2023
Pagëzimi i së Premtes Mbrëma
Shtator 2023


“Pagëzimi i së Premtes Mbrëma”, Liahona, shtator 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Pagëzimi i së Premtes Mbrëma

Dëshira ime për t’u penduar më ndihmoi të gjeja Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij.

Pamja
grua duke qëndruar përpara kishës

Ilustrimi nga Katy Dockrill

Pasi përjetova emocionin fillestar plot gëzim të ardhjes në Shtetet e Bashkuara nga Kina për të marrë doktoraturën, unë isha i mbingarkuar nga materialet e shumta akademike që më duhej t’i lexoja dhe shkruaja. Gjithashtu isha i pasigurt se si të ndërveproja me këshilluesin tim akademik, gjë që e shtoi stresin tim. U ndjeva i humbur e i vetmuar dhe nuk dija se çfarë të bëja.

Arrita në përfundimin se gabimet e bëra në të shkuarën e kishin shkaktuar vuajtjen time dhe se kisha nevojë të pendohesha. Ishte mbrëmje, prandaj kërkova fjalën “kishë” në internet. Mësova se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte e vetmja kishë e hapur deri në orën 21:00. Ngaqë e kisha ndarë mendjen që të pendohesha në kishë, fillova ecjen e gjatë për një orë.

Kur arrita në kishë rreth orës 18:00, pashë drita dhe dëgjova të qeshur e muzikë që vinte nga brenda. Kërkova përreth godinës por nuk munda ta gjeja derën. Përmes një dritareje pashë një baba që po luante me birin e vet në njërën nga dhomat. Trokita në dritare për t’i tërhequr vëmendjen. Ai më tregoi si të shkoja te dera, më futi brenda duke më mirëpritur dhe më tha se dikush po pagëzohej.

Ndoqa udhëzimin e tij dhe shkova në një dhomë ku një burrë po i jepte një bekim një djali që sapo ishte pagëzuar. Duke qëndruar pranë derës, duke dëgjuar bekimin, ndjeva se Perëndia po më pëshpëriste bekime edhe mua. M’u ngroh zemra dhe ndjeva atë që më vonë mësova ta njoh si Fryma e Shenjtë. Gjithashtu dëgjova një zë duke më thënë se isha falur.

Pas pagëzimit u mblodha me të tjerët dhe takova shumë njerëz të mirë. Nuk isha më i vetmuar. Një burrë që u paraqit si “presidenti i mëparshëm i degës”, ofroi që të më çonte në shtëpi me makinë. U pagëzova disa muaj më vonë, pasi mora mësimet nga misionarët.

Në ditën e pagëzimit tim në vitin 2018 në Kembrixh, Masaçusets, një vëlla foli rreth mënyrës se si Ati ynë Qiellor e kishte bërë të ndodhte ai pagëzim të premten. Ai shpjegoi se pagëzimi supozohej që të zhvillohej të dielën vijuese, por për shkak të një konflikti për orarin, u desh të ricaktohej për mbrëmjen e së premtes. Pa atë ndryshim, unë mund të mos i kisha njohur kurrë Kishën, Shpëtimtarin tonë dhe Atin tonë Qiellor, si dhe vëllezërit dhe motrat e mia në ungjill.

Shtyp në Letër