2023
Vëllezër dhe Motra në Zot
Shtator 2023


“Vëllezër dhe Motra në Zot”, Liahona, shtator 2023.

Vëllezër dhe Motra në Zot

“Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” – dhe Ai na dha njëri‑tjetrin.

Pamja
Krishti duke ngritur nga vdekja djalin e së vesë së Nainit

Krishti ngre nga vdekja birin e së vesë në qytetin e Nainit.

Duke udhëtuar nga Kapernaumi, Shpëtimtari ynë shkoi në një qytet të quajtur Nain. Pranë portës së qytetit Ai pa një kortezh varrimi. Vdekja e papritur e një fëmije të vetme e kishte lënë fillikat një të ve të mjeruar.

“Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: ‘Mos qaj!’

U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ‘Djalosh, unë të them, çohu!’.

Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës” (shih te Lluka 7:11–15; theksimi i shtuar).

Gjatë gjithë shërbesës së Tij, qoftë për 1 ose 99 veta1, Shpëtimtari ynë dha shembullin e përsosur të dhembshurisë, besimit, shpresës, dashurisë hyjnore, dashurisë, faljes, mëshirës dhe shërbimit.2 Ai e ftoi secilin prej nesh: “Eja[ni] e më ndiq[ni]” (Lluka 18:22) dhe që të bëheni “madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).3

“Madje siç Jam Unë”

Për të ndjekur shembullin e përsosur të Shpëtimtarit dhe për t’u bërë siç është Ai, ne e pranojmë ftesën e Tij që të ecim me Të në shtegun e Tij të besëlidhjeve (shih te Moisiu 6:34). Nganjëherë ne e përcaktojmë shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet ordinancave të shpëtimit dhe të ekzaltimit, me anë të të cilave ai shteg është shenjuar: pagëzimi dhe konfirmimi për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për t’u bërë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, shugurimi në Priftërinë Melkizedeke (për vëllezërit), dhurimi në shtëpinë e Zotit (për secilin prej nesh si individë) dhe vulosja në tempull.

Një ordinancë që është e domosdoshme për shpëtim dhe ekzaltim, është një veprim i shenjtë, i kryer nëpërmjet autoritetit të autorizuar të priftërisë, që na mëson besëlidhjen me të cilën shoqërohet ordinanca. Në disa mënyra ne mund të mendojmë për një ordinancë shpëtimi dhe ekzaltimi si një veprim të jashtëm që sjell një marrëdhënie lidhëse me Perëndinë dhe Birin e Tij të shenjtë në jetën tonë me anë të besëlidhjes.

Secili prej nesh, si bir ose bijë e dashur e Perëndisë, bën besëlidhjet e veta të shenjta me Perëndinë. Ne e bëjmë këtë gjë si një individ, në vetë emrin tonë, një e nga një. Kjo marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë i jep secilit prej nesh fuqi, shpresë dhe premtim. Këto besëlidhje mund ta ndryshojnë vetë natyrën tonë, t’i shenjtërojnë dëshirat e veprimet tona dhe të na ndihmojnë të zhveshim burrin e natyrshëm ose gruan e natyrshme teksa i dëgjojmë thirrjet e Shpirtit të Shenjtë. Me anë të besëlidhjes, nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, Zotit, secili prej nesh mund të bëhet si një fëmijë i Perëndisë “i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri” (Mosia 3:19).

Shërbimi së Bashku nëpërmjet Besëlidhjes

“Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16) dhe Ai na dha njëri‑tjetrin. Përkatësia në besëlidhje, të qenit të lidhur me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin me anë të besëlidhjes, na fton të përmbushim identitetin dhe qëllimin tonë hyjnor nëpërmjet komunikimit me qiellin dhe nëpërmjet lidhjes dhe krijimit të një komuniteti shenjtorësh teksa e duam njëri‑tjetrin dhe i shërbejmë njëri‑tjetrit dhe njerëzve të tjerë përreth nesh. Duke na dhënë mundësi për zotim në besëlidhje dhe përkatësi në besëlidhje, Perëndia nuk tregohet i anshëm. Ai e fton secilin prej nesh, gra e burra, të martuar dhe të pamartuar, cilado qoftë prejardhja dhe rrethana jonë, që të vijmë tek Ai dhe tek njëri‑tjetri me anë të besëlidhjes.

