2023
Si të Fitojmë dhe të Tregojmë Ndjeshmëri
Shtator 2023


“Si të Fitojmë dhe të Tregojmë Ndjeshmëri”, Liahona, shtator 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Si të Fitojmë dhe të Tregojmë Ndjeshmëri

Shembulli i përsosur i Shpëtimtarit na mëson për fuqinë e të treguarit të ndjeshmërisë për t’i bekuar të tjerët.

Pamja
fëmijë duke qarë në aeroplan

Çfarë rezultati vjen kur ndërthurni një aeroplan të vogël me një nënë të stërmunduar emocionalisht dhe një djalë të vogël gjaknxehtë? Një gjendje shumë të stresuar. Prej disa radhësh mbrapa, unë pashë dramën që po shpalosej. Ishte pak a shumë kështu:

Djali i vogël: Jam i uritur!

Nëna: Epo, le të shohim në çantë se çfarë kam.

Djali i vogël: Jooooo!

Nëna: Po a nuk je i uritur?

Djali i vogël: Ma jep atë!

Nëna: Çfarë të të jap?

Djali i vogël: Atëëëë!

Nëna: Zemër, nuk mund ta marrësh gjerdanin tim.

Djali i vogël: E dua!

E kuptoni se ç’dua të them. Për 20 minutat në vazhdim nëna përdori një larmi taktikash për t’u përpjekur që ta qetësonte atë: ryshfetin, largimin e vëmendjes, humorin, madje një ose dy kërcënime të buta. Asgjë nuk funksionoi. “Është veçse një fluturim i shkurtër”, i kujtova vetes. “Ajo do të jetë në rregull.”

Por ajo nuk ishte në rregull. Stresi i saj po shtohej dhe ajo filloi të fshijë lotët nga cepat e syve. Ndonëse nuk e njihja, ndjeva nxitjen për ta ndihmuar. Si rrjedhojë fillova të lutem për ata të dy.

Nuk isha i vetmi pasagjer që u ndikua nga ajo skenë. Teksa vala e emocioneve të saj arriti kulmin, një pasagjere tjetër i erdhi në ndihmë. Ajo ishte shumë më e moshuar, e ulur pikërisht në anën tjetër të radhës. Duke rrezatuar mirësi, ajo u kthye nga nëna e re, i tha qetësisht disa fjalë sigurie dhe e kapi për dore. Aq qe e gjitha! Dhe mjaftoi.

Këto dy gra i mbajtën duart të shtrënguara gjatë gjithë pjesës së mbetur të fluturimit. Ndonëse djali i vogël vazhdoi të çirrej me një intensitet të mahnitshëm, nëna e tij dukej e qetë. Ishte një mrekulli.

Ndjeshmëria dhe Dhembshuria: Dy Tipare të Dishepullimit

Në fjalorin tonë bashkëkohor, kjo mrekulli e ka një emër: ndjeshmëri. Ndjeshmëria, si përkufizim, është veprimi plot ndjeshmëri i përjetimit të mendimeve, ndjenjave ose përvojave të dikujt tjetër me mirësi. Ndjeshmëria është një term bashkëkohor; nuk do ta gjeni askund në shkrimet e shenjta. Por gjuhëtarët kanë vënë re se ndjeshmëria është e lidhur ngushtë me fjalën dhembshuri. Dhe si një term i shkrimeve të shenjta, dhembshuria është me bollëk.

Ndjeshmëria është aftësia për të kuptuar dhembjen e një personi tjetër dhe dhembshuria është veprimi plot dashuri hyjnore që lulëzon nga ajo aftësi. Jezu Krishti tregoi si ndjeshmëri, ashtu edhe dhembshuri, kur dha shërbesë, bekoi, shëroi dhe kreu Shlyerjen e Tij. Si dishepuj të Krishtit, ne duhet të mësojmë që të përjetojmë ndjeshmëri dhe të tregojmë dhembshuri. Këto janë mes tipareve përcaktuese të dishepullimit.

