2023
Më së Fundi e Kuptova se Çfarë do të Thotë që Perëndia më Do
Shtator 2023


“Më së Fundi e Kuptova se Çfarë do të Thotë që Perëndia më Do”, Liahona, shtator 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Më së Fundi e Kuptova se Çfarë do të Thotë që Perëndia më Do

Më kishte humbur nga sytë fuqia e njohjes së identitetit tim hyjnor.

Pamja
fytyra e një të reje me lot

Ilustrimi nga Alecia Schubert

Kur isha i vogël, familja ime u shpërngul nga Hungaria në Gjermani. Isha i gëzuar që po shpërnguleshim atje, por doli që ato ishin nëntë vitet më të vështira të jetës sime.

E kisha të vështirë të mësoja gjermanishten dhe gjithmonë kam qenë mjaft i ndjeshëm, që të dyja gjëra që më bënë një shënjestër për bullizëm. Vlerësimi im për veten time u pakësua vërtet shpejt. Me kalimin e kohës ndjeva se njerëzit nuk më donin dhe kisha pak shpresë për të ardhmen. Vrisja mendjen a do të ishte bota më mirë pa mua dhe nganjëherë madje kisha mendime për vetëvrasje.

Por në njëfarë mënyre, përmes gjithë vuajtjes, e dija se jeta më ishte dhënë për një arsye, edhe nëse nuk e kuptoja plotësisht arsyen. E dija se mund ta gjeja dritën e Shpëtimtarit madje në kohët e errësirës (shih tek Ethëri 12:4). Kur dukej që bota po kthehej kundër meje, e dija se ku ta gjeja Atë dhe çfarë Ai mund të bënte për mua nëse e kërkoja Atë nëpërmjet shkrimeve të shenjta, lutjes dhe bërjes së më të mirës që të isha dishepull i Tij. Në të vërtetë ishte të jetuarit e ungjillit të Tij që më dha njëfarë paqeje dhe më ndihmoi që të vazhdoja gjatë kësaj kohe të tmerrshme.

Një e Vërtetë që më Kishte Humbur nga Sytë

Më së fundi, unë dhe familja ime u shpërngulëm përsëri në Hungari. E kisha mbaruar shkollën e mesme dhe, edhe pse ditët e bullizmit tim kishin mbaruar, ende më mungonte vlerësimi për veten time. Pasojat nga trajtimi aq i keq kishin ndikuar vërtet tek unë dhe nganjëherë ende e vija në dyshim vlerën e vetes sime.

Si i ri në moshë madhore, vërtet dëshiroja të kisha vetëbesim për të marrë vendime të rëndësishme për jetën dhe të vendosja se çfarë dëshiroja të arrija në jetë.

Ndërkohë që hasja vështirësi për këtë gjë, ndjeva nxitjen për të marrë pjesë në një konferencë për të rinjtë në moshë madhore në Europën Lindore. Më nevojitej njëfarë drejtimi shpirtëror në jetën time për të më ndihmuar që ta thelloja vlerësimin për veten time dhe u luta që të gjeja përgjigje atje.

Një natë në konferencë papritur krahët m’u mbushën me mornica kur folësi në takimin shpirtëror filloi të fliste rreth mënyrës se si ai ishte bullizuar kur ishte fëmijë. Ai foli për mënyrën se si dikur ishte ndier i pavlerë dhe i padukshëm. Menjëherë fillova të qaja.

Ai përshkroi pikërisht atë që pata përjetuar unë.

Folësi vazhdoi dhe tregoi për të vërtetën tek e cila ishte mbajtur gjatë sfidave të tij: një e vërtetë që më kishte humbur nga sytë:

“Unë jam fëmijë i Perëndisë”.

Përqafimi i Identitetit Tim Hyjnor

Kur mbaroi takimi shpirtëror, ende kisha lot që më rridhnin nëpër faqe. Folësi e vuri re dhe erdhi të më vinte dorën mbi shpatulla. Ai më tha se zakonisht nuk vjen vetë të flasë në takime shpirtërore, por ndjeu nxitjen se kishte një person që kishte nevojë ta dëgjonte mesazhin e tij drejtpërsëdrejti.

Unë isha ai person.

Kjo përvojë më tregoi se sa tërësisht i vetëdijshëm është Ati Qiellor për fëmijët e Tij dhe se Ai e di saktësisht se si të na shtrijë dorën e ndihmës që ne të mund të ndiejmë madje veçse një vezullim të dashurisë së Tij të përsosur prindërore. Ai e dinte se kisha nevojë ta dëgjoja mesazhin e këtij folësi dhe më kishte udhëzuar që të isha në vendin e duhur në kohën e duhur.

E kam ditur frazën “Unë jam fëmijë i Perëndisë” tërë jetën time, por vërtetësia e saj ma mbushi tërësisht shpirtin vetëm pikërisht në atë kohë. Unë e kuptova vërtet se çfarë do të thotë të jesh fëmijë i Perëndisë së përsosur që na do kaq shumë sa ishte i gatshëm të flijonte vetë Birin e Tij që ne të mund të jetojmë përsëri dhe të shëlbohemi nga mëkatet tona. Ai më do kaq shumë sa, ndërkohë që nuk mund të më mbrojë gjithmonë nga dhembja, Ai është me mua përmes saj dhe mund të më ndihmojë ta kapërcej, të rritem prej saj dhe të kthehem tek Ai.

Ai më do tani dhe Ai më donte pafundësisht gjatë viteve të mia të bullizmit kur ndieja se askush tjetër nuk më donte. E di tani se ishte ngaqë e dija këtë të vërtetë thellë brenda vetes sime që zgjodha të vazhdoja.

Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit na dha mësim rreth fuqisë së njohjes së identitetit tonë hyjnor. Ai tha: “Miqtë e mi të dashur, ju jeni në mënyrë të mirëfilltë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë. … Por a është skalitur ajo e vërtetë e përjetshme në zemrën tuaj? …

Mos bëni gabim në lidhje me këtë: Potenciali juaj është hyjnor. Me kërkimin tuaj të zellshëm, Perëndia do t’ju japë grimca të personit që mund të bëheni.”1

Tani, kur e gjej veten duke e vënë në dyshim vlerën time, unë gjithmonë ia kujtoj vetes sime faktin që jam fëmijë i Perëndisë dhe jeta ime është një dhuratë nga Ai.

Mbajeni mend që jeni fëmijë i Perëndisë. Dhe kurrë mos e harroni fuqinë mbështetëse, jetëndryshuese dhe jashtëzakonisht shpirtërore që vjen nga përqafimi i asaj të vërtete.

Autori jeton në Seged, Hungari.

Shënim

  1. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

Shtyp në Letër