2023
Referimet në Burg
Shtator 2023


“Referimet në Burg”, Liahona, shtator 2023.

Portrete Besimi

Referimet në Burg

Brenda burgut, Motra Llanos kurrë nuk e humbi nga sytë qëllimin e saj si përfaqësuese e Jezu Krishtit, duke u dhënë mësim të burgosurave në qelinë e saj rreth identitetit të tyre hyjnor dhe se si të luteshin.

Pamja
motra misionare me presidentin e misionit dhe bashkëshorten e tij

Fotografitë nga Amelia Lyon

Motra Akexali Llanos ishte një misionare shembullore me një dëshmi të fuqishme. Fillimisht ajo u caktua në Misionin e San‑Hosesë Lindore në Kosta-Rikë, por shërbeu me bashkëshorten time, Xhaninën, dhe mua në Misionin e Aguaskalientes në Meksikë për një vit përpara se të merrte një vizë për në Kosta-Rikë.

Në prill të vitit 2022 ia bëmë me dorë teksa Motra Llanos hipi në një avion për në Meksiko-Siti, nga ku do të bënte një fluturim tjetër për në Kosta-Rikë. Megjithatë, pas më pak se 24 orësh pasi i thamë lamtumirë na mori në telefon policia në Meksiko-Siti.

“Kemi arrestuar Akexali Llanosin në aeroport ngaqë kishte me vete një plumb që përdoret nga ushtria”, thanë ata. “Ky është një krim federal dhe ajo do të ndiqet penalisht.”

Menjëherë u lidha me zyrën ligjore të zonës për Kishën dhe ata pajtuan një avokat që të kërkonte lirimin e Motrës Llanos. Ky avokat nuk ishte anëtar i Kishës. Ai u zotua që të na ndihmonte, por shprehu pesimizëm. Ai shpjegoi se thjesht pasja në zotërim të një plumbi ushtarak nga një person që nuk është ushtarak, është një krim i rëndë, pavarësisht nga qëllimi i personit.

Më vonë Motra Llanos na tha se e kishte gjetur plumbin në rrugë në zonën e saj të fundit. Ajo mendoi se ishte një suvenir. Në fund të fundit, plumbi dukej i ngjashëm me zinxhirët e çelësave që shiteshin si suvenire jashtë një miniere të vjetër argjendi në një nga zonat e saj të mëparshme. Hetuesit e qeverisë, gjithsesi, e trajtuan atë si terroriste. Brenda pak ditësh Motra Llanos u shpërngul nga burgu i aeroportit në një burg të sigurisë së lartë ku mbaheshin kriminelet më të këqija.

Lutje me Besim

Lutjet për lirimin e shpejtë të Motrës Llanos filluan menjëherë. Xhanina dhe unë ftuam 115 misionarët që shërbenin në misionin tonë, të ushtronin besimin se ne mund të shihnim një mrekulli, në qoftë se ishte vullneti i Zotit. U vura në kontakt me presidentët e misioneve në Meksiko-Siti, në Misionin e San-Hosesë në Kosta-Rikë dhe Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Meksikë dhe ata i ftuan misionarët e tyre të bashkoheshin me ne në lutje.

Pamja
motër misionare

Brenda mureve të burgut, Motra Akexali Llanos kurrë nuk e humbi nga sytë qëllimin e saj si një përfaqësuese e Jezu Krishtit.

Brenda mureve të burgut, Motra Llanos kurrë nuk e humbi nga sytë qëllimin e saj si përfaqësuese e Jezu Krishtit. Ajo u dha mësim nëntë të burgosurave në qelinë e saj se si të luteshin duke ofruar lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes si grup çdo ditë. Ajo gjithashtu u mësoi rreth identitetit të tyre hyjnor.

Një nga të burgosurat në qelinë e saj shpalli: “Jam vërtet një person i keq për atë që bëra që përfundova këtu, dhe Perëndia më urren”. Motra Llanos e pa drejt e në sy dhe i tha: “Jo. Nuk je njeri i keq. Je dikush që bëri diçka të keqe. Por je një bijë e Perëndisë dhe Ai të do!”

Një tjetër e burgosur tregoi për një ëndërr që e kishte parë dy javë përpara se të arrestohej Motra Llanos. E burgosura ëndërroi që një zog kuecal kishte fluturuar brenda në burg për ta ndihmuar. Përpara se Motra Llanos të bashkohej me Kishën, ajo kishte bërë si tatuazh në kurriz një figurë të një zogu kuecal. Kur e burgosura e pa tatuazhin, ajo e dinte se duhej ta dëgjonte mesazhin misionar të Motrës Llanos.