Kur ndjeshmëria kryen mrekullinë e saj më të madhe, ajo na ndihmon të kuptojmë dhe më pas të reagojmë ndaj dhembjes, nevojës, frikës ose hidhërimit të një personi tjetër. Në rastin e nënës së re, një grua e moshuar, e cila me sa duket kishte dekada përvoje duke u kujdesur për fëmijët dhe nipërit e mbesat, mundi të ofronte ngushëllim ngaqë kishte kaluar vetë vështirësi të ngjashme. Për shkak të përvojës së saj vetjake, ajo ishte e kualifikuar që të vepronte si një ngushëlluese.

Çfarë e kualifikon Jezu Krishtin që të na ngushëllojë? Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim: “Jezusi e di se si të na ndihmojë mes brengave dhe sëmundjeve tona pikërisht ngaqë Jezusi i ka duruar tashmë të gjitha brengat dhe sëmundjet tona [shih tek Alma 7:11–12]. Ai i di ato nga përvoja e tij; prandaj ndjeshmëria e Tij është e fituar.”1

Pamja
Jezusi duke vizituar nefitët

Christ in the Land Bountiful [Krishti në Vendin Begati], nga Simon Dewey

Të Fituarit e Ndjeshmërisë dhe Ndihma ndaj të Tjerëve

Çfarë vështirësish keni duruar nëpërmjet të cilave keni “fituar” aftësinë që të keni ndjeshmëri ndaj të tjerëve dhe t’u ofroni dhembshuri atyre? A i keni vuajtur ndikimet e varfërisë, keqtrajtimit, paditurisë, sëmundjes, lënies pas dore, mëkatit ose vështirësi të çfarëdo lloji? Nëse i keni vuajtur, ju ndoshta dolët nga vuajtjet tuaja si një qenie njerëzore më e urtë, më e fortë dhe më e ndjeshme.

Me pak fjalë, ju keni fituar ndjeshmëri. Jeni të gatshëm të sillni ndryshim në jetën e atyre që po vuajnë. Nga t’ia filloni? Unë kam dy sugjerime:

I pari, përpiquni të bëheni më i/e ndjeshëm/me ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Për fat të keq, ka mundësi që të jemi në shoqërinë e dikujt që ka dhembje dhe prapëseprapë të qëndrojmë të pavëmendshëm ndaj vuajtjes së tij ose të saj. Si mund të bëhemi më të ndjeshëm? Shembulli i Jezu Krishtit mund të na mësojë.

Pas Ringjalljes së Tij, kur Jezusi vizitoi nefitët, Ai u shpjegoi doktrinën e Tij dhe u dha mësim ungjillin e Tij. Kur u ndal, Ai hodhi vështrimin te njerëzit dhe tha: “Unë shoh se jeni të dobët, se nuk mund t[’i] kuptoni të gjitha fjalët [e mia]” (3 Nefi 17:2). Jezusi më pas i ftoi të shkonin në shtëpi, të pushonin, të përsiatnin mësimet e Tij dhe të ktheheshin të nesërmen me energji dhe të gatshëm për më shumë (shih tek 3 Nefi 17:3).

Me kaq mbaroi, apo jo? Jo tamam. Të kuptuarit e Jezusit më pas u thellua teksa shqyrtoi fytyrat e pasuesve të tij:

“Dhe ndodhi që pasi Jezusi u foli kështu, ai hodhi prapë sytë rreth e përqark mbi turmën dhe pa se ata ishin në lot dhe shikonin mbi të me vendosmëri, sikur donin t’i kërkonin që të rrinte edhe pak me ta.

Dhe ai u tha atyre: Vini re, zemra ime është e mbushur me dhembshuri për ju” (3 Nefi 17:5–6). Ndërsa i vështroi me më shumë vëmendje, Ai i pa ata më plotësisht. Dhe ai vështrim nxiti përgjigjen e Tij plot dhembshuri.

Në një botë të rënë, të mbushur me njerëz të rënë, nuk na duhet ta sforcojmë shikimin për të parë lotët në sytë e fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Por na duhet vërtet të vështrojmë. Ashtu si Shpëtimtari, ne mund të zgjedhim t’i shohim njerëzit nëpërmjet thjerrave të nevojave të tyre. Dhe menjëherë pasi mund të shohim, ne mund të shërbejmë.

Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje se kur “përpiqemi fort dhe qëllimisht për ta përfshirë një qëndrim me dhembshuri në mënyrën tonë të jetës, sikurse na u dha shembull nga Shpëtimtari, ne vërtet do të bëhemi më të ndjeshëm ndaj nevojave të njerëzve. Me atë ndjeshmëri më të madhe, ndjenjat e interesimit dhe të dashurisë së mirëfilltë do të përshkojnë çdo veprim tonin.”2

I dyti, ofroni llojin e ndihmës për të cilën jeni i/e kualifikuar posaçërisht për ta dhënë. Pasi Jezusi i kuptoi nevojat e nefitëve në vendin Begati, Ai u bëri shenjë që të vinin më pranë. Pastaj Ai i shëroi të sëmurët e tyre dhe i bekoi fëmijët e tyre. Ai bëri gjëra që vetëm Shpëtimtari i botës mund t’i bënte.

Po ashtu, ju dhe unë mund t’i përshtatim përvojat dhe aftësitë tona që të plotësojmë nevojat e të tjerëve. Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e çdo njeriu, por mund ta ngremë peshë barrën e atyre njerëzve vuajtjet e të cilëve mund të jenë të ngjashme me tonat. Mund të mos jemi në gjendje të shërojmë një lebros, por mund ta ngushëllojmë një të sëmurë. Mund të mos jemi në gjendje ta nxjerrim dikë nga varfëria, por mund t’i flasim për parimet e të jetuarit me maturi, të ndajmë me të një vakt ushqimi dhe të dhurojmë një ofertë bujare agjërimi. Mund të mos jemi në gjendje ta falim mëkatin, por mund t’i falim ata që na kanë fyer.

Vënia në Veprim e Ndjeshmërisë

Çfarë rezultati vjen kur ndërthurni një aeroplan të vogël me një nënë të stërmunduar emocionalisht dhe një djalë të vogël gjaknxehtë? Një mundësi për të shprehur ndjeshmëri e dhembshuri.

Avioni ynë u ul dhe nëna e re zbriti, duke mbajtur një çantë në njërën dorë dhe djalin e vogël në tjetrën. Doli që ajo kishte një fluturim tjetër për të bërë dhe ishte gati duke e humbur avionin. Vështrova panikun e saj në aeroport teksa po i dilte bagazhi. Unë u hodha një sy tërë plaçkave të saj: karroca e fëmijës, ndenjësja në makinë, valixhja, çanta e dorës dhe çanta e pelenave. Kishte nevojë për ndihmë. Ndjeshmëria ime kishte nevojë të rritej në dhembshuri.

Pa u ndalur që t’i thoja kush isha, zgjata dorën drejt plaçkave të saj të shumta dhe thashë: “Unë do të marr këto. Ti merr djalin. Vrapo drejt derës së avionit. Unë do të vij pas teje.” Ajo pranoi me mirënjohje dhe nxituam me të shpejtë nëpër aeroport. Teksa po i afroheshim derës, pashë një grua tjetër që po i lutej punonjësit të linjës ajrore që ta mbante avionin te dera edhe për pak minuta të tjera. Kur u afruam nuk merrnim dot frymë, por dolëm triumfuese. Nëna e re dhe kjo grua u përqafuan me lot në sy dhe lehtësim përpara se të hipnin në avion.

Ky veprim i vogël shërbimi nuk e ndryshoi botën, por e bekoi në mënyrë domethënëse jetën e një fëmije të Perëndisë që ishte në nevojë. Ashtu siç kjo e ndihmoi mikeshën time të re që të përparonte drejt vendmbërritjes së saj fizike, më ndihmoi mua të përparoja drejt vendmbërritjes sime shpirtërore. Zgjedhja e ndjeshmërisë dhe dhembshurisë më ndihmoi të bëhesha pak më shumë si Jezu Krishti. Dhe kjo më bëri të lumtur.

Pavarësisht se ku jemi – në punë apo në shkollë, në kishë apo në një aeroplan – ne mund të jemi përfaqësues të ndjeshëm të Shpëtimtarit. Cilit apo cilës do të donte Shpëtimtari që ju t’i ofronit dhembshuri sot?

Shtyp në Letër