Kur i përkasim Zotit nëpërmjet besëlidhjes, ne gjithashtu i përkasim njëri‑tjetrit nëpërmjet besëlidhjes. Gjëra mbresëlënëse ndodhin kur e duam Zotin dhe bashkëpunojmë, këshillohemi së bashku dhe i shërbejmë njëri‑tjetrit. Shërbimi besëlidhës i forcon lidhjet tona me Zotin dhe me njëri‑tjetrin. Kjo përfshin marrëdhënien tonë vetjake me Atin tonë Qiellor, familjen, bashkësinë e Kishës, komunitetin dhe brezat familjarë. Kur i jetojmë besëlidhjet tona, ne e humbasim atë pjesë tonën që përqendrohet te vetja dhe gjejmë veten tonë më të mirë që përqendrohet te Krishti.

Plani Hyjnor i Perëndisë për Lumturinë

Në planin hyjnor të Perëndisë për lumturinë, tha Presidenti Rasëll M. Nelson, “qiejt janë thjesht po aq të hapur për gratë që e kanë marrë dhurimin me fuqinë e Perëndisë që rrjedh prej besëlidhjeve të tyre të priftërisë, sa janë të hapur për burrat që mbajnë priftërinë”4.

Presidentja Kamill N. Xhonson, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, vuri në dukje: “Ne kemi të drejtën që ta përdorim fuqinë e priftërisë nëpërmjet meritës së denjësisë vetjake”5. Duke cituar Presidentin Nelson, ajo tha: “Na duhen gra të cilat e dinë se si ta përdorin fuqinë që Perëndia e vë në dispozicion të mbajtësve të besëlidhjeve”6. Mbajtësit e besëlidhjeve që përpiqen dhe jetojnë me besim, përulësi dhe zell, dha mësim Presidentja Xhonson, mund të marrin udhërrëfim, frymëzim, dhurata të Shpirtit, zbulesë dhe “ndihmë e forcë për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor”7. Ndërkohë që secili prej nesh i ofron dhuratat e veta të pashembullta në bashkëpjesëmarrje me Zotin dhe njëri‑tjetrin, ne krijojmë “të njëjtin trup” (1 Korintasve 12:13).

Në planin e Perëndisë, nënat dhe etërit janë shokë dhe ndihmës. Ne e ndihmojmë njëri‑tjetrin si bashkëpjesëmarrës të barabartë në dashuri e drejtësi për t’i ushqyer shpirtërisht dhe për të siguruar për njëri‑tjetrin dhe familjet tona. Pastërtia e mendimit dhe e sjelljes është një kusht paraprak për zbulesën dhe frymëzimin që iu nevojiten grave dhe burrave. Në shtëpitë e tyre, etërit dhe bashkëshortët duhet të kryesojnë me mirësjellje, zemërbutësi dhe dashuri të pashtirur, cilësi të drejta që u nevojiten burrave dhe grave në të gjitha marrëdhëniet.8

Qielli vajton kur, në çfarëdo marrëdhënie, ka keqtrajtim, sundim apo detyrim të çfarëdo lloji nga burrat ose gratë. Bindja, durimi, dashamirësia dhe dituria e pastër janë cilësi si të Krishtit që i kërkojmë çdo javë, qofshim të martuar, beqarë, të ve apo të shkurorëzuar (shih te Doktrina e Besëlidhje 121:41–42). Është kështu sepse qëndrimi ynë përpara Zotit dhe në Kishën e Tij përcaktohet nga karakteri ynë vetjak dhe drejtësia jonë në mbajtjen e besëlidhjeve.

