2023
E Shëruar në Tempull
Shtator 2023


“E Shëruar në Tempull”, Liahona, shtator 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

E Shëruar në Tempull

Në tempull ndjeva një siguri të thellë që Zoti më do dhe është i vetëdijshëm për vështirësitë e mia.

Pamja
çift përpara tempullit

Fotografi me mirësinë e autores; fotografia në sfond e Tempullit të Durbanit në Afrikën e Jugut nga Matthew Reier

Biri ynë i parë u lind i vdekur në vitin 2017. Nëntë muaj përpara se të përkushtohej Tempulli i Durbanit në Afrikën e Jugut në 2020, djali ynë i dytë u lind i vdekur.

Në atë kohë ndihesha si Ana e Dhiatës së Vjetër. Unë, “në trishtimin e shpirtit t[im] i lute[sha] Zotit duke qarë me dënesë” (1 Samuelit 1:10).

Ndihesha e pashpresë, e zemëruar dhe kisha një dhembje torturuese. Hasja vështirësi emocionalisht, fizikisht e shpirtërisht. Mbajtja te shufra më bënte të ndihesha sikur po mbahesha te një fije që dalëngadalë po më rrëshqiste nga duart. Vërtet po digjesha në “[furrën] e pikëllimit” (Isaia 48:10).

Jam tejet mirënjohëse që mora ndihmë dhe shërim nga familja ime, shkrimet e shenjta dhe lutja. Gjithashtu mora ndihmë nga psikologë. Pika kulmore e shërimit tim, gjithsesi, erdhi në tempull.

Kur fillova të shërbej në tempull, fillova të mbushem me më shumë dritë. Ndihesha në shtëpi atje. Ndjeva edhe siguri të thellë që Zoti më do dhe është i vetëdijshëm për mundimet e mia.

Teksa vazhdoja të shërbeja në shtëpinë e Zotit, fillova t’i shoh emrat e paraardhësve të mi në një mënyrë të ndryshme. Nuk ishin thjesht emra. E kuptova, për shembull, se një paraardhëse ishte një bijë, një nënë, një gjyshe, një teto, një motër, një mbesë. Vdekja e saj duhet të ketë qenë e vështirë për të afërmit që ishin gjallë. Por bekimet e ofruara kësaj paraardhëseje në tempull nëpërmjet ordinancave të shenjta mëkëmbëse përbëjnë një gëzim të madh dhe të ëmbël që e kapërcen çfarëdo dhembjeje që familjarët e saj të gjallë mund të kishin ndier prej vdekjes së saj.

Të kuptuarit e kësaj gjëje më ka bekuar teksa kam menduar rreth djemve tanë të çmuar, natyrës së përjetshme të shpirtrave tanë dhe planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Humbja e djemve tanë më nxit të bëj më të mirën për ta jetuar ungjillin.

Disa ditë janë ende më të vështira se të tjerat. Por mbajtja te premtimet e besëlidhjeve të mia m’i bën ato ditë më të lehta.

Duke përdorur fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson: “Na merr malli shumë për bij[të] t[a]në. Sidoqoftë, për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ne nuk shqetësohemi për t[a]. Teksa vazhdojmë t’i nderojmë besëlidhjet tona me Perëndinë, ne jetojmë me pritshmërinë që do të jemi me t[a] përsëri.”1

Shënim

  1. Rasëll M. Nelson, “Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 88.

Shtyp në Letër