Motra Llanos i dha mësim rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit dhe i dha asaj një kopje të Librit të Mormonit që e kishte sjellë me vete në burg, të njëjtën kopje që motrat misionare ia kishin dhënë Motrës Llanos pesë vjet më parë kur ajo ishte një kërkuese në Kishë.

Gjyqi i saj paraprak u caktua me të shpejtë në Meksiko‑Siti. Xhanina dhe unë shkuam që të dëshmonim atje. Kur u takuam me ekipin ligjor jashtë godinës së gjykatës, avokati dukej që ishte në siklet, duke ecur lart e poshtë në trotuar.

E mora mënjanë dhe i thashë: “Sot do të ndihesh më i qetë dhe më në paqe se kurrë ndonjëherë në gjykatë. Më lejo të të tregoj përse. Mbi 500 misionarë dhe familjet e tyre po luten për ty dhe suksesin tënd sot. Ata gjithashtu po luten që gjykatësi do të ketë një zemër të zbutur dhe që ai do ta lirojë Motrën Llanos nga burgu.”

Sytë e avokatit u mbushën me lot dhe ai shprehu mirënjohjen e tij për besimin dhe lutjet e kaq shumë njerëzve për hir të tij.

Në orën 10:00 gjyqi filloi, por mua m’u kërkua të qëndroja jashtë derisa të vinte radha ime për të dëshmuar. Kaluan dy orë të gjata. Më pas roja e gjykatës doli dhe tha se gjykatësi nuk kishte nevojë të dëgjonte dëshminë time, ai e kishte marrë tashmë vendimin.

Plot ankth hyra në sallën e gjyqit dhe gjykatësi filloi të flasë. Ai foli për ligjin që kishte shkelur Motra Llanos, dhe për akuzat e rënda me të cilat përballej ajo.

“Duke mos e marrë parasysh gjithë këtë”, – vazhdoi ai, “unë i besoj provat që janë paraqitur rreth karakterit të mirë të Motrës Llanos.” Atëherë ai citoi një pjesë të panjohur të ligjit që e lejonte gjykatësin të përdorte mëshirën dhe menjëherë e liroi atë.

Pamja
motra misionare dhe gruaja e presidentit të misionit

Motra Llanos me Motrën Xhanet Red, në krahët e së cilës ra Motra Llanos kur u lirua nga burgu.

“Perëndia Përkrah Meje”

Kjo ishte mrekullia që kishim kërkuar! Në vend që të dënohej me katër vjet apo më shumë në burg, Motra Llanos u lirua. Pas seancës dëgjimore, avokati i saj tha se ajo ditë ishte një nga ditët më të rëndësishme të karrierës së tij profesionale.

“Vërtet e ndjeva se Perëndia ishte përkrah meje”, – tha ai. “Dua të mësoj më shumë rreth gjërave që besoni.”

E ftova të vizitonte Qendrën e Vizitorëve në Tempullin e Meksiko-Sitit në Meksikë. “Atje do të shohësh misionarë të tjerë po aq të mirë sa Motra Llanos”, – i thashë atij. “Do ta shohësh shkëndijën në sytë e tyre dhe do të pyesësh veten përse.”

Dymbëdhjetë orë më vonë Motra Llanos u lirua, ende e veshur me veshjen e burgut. Ajo ra në krahët e Xhaninës. Kur ne të gjithë mbaruam së qari aq sa të flisnim, Motra Llanos thirri: “President, mora disa referime në burg!”

E gjithë kjo përvojë pohoi se “Perëndia nuk ka pushuar së qeni një Perëndi mrekullish” (Mormoni 9:15). Nuk kam dyshim që besimi dhe lutjet e shumë njerëzve të mirë e ndihmuan një avokat që të argumentonte çështjen e tij dhe ta zbuste zemrën e gjykatësit.

Ngaqë Motra Llanos u arrestua, disa gra të burgosura morën shpresë nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, një avokati i çeli një farë besimi dhe ne u forcuam në bindjen tonë se Perëndia mund të na përdorë që ta çojmë më tej punën e Tij pavarësisht se ku jemi.

Pamja
motër misionare duke qëndruar përpara tempullit

Motra Llanos në Tempullin e Tihuanës në Meksikë.

Shtyp në Letër