Pamja
burra e gra të mbledhur në një mbledhje këshilli

Këshillimi në Këshill

Në të njëjtën frymë, në Kishën e Zotit ne këshillohemi në këshilla ndërkohë që shërbejmë së bashku. Në këshillat tanë, udhëheqësit dhe udhëheqëset kërkojnë mendime dhe ide nga të gjithë. Jam mirënjohës për secilën prej grave dhe secilin prej burrave të jashtëzakonshëm me të cilët kam privilegjin të shërbej, krah për krah, në këshillat ekzekutivë të Kishës. Këto motra fisnike dhe këta vëllezër fisnikë ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin nëpërmjet shërbimit misionar, na përgatitin për t’u takuar me Perëndinë nëpërmjet shërbimit të priftërisë dhe të familjes, i bashkojnë familjet për përjetësinë nëpërmjet shërbimit në tempull dhe historisë familjare, dhe u japin shërbesë njerëzve nevojtarë nëpërmjet shërbimit të mirëqenies dhe të mbështetjes te vetja.

Në secilin rast, ne arrijmë në vendime më të mira dhe kemi sukses më të madh në shërbim të Zotit kur i vlerësojmë ndihmesat e njëri‑tjetrit dhe punojmë së bashku, si vëllezër dhe motra në punën e Tij.

Po ashtu jam mirënjohës që në kunjet dhe lagjet tona udhëheqësit vëllezër, udhëheqëset motra dhe anëtarët bashkohen në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Anembanë Kishës, nën drejtimin e udhëheqësve të përkushtuar të misioneve, këshillat e udhëheqjes së misioneve përfshijnë udhëheqës trajnues misionarë dhe udhëheqëse trajnuese misionare që i udhëheqin misionarët dhe misionaret tona, puna dhe përgjegjësitë e të cilëve, secilit prej tyre, janë të vlerësuara dhe domethënëse. Në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, kapelanët/et shenjtorë të ditëve të mëvonshme, oficerë burra dhe oficere gra, të miratuar nga Kisha, i bekojnë njerëzit që shërbejnë anembanë degëve të ndryshme të shërbimit ushtarak.9 Në dhënien e shërbesës, të rinj e të reja kanë mundësi dhe nevojiten që të shërbejnë. Në shërbimin tonë, ne të gjithë qëndrojmë së bashku.

Një mënyrë se si qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë, është që të shërbejmë si dëshmitarë të ordinancave të ungjillit të rivendosur. Motrat dhe vëllezërit qëndrojnë si dëshmitarë për pagëzimet, si për të gjallët edhe për të vdekurit. Vëllezërit dhe motrat qëndrojnë si dëshmitarë për ordinanca të mëtejshme në shtëpinë e Zotit. Atje, nën çelësat e presidentit të tempullit, motrat kryejnë ordinanca të shenjta për motrat dhe vëllezërit kryejnë ordinanca të shenjta për vëllezërit.

Në planin hyjnor të Perëndisë për lumturinë, tha Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, “fuqia e priftërisë na bekon ne të gjithëve. Çelësat e priftërisë drejtojnë gratë, ashtu sikurse burrat dhe ordinancat e priftërisë dhe autoriteti i priftërisë u përkasin grave, ashtu sikurse burrave. … Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj.”10

Ngrihuni më Lart se Bota

Kur përpiqemi të “je[mi] një”, madje siç është një Jezu Krishti me Atin (Gjoni 17:21), ne duhet të “vish[em]i me Zotin Jezu Krisht” (Romakëve 13:14).

Ne mund të shenjtërohemi kur, hir pas hiri, mësojmë dhe i bëjmë tonat cilësitë e Jezu Krishtit: të duam më plotësisht, të falim më me lehtësi, të mos gjykojmë menjëherë, të shërbejmë dhe sakrifikojmë më me gatishmëri, të jemi shembuj të dhembshurisë më me thellësi dhe më shpesh.

Mirëbesofshim te doktrina dhe shembulli i Krishtit, duke u kënaqur me të vërtetën dhe duke u bërë pasuesit e Tij të përulur (shih te 2 Nefi 28:14), secili prej nesh si individë dhe si vëllezër e motra në Zot!11

Shtyp në Letër