2023
A do të Doje të Dije më Shumë?
Shtator 2023


“A do të Doje të Dije më Shumë?”, Liahona, shtator 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

A do të Doje të Dije më Shumë?

Njëri nga ushtarët në tendën time ishte i ndryshëm nga ushtarët e tjerë, prandaj e pyeta pse ishte kështu.

Pamja
burrë duke u pagëzuar në liqen

Autori duke u pagëzuar nga Tomas Salisburi në liqenin Song‑Be në Vietnam.

Fotografia me mirësinë e autorit

U regjistrova në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për një periudhë trevjeçare dhe arrita në Vietnamin Jugor në ditëlindjen time të 20‑të. Pas tetë muajsh, u caktova në një njësi në veriperëndim të Sajgonit. Ndërkohë që isha atje, shpejt vura re se njëri nga ushtarët në tendën time, Tomas Salisburi, ishte i ndryshëm nga gjithë të tjerët.

Ndryshimi ishte aq i dukshëm sa më së fundi e pyeta: “Tom, pse je kaq i ndryshëm nga gjithë të tjerët?”

“Sepse jam një shenjtor i ditëve të mëvonshme”, – u përgjigj ai.

“Çfarë është një shenjtor i ditëve të mëvonshme?” – e pyeta.

Ai e rregulloi që unë të takohesha me të dhe Harold Ljuisin, një misionar të kthyer nga misioni që po shërbente si ndihmës i kapelanit të njësisë. Gjatë takimit tonë të parë në një tendë që shërbente si një kishë e vogël, rashë dakord që nëse do ta besoja vërtet atë që po më thoshin, unë do të pagëzohesha. Gjithashtu mora një kopje të Librit të Mormonit, të cilin e mbaja në xhepin e poshtëm të pantallonave të mia ushtarake dhe e lexoja kurdoherë që kisha kohë të lirë.

Pasuan disa diskutime dhe zbulova se çdo mësim u jepte përgjigje pyetjeve që kisha pasur në kërkimin tim për të vërtetën. Por kur Tomi dhe Haroldi më pyetën a do të doja të pagëzohesha, unë thashë jo. Nuk e dija se si mund t’i zbatoja të gjitha urdhërimet që ata m’i kishin mësuar.

Pasi mora pjesë në një konferencë distrikti në Sajgon, shkova në Australi për një javë për pushim e çlodhje. Ndërkohë që isha atje, fillova të kuptoj se sa të rëndësishme ishin bërë për mua mësimet e ungjillit. Kur u ktheva në Vietnam menjëherë e njoftova Tomin se dëshiroja të pagëzohesha.

Shpejt pas kësaj Tomi më pagëzoi në lumin Song‑Be, Haroldi më konfirmoi anëtar të Kishës dhe Timothi Hilli, udhëheqësi i grupit tonë të Kishës, më shuguroi dhjak.

Kur u ktheva në shtëpi në Shtetet e Bashkuara gjashtë javë më vonë, e njoha me ungjillin të dashurën time, e cila u bë bashkëshortja ime. Ajo e përqafoi mesazhin shpresëdhënës të ungjillit gjithashtu.

Do të jem përgjithmonë mirënjohës që Tomi më pyeti a doja të dija më shumë. Shembulli dhe ftesa e tij i dhanë përgjigje dëshirës sime të madhe për të gjetur të vërtetën dhe për të gëzuar bekimet e ungjillit.

Shtyp në Letër