deri në vdekje” (Mosia 27:28). Pasi engjëlli u largua, Alma kujtoi, në rregull; por gjithçka që mund të kujtonte ishin mëkatet e tij.

“Unë u torturova nga një mundim i përjetshëm”, – kujtoi Alma. “… Po, m’u kujtuan të gjitha mëkatet dhe paudhësitë e mia për të cilat unë po mundohesha me dhimbjet e ferrit” (Alma 36:12–13). Mendimi i të qëndruarit përpara Perëndisë e mbushi Almën me “një tmerr [të tillë] të papërshkrueshëm” të cilit mendoi t’i largohej, jo thjesht duke vdekur por duke u “shu[ar] si në shpirt ashtu dhe në trup” (Alma 36:14–15).

Këtu ne duhet të ndalemi dhe të kuptojmë: Alma nuk po paguante thjesht një gjobë të tmerrshme treditore që ishte parapërcaktuar për të qenë pasoja e duhur për mëkatet e tij. Jo, ai ishte në krye të radhës – në tri ditët e para – që të ishte i “rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes” (Alma 36:18; theksimi i shtuar).

Sigurisht, ai do të kishte mbetur në këtë gjendje të tmerrshme përtej tri ditëve – pafundësisht – nëse nuk do të kishte qenë për faktin që, në një mënyrë të mëshirshme, ai në njëfarë mënyre, nga njëfarë vendi, kujtoi se ati i tij kishte profetizuar “në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës”. Pastaj ai tha:

“Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes.

Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia” (Alma 36:17–19).

Alma kishte ndjekur urdhrin e engjëllit që të kujtonte. Ai kujtoi Jezusin. Dhe po ashtu si Jezusi i kishte çliruar etërit e Almës nga robëria e tyre, Ai e çliroi Almën nga robëria e tij.

Çfarë mëshirë e dhembshur dhe çlirim i fuqishëm! Çfarë ndryshimi mahnitës i zemrës dhe mendjes! Alma, i cili vetëm çaste më parë mendoi t’i largohej pranisë së Perëndisë duke u shuar, tani pati një vegim të Perëndisë dhe engjëjve të Tij të shenjtë dhe “donte që të ishte aty” (Alma 36:22).

Ky shndërrim i mrekullueshëm u aktivizua nga një i kujtuar i thjeshtë. Përvoja e Almës u jep kuptim të mirëfilltë fjalëve të fundit të predikimit të fundit të mbretit Beniamin: “Dhe tani, O njeri, mbaj mend dhe mos vdis” (Mosia 4:30)

Ai na Kujton Ne

Teksa përpiqemi fort ta kujtojmë gjithmonë Jezusin, është e rëndësishme të mbajmë në mendje se Ai gjithmonë na kujton ne. Ai na ka gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Tij (shih tek Isaia 49:16). Mendoni për këtë gjë – Jezusi mirëdashës nuk do të na harrojë, nuk mundet të na harrojë, prapëseprapë, Ai me kaq lehtësi dhe gatishmëri i harron mëkatet tona që e shtypën Atë në këtë mënyrë.

Kjo gjë ia vlen të kujtohet.

Shënime

  1. Sa i Madh Je Ti”, Himne, nr. 42.

  2. The Teachings of Spencer W. Kimball, bot. Edward L. Kimball (1982), f. 112.

Shtyp në